KRYENGRITJA E SHTATORIT ‘13 – DJEPI KU U PËRKUND TRIMËRIA - TopicsExpress



          

KRYENGRITJA E SHTATORIT ‘13 – DJEPI KU U PËRKUND TRIMËRIA DIBRANE Intervistë me gazetarin në mërgim Abdurahim Ashiku, në 72 vjetorin e lindjes. Më 11 maj mbushët 72 vjet jetë... Zyrtarisht... Pse zyrtarisht? Në vëllimin e parë të serialit “Njerëz që i dua”, në kopertinën e fundit, kam shkruar: “Linda pesë ditë para Ditës së Verës për tu regjistruar pesë ditë pas Shëngjergjit, më 11 maj 1941...” Që do të thotë? Do të thotë se linda në kohë pushtimi të Shqipërisë, në ditë kur po pushtohej Jugosllavia, në një kohë kujtese të dhimbshme për dibranët, kohë që u kujtonte atyre vitin 1913. Vjeshta e Parë e atij viti por edhe “vjeshtat” e tjera deri në vitin 1922, ishte rrënjosur në kujtesën historike si Vjeshtë e fitores së madhe, por edhe si vjeshtë dhe dimër i reprezaljeve të pashoqe, i djegies dhe shkrumbimit të Dibrës, i arratisë së dibranëve drejt Tiranës, Elbasanit etj. Pse e lidhni këtë me ditëlindjen tuaj? Thjesht se ato ditë Italia fashiste kishte përqendruar forca të shumta pushtuese për të hyrë në Dibër të Madhe e për të pushtuar Jugosllavinë gjë që e bëri më 6 prill 1941. Dibranët e Luginës së Drinit, ku është edhe Brezhdan-Zdojani im, sa herë kanë ndodhur luftëra me serbët kanë evakuuar në zonat malore, tek miq dhe dashamirët, familjet e tyre, gratë dhe fëmijët, ndërsa vetë janë bashkuar me “Malet” me armë në dorë. Kështu ndodhi që edhe unë, lirek, të ngjitesha në Vranjt ku edhe do të jetoja të gjashtë javët e para të jetës sime. Mos kjo ju ka ngacmuar për tu bërë thirrje dibranëve në shkrimin tuaj: Viti i madh i trimërisë dibrane, shtator – 1913 për ti ngritur një përmendore të madhe trimërisë dibrane në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit të kaluar? Ajo që ju përshkrova është e imja e përjetuar në kohë dhe hapësirë tjetër, por ajo është edhe e jotja, edhe e jona, është djep ku është përkundë historia e trevës sonë. Unë dua që mos ta harrojmë djepin ku jemi përkundë, jo vetëm ne por breza të tërë. Sot më 11 maj 1941në Peshkopi ngrihet në këmbë Elez Isuf Ndreu. Ngrihet në këmbë pikërisht atje ku mori plagën vdekjeprurëse nga arma serbe, tash në duar të një shqiptari. Për mua kjo është domethënëse. Përulem me respekt për Eles Isufin dhe Sufë Xhelilin por po kaq përulem edhe për brezin e ri të familjes Ndreu që e ngritën në këmbë VETË, me dashuri dhe respekt të pakufishëm. Mesazhi i tyre vlen për të gjithë dibranët paraardhësit e të cilëve, siç thotë “Përlindja e Shqipëniës” e Vjeshtës së Parë 1913 ...”ranë dëshmorë për lirimin e atdheut të vet, të cilëve historia meriton t’i shkruanjë emnat e tyne për një kujtim të përjetshëm”. Në “Viti i madh i trimërisë dibrane” flisni për një bllok me shënime të nxjerrë nga gazetat e kohës... Po, është një bllok, mes ndonja njëqind blloqe shënimesh të jetës sime që i kam me vete këtu në Athinë e që ndonjë ditë do ti zbardh ashtu siç do të zbardh edhe diku tek tremijë negativa me jetë Dibre e dibranësh. Në atë bllok me rreshta katrore kam shënime të nxjerra nga gazetat e kohës (1908-1920) për Dibrën e në veçanti për atmosferën kryengritëse që zotëronte gjatë verës dhe vjeshtës 1913 mbledhur nga shtypi i kohës. Dëshira ime është që ti kaloja edhe një herë nëpër duar ato gazeta disa shkrime të të cilave do të desha ti fotokopjoj sepse atëherë nuk ishte e mundur dhe në bllokun tim përcillen vetëm me “urdhrin – të kseroksohet”. Jam larg se po të isha në Tiranë disa orë në ditë do ti kalojë në bibliotekë. Vetëm këto... Kam edhe kujtime të bijve dhe nipërve të të rënëve, mes të cilëve të Myslim Shehut atëherë në moshë madhore, të Haki Shehut, Musa Shehut e të tjerë. Është interesante se si në atë kohë me mjete komunikimi tepër modeste, nga një fushëbetejë e madhe, u përhapën bëmat e trimërisë dhe qëndresës dibrane me një shpejtësi befasuese. Betejën e dibranëve kundër pushtuesit serb e ndjekin me vëmendje dhe me ankth të madh në Shqipëri dhe larg saj. Ja disa shënime nxjerrë nga “Shqypnia e re” të Hil Mosit dhe Risto Siliqit që dilte në Shkodër dy herë në javë. Elbasan 25. IX. , në mbrame... Dy sahat ma parë erdh nji njeri prej sheshit të luftës, i cili lajmon se anmiku kje shty deri në Pyll të Zezë... Elbasan, 25. IX, natën... Lufta u nis në malësi. Malësorët kryengritës , bashkë me qytetarët e Dibrës, të dishpruem nga barbarizmat serbe i ranë anmikut dhe e shtynë në tri anë, në Gostivar, në Kurcovë e Strugë... Vlonë, 25. IX., Dibra asht marrun me një luftë të rreptë prej shqiptarëve, të cilët e kanë ndjekun anmikun deri në fushë të Ohrit... Elbasan, 27. IX., natën...Posta jonë e ardhur sonte prej Struget lajmon se në Ohër asht ngrehun qeveria shqiptare... Përmendët emrat... Përmenda pasardhësit e Sheh Hysejnit, të dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me rastin e 100 Vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në kujtimet e të birit, Musa Shehut pas vdekjes së babait dhe rikthimit të pushtimit serb, në ikjen apokaliptike të Vjeshtës 1913 kam shënuar: “Atë ditë që u vra, të nesërmen ikëm. Na mori Hazis Shehu me gjithë Esat Karanën me një kalë me kosha. Na vunë tre fëmijë në një kosh dhe tre tjerët në koshin tjetër. Nana në mes... Shtatë vetë hipëm në një kalë...Nana, Habibja, Zyraka, Musai, Hakiu, Tixhja, Myrtja, Nunia...” Pamje biblike... Një pamje midis dhjetëramijëra pamjeve që përjetoi Dibra në Vjeshtën e dhimbshme 1913 kur fuqitë e mëdha e varën në çengel dhe e prenë siç pritet berri nga bishti tek gjuha, gjysmën e trupit, kokës dhe shpirtit e lanë nën Serbi e gjysmën në gojën e ujqërve të Shqipërisë . Është i vetmi vend në botë ku qendra gjeografike e një kombi pritet për t’ia dhënë një vendi tjetër... Qendra gjeografike Kombit!? Po, Qendra Gjeografike e Kombit, Qendra Gjeografike Shqiptare. Franca, kam lexuar diku se qendër gjeografike të saj ka Verdunin, Shqipëria ka Dibrën. Provoni të hiqni vektorë nga të gjitha skajet e vendeve ku jetojnë shqiptarët në truallin e të parëve. Takimi i tyre bëhet në hapësirën gjeografike të Dibrës, madje, nga matjet e mia modeste, diku midis Dibrës dhe Strugës. Ne na kanë prerë në mënyrën më monstruoze dhe barbare të mundshme. Mund të vazhdoni me emrat? ... Po. Mora një emër, emrin e Sheh Hysenit, klerik i teqesë së Vxhenit në Dibër të Madhe, i njohur edhe si Sheh Hysen Kuqi. E mora nga “Përlindja e Shqipëniës” dhe nga shumë gazeta të kohës, madje edhe nga “Historia e Dibrës” e Kristo Frashërit. Keni të bëni me të? Unë jo, por gruaja dhe fëmijët e mi po. Natasha- shoqja ime e jetës, e ka gjysh, kurse fëmijët e mi e kanë stërgjysh, ashtu siç e kanë një degëzim i gjerë në familjen e Musa, Haki dhe Myrteza Shehut, ashtu siç e kanë një degëzim i madh i familjeve të Habibes, Zyrakës dhe Nunes, Zeralinjtë e Tiranës dhe Begetë e Durrësit. Në thirrjen tuaj “Në vend të një letre të hapur për drejtuesit e bashkive dhe komunave, këtej dhe andej kufirit shqiptaro-shqiptar, DY DIBRAVE...” theksoni: “Dëshiroj që këto radhë ti lexojnë drejtuesit vendorë në Dibër të Madhe, Strugë, Gostivar etj. ku është shkruar në kujtesën njerëzore historia e kohës, dëshiroj që drejtuesit e bashkisë së Peshkopisë dhe Bulqizës dhe drejtuesit e komunave nga Golloborda në Luzni, Reç, Dardhë, Lurë, Sllovë, Kala të Dodës etj. të ulen e të programojnë përkujtimin e 100 Vjetorit të fitores së Dibrës me një madhështi që nuk është parë kurrë.” ...Pse kjo thirrje? Nuk thërras, megjithëse do të desha të bërtas sa kam në kokë dhe në shpirt. Sot mbush ditët e vitit të 72-të të jetës time. Nga këto 17 vjet po i kaloj larg Dibrës dhe vendeve të mija të dashura. Prej korrikut 1976 jam në Athinë, mërgimtar në kuptimin e plotë të jetës sime. Më mungon Dibra dhe mungesën mundohem ta plotësoj duke rrëmuar në kujtime, në “blloqet” e shkruara, në librat me autorë dibranë që zënë dy rafte të bibliotekës time ikanake. Malli si mengene më kap aortat e zemrës sikur donë të më ndalojë rrjedhën e gjakut. Shkruaj për Dibrën dhe dibranët dhe çlirohem paksa nga mengeneja e mallit. Kam shkruar një libër për Dibrën, “Po Dibrës! Jo Skavicës”. Kam në zarf gati një libër të ri me jetë dibranësh në mërgim. Takoj dibranë në rrugët e Athinës, në qytete e ishuj të Greqisë dhe kënaqem pa masë kur zërat e tyre hynë në diktofonin tim e zbardhen në shkrime për “Plus Gazeta Athina” , “Rruga e Arbërit dhe gazeta në internet ndër të cilat “Kritika” e dibranit përtej oqeanit Atlantik Agron Cami dhe “Fjala e lirë” e “dibranit në shpirt” Fatmir Terziut në Londër. Të shkruarit, të komunikuarit me dibranët më mban gjallë. Kthehemi tek “thirrja” ime. Këtu ku tash jetoj më bën përshtypje të shkruarit e ngjarjeve historike kudo që shkon, kudo që hedh sytë. Të shkruara në tabela rrugore, në komplekse skulpturore, në buste e monumente, ato u flasin kalimtarëve me një lloj libri të veçantë historie, libër i shkruar në natyrë . Është një histori e tërë e shkruar “in memorium” siç thotë latini apo “mnimonio” siç thotë greku. Më pëlqen. Le të vijmë në Dibër. Nuk them se Dibrës i mungojnë lapidarët dhe përmendoret historike. Ka për Skënderbeun, për ngjarje historike, për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, ka edhe për kohën e re që erdhi pas diktaturës. Unë në 100 vjetorin e Kryengritjes Popullore të Dibrës kundër pushtimit serb dua që historia e kësaj ngjarjeje të madhe të shkruhet me një sërë “kumtesash “ në gurë, mermer, beton, me buste dhe monumente por edhe thjesht me një tabelë rrugore. Le të udhëtojmë nga Peshkopia në Kala të Dodës ku, siç kam lexuar, rruga është asfaltuar deri në Kukës. Kur ngjitesh të përpjetës së Rrenxit do të ishte bukur të shkruhej se pas një kilometri do të shikoni një përkujtimore për “Luftën e Kaushit” kundër serbëve dhe majë asaj kodre që hap një hapësirë të jashtëzakonshme bukurie që të fton në meditime trimërie të shikoje një kompleks përkujtimor që të shkruan me hieroglefet e veta kuptimplote kohën... Para se të hyjsh në Sllovë, një tabelë rrugore do të na ftonte të luanim vendit, siç luajnë njerëzit kur kalojnë përpara një teqeje, në nderim të Eles Isufit, Sufë Xhelilit dhe trimave të fisit të Ndreve të përkujtuar në një varrezë të bardhë nga pasardhësit e tyre. Më poshtë, në Vleshë, të paralajmërohej se pas njëqind metrash do të kishte një bust të Sheh Shazumanit dhe të Abdyl Frashërit në udhëtimin e tij historik drejt asaj ngjarjeje të madhe që në histori ka hyrë si “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”. Pak më tej, kur pasagjerit ti hapet lugina e Veleshicës dhe Korabi madhështor, të paralajmërohet se pas dy kilometrash, në Ceren, ka obelisk të madh që në perëndim i zë diellin Korabit, obelisk ku janë gdhendur 36 cerenas të masakruar nga serbi në Vjeshtë 1913 dhe të varrosur në kodër, në atë që populli e quan “Vorret e shahitëve”, e ku kalorësit u zbresin kuajve në shenjë respekti tash e 100 vjet, ku njerëzit si në paradë kthejnë kokën në “nderim majtas” apo në “nderim djathtas” e dasmorët ndalojnë këngën e gjëmimin e daulleve. Nuk e di por kur i shkruaj këto radhë dhe ëndërroj kompleksin përkujtimor me varre të rindërtuara e me emra të njerëzve që dhanë jetën në një , kur i shoh me mendje njerëzit të ngrihen nga ndenjësja e autobusit në shenjë nderimi dhe respekti, më ngjethen mishtë. Këto do të thosha për udhëtarët nesër rrugës së re nëpër Steblevë të udhëtojnë me dëshmitë e Z. Kenedi që ka shkuar për të ndarë ndihma në Gollobordë e ku është përballur me krime serbe nga më të pabesueshmet e që i kanë marrë mendjen. ( Shih nr.4 dhe nr.5 të “Përlindjes së Shqipëniës” të 11/24 dhe 15/28 kallnuerit 1914)... Këto do të thosha edhe në qoftë se hyn në Dibër nga ana e Qafë Murrës, mbi kreshtat e maleve të të cilave janë edhe sot gjurmët e istikameve të qëndresës shqiptare kundër serbit.... Këto do të thosha edhe në Lurë kur përpara meje do të dilte silueta e Xhemile Gegës varrosur e gjallë... Këtë do të thosha edhe në qoftë se do të udhëtoja “Rrugës së Rinisë” e do të ndaloja në Sukë të Arrasit ku të pushoja për ndonjë orë në kompleksin e madh historik që lidh Besëlidhjen e dibranëve me Skënderbeun kundër pushtuesit Osman dhe besëlidhjen e dibranëve kundër pushtuesit serb, “Qeverinë e Arrasit”... Këtë do të thosha edhe po të ngjitesha mbi qytetin e Dibrës së Madhe dhe në sfondin e një kujtese historike për kryengritjen e shtatorit 1913, përpara lapidarit të “Të Pestëve” – Hysenit, Sadullahit, Ramizit, Karafilit dhe Numanit” të meditoja se sa e madhe është qëndresa e dibranëve në histori dhe çfarë borxhesh i ka brezi im që ta shkruajë jo vetëm në libra por edhe në natyrë këtë që trimëri të veçantë shqiptare. Pse thoni e veçantë? Sepse është e veçantë, unike në historinë e vet. Kryengritja dhe fitorja e dibranëve në vjeshtën e vitit 1913, por edhe në vitet pasardhëse u organizua nga vetë dibranët dhe luftëtarë me armë në dorë ishin vetëm dibranët. Dhe ndodhte kjo kur një batalion dibranësh ishte mbërthyer në një betejë për jetë apo vdekje me shkodranët në qëndresën e njohur për të mos ia dhënë Shkodrën Malit të Zi. Dibranët kanë varre në të gjitha betejat e mëdha historike shqiptare kundër pushtuesve, në betejën e Lumës, betejën e Shkodrës, Luftën e Vlorës... Në Shkodër kam dëgjuar se ka një varrezë dibranësh që ranë në luftë për mbrojtjen e saj nga sllavo-malazestë. Më vjen keq që atje nuk ka një monument, një përkujtimore për ata që ranë për mbrojtjen e kufijve të asaj cope Shqipërie të prerë nga Londra ’13 e që ishte vënë në dhëmbë ujqërish nga toka dhe deti për të rrëmbyer të tjera copa e për ta shqyer nga harta e historisë. Qëndresa dibrane është për tu shkruar me germa të arta. Po për “Rrugën e Arbërit” çfarë do të shtonit? Më vjen mirë që për të është hartuar një peticion dhe u bëhet thirrje dibranëve dhe shqiptarëve që ta nënshkruajnë atë. Rrugën e Arbërit e kam në kujtesën më të hershme të jetës sime. E kam në përshkrimet e babait tim që si shumë dibranë, edhe në fund të viteve ’40-të, shkonin në Tiranë për një thes kripë e për ndonjë plaçkë për ne fëmijët. Në fotografinë e parë të jetës sime jam i veshur me një pallto të shkurtë sjellë nga ato udhëtime. Në kujtesë më ka mbetur gozhdë Shkalla e Tujanit, shkallë ku kanë humbur jetë njerëzish dhe kuaj e mushka të ngarkuara me mall kanë rënë në lumë për shkak të vështirësive të kalimit. I kam kërkuar pamjet e mbjella në kujtesë kur kam kaluar nëpër të në verë të vitit 1961, atëherë e hapur për kalimin e makinave deri në lokalitetin e Shupalit. Dua të kaloj asaj rruge (mbase jeta ime e arrin atë ditë) me dëshirën që gjatë saj të jetë shkruar me “hieroglifët” e artit skulptural, drama dhe tragjedia e udhëtimit apokaliptik të dibranëve të dëbuar nga serbi në vjeshtën dhe dimrin më të egër të jetës së tyre, atë të viteve 1913 - 1914, kur u krijua në Tiranë ajo që u quajt, dhe quhet edhe sot, “Lagjja Dibrane” e ku ka një rrugë që quhet “Rruga e Dibrës”, rrugë që në ndryshim me rrugët tjera të Tiranës (Rruga e Durrësit, Rruga e Kavajës, Rruga e Elbasanit) të çon vetëm deri te ish Kinostudjoja. Rruga e Dibrës është rruga e lotit të rrjedhur krua, e dhimbjes më të madhe historike të shqiptarëve. Ajo duhet të ishte hapur e para dhe mbi të gjitha për të tharë paksa lotët e Dy Dibrave, e tej e tej lotët e kombit. Përmendët më lart librin “Po Dibrës! Jo Skavicës”... Po. E kam shkruar atë libër me dëshirë dh me mall, me protestën e një qytetari të thjeshtë. Të përmbytësh Dibrën për hir të disa mijëra kilovat - orë energji, kur ata i ke disa herë më shumë në burimet e saj malore nga Stebleva në Reç e nga Qafë Murra në Korab, është krim. Është dhuna më e egër që mund ti bëhet një treve, dhunë ekonomike, një shpërngulje disa herë më e madhe se ajo e vjeshtë-dimrit 1913-1914 e dibranëve të Dibrës së Madhe dhe rrethinave, një ikje biblike në kohë moderne, jo pak por mbi 40 mijë banorë autoktonë historikë, ikje pa kthim, një mbytje e historisë së lavdishme të birit të Dibrës Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, të 18 betejave fitimtare të tij në teatrin natyror dibran, një fshirje e trimërisë dibrane që lidhet me mbrojtjen e Dibrës nga serbi. Një mbytje e Luginës më të bukur të vendit, luginës së Drinit të zi, si me një, dy apo tri diga, i shkon për shtat vetëm Serbisë, “fazlliçëve” të kohës sonë. Të mbytësh Dibrën është ti marrësh frymën për së gjalli historisë dhe trimërisë në shekuj, ta “mbytësh atë në Dri”, siç thuhet kur bëhet fjalë për kob. Unë kështu e kuptoj dhe kështu do ta jetoj. Unë e dua Dibrën ashtu siç e ka krijuar Zoti. Flisni me kompetenca historiani... Jo, flas me dëshirën shpirtërore të një dibrani të thjeshtë. Unë nuk jam historian dhe kultura ime historike ka përfunduar në vitin 1955 me mbarimin e shkollës shtatëvjeçare. Kësaj kulture unë me vullnet e dëshirë i kam kushtuar dhe i kushtoj leximet e përditshme edhe në mërgim. Ju thash më sipër se në bibliotekën time në mërgim kam dy rafte të plota me libra historikë të autorëve dibranë dhe autorëve të tjerë dashamirës të Dibrës. Më vjen keq që nuk e sjell dot bibliotekën, të vetmen pasuri të jetës tash mbetur në Tiranë’ Ka ndonjë gjë që veçoni në mallin tuaj për vendlindjen? Ka shumë, aq shumë sa nuk i radhis dot por midis tyre do të radhis mallin për “Gështenjat e Nanës”, zabelin e familjes sime gështenjat e të cilit na e kanë mbajtur jetën gjallë ne, shtatë fëmijëve të Hajredin dhe Defe Ashikut, në vitet më të vështira, kur edhe 120 lekë nuk e gjeje kilen e misrit. “Gështenjat e Nanës” ishin edhe frutë, edhe bukë, edhe lekë për të blerë kripë e vajguri... Pse “Gështenjat e Nanës”? Ka një histori që sa herë e kujtoj më shkakton dënesë, lot krua i uji i kroit të ftohtë të Sulnarit në kufirin lindor të Zabelit. Atë Zabel Nana jonë e mirë e bleu duke hequr vathët e nusërisë, e bleu kur unë isha 2-3 vjeç dhe vendi ishte nën zinë e pushtimit fashist, e bleu për të na mbajtur në këmbë. Mos e vazhdojmë më tej... Cili është mesazhi juaj në ditëlindjen zyrtare siç e quani 11 majin? Moshatarëve të mi u bëj thirrje të shkruajnë kujtimet e tyre, ti shkruajnë në fletore, blloqe shënimesh, faqesh kompjuterike, ku të munden. Jemi një brez që u arsimuam përmes vështirësish, në një mjedis kur nëntëdhjetë për qind e popullit ishte analfabet. Brezhdan - Zdojani im shquhet në histori si Oxhak, si vendlindja me bëmat e Isuf Karasanit, Bedrije Karasanit e të tjerë. Më vjen keq që nuk shquhet për hapjen e shkollës shqipe, shkollë që u hap vetëm në vitet tridhjetë e që pak dritë shpërndau. Në vitin 1954 unë mora rrugën për të mësuar në shkollën shtatëvjeçare të Peshkopisë. Atë vit nga fshati ynë prej 300 shtëpish vazhdonim shkollën tre vetë, Abdulla Hakorja në klasë të gjashtë dhe unë e Islam Sefullai në klasë të pestë. Më vonë erdhën edhe të tjerë, një nga një si rruazat në tespihe për të vërshuar masivisht në vitet tetëdhjetë. Unë, nga vëzhgimet e mia, i bie që të jem i pari njeri me arsim universitar të rregullt në fshatin tim të lindjes.... Ne në historinë tonë të kaluar, ndonëse trashëguam shumë njerëz të shpatës e të pushkës trashëguam shumë pak njerëz të penës. Moshatarët e mi, brezi i ri që po rritet i shkolluar dhe me dije shumëgjuhësore, duhet të shkruaj për Dibrën dhe dibranët në të gjitha kohët, të rrëmojë e kërkojë në arkiva, në vend e kudo ku ndodhet në botë. Të shkruajnë sepse vetëm nga të shkruarat bëhet historia. Të shkruajmë që historianët ta bëjnë saktë dhe me një pjesëmarrje të gjerë historinë e lavdishme të Dibrës dhe dibranëve. Meraku juaj i ditës? Të kërkoj në raftet e bibliotekave të Athinës Dibrën, zërin e saj, veçanërisht në vitet e dekadës së dytë të shekullit XX. Faleminderit dhe ju urojmë jetë të gjatë e penë të mprehtë në njëqind vitet e ardhshme të jetës suaj! Nderi është i Dibrës dhe i dibranëve me penë në dorë jo në njëqind por në qindrat e viteve që ata do të jetojnë me historinë dhe bëmat e të parëve të tyre në kujtesën historike të shkruar dhe të skalitur mbi male fizikë. Abdurahim Ashiku në bisedë me B.K. Athinë, 11 maj 2013
Posted on: Sat, 21 Sep 2013 17:50:45 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015