Ikteri Ikteri (zverdhja)është çngjyrosje në të verdhë e - TopicsExpress



          

Ikteri Ikteri (zverdhja)është çngjyrosje në të verdhë e lëkurës, membranave të mukozës dhe pjesës së bardhë të syve si rezultat i rritjes së sasisë së bilirubinës në gjak. Ikteri është shenjë e një sëmundjeje në proces. Bilirubina është produkt që prodhohet nga shkatërrimi i përditshëm natyral i rruazave te kuqe te gjakut ne trupin tone. Molekula e hemoglobinës që është lëshuar në gjak prej këtij procesi , ndahet dhe pjesa heme pëson një konvertim kimik që rezulton në bilirubinë. Normalisht mëlçia metabolizon e sekreton bilirubinën në formën e bilës(vrerit). Megjithatë, në qofte se ka një dëmtim(ndryshim) në metabolizmin ose sekretimin(rrjedhjen) e bilirubinës si rezultat do të kemi ikter(zverdhje). Shkaqet e ikterit(zverdhja)Ikteri mund të shkaktohet prej një sërë procese sëmundjesh të ndryshme. Është shumë e rëndësishme të identifikojmë problemin që shkakton dëmtimet në metabolizmin dhe rrjedhjen e bilirubinës. Shkaqet mund të jenë: 1. Pre hepatike (përpara se bila,vreri, të prodhohet në mëlçi)Ikteri në këtë rast shkaktohet prej rritjes se menjëhershme të shpërbërjes dhe shkatërrimit të qelizave të kuqe në gjak(hemoliza) duke ulur aftësinë e mëlçisë për të larguar në mënyrë adekuate sasinë e rritur të bilirubinës nga gjaku. Disa shkaqe të këtij procesi janë:- malaria- krizat të pacientet me drepanocitoze(rruazat e kuqe në formë drapri)- Sferocitoza ( forme e anemisë se lindur ku qelizat e kuqe kanë formën e sferës)- Talasemia( tjetër formë anemie e lindur)- Mungesa e G6PD (glukoze 6-fosfat dehidrogenazes , sëmundje e lindur)- Përdorimi i drogës ose helmeve të tjera- Sëmundjet autoimune 2. Hepatike (ku problem lind ne melci)Ikteri ne ketë rast shkaktohet nga paaftësia e mëlçisë për të prodhuar dhe sekretuar bilirubinen Shkaqet përfshijnë:- Hepatiti ( zakonisht viral ose alkoolik),- Cirroza hepatike- Drogat dhe helmet e tjera- Sindromi Crigler-Najjar (çrregullim shume i rralle i trashëguar ku bilirubina nuk mund të ndahet)- Sindromi Gilbert (çrregullim shumë i shpeshtë ku kemi sasi të lartë të bilirubinës)- Kanceri i mëlçisë 3.Post-hepatike, pasi bila (vreri) është prodhuar ne mëlçi.Ikteri në ketë rast quhet ikter mekanik dhe shkaktohet nga situate që ndalojnë rrjedhjen normale të bilirubinës së konjuguar në formë vreri nga mëlçia për në zorrë. Shkaqet e ikterit mekanik përfshijnë:- Gurët e tëmthit që mund të bllokojnë duktuset biliare(kanalet e vrerit) - Kanceri pankreatik dhe carcinoma e fshikëzës së tëmthit dhe duktuseve biliare- Strikture e duktuseve biliare (ngushtim)- Kolangitis(infeksion i rrugëve biliare)- Malformacione të lindura- pankreatiti- parazitet- Shtatzënia Shenjat e ikteritIkteri është shenje themelore e një sëmundjeje në proces .Shenjat dhe simptomat e shpeshta të para tek njerëzit me ikter (zverdhje) përfshijnë: - Zverdhje e lëkurës, membranave të mukozës dhe pjesës së bardhë të syve - Feçe të zbardhura,- Urine me ngjyre të erret si çaj- Kruajtje lëkure Procesi i sëmundjes mund të rezultojë me shenja dhe simptoma të tjera që përfshijnë:- Të vjella- Dhimbje barku- Ethe- Dobësi- humbje oreksi- dhimbje koke- gjendje konfuzioni- ënjtje të këmbeve dhe barkut Ekzaminimet Pavarësisht historikut të detajofshim që do t’ju marrë doktori , do të jetë e nevojshme kryerja e një sërë analizash dhe ekzaminimesh për të gjetur shkakun e ikterit tuaj. Analizat dhe ekzaminimet e nevojshme janë si më poshtë: - Analizat e gjakut; Ku përfshihet gjaku komplet, provat funksionale të mëlçisë, nivelet e amilazës dhe lipazës për të parë praninë e pankreatitit dhe panelin e elektroliteve. Mund të jenë të nevojshme dhe analiza të tjera shtesë kjo në varësi të rezultateve të analizave të lartë përmendura. - Analiza urinës: është një test shumë i dobishëm në diagnostikimin e shumë sëmundjeve Studimet imazherike:- Eko abdominale: Kjo është një procedure e thjeshtë dhe e sigurte, jo e dhimbshme. Me anë të ultratingujve me frekuence të lartë merren imazhe të fshikëzës së tëmthit dhe pankreasit. Është shumë e përdorshme për të gjetur gurët e tëmthit dhe zgjerim të vijave biliare, gjithashtu mund të zbuloje anormali të pankreasit dhe mëlçisë. - Endosonografia EUS : është një procedure minimalisht invasive me risqe proceduriale të ngjashme me ato të gastroskopisë dhe me mortalitet të ulet. Afërsia e ekoendoskopit me sitemin biliar ekstrahepatik, mungesa e radiacionit dhe siguria e bën EUS një metode të shkëlqyer për ekzaminimin e duktusit biliar të përbashkët(rrugët e tëmthi), fshikëzës së tëmthit dhe gurët e vegjël, llumin biliar gjithashtu dhe për mikrogurët (mikrolitiazis). Sistemi biliar ekstra hepatic me EUS mund të vlerësohet plotësisht tek 96 % e pacienteve.- Tomografia e kompjuterizuar (CT) skaneri: Skaneri është test imazherik i njëjte me rrezet X (grafinë) që merr pamje të detajuara të organeve të barkut. Nuk është aq i mirë sa eko-ja abdominale për të kapur gurët në fshikëzën e tëmthit por mund të identifikoje një sëre anomalish të tjera të mëlçisë, pankreasit dhe organeve të tjera gjithashtu. - Koleshintigrafia(HIDA Skaner): është një test imazherik që përdor substancë radioaktive për të vlerësuar fshikëzën e tëmthit dhe vijat biliare. - Rezonanca magnetike (MRI): është një test imazherik që përdor një fushë magnetike për të ekzaminuar organet e barkut. Mund të jetë e dobishme për imazhe të detajuara të vijave biliare.- Kolangio-pankreatiko-grafia retrograde endoskopike ERCP: është një procedure e cila kryhet me ane të gastroskopit (një tub i holle me kamera në maje të tij) i cili futet nëpërmjet gojës deri në fillim të zorrës së hollë. Më pas injektohet një ngjyrues në vijat biliare ndërsa merren imazhe me rreze X. Është shume i dobishëm për identifikimin e gurëve, tumoreve dhe ngushtimeve të vijave biliare. Biopsia e mëlçisë - Perkutane (nga lekura): në ketë procedure, një age futet në mëlçi pasi pacientit i injektohet anestezi. Shpesh përdoren imazhet ultratinguj (ekoja) për të drejtuar agën. Materiali i marre prej mëlçisë dërgohet në laborator për ekzaminim histopatologik. Ndër të tjera biopsia e mëlçisë ndihmon dhe ne diagnostikimin e pankreatitit, cirrozës dhe kancerit të saj. - Tjetër mënyre për të marrë biopsi të mëlçisë është aspirimi me age(FNA) gjatë procedurës së ekos endoskopike(EUS) e cila është një procedure e besueshme, e sigurte ne diagnostikimin e lezioneve të dyshimta të mëlçisë.Megjithatë të dyja metodat plotësojnë njëra tjetrën. Trajtimi ikterit Trajtimi varet nga shkaku i gjendjes që çon në ikter dhe çdo komplikim i mundshëm që lidhet me të. Menjëherë sapo vendoset diagnoza bëhet dhe trajtimi përkatës. Pacienti mund të ketë ose jo nevojë të hospitalizohet. - Mund të jete i nevojshëm trajtimi mjekësor me lëngje intravenoze, antibiotike dhe transfuzion gjaku.- Në qoftë se shkaku janë droga dhe helmet e tjera atëherë ato ndërpriten. - Mund të jetë i nevojshëm trajtimi kirurgjikal. Kujdesi në shtëpi Qëllimi i kujdesit në shtëpi është lehtësimi i simptomave dhe menaxhimi i situatës mjekësorë që shkakton ikterin. Ndër masat e duhura që mund të merren janë; - Mbajtja në nivele adekuate të hidratimit duke pirë shumë lëngje dhe regjim shtrati.- Marrja e mjekimeve sipas përshkrimeve të mjekut. - Shmangia e ilaçeve, bimëve mjekësore ose suplementeve të tjera të cilat mund të shkaktojnë efekte të dëmshme anësore. Konsultohuni me mjekun tuaj për këshilla. - Shmangni përdorimin e alkoolit.- Ndiqni këshillat rreth dietës sipas rekomandimeve të mjekut tuaj. Trajtimi mjekësor Trajtim varet nga gjendja mjekësore shkaktare e ikterit dhe në lidhje me simptomat dhe komplikimet. Trajtimi mund të përfshije:- Kujdesi mbështetës,- Likide intravenoze në rast dehidrimi- Medikamente për të vjellat dhe dhimbjen,- Antibiotike- Mjekimi me antiviral- Transfuzion gjaku- Steroide- Kimioterapi/radioterapi. MedikamentetMedikamentet mund te jene ose jot e nevojshme. Pasi diagnostikohet shkaktari i ikterit vendoset skema e mjekimit në varësi të shkaktarit. KirurgjiaTrajtimi kirurgjikal mund të jetë i nevojshëm në situatat e kancerit, malformacioneve të lindura, bllokimeve të dukseve biliar, gurëve të tëmthit dhe anormalive të shpretkës. Në disa raste është e nevojshme transplantimi i mëlçisë. Parandalimi Kushtet mjekësore që mund të shkaktojnë ikterin(zverdhjen ) mund të parandalohen. Disa masa parandaluese përfshijnë;- Shmangia e abuzimit me alkoolin (hepatitis alkoolik, cirroza alkoolike dhe pankreatiti)- Vaksinimi për hepatitin B dhe A- Marrja e ilaçeve kundër malaries përpara udhëtimeve në vendet me risk të lartë.- Shmangia e veprimeve me risk të lartë siç është marrja e drogave venoze dhe kryerja e marrëdhënieve seksuale të pa mbrojtura. (kështu shmangim hepatitin B)- Shmangia e ushqimeve dhe ujit të kontaminuar dhe mbajtja e një higjiene të lartë për ushqimet. (kështu shmangim hepatitin A) - Shmangia e ilaçeve që shkaktojnë hemolize (shkatërrim i qelizave të kuqe të gjakut) në personat e dyshuar (si p.sh. ato me defiçencë të G6PD).- Shmangia e ilaçeve dhe helmeve që shkaktojnë hemolize dhe që shkaktojnë dëmtime direkt të mëlçisë. Për tu mbajtur mendPrognoza varet nga shkaktari. Disa situate janë lehtësisht të menaxhoheshe dhe kane një ecuri të shkëlqyer, ndërsa disa të tjera mund të jenë kronike dhe kërkojnë ndjekje mjekësore për gjithë jetën. Fatkeqësisht disa situate që shkaktojnë ikterin mund të jenë fatale për jetën pavarësisht mjekimeve dhe ndërhyrjeve kirurgjikale. Anduena Dardha Fakulteti i Mjekësisë
Posted on: Fri, 18 Oct 2013 16:48:46 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015