Janë shumë të rralla në historinë e njerëzimit fakte që - TopicsExpress



          

Janë shumë të rralla në historinë e njerëzimit fakte që një poet të krijojë një sekt më vete, madje një sekt botëror. Dihet rasti i poetit Xhelaledin Rumiu, që krijoi sektin Mavlani Dr. Moikom Zeqo Historia e sekteve fetare është e pafundme dhe plot të papritura. Një mori sektesh apo tarikatesh mistike u zhvilluan në Shqipëri gjatë kohës së Perandorisë Osmane dhe përfaqësonin shkollëza fetare ose rrymëza dhe skajime mistike, që bartin shpesh herë karakter heretik, të gërshetuara me atë laik. Kam shkruar disa libra për bektashizmin dhe jam interesuar për historikun e tarikateve në Shqipëri. Para ca kohësh bëra një vizitë në Prizren në Kosovë dhe pashë një tyrbe dhe teqe, që i kushtohej tarikatit mistik Saadi. Fillimisht mendova se një sekt i tillë me emrin e poetit gjenial Persian Saadi, mund të qe thjesht një rastësi të emrave të njëjtë dhe se Saadi mund të quhej një personalitet tjetër dhe jo konkretisht emri i poetit Saadi. Duke bërë hulumtime më ra në dorë një libër i shkruar nga Ismail Halil Aga, botuar nga Eurorilindja, në Tiranë më 1996. Autori është nga studiuesit më të zellshëm dhe të informuar të sekteve dhe tarikateve mistike. Ai duke gjurmuar në biblioteka në disa arkiva shtetesh ballkanike si dhe duke udhëtuar në vendet e shenjta të Lindjes ka vërtetuar se në Shqipëri, në Kosovë, në Mal të Zi, Maqedoni dhe Turqi. Në Prizren është varrosur nga figurat më të mëdha mistike të sektit Saadi, i quajtur Sadedin Xhibavium Evlija Axhiz Baba. Janë shumë të rralla në historinë e njerëzimit fakte që një poet të krijojë një sekt më vete, madje një sekt botëror. Dihet rasti i poetit Xhelaledin Rumiu, që krijoi sektin Mavlani, sidomos muzikës në ekstazë dhe vallen e quajtur Sema të dervishëve të tmerrshëm dhe të paepur të këtij sekti të frymëzuar nga një poet. Por ja që edhe poeti Saadi ka frymëzuar një sekt mistik të përbotshëm. Saadiu ka lindur në 1203 në qytetin Shiraz të Iranit Jugor, pra 800 vjet më parë. I mbetur jetim në moshë të vogël Saadi udhëtoi në botë. Etapa e udhëtimeve zgjati deri më 1250. Ai ka qenë në Mekë, Damask, Tripoli, Balbek dhe Alep. Ka kaluar në Jemen, në Kufë, ka qenë gurëthyes në Tripoli të Libanit, hoxhë në Damask, dervish në Basra, sheh në Alep, prift Brahman, siç e tregon vetë në Somenath të Indisë dhe është zënë rob nga kryqtarët e Kryqëzatës IV në Jeruzalem, ku u vu të punonte me forcë bashkë me çifutët në kanalin e Tripolit të Libanit. Saadiu është autor i veprës gjeniale Gjylistani dhe Bostani përkthyer në shqip nga i paharruari dhe eruditi Vexhip Buharaj. Naim Frashëri e quan Saadiun një nga poetët më të mëdhenj të botës dhe madje ka imituar disa subjekte dhe motive të Saadiut në vjershat e tij. Krijimtaria e Saadiut, ka ndikuar edhe tek poetë të tjerë shqiptarë. Përgjithësisht është menduar që ky ndikim ka qenë më i dukshëm në shek XIX, kryesisht tek krijuesit shqiptarë, që kishin lidhje me metropolin e Perandorisë Osmane. Eshtë për tu çuditur, por tashmë nga dokumentet po del se ndikimi i Saadiut nuk ka qenë vetëm thjesht në rrafshin letrar, poetik, por sidomos në rrafshin fetar, madje të institucionalizimit të tarrikatit mistik, të quajtur Saadi. Ndikimi i sekteve mistike të Lindjes takohet që në fillim të shek XIV. Një nga dervishët misionerë ka qenë dhe Sari Salltëk Baba dhe një tjetër i quajtur Seit Ali Sulltan, është interesante që predikimi i sekteve mistike Lindore u bë fillimisht në Shqipëri nën petkun e mistikëve të krishterë. Përsa i përket sektit Saadi si kryemisionar është mistiku me famë ballkanike, biri i Bushatllinjve të Shkodrës, shqiptari Sulejman Axhiza Baba në shek XVII. Janë shumë dokumente që vërtetojnë se Sulejman Axhiza Baba ka në dejet e tij gjakun e Bushatllinjve të Shkodrës, pra është një nga shqiptarët shumë të ditur, që ka institucionalizuar një sekt botëror të poetit Persian Saadi. Dihet që Bushatllinjtë bënë epokë në historinë e Shqipërisë dhe Ballkanit. Bushatllinjtë kanë patur edhe një bibliotekë të famshme madje edhe nga galeri arti figurative. Këto tradita qenë të gërshetuara me kulturën e Lindjes dhe Perëndimit. Sulejman Axhiza Baba ka lindur më 1637, u diplomua për teologji në Stamboll, pastaj u vendos në Damask, ku u përfshi në tarrikatin Saadi. Mbas Damaskut ai u bë përhapës i këtij tarrikati mistik në Shqipëri, Kosovë, Ballkan e më gjerë. Ai ka qenë në Shkëlzen të Gashit, në Pashtrikun e Hasit, në malin e Krujës. Thuhet që ka qenë edhe në Korfuz. Axhiza Baba ka qenë edhe në Gjakovë. Teqja e madhe e Saadive në Gjakovë ka patur ndikim rrezatues. Axhiza Baba shkoi edhe në Prizren. Aty ekziston një legjendë sipas të cilës një besimtar i kërkoi Axhiza Babës rrush të freskët mes dëborës së dimrit. Axhiza Baba bëri që nga hardhia e tharë të rritej veshi i rrushit. Ky subjekt përrallor është në një poezi të tij në Divanin, që ruhet në bibliotekën e Kosovës. Axhiza Baba ndërroi jetë më 1747. Ai jetoi gjatë dhe la emër të pavdekshëm. Ai qe poet dhe la në dorëshkrim dy libra, të shkruara në tri gjuhë orientale. Këto libra për fat të mirë gjenden akoma dhe sot. Libri i dytë ndodhet në bibliotekën e Teqes së madhe të Saadive në Gjakovë. Axhiza Baba lindi në Shkodër dhe apostoloi për 111 vjet. Ai u varros në Teqen e Prizrenit më 1748, duke i lënë trashëgim sekretet e sektit të tij djemve të vet dhe pasuesve deri në ditët e sotme. Duke mos dashur të zgjatem shumë pr vazhdimësinë e jetës fetare dhe kulturore të sektit Saadi në Shqipëri, Kosovë dhe Ballkan dua të shtoj se Teqja e Gjakovës është institucioni ballkanik më i madh i Saadive dhe se në fshatin Buzë të Tepelenës ndodhet një teqe tjetër e tarrikatit Saadi. Tepelena mbetet kështu një Mekë e vogël e kultit Saadi në Ballkan. Një tjetër teqe Saadi është edhe në Pezë pranë Tiranës, ku sipas disa të dhënave paska jetuar për pak kohë edhe Naim Frashëri. Tarrikati I Saadive ka patur lidhje të ngushta me bektashizmin. Shumë dervishë bektashinj kanë kaluar dhe kanë ndenjur në teqetë e tarikatit Saadi. Tarikatin Saadi e ka organizuar dhe themeluar Piri Sadedin Xhibaviu. Ky Pir e krijoi në kult popullor figurën e madhe të poetit të shekullit XIII Saadi. Ajo që mua më intereson si kulturolog dhe historian ka të bëjë me trashëgiminë poetike tepër interesante të misionarëve të këtij kulti në Shqipëri. Do të jap më poshtë disa shembuj poetikë të përkthyer në shqip nga disa kronograme poetike që ndodhen në tyrben e Haxhizababës në Prizren. Një nga kronogramet i shkruar në letër me dimensione 35x35 cm me shkrimin e veçantë Sukus në osmanishte, të hartuar më 1748 thuhet: O Shejh i përsosur, bir i arritur,/ I denjë, i denjë për bekimin e Zotit./ Ky është vetë ai Sulejman Efendiu,/ Që e njohu siç duhet sekretin e kalimit./ I pashoq në sekrete, trashëgimtar,/ i dijes pafund të më të lartit Profet./ Me përmendje ide e mendim të vërtetë / E ka madhëruar e ngritur sektin Saadi./ E kërkoj me afsh derisa e gjeti/ E derisa e shpalli sekretin e Sadedinit./ Se dihet padyshim në këtë botë/ Gjithçka është kalimtare siç e thotë Ajeti/ I përgatitur ka pritur dhe i qetë/ Atë që është thënë Kthehu tek unë./ Dashuria e madhe e të dashuruarit/ Më në fund e tërhoqi në anën e vet./ Me lavdërime e duke thënë:O Zot,/ Të gjithë botën e qëniet i çon në Amëshim./ Dhe shpirti i ëmbël befas fluturoi/ Me kënaqësi të veçantë nga trupi i tij./ Dhe kështu me hir dhe urdhër të Zotit/ Ju bë fole pushimtorja e sinqeritetit./ Dështë Zoti i madh që edhe bijtë e tij/ Të jetojnë në famë e lartësime si ai./ E le të jetë për ne si udhërrëfyes i drejtë/ Deri në Ditën e Madhe dhe të rreptë të Gjykimit/O Zot bëje Teqen e Saadive të përkorë/ Vendshpëtimi e prehje për këdo./ Bëje për tërë dashamirësit e shumtë/ Që papushim e gjithmonë e kërkojmë atë./ Se lëngu i lëndës sime të kujtesës/ E shkroi dhe e la këtë histori o Saadi./ Në vitin 1748 kaloi Axhiza Baba / në tjetër jetë dhe u takua me të madhërishmin. Ky kronogram poetik është sinteza e tërë sektit. Eshtë një përmendore kujtese për Sulejman Axhiza Babën dhe për Pirin themelues Sadedin. Por krijimtaria poetike e Saadive është shumë e gjerë. Në vitet 1720-1722 në Gjakovë dervishi Luftulla Efendiu ndihmoi të sëmurët nga kolera, por vdiq edhe vetë nga kjo sëmundje. Kjo gjë u konsiderua si një vetmohim i madh i tij. Në Gjakovë gjendet e shkruar kjo poezi kushtimi me titull:Ejani se Luftulla u bashkua me Hakun. Vargjet janë si më poshtë:Neve Saadi na thonë/ Ai që shikimin e syve nuk e ka të saktë/ Nuk mund të na shohë dot./ Fuqinë e Perëndisë i verbëri smund ta shohë/ Zemra jonë nga ngjyrat e së keqes është larguar./ Duke u vulosur nga një bukuri e pastër zemre/ Neve Saadi na thonë./ Në këtë havan që dëshiron për tu shtypur/ Plot fuqi hyjnore Axhizaja/ Me bukurinë dritë të Perëndisë/ E kalli vehten./ Neve Saadi na thonë. Do të ishte e domosdoshme të hartohej një antologji poetike me krijimet e dervishëve të sektit Saadi. Teqeja ku është varri i Axhiza Babës në Prizren, duhet të kthehet në një monument kushtimor, të rrallë në Ballkan, ku duhet vendosur edhe një bust bronxi i persianit të shek. XIII, poetit të vërtetë, Saadi. Që shqiptarët gjatë shekujve kanë marrë pjesë në sektet mistike që lidhen me emra poetësh siç është emri i poetit Rumiu dhe Saadiu është me të vërtetë një gjë habitërisht e guximshme, gati një lloj trilli kombëtar, gërshetuar me një respekt të pashembullt të vetë kultit të poezisë botërore. Kjo shpjegon edhe pse emri i Naim Frashërit synoi të kthehej në një sekt mistik në një lloj frashërizmi, ose naimizmi për ne shqiptarët por që për arsye historike pasuroi dhe praroi substancën e misticizmit të sektit të bektashizmit, që sot ka qendrën botërore në Shqipëri. Ajo që është karakteristike për këto sekte mistike dhe toleranca e madhe fetare dhe pranimi i një ekumenizmi bashkues, sintetizues, pllenues, midis krishtërimit dhe islamizmit. Kështu shqiptarët kanë dhënë ndihmesën e tyre si pak popuj në botë për këtë ekumenizëm që është kaq i domosdoshëm në epokën globale, duke skualifikuar që në gjenezë fondamentalizmin fetar, qoftë të Lindjes dhe qoftë të Perëndimit. Ka ardhur koha që historia politike dhe ekonomike e Shqiëprisë të pasurohet dukshëm me dimensionin e historisë letrare por edhe fetare. Ka ardhur koha që të ketë një ringjallje të qendrave virtuale të mendimit dhe ideve në shekuj të ndërthurrjeve të pabesueshme të kulturave dhe të qytetërimeve në tokën tonë Shqipëri, që shpesh nga injoranca jonë e padenjë e kemi parë me një optikë gri, nga kompleksi i inferioritetit ose ndonjëherë nga kompleksi i madhështisë së kotë dhe të rreme. Shqiptarët duke vlerësuar poetët shprehin një qëndrim emancipues të pashembullt gati për të gjithë, por duke mos i njohur këto vlera bien në grackën e mohimit apo të mungesës së emancipimit. Amen! Dr. Moikom Zeqo
Posted on: Sun, 20 Oct 2013 13:57:45 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015