Kostis Pallamas (1859-1943) SATIRI OSE KËNGA LAKURIQ Gjithçka - TopicsExpress



          

Kostis Pallamas (1859-1943) SATIRI OSE KËNGA LAKURIQ Gjithçka këtu e zhveshur është, është lakuriq gjithçka: lugina, male, horizonte, veç ditë se natë s’ka. Këtu hapësirat si pallate hapen në thellësi, që të rrëmbushen sytë me dritë, kitarat me harmoni. Këtu si njolla drurët ngjajnë tek-tuk e një nga një, bota këtu është verë pa ujë dhe zhveshja zot mbi të. Këtu një ëndërr është hija dhe nata më beterr lëshon pareshtur buzëqeshje e vezullime nxjerr. Gjithçka harliset e dalldiset pa drojë e cep më cep, këtu çdo kurm është një flakë dhe yll është çdo shkrep. Këtu florinj edhe rubinë, perla edhe argjend veshin, tri-herë-e-shenjtë Atikë, lakuriqimin tënd. Këtu hyjnorëzohet mishi, të ritë kurrë s’vdes: çdo vajzë është një Artemisë, çdo djalë një Hermes. Nga shkumë e valëve Afërdita e lakuriqtë del, mahnit përbindshat e me viset shkrihet dhe aty ngel. Dhe nëse sheh nën diell t’Athinës, që djeg e pjek si zhur, një qenie krejt të çuditshme që shfaqet kur e kur, të zhveshur si një pemë pa gjethe që hijen nuk e njeh, si gur të ashpër e me trupin të thatë, nëse sheh, diçka cullake e të zbuluar, që shenjë jete s’ka përveç dy syve përshkënditës si zjarre të mëdha, diçka të ngjashme me satirët, një egërshan plot hir me zë argjendi, ti mos ikë, se jam vërtet Satir. Në këto vise hodha rrënjë si ulliri atje tej, me fyell motivit tim magjepsës ia them edhe ia kthej: i bie fyellit e bashkohen plot afsh e zjarr në gji, i bie fyellit e vallëzojnë njerëz, kafshë e stihí. - Ti shpirt, meshtar lakuriqimi, rrobat e shtatit hiq; tempull hyjnor e ke ti kurmin, pra vishe lakuriq. Si me magnet tërhiqmi duart, jo mish po qelibar, ma jep ta pi sa të mos nginjem të shenjtin tënd nektar. Ma hiq atë tunikë të huaj - lëvozhgë në atë shtat dhe gjithë hiret e përkryera natyrës ia përshtat. As zgjidhe brezin, ndërsa duart mbi gji si kryq i lidh, leshrat e tua të përflakta mbi trup për veshje hidh. Ti gojë, nga buron i lirë kuvendi ëmbëlcak, si dylli i bletëve je e butë, si shega bojëgjak. Dhe çdo zambak prej alabastri, ku prilli djeg thimjam, t’i ka zili kupat e gjirit, por edhe unë t’i kam... Në ato kupa bardhë e rozë një herë të kem të pi qumësht magjik që të jep jetë e të fal lumturi. Meshtari yt jam dhe dy gjunjët altarë ti m’i ke: në afshin tënd bëjnë perënditë një mrekulli të re. Shtatore e ngrirë aherë bëhu, bëhu një kurm që merr përsosmërinë e mjeshtërisë të gdhendur në mermer. Pastaj, ashtu lakuriquar, përgjaj gjithë gaz e shend ç’ka pylli mbarë kafshë të egra edhe shtërpinj e shpend. Gjithçka të ëndshme e të bukur përgjaje, shpirti im, lakuriqimin tënd përsose gjersa ta bësh mendim. Linja të drejta e rrumbullake, kurba plot hijeshi, ju regëtima të perëndishme, lodroni pra tani. Ju balle, sy e leshra derdhur, ju ije dhe ti bel, vende të fshehta ku mërsina e trëndafili çel; ju duar që shkrini ledhatime, ju këmbë që zini rob - pëllumba të kënaqësisë, orrla që ndillni kob. Larg nesh çdo gjë e përçudnuar, që s’të ka hije ty! Çdo gjë e turpshme, e ndotë, e fshehur, që s’shihet dot me sy! Eterit, tokës, trupit, gjoksit çdo vel ti ia hiq! Lakuriq është dhe e vërteta, dhe e bukura lakuriq. (Nga përkthimet e hershme. Në “Antologji e poezisë greke”, Tiranë 1986.)
Posted on: Mon, 12 Aug 2013 19:22:10 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015