Jeni nxituar Z. Drejtor i SHISH-it! Këtë herë media shqiptare - TopicsExpress



          

Jeni nxituar Z. Drejtor i SHISH-it! Këtë herë media shqiptare ja ka dalë të nxjerrë nga heshtja dhe të tërheqë në “vallen” e saj Shërbimin Informativ Shtetëror. Këtë herë ajo ja ka dalë ta tërheqë SHISH-in në fushën e saj, pikërisht aty ku ajo është më e fortë, madje e pakonkurueshme. Gjithçka ka nisur me publikimin në një të përditëshme të “lajmit”se Drejtori i SHISH-it Z. Visho Ajazi është takuar fshehurazi në Pakistan me një zonjë të quajtur Ollga, e cila mendohet të ketë lidhje me shërbimin e fshehtë Rus. Madje flitet edhe për një foto e cila (lajmi e do) të ketë rënë në dorë të shërbimeve të huaja të cilët ja kanë dorëzuar Presidentit të Republikës. Pas ripublikimit nga disa agjenci të tjera shtypi, ky “lajm” ka detyruar Shërbimin Informativ Shtetëror të reagojë në mënyrë institucionale. Në faqen e tij zyrtare është publikuar një njoftim (pa datë) me anën e të cilit përgënjeshtron ato që thuhen në media dhe siguron se do të ndërmerren të gjitha hapat e duhura ligjore, për vendosjen para drejtësisë së autorëve të këtyre shpifjeve, duke ju drejtuar institucioneve kompetente. Në pamje të parë duket sikur ç’do gjë është normale dhe se SHISH siç citohet në njoftim po vepron i diktuar nga intensiteti në rritje i publikimit të informatave të rreme, si dhe nga detyrimi ligjor për të mbrojtur veprimtarinë e punës së institucionit. Por nëse e shikojmë në këndvështrimin e duhur këtë çështje mendoj se Drejtori i SHISH me ose pa dashje ka krijuar një precedent anormal duke ju kundërpërgjigjur, madje me ton kërcënues medias. Tani loja e akuzave me ose pa bazë rrezikon të vazhdojë pambarimisht, madje edhe nga botues të tjerë të interesuar për të tërhequr vëmendjen e lexuesit. Unë mendoj se nuk është në interes të SHISH-it si institucion dhe të drejtuesve të tij të hapë “luftë” me median. Gjithashtu mendoj se Drejtori i SHISH mund të kishte ndjekur një rrugë më të drejtë, atë institucionale për tu mbrojtur, duke filluar me sqarimin deri në detaje të situatës së krijuar dhe venien e tyre në dispozicion të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, si eprori i tij i drejtpërdrejtë, duke i kërkuar dhe rekomandimet përkatëse për veprimet e mëtejshe. Më pas është Kryeministri ai që mund të reagojë në mbrojtje të vartësit të tij, duke dhënë garanci për median dhe publikun mbi gjykimin e paanshëm të çështjes. Më tej, nëse dhe ky hap gjykohet i pamjaftueshëm nga politika dhe përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Shqipërisë këmbengulin për transparencë më të gjërë, atëhere çështja mund të shqyrtohet në komisionin e Sigurisë Kombetare, nga ku Drejtori i SHISH merr një garanci dhe mbrojtje të mëtejshme nga ato që ai i cilëson shpifje. Qëndrimi i Komisionit të sigurisë do të shërbejë si një “çertifikatë” për vazhdimesinë e punës së tij në të ardhmen. Por në rastin kur dhe kjo masë rezulton e pamjaftueshme atëherë është Kuvendi i Shqipërisë që shqyrton mundësinë për krijimin e një komisioni parlamentar për hetimin e çështjes. Duke gjykuar mënyrën e reagimit të Drejtorit të SHISH në këtë rast mendoj se ai ka ndjekur rrugën më të shkurtër dhe joproduktive duke futur institucionin në konflikt me median, qofshin ato dhe “dashakeqëse” apo “tendencioze” ndaj tij. Nëse shikojmë me kujdes ligjin që normon veprimtarinë e SHISH mund të arsyetojmë dhe më tej, se me këtë veprim mund të jetë shkelur dhe neni 19 i vendimit të Qeverisë Shqiptare, “Për Kodin Etik”, që e ndalon antarin e Këshillit të Ministrave të ngrejë padi civile ose të bejë kallzim penal kundrejt një medjeje të caktuar, apo përfaqësuesit të saj pa marrë më përpara miratimin e Kryeministrit apo të Këshillit të Ministrave. Kjo vjen për arsye se në ligjin nr.8391, datë 28.10.1998 “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, i ndryshuar në nenin katër thuhet; “Shërbimi Informativ Kombëtar është institucion qendror, që varet nga Kryetari i Këshillit të Ministrave”. Ndërsa në paragrafin e fundit të nenit pesë thuhet; “Statusi i tij (Drejtorit të SHISH), për efekte trajtimi ekonomik, njësohet me atë të një ministri...”. Mendoj se këto dy paragrafe të ligjit e detyrojnë drejtorin e SHISH të marrë paraprakisht miratimin e Kryeministrit për të bërë një reagim të tillë. Në përfundim dëshiroj që reagimi im mbi këtë çështje të vlerësohet si një përpjekje imja për të kontribuar në gjetjen rrugëve të duhura ligjore dhe institucionale për ruajtjen e dinjitetit të SHISH si institucion i sigurisë kombëtare dhe të drejtuesve të tij pa dallim. Petrit Zambaku Instituti për Sigurinë dhe Kontrollin Demokratik Tiranë, më 20.09.2013
Posted on: Sat, 21 Sep 2013 20:35:14 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015