KUVENDI KOMUNAL ISHTE KREJT I PAPËRGJEGJSHËM Drejtuesit e - TopicsExpress



          

KUVENDI KOMUNAL ISHTE KREJT I PAPËRGJEGJSHËM Drejtuesit e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan sot kanë bërë analizën përfundimtare për të dhënë vlerësimin e punës së Kuvendit Komunal, për këtë mandat legjislativ që shkoi, pasi që kjo ka qenë java e fundit e punimeve të Kuvendit. Ismajl Kurteshi, kandidati për kryetar komune të Gjilanit, ka kritikuar buxhetin komunal të vitit 2014, i cili u miratua gjatë kësaj jave, ndonëse kërkesa e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka qenë që të mos votohet fare ky buxhet sepse është buxhet i dëmshëm në mënyrën e shpërndarjes së linjave buxhetore dhe nuk alokon mjetet për nevojat e qytetarëve, por në nevojat e pushtetarëve. “Buxheti i miratuar është tmerrësisht i dëmshëm, pasi nuk ka investime në zhvillim ekonomik, projekte kapitale, investime në bujqësi. Është buxhet i varfërisë, i cili nuk siguron komunën t’i plotësojë kërkesat dhe prioritetet fundamentale të qytetarëve” – ka thënë Kurteshi, duke treguar shifrat e secilës kolonë buxhetore dhe duke shpaluar shqetësimin e tij që pak mjete financiare janë ndarë për shumë projekte të papërfunduara dhe për shumë projekte me nevojën që të nisin sa më shpejtë. Ai ishte i shqetësuar sidomos për rënien drastike të investimeve kapitale nëpër vite. Ndërsa duke dhënë vlerësimin për këtë përbërje të Asamblesë së Kuvendit Komunal të Gjilanit, kandidati Kurteshi është shprehur në këtë mënyrë: “Kuvendi Komunal do të mbahet në mend si kuvend i papërgjegjshëm, jo serioz, pa përkushtim dhe i paangazhuar për interesin e qytetarëve, por tërësisht i dirigjuar dhe kontrolluar nga kryetari i komunës. Kuvendi do të mbahet në mend edhe për privatizimin e Eko-Higjienës, tendencës për t’i zhvendosur shtatoret e heronjve të popullit Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, përpjekjes për privatizimin e çerdheve publike, kushtëzimin e paligjshëm të qytetarëve për regjistrimin e veturave, për shitjen e pronave komunale, për vënien në miratim të rregullores që u siguron paga zyrtarëve të komunës pasi të përfundojnë postet e tyre publike. Ky Kuvend do të kujtohet edhe për synimet për ta privatizuar Tregun e Gjelbër dhe shumë gjëra të tjera që janë të dëmshme për zhvillimin e komunës.” Nënkryetari Avni Rudaku, duke qenë monitorues i vazhdueshëm i seancave të Kuvendit Komunal, ka dhënë vlerësimet e tij për këtë përbërje të Kuvendit Komunal. “Kryesuesi i Kuvendit Komunal, fatkeqësisht përshpejtonte miratimin e vendimeve, madje duke qenë në kundërshtim me rregulloret e Kuvendit Komunal. Ai u thoshte asambleistëve jo vetëm në seancën e fundit, por edhe në seancat e mëhershme se, mjafton që është diskutuar vendimi në Komitetin për Politikë dhe Financa, dhe tashmë nuk ka nevojë të diskutohet nga asambleistët. Kjo është po ashtu një shkelje e rëndë, pasi që i vetmi organ që ka të drejtë të miratojë vendime në këto raste është Kuvendi Komunal, me shumicën e votave të asambleistëve. Detyra e Komitetit për Politikë dhe Financa është rekomandimi, por jo edhe miratimi. Prandaj, ne kritikojmë këtë sjellje të kryesuesit të Kuvendit Komunal, i cili për shkak se ishte në të njëjtën kohë edhe zëvendësministër i Punëve të Brendshme, nuk kishte kohë fare të merrej me Kuvendin Komunal, për shkak të punëve në Prishtinë. Kjo ka bërë që të përshpejtojë punët e Kuvendit, duke mos u interesuar aq që të ketë pauza të arsyeshme dhe përsëri të vazhdojë seanca, e jo të bënte “sprint seanca”, ngjashëm me vrapimet shumë të shpejta në lojërat olimpike” – ka thënë Rudaku. Ai kritikoi për luksin e shpenzimeve edhe asambleistët komunalë. “E kanë pasur një seancë në muaj, më së shumti séanca ka zgjatur tri orë, nuk kanë qenë të pranishëm me qytetarët në fshatra e lagje të qytetit, nuk kanë qenë fare të angazhuar për të artikuluar kërkesat e sovranit dhe pas çdo séance, kanë shkuar së bashku të hanë drekë 41 këshilltarë/e, duke mos llogaritur edhe një numër tjetër të zyrtarëve komunalë. Kalkuloni shumën për rreth 50 persona që për çdo muaj kanë ngrënë një shujtë ushqimore, ndërsa në anën tjetër pacientët nuk kanë pasur shiringa në qendrat e mjekësisë familjare dhe në Spitalin Regjional të komunës së Gjilanit. Po ashtu, asambleistët ndiheshin inferiorë ndaj kryetarit Qemajl Mustafa, sakaq edhe ndonjëri kur e ka kritikuar për ndonjë gjë, pas replikës me kryetarin e komunës, i kanë kërkuar falje për keqkuptim. Ky Kuvend definitivisht e ka bërë Mustafën kryetarin më komod në vend dhe po të mos ishte zëri ynë opozitar jashtë Kuvendit Komunal, do të mbetej krejtësisht rehatshëm dhe pa asnjë presion të dobishëm” – ka shtuar Rudaku. Drejtuesit e Lëvizjes në fund janë pyetur rreth profilit të këshilltarit që do ta ndërtonte Lëvizja në Kuvendin Komunal, duke marrë përgjigjen se këshilltari do të duhej të ishte tepër i përkushtuar, i pathyeshëm dhe që do ta dinamizonte jetën në Kuvendin Komunal, ndonëse do të jenë pjesë e ekzekutivit pas fitores së 3 nëntorit. 27 shtator 2013 Lëvizja VETËVENDOSJE!, Qendra në Gjilan Ismajl Kurteshi për Gjilanin
Posted on: Fri, 27 Sep 2013 19:18:40 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015