Kosovari “fyen” qeverinë turke, çështja në Prokurori U - TopicsExpress



          

Kosovari “fyen” qeverinë turke, çështja në Prokurori U mbyll ekspozita e karikaturës në Didim të Turqisë. Vepra e Murat Ahmetit me imazhin e Ataturkut ka shqetësuar Kryeministrin Erdogan. Karikatura e artistit kosovar ka sjellë mbylljen e një ekspozite në Turqi dhe fillimin e ndjekjes penale për organizatorët e saj. Një ekspozitë me karikatura kushtuar trazirave të muajve të fundit në Turqi ka shqetësuar “ujërat” e politikës, e cila duket se ka kërkuar edhe ndërhyrjen e Prokurorisë. Kjo e fundit, pasi ka mbyllur ekspozitën, me ndihmën e forcave të policisë ka nisur hetimet paraprake kundër organizatorëve për ofendim të qeverisë. Lajmi është bërë i njohur nga mediat turke e më pas gazeta austriake “Tiroler Tageszeitung”. Në mesin e karikaturave të “inkriminuara” është ajo e njërit prej karikaturistëve më të mirë nga Kosova, Murat Ahmeti, i cili në fakt është nderuar edhe me çmim të parë për këtë vizatim të tijin nga revista turke e humorit “Don Quichotte”. Vepra paraqet imazhin e simbolit të demokracisë turke, Mustafa Kemal Ataturkut, me veshjen e një protestuesi. Ndërsa në njërën dorë shtrëngon një gur dhe me tjetrën bën shenjën e demokracisë, i gjakosur dhe me sy të mbyllur nga flamuri i kuq me simbolin e hënës me yll, ai duket sikur largohet prej vendit të tij. Kjo karikaturë është konsideruar si provokuese dhe fyese ndaj Kryeministrit turk Rexhep Tayip Erdogan. Kjo nuk ishte karikatura e vetme e Ahmetit, që shënjestronte kreun e qeverisë turke. Ekspozita ishte hapur në qytetin jugperëndimor turk Didim, në kuadrin e edicionit të 18-të të Festivalit të Paqes, ku merrnin pjesë artistë nga vende të ndryshme të botës, që nga Brazili, Italia, Gjermania e Turqia. Të gjitha kishin në qendër situatën më të fundit në Turqi dhe shumë syresh vinin në lojë Kryeministrin e vendit, Erdogan. Kjo ka çuar në ndërhyrjen e menjëhershme për mbylljen e kësaj ekspozite. Me urdhër të Prokurorisë, forcat e policisë kanë ndërhyrë në mesnatë dhe kanë mbledhur karikaturat. Sipas medieve turke, është shoqëruar në Polici karikaturisti dhe avokati Mehmet Golebatmaz, i cili jo vetëm që ka mohuar akuzat për fyerje ndaj qeverisë, por ka shtuar se puna e tij është pikërisht kjo dhe se ai hap ekspozita në të gjithë botën. “Karikatura është arti i kritikës”, ka thënë ai. Botuesi i revistës humoristike turko-gjermano-angleze, “Don Quichotte”, Erdogan Karayel, i cili jeton në Gjermani, ka kritikuar veprimin e autoriteteve turke, duke e quajtur atë “skandal”. “Në Gjermani, një reagim i tillë do të ishte plotësisht i paimagjinueshëm”, ka thënë ai, teksa shton se karikaturat satirike ende pranohen me vështirësi në Turqi. “Për vetë natyrën e saj, karikatura është e lirë dhe kritike. Sidomos në fushën e politikës, në historinë e artit, zë një vend të veçantë. Demokracia, liria, toleranca, këto kanë rëndësi. U kërkoj falje karikaturistëve në gjithë botën, në emër të vendit tim”, ka shtuar ai. Nga ana tjetër, partia e Kryeministrit Erdogan ka zhvilluar një konferencë për shtyp në lidhje me ekspozitën në Didim. Gazetat turke kanë cituar një politikan lokal turk, sipas të cilit karikaturat përmbajnë në vetvete fyerje për Kryeministrin turk. Kosovari “fyen” qeverinë turke, çështja në Prokurori respublica.al/fotolajm-v2/2013/09/05/kosovari-fyen-qeverine-turke-ceshtja-ne-prokurori
Posted on: Sat, 07 Sep 2013 12:32:32 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015