KTHIMI I GJERGJ GJON KASTRIOTIT NË VENDLINDJE Nuk jam veçse - TopicsExpress



          

KTHIMI I GJERGJ GJON KASTRIOTIT NË VENDLINDJE Nuk jam veçse një amator i historisë, një njeri që lexon por edhe tund kokën mendueshëm kur diçka i duket se nuk shkon. Kështu më duket edhe “debati” për Gjergjin e Gjon Kastriotit – Skënderbeun. Nisur nga kjo, bazuar edhe në një lajm që Skënderbeun – monument, mendohet që ta venë në qytetin e Peshkopisë, mendoj që Ai duhet vendosur në Vendlindje dhe në Fushëbetejat e tij si një përgjigje ndaj të gjithë atyre që janë hedhur direkt apo indirekt në luftë për të mohuar identitetin etnik dhe historik të bëmave të tij. Ky rast nuk duhet të humbasë për asnjë arsye, Një monument i Gjergjit të Gjon Kastriotit, i vendosur në Vendlindje i bën nder Shqipërisë dhe shqiptarëve... * * * Më në fund edhe Dibra do ta ketë “Skënderbeun e vet”. Kjo, siç mësova nëpërmjet gazetës “Rruga e Arbrit”, falë skulptorit Sadik Spahia dhe biznesmenit Zaim Krosi. Nuk e di nga janë dhe as e di në se i kam takuar ndonjëherë, por vetëm për kaq ata duhet të shpallen “Qytetar Nderi” të Dibrës me një motivacion të thjeshtë: “Sollën Skënderbeun në Dibër”. Por unë, nisur nga ajo që shkruhet: “Shtatorja 3.3 metra e lartë, do të vendoset mbi një piedestal 1.5 metra para Pallatit të Kulturës në Peshkopi në pranverë” mendoj që në Dibër të mos sjellim “Skënderbeun” por Gjergj Gjon Kastriotin, ta sjellim atë jo në Peshkopi por në vendin ku lindi dhe u rrit si Gjergji i biri i Gjonit dhe luftoi si Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Ndaj Gjergj Kastriotit, kohët e fundit është drejtuar tehu i mprehtë i shpatës së kundërshtarëve të tij shekullorë, të atyre që e duan “ndryshe”, e duan “të tyren” si hero, si Georgi apo si Jorgo, si serb apo grek (po përcjell edhe një foto-pikturë me diçiturë në greqisht), apo duan ta damkojnë si “tradhtar të Islamit”. Së fundi, paqenësinë e tij si shqiptar dhe si hero i madh kombëtar i shqiptarëve po mundohen ta sulmojnë nëpërmjet babait, Gjon Kastriotit, duke e quajtur atë Ivan apo dreqi e di se çfarë u thotë leksikoni i gjuhës së tyre. Gjon Kastrioti, Gjon Dibrani, siç e quan R. Voltarrano, tashmë nuk diskutohet se është dibran. “ Fakti që në Sinë të Dibrës, shkruan Kristo Frashri, historian i madh, biograf i Gjergj Gjon Kastriotit – Skënderbeut, dy orë larg fshatit Kastriot, i cili ndodhet po ashtu, siç shënon kronika e Lukarit, pranë lumit Drin, tre ose katër breza pas Pal Kastriotit, ekzistonte një familje me të njëjtin mbiemër, siç është ajo e Dhimitër Kastriotit, kjo nuk është e rastit. Kjo tregon se Kastriotët ishin vendosur prej kohësh në fshatin Sinë”. Por edhe pse ishin në fshatin Sinë Kastriotët pronat e tyre i kishin poshtë në fushë. Në mes të kësaj fushe ndodhet fshati Kastriot. Pikërisht në disa pika të caktuara të këtij fshati, një varg i tërë toponimesh janë të lidhura me emrin e babait të Skënderbeut, siç janë Kulla e Gjonit, Kopshti i Gjonit, Pusi i Gjonit, Ograja e Gjonit... Të gjitha këto të dhëna, përfundon Kristo Frashëri, mbështetin traditën popullore dibrane, sipas së cilës Skënderbeu lindi në Shëgjerth (lagje e Sinës) dhe u rrit në Çelias (lagje e Kastriotit). Nuk ka pse të citoj Hazis Ndreun dhe Ali Hoxhën që patën meritën e madhe që nëpërmjet toponimisë të sjellin në vëmendje të historianëve fakte se Gjergj Kastrioti “lindi në Shëgjerth (lagje e Sinës) dhe u rrit në Çelias (lagje e Kastriotit)” dhe se beteja e parë dhe fitorja e parë me rëndësi evropiane – afrikane - aziatike (bota e asaj kohe) mbi hordhinë osmane, u shënua në vendlindjen e tij. Nisur nga fakti tashmë i pakontestueshëm se Gjergj Kastrioti lindi në Sinë të Dibrës, u rrit në Kastriot, u kthye në Shqipëri në Dibër, mori besën dibrane në “Kuvendin e Dibrës”, zgjodhi Dibrën për betejën e parë dhe për 17 nga 24 betejat e tij fitimtare mbi hordhinë më të madhe të kohës, si dhe të tjera vlera të Tij, mendimi im është që përmendorja në fjalë të vendoset në VENDLINDJE. Gjergj Kastrioti ishte njeri i lirë. Ai, në tërë betejat e tij, nuk u mbyll kurrë në ndonjë kështjellë. Ta mbyllësh atë në një bulevard të vogël këmbësorësh, përpara një pallati kulture që mban emrin e “Haki Stërmillit”, me vështrim mbi pullaze tjegullash pallatesh të vjetra dykatëshe në moshën për tu prishur, mendoj se është gabim dhe duhet parë. Po ku duhet të vendoset monumenti i bronztë i Gjergj Gjon Kastriotit? Përvoja e dymbëdhjetë viteve emigracion më ka mësuar se kujtesat e mëdha të një kombi asnjëherë nuk janë mbyllur mjediseve të vogla. Ata janë vendosur në pika të larta ku heronjtë “shohin” larg dhe ku njerëzit i shohin nga larg, me dëshirën e madhe tu afrohen, madje edhe të kalojnë çaste të bukura çlodhjeje shpirtërore e kujtese historike. Ata janë vendosur ose në vendlindjen e tyre ose në vendet ku kanë bërë histori. Mendoj që edhe ne, në kushtet e hapjes me botën duhet të hapemi. Statuja e madhe e Skënderbeut duhet të vendoset në një vend që bota ta shohë edhe nëpërmjet sistemit satelitor, në një vend që të dominojë vendlindjen dhe fushëbetejat e tij. Po cili është ky vend? Mendimi im është që Gjergj Gjon Kastrioti të vendoset në Sukë të Arrasit, në atë kodër që i qëndron gjithë luginës së Dibrës si far. Aty, Gjergj Gjon Kastrioti - Skënderbeu duhet të vendoset në atë mënyrë që djathtas të ketë “Shëgjerthin”, majtas “Çelinë” poshtë “Fushën e Torviollit” dhe përpara Dibrën mbarë. Ai duhet ta vështrojë Lindjen si sfidë që i bëri asaj në të gjitha betejat. Pas ai duhet të ketë Malet e Dibrës, ato male që iu bënë mburojë e që luftuan deri në fëmijën e fundit pas vdekjes së tij, Çidhnën... Piedestali i lartë dhe mjedisi rreth e qark krijojnë mundësinë e “shkrimeve” të tjera në art për bëmat e mëvonshme të dibranëve si “Kuvendi i Arrasit”, “Qeverinë e Arrasit”dhe ngjarje të tjera të shumta historike të zonave për rreth. Një kompleks turistik, një restorant me ballkone që shohin malet me Korabin në krye dhe luginën e Drinit në të dy krahët, një restorant me “Troftë Sete”, pse jo edhe një qendër administrative e komunës me një muze që mund të “shpërngulet” nga Sina, do të përbënin perlën turistike të historisë së Dibrës. Më ka ndodhur që në vitet tetëdhjetë të jem ciceron i një grupi gazetarësh të huaj në udhëtimin e tyre tek Liqenet e Lurës, Kanali i Setës etj. Në Qafë të Arrasit kërkova të ndalojë autobusi i vogël turistik. I udhëhoqa gazetarët në shkallët e sajuara drejt majës, midis dy rreshtave të ngarkuar me kumbulla të pjekura, drejt Sukës së Arrasit. U befasuan nga pamja mbrëmësore me Drinin nën këmbë e Korabin mbi krye. Por, kur u tregova për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, vendlindjen dhe vendluftimet e tij fitimtare, kur për një çast i ktheva pesë shekuj më pas duke u thënë që t’i përfytyronin radhët e mollëve të Kastriotit dhe Ostushit dhe radhët e kumbullave të Shumbatit, si ushtarë në betejën e parë të Skënderbeut dhe në fitoren e parë historike të botës së asaj kohe mbi hordhinë osmane, befasia e tyre arriti kulmin. Aty, për të dytën herë atë ditë, pas pamjes së bukur tek Liqeni i Madh, pash një njeri të ulet në gjunjë e të lutet si para Zotit... Vendosja e monumentit të Gjergj Gjon Kastriotit mbi Sukë të Arrasit mendoj se duhet parë edhe në një tjetër këndvështrim. Dibra ka një festë të vetën, një festë popullore me rrënjë pagane. Ajo festë ka emrin e Gjergjit, “Shën Gjergji”. Festohet gjithnjë më 6 maj. A nuk do të ishte bukur që kjo festë të shpallej si “Festë Popullore e Dibrës” ashtu siç tashmë është shpallur (edhe si festë zyrtare) “Dita e Verës e Elbasanit”? Vendi, por edhe pozicioni gjeografik, lejon veprimtari të bukura në natyrë. Lejon që aty të zhvillohet një garë e bukur blegtorale se kush do të sillte në konkurs “qengjin apo kecin më të madh”, një festival këngësh për pranverën nga fondi shumë i pasur folklorik i zonës, që nga Lura, Selishta e deri në Reç e Kala të Dodës. Gjergji i Gjon Kastriotit - Skënderbeu, nuk duhet të “burgoset” në një bulevard të vogël, nuk duhet të “fshihet” pas degëve të blirit. Gjergj Kastrioti nuk e ka njohur kurrë as “burgun” e as “fshehjen”. Nuk e ka njohur i gjallë, nuk duhet ta njohë edhe si statujë. Ai duhet të vendoset atje ku i bën nder Dibrës dhe tërë Shqipërisë, në vendlindjen dhe fushëbetejën e tij të madhe. Dikush do të thotë se është larg. Unë, nisur nga hapësirat që përshkoj në fundjavë për një “kafe” apo për një “drekë”, them se është shumë afër, vetëm 20 kilometra nga Peshkopia dhe 100 kilometra (kur të bëhet Rruga e Arbrit) nga Tirana. E çfarë janë 120 kilometra me infrastrukturën që do të krijohet detyrimisht edhe në Dibër për të pirë një kafe apo për të ngrënë një drekë me “troftë të pjekur në prush” në atë vend zanash për nga bukuria dhe të vetmin për nga historia? Ndokush do të thotë se Fusha e Çidhnës, Kastrioti, “Çelia” dhe tërë lugina e Drinit nga Reçi në Gjoricë do të mbytet. Unë e kam thënë fjalën time për këtë dhe pres që ta thonë tërë dibranët. Por, edhe sikur kokëfortësia e shtetit ta mbysë Dibrën, vendlindjen dhe vendbetejat e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, monumenti i Gjergj Gjon Kastriotit atje e ka vendin, si një FAR – drite, nder për Dibrën dhe tërë Shqipërinë. Ky ishte një mendim imi, mendim që e ve në debat me historianë, njerëz të artit dhe të kulturës, me Sadik Spahinë, Zaim Krosin, Naim Plakun, Qerim Sulën, Përparim Tomçinin, Ali Hoxhën, Adem Bungurin, Luan Kabën, Xhaferr Martinit, Moisi Murrën, Hajri Shehun, Bajram Krrashin dhe të tjerë që për momentin nuk i sjell dot emrat në kujtesë. E ve në diskutim edhe me njerëz që kanë pushtet, pushtet të votës së popullit apo të emëruar; me kryetarin e bashkisë së Peshkopisë z. Krosi, kryetarin e komunës së Arrasit, kryetarin e komunës së Fushë – Çidhnës, prefektin e Dibrës z. Seiti, sekretarin e prefekturës z. Begu, deputetët e zonës dhe të tjerë. Për Gjergjin e Gjon Kastriotit, për përmendoren e Tij, duhet të vendosin intelektualët dhe jo pushtetarët. Unë e thashë mendimin tim, edhe pse e di se do të përballet me heshtje ashtu siç po përballet edhe mendimi për t’i thënë ndal “Mbytjes së Dibrës”. E shkruara mbetet... Athinë, 11 dhjetor 2008
Posted on: Mon, 23 Sep 2013 13:09:30 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015