KOMUNIKIMI MASIV Termi “komunikim masiv” paraqet mënyrat e - TopicsExpress



          

KOMUNIKIMI MASIV Termi “komunikim masiv” paraqet mënyrat e organizuara të komunikimit të hapur e publik, zakonisht në distanca të mëdha hapësinore dhe për periudha të shkurta kohore. Koncepti i komunikimit masiv rëndom nënkupton: gazetat dhe revistat (të shkruara dhe elektronike), televizionin dhe kinemanë, radion, reklamën dhe komunikimin shoqëror, nganjëherë edhe librin (sidomos letërsinë e popullarizuar) , muzikën ( industrinë e popullarizuar), dvd-të, videokasetat, lojërat e kompjuterëve etj.. Përkufizimin kyç të këtij koncepti e bën mbiemri ‘masiv’, që sugjeron një publik heterogjen, që e bën ‘komunikimin’ e njëanshëm, sepse përmes këtij komunikimi të planifikuar një elitë e ngushtë përhap informacione dhe modele të të menduarit ose të sjelljes për një numër të madh marrësish. Në programet universitare, ‘komunikimi masiv’ është një term që përdoret për ta përshkruar studimin akademik të mënyrave me të cilat individët ose grupet shoqërore transmetojnë informacione për një numër më të madh njerëzish nëpërmjet mediave masive. Pra, përmes kësaj lënde, në studimet e larta të gazetarisë, ku kryesisht mësohen shkathtësi praktike të gazetarisë, të raporteve publike, reklamës, e të tjera, do të mund të shqyrtohen praktika, historia, ligjet, efektet të mediave, pra institucionet dhe proceset që i përcjellin këto shkathtësi . Në studimet e sotme shoqërore nocioni ‘komunikim’ ndeshet shpesh, madje shpesh thuhet se jetojmë në një qytetërim të komunikimit. Por, ky koncept nuk është i ri, sepse njeriu nga vetë natyra është qenie komunikimi, dhe tipar i tij kryesor është gjuha, e cila në thelb shërben për të komunikuar. Ndërkaq, historikisht, mjetet e komunikimit janë zhvilluar aq shumë, sidomos me lindjen e shtypshkronjës dhe me mundësinë e riprodhimit të pafund të fjalës falë mediave, saqë komunikimi ka marrë përmasa globale. Në shoqëritë bashkëkohore njerëzit komunikojnë në mënyra të ndryshme: përmes komunikimit të drejtpërdrejtë në shtëpi dhe në vendet publike; përmes telefonit, faksit dhe postës elektronike; nëpër shkolla, xhami dhe kisha, koncerte, teatro, nëpër takime publike; si dhe përmes të lexuarit, të dëgjuarit, dhe të shikuarit e mediave. Mediat janë sidomos të rëndësishme në shtetet e mëdha dhe teknologjikisht të avancuara, ku shumica e qytetarëve nuk arrijnë asnjëherë të takohen me 99 për qind të bashkëqytetarëve të vet, dhe mediat i kanë si një formë të krijimit të afërsisë me bashkëkombësit. Në raste kur mediat masive kanë mangësi profesionale ose teknike, ose atëherë kur janë dukshëm propagandistike, zbrazësinë e krijuar e mbushin forma të tjera komunikimi, sado të papërshtatshme qofshin ato. Në nivel politik media ka një rol qendror për përforcimin e demokracisë, sepse përmes informacionit të efektshëm mundësohet pjesëmarrja e qytetarëve në jetën e komunitetit. Pra shoqëria demokratike, meqë varet nga një popullatë e informuar mire, e cila di të bëjë zgjidhje politike, është ngushtë e ndërlidhur me komunikimin masiv. ‘Mass Media’ si term është konstruktuar në vitet 1920, me zhvillimin e rrjeteve kombëtare të radios dhe me tirazhet masive të gazetave dhe revistave, që u drejtoheshin audiencave masive. Në një mënyrë audienca masive nënkupton formësimin e një shoqërie masive me karakteristika të veçanta., dhe sa e mundshme e sa e rëndësishme është kjo audiencë mund ta ilustrojë fakti se blloku i ashtuquajtur ‘lindor’ mundi të rrëzohet kryesisht falë medias. Emërtimi “media’ vjen nga shumësi latin i kësaj fjale, dhe nënkupton një tërësi të të gjitha llojeve e botimeve publike, kundruall për shembull medias jo-masive, si të folurit, gjestet, telefoni, posta, apo mesinxheri. Përderisa komunikimi fytyrë për fytyrë është reciprok, ai masiv është monopolizues meqë reciprociteti i një audience masive është i pamundshëm. Edhe pse format e hershme të mediave masive (gazeta, revista, kinemaja dhe radioja) janë zhvilluar me ritëm tejet të shpejtë dhe janë pasuruar me forma të reja, veçoria thelbësore e komunikimit masiv ngel e njëjtë: informatat, opinionet dhe argëtimi përhapen shpejt tek popullata e gjerë, dhe kanë ndikim të madh në shoqëri. Komunikimi masiv është pjesë e studimeve më gjithëpërfshirëse të komunikimit njerëzor, dhe studimi i komunikimit ka karakter ndërdisiplinor. Çështjet kryesore të teorisë dhe studimit të komunikimit janë: kush komunikon dhe kujt i drejtohet; pse komunikohet; si shfaqet komunikimi; çfarë përmban ai, dhe cilat janë pasojat e qëllimshme dhe të paqëllimshme të këtij procesi. Nëqoftëse e klasifikojmë komunikimin në bazë të shkallës së organizimit shoqëror, atëherë komunikimi masiv mund të shihet si maja e një piramide në bazë të së cilës gjendet komunikimi intrapersonal (perceptimi, vëmendja, të kuptuarit, të nxënit, opinionet, identiteti). Mbi këtë shkallë, mund të flitet për komunikimin ndërpersonal (p.sh.bisedat dhe ndërveprimi mes bashkëbiseduesve), më tutje për komunikimin brenda grupeve shoqërore (p.sh familja), brenda shoqatave, organizatave e institucioneve – duke vërejtur shkallë pas shkalle reduktimin e shembujve si dhe skemat e përcaktuara dhe pothuaj të mbyllura brenda kufijve përkatës të komunikimit. Por, edhe pse një ndarje e këtillë mund të duket e thjeshtë dhe e qartë, globalizimi i jetës shoqërore dhe zhvillimi i komunikimit masiv i ka ngatërruar dallimet mes këtyre niveleve të komunikimit duke krijuar hibride dhe rrjetime të reja komunikimi. Ndërkaq, mund t’i klasifikojmë thjesht dhe përmbledhtazi tri alternativa të trajtimit të komunikimit masiv: atë strukturale, bihejvioriste, dhe kulturore. Përqasja strukturale mbështetet kryesisht në sociologjinë, duke u ndërlidhur me historinë, politikën, drejtësinë dhe ekonominë, dhe duke u përqendruar në raportin mes strukturave shoqërore dhe komunikimit masiv, si dhe pasojat e këtij të fundit në shoqëri. Përqasja bihejvioriste buron nga studimet e psikologjisë dhe për objekt studimi e ka procesimin individual të mesazheve mediatike dhe reagimin ndaj tyre, duke shfrytëzuar metoda eksperimentimi të hulumtimit në subjekte individuale që mund të analizohen kuantitativisht. Përqasja kulturore buron kryesisht nga gjuhësia dhe antropologjia, por edhe nga filozofia, psikanaliza, semiotika e studimi gjinor, duke u përqendruar në çështjen e kuptimit dhe gjuhës, në praktikat e interpretimit gjuhësor të realitetit. Të shohim situatën e komunikimit të krijuar në klasë, gjatë kësaj lënde për shembull të ‘Bazave të komunikimit masiv’: sa monopolizues është ky komunikim ? Meqë bëhet fjalë për edukim masiv, roli stereotip i ‘profesorit’ nënkupton një raport impersonal me studentin, dhe këtë sidomos e përforcon mësimdhënia tradicionale e tipit frontal. Kjo tejkalohet me pjesëmarrjen e studentëve në komunikimin në klasë, me debate, të cilat përmes komunikimit individual krijojnë mundësi për raport ndërpersonal me mësimdhënësin. Sipas komunikologut John Stewart (Bridges, not walls: 1999) cilësia e komunikimit mes dy palëve komunikuese mund të shprehet me koeficientin e kontaktit , apo raportin mes cilësisë të arritur të komunikimit dhe cilësisë së mundshme apo potenciale të tij. P.sh. një çift me 40 vjet përvoje martese, në koeficientin e shprehur numerikisht, numëruesin do ta kishin të barasvlershëm me emëruesin maksimal ta zëmë 10 000, dhe në situatë heshtjeje numëruesi mund të ishte në mënyrë të dhimbshme vetëm 10. Në një orë mësimi, si mund të maksimalizohet koeficienti i kontaktit të mësimdhënësit me studentët? Komunikologët dhe psikologët mendojnë se cilësia e komunikimit me të tjerët ndikon drejtpërsëdrejti në cilësinë e jetës sonë, sepse njerëzit trajtësohen përmes kontakteve me njëri-tjetrin, gjatë të cilave i negociojnë identitetet e veta. P.sh. nëse i thua tjetrit ‘ Mbylle derën’ ose “ A ka mundësi ju lutem ta mbyllni derën”, në rastin e parë e negocion një pozicion të caktuar shoqëror, të autoritetit të pakontestueshëm, dhe në të dytin, ku mund të sugjerohen hierarkia autoritare po ashtu sugjerohet një situatë formale e folësve. Po kështu, përgjigjet e mundshme të marrësit të këtij mesazhi, njëlloj siç ka ndodhur me urdhrin e dhënë, e pozicionojnë identitetin e folësit në raport me dëgjuesin, duke e përcaktuar hierarkinë dhe pozitën e tyre shoqërore: ‘Mbylle vetë’, ‘Patjetër’, etj. Si arrijmë t’i komunikojmë këto kuptime? Duhet ta njohim gjuhën, audiencën, kontekstin- apo situatën folëse të komunikimit. Kuptimi nuk është diçka e ngurtë në kokën e folësit që transmetohet te dëgjuesi por është prodhim reciprok i këtij procesi të vazhdueshëm të dhënies dhe marrjes. Kuptimi potencial i krijuar nga bashkëveprimi mes folësit dhe dhënësit varet nga denotacionet dhe konotacionet e dy palëve (denotacioni është përshkrimi i një fjale në fjalor, dhe konotacionet janë kuptimet personale të një fjale). Pra, kuptimi gjendet tek njerëzit e jo te fjala. Si shembull mund të merren konotacionet e fjalës ‘profesor’, të krijuara nga përvoja paraprake, dhe nga përvoja aktuale e studentëve. Qeniet njerëzore e konstruktojnë kuptimin bashkërisht, dhe si shembull për këtë mund ta marrim fjalën ‘standard’, që kuptimin e vet parësor e ka : ‘diçka e përgatitur me përmasa, trajtë e cilësi të caktuara që shërben si model për mallrat që prodhohen në seri; karakteristikat që përcaktohen si të detyrueshme për një lloj prodhimi ; apo figurativisht diçka e cila duhet t’i përgjigjet një shkalle të arritur ose një niveli të caktuar. Madje fjala ‘standarde’ e përdorur si mbiemër, shpesh përdoret për diçka të përsëritur mekanikisht, pa asgjë origjinale. Megjithatë, kryesisht për shkak të komunikimit të caktuar shoqëror, kjo fjalë në Kosovë vitet e fundit ka marrë konotacione të një cilësie superiore pothuaj të paarritshme. Njëkohësisht, stërpërdorimi i këtij termi mund të shkaktojë dhe konsumimin e kuptimit të tij, sipas ligjit elementar të gjuhësisë se përdorimi është në proporcion të zhdrejtë me kuptimin semantik të një njësie gjuhësore. Temë diskutimi: Në tekst thuhet se shoqëria demokratike varet nga një popullatë e mirëinformuar , dhe po ashtu thuhet se ky informim lidhet ngushtë me komunikimin masiv. A pajtoheni me këtë mendim dhe pse? Ilustroni me argumente konkrete, mundësisht nga ambienti shqiptar, qoftë andej apo këndej kufirit./google/rasimhajdini
Posted on: Thu, 17 Oct 2013 19:25:04 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015