Kombëtarja e Shpresave është rikthyer dje në Shqipëri pas - TopicsExpress



          

Kombëtarja e Shpresave është rikthyer dje në Shqipëri pas fitores 2-0 që arriti të enjten në Hungari. 3-pikëshi i parë për kuqezinjtë e vegjël të drejtuar nga Skënder Gega pas pesë humbjesh radhazi. Një gol i Shkurtajt dhe një i Shalës u dhanë fitoren Shpresave në një transfertë të vështirë. Por, të hënën, përfaqësuesen U-21 e pret një ndeshje shumë e fortë. Në stadiumin e Elbasanit, “Ruzhdi Bizhuta”, kuqezinjtë do të presin Spanjën, e cila aktualisht renditet në vendin e parë në Grupin 4, në një kohë që iberikët janë shpallur kampionë të Europës tre muaj më parë. Për këtë takim, tekniku Gega do të ketë në dispozicion mbrojtësin Elsid Hysaj dhe mesfushorin Gjelbrim Taipi. I pari ishte pjesë e Kombëtares që luajti dje në miqësoren me Bjellorusinë. Këta dy lojtarë janë një plus më shumë për Shpresat në sfidën ndaj Spanjës. Ndërkaq, duhet thënë se në ndeshjen e dy ditëve më parë ndaj Hungarisë, kuqezinjtë e vegjël bënë një paraqitje shumë të mirë ku duhet veçuar loja e Ergys Kaçes. Megjithatë, sfida ndaj Spanjës konsiderohet shumë e vështirë për Shpresat, duke qenë se iberikët kanë në përbërje futbollistë me emër, të cilët luajnë me skuadra të rëndësishme në kampionatin spanjoll. Ndërkaq, sfida do të luhet të hënën në orën 14:00 në Elbasan. Pritet që të ketë një interesim më të madh për këtë ndeshje, ndryshe nga takimet e tjera, duke qenë se Shpresat vijnë pas një fitoreje surprizë, në një kohë që do të kenë përballë edhe një ekip të mbushur me yje. Aktualisht, përfaqësuesja U-21 renditet në vendin e fundit në Grupin 4 me tri pikë.
Posted on: Sat, 16 Nov 2013 09:47:51 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015