Kush do punë të lërë Saliun pa punë në 23 - TopicsExpress



          

Kush do punë të lërë Saliun pa punë në 23 qershor Faleminderit! Shumë respekt që me gjithë diellin, që është si saç, ju keni ardhur dhe po na mbështesni me kaq shumë entuziazëm mikëpritës. Shumë faleminderit! Shumë mirënjohje për të gjithë ju, për vajzat dhe për djemtë këtu të pranishëm! Faleminderit, dhe për të gjithë gratë dhe burrat, por faleminderit shumë dhe të gjithë atyre që gjatë rrugës që na përshëndetën, na uruan fitoren, dhe normalisht nuk mund të jenë këtu, sepse në këto qytete dihet që qëndron mbi kokën e njerëzve si shpatë e hakmarrjes politike për çdokënd që ka një lidhje me shtetin qoftë vetë, qoftë nëpërmjet familjes dhe që shfaqet në takimet e opozitës, por kjo do të zgjasë edhe vetëm 9 ditë. Vetëm 9 ditë! Tani më lejoni që me krenari për një mik timin, një mik vëllazëror, ta falënderoj dhe ta ftoj të vijë këtu deputeti juaj Ndue Kola, i cili shërbeu me një përkushtim të madh në këto 4 vite. Erdhi nga sipërmarrja, për fat të keq, për shkak të angazhimit të tij në politikë pati dëme të konsiderueshme, por dëshmoi qoftë kur unë e ftova që të bëhej deputet, qoftë kur ramë dakord që këtë herë të mos ishte pjesë e skuadrës, dëshmoi se për të prania ose jo në skuadrën kombëtare nuk ka absolutisht asnjë lloj influence mbi përkushtimin e tij për Pukën, për pukjanët, për familjen tonë politike dhe mbi miqësinë e sinqertë që na lidh. Ky është shembulli qytetar, fisnik, shembulli i atyre vlerave të traditës së këtij vendi, shembulli i atyre deputetëve të Partisë Socialiste që nuk e lidhën fatin politik të familjes së tyre të madhe, me karrigen e tyre në parlament, por pavarësisht kësaj vazhdojnë të jenë pjesë e përpjekjes sonë, pavarësisht se nuk janë anëtarë të skuadrës sonë. Me këtë rast unë ju shpreh atyre të gjithëve mirënjohjen më të thellë, roli i tyre në emancipimin e kësaj familjeje politike dhe të politikës është me këtë rast i jashtëzakonshëm. Miqtë e mi! Ne nuk kemi ardhur t’ju premtojmë mrekullira, ne nuk e kemi një shkop magjik që sa hap e mbyll sytë këtë gjendje mjerimi, papunësie, braktisjeje ta kthejmë në një gjendje lumturie. Por, ama unë kam ardhur këtu t’ju zotohem se me votën e 23 qershorit ju dhe gjithë shqiptarët e zakonshëm do të kenë në krah një qeveri të re, do kenë pranë një kryeministër që hallet tuaja do t’i ketë hallet e veta, problemet tuaja do t’i ketë problemet e veta. Në përpjekjen tuaj kundër varfërisë, kundër papunësisë, kundër izolimit këtu në Pukë ju nuk do të jeni më vetëm. Ajo që, miqtë e mi, dua t’ju them është që zgjedhja e 23 qershorit, nuk është një zgjedhje mes dy njerëzve, as një zgjedhje mes dy partive, por është një zgjedhje mes kësaj gjendjeje të rrënimit, të papunësisë, të varfërimit, të korrupsionit, të kalbëzimit të shtetit, të rritjes së krimit, të rritjes së ndotjes, të shpartallimit të Shqipërisë dhe hapjes së rrugës për një Rilindje Shqiptare. Ka momente në historinë e një populli, kur populli ftohet të vendosë me votë jo për katër vitet e ardhshme, por për ndarjen në dy kapituj të historisë. Në vitin 1992 shqiptarët u ftuan nga fati i tyre që të vendosin me votë se çfarë fatin donin; Donin vazhdimin e një kapitulli rrënimi si ai që solli regjimi komunist dhe ajo që pasoi, apo donin hapjen e një kapitulli të ri. Shqiptarët vendosën për të hapur një kapitulli të ri. Sot duke filluar nga gjenerata e re e vajzave dhe djemve të viti ‘90 që nuk e kanë njohur komunizmin, por që kanë lindur me demokracinë dhe që sot janë të kërcënuar nga të gjitha pasojat e keqqeverisjes së procesit demokratik, analfabetizëm, papunësim, izolim dhe duke vazhduar me gjithë të tjetër, zgjedhja në 23 qershor është shumë e qartë, Partia Socialiste e Shqipërisë numri 29. Ja pse sot Shqipëria dhe familjet e zakonshme shqiptare, njerëzit e thjeshtë, demokratë apo socialistë, nuk ka rëndësi, për të mbajtur pushtetin e katragjyshit me antiplumb në zverk, durojnë ekonominë e tyre në gjunjë. Me votën e 23 qershorit ju do ta hiqni pushtetin nga zverku, qeverinë do ta keni në krah dhe ekonomia juaj familjare do jetë në këmbë. Sot për të mbajtur në zverk pushtetin e katragjyshit me antiplumb shqiptarët duhet të paguajnë për të hapur derën e spitalit, qoftë edhe për të bërë një gjilpërë. Nesër me votën tuaj, duke hequr pushtetin e katragjyshit me antiplumb nga zverku dhe duke pasur një qeveri dhe duke pasur në krah qeverinë tonë për Rilindjen, shëndetësinë do ta keni falas. Miqtë e mi unë kalova në gjithë këtë rrugë, nga hyrja deri tek turizmi dhe pashë disa dyqane. Unë nuk i di emrat e pronarëve të atyre dyqaneve, por me siguri dyqanet në këtë rrugë kryesore të qytetit janë dyqane ku janë vetëpunësuar familje socialistësh dhe demokratësh. Ajo që dua t’ju them unë demokratëve, atyre që jetojnë me punë të ndershme me një dyqan që mbajnë familjen e tyre dhe që ushqejnë edhe ndonjë familje tjetër, është shumë e thjeshtë; në 23 qershor keni dy rrugë, ose të shkoni në kutinë e votimit duke u nisur nga tesera e Partisë Demokratike në xhep, ose nga bindjet e djathta symbyllur dhe të votoni për të vazhduar të mbani në qafë pushtetin e katragjyshit me antiplumb në zverk me rrezikun që të falimentoni dyqanin tuaj, ose ta harroni për një moment të teserën, të shkoni tek kutia e votimit dhe me votën tek numri 29 të çlironi veten nga taksa e biznesit të vogël, të çlironi veten nga gjysma e tatimfitimit që sot është 10% mbi ju dhe t’i hapni perspektivë familjes tuaj duke shpëtuar dyqanin tuaj nga falimentimi. Çfarë zgjedhjeje do bëni? Do bëni zgjedhjen që të mbani në punë katragjyshin dhe të rrini vetë pa punë, apo do bëni zgjedhjen që të pushoni nga puna atë që nuk di të bëjë punën e vet që ju të bëni punën tuaj. Kam një pyetje, a ka mundësi që kush është i papunë të ngrejë dorën. E pra, këto duar të papunësisë nuk janë vetëm duar socialistësh, por janë edhe duar fëmijësh të demokratëve të zakonshëm dhe të gjithë atyre demokratëve që nuk ju hap njeri një derë për punë, në qoftë se nuk paguajnë tarifat e korrupsionit sipas punës që kërkojnë. Le të dalë një demokrat dhe të thotë që është futur në punë këto dy vitet e fundit ku rrënimi ka shkuar vërtet në thikë dhe nuk ka paguar para. Le të dalë, ta thotë, askush nuk ka për ta besuar, sepse sa herë që vij në Shkodër, aq herë marr me dhjetëra mesazhe jo nga socialistë, po nga njerëz të administratës, nga mësues shkollash, nga policë, nga njerëz që sot nuk vijnë dot të manifestojnë revoltën e tyre dhe e dini çfarë thonë “dashtë Zoti që Partia Socialiste të na çlirojë nga kthetrat e bllokut të Shkodrës”. Se të gjithë e dinë që ai blloku i famshëm që aq shumë e përmend Saliu që e shëtiste dikur me varkë, tani ka dy kopje një kopje e ka në Tiranë dhe një kopje e ka në Shkodër. E pra, ajo që i them unë gjithë shkodranëve, pukjanëve, malësorëve, të gjithë banorëve të këtij qarku është që sot është dita për të kuptuar se vota nuk është një dëshmi besnikërie me symbyllur për ata që të çojnë në rrënim dhe në humnerë, por vota është vendimi i popullit për të marrë në punë si shërbëtor atë parti dhe atë skuadër që premton të hapë perspektivën e mbyllur të vendit dhe kjo është Partia Socialiste, kjo është skuadra e Rilindjes dhe rruga hapet me programin për Rilindje. Deri në 23 qershor secili nga ju, çdo shqiptar që e ka vendosur që të japë votën e tij për Rilindjen duhet të mos shkojë i vetëm te kutia e votimit, por të shohë rreth e rrotull që sot dhe të gjejë njërin brenda familjes, një fqinj, në fis, një shok, shoqe klase, lagjeje që nuk ka votuar herën e shkuar apo që vazhdon lëkundet çfarë të bëjë dhe thotë pastaj s’ia vlen se është njësoj, si t’ia bëj dhe ta bindë e ta marrë me vete sepse asnjëherë gjërat nuk janë njësoj dhe mbi të gjitha mos e harroni atë fjalën e famshme që e dëgjojnë popujt e qytetëruar: “kur e keqja e kap për fyti një popull nuk është faji i të këqijve, po i të mirëve që rrinë duarkryq dhe nuk bëjnë asgjë”. Sot ky popull, populli shqiptar duhet të ngrihet i gjithi dhe të kuptojë se pjesa e mirë e tij që është si kudo tek çdo popull pjesa dërrmuese s’duhet të rrijë duarkryq, por duhet që me votë të fitojë betejën kundër rrënimit. Rroftë populli i Pukës! Rrofshin vajzat dhe gratë, motrat dhe nënat e panumërta këtu në shesh! Rrofshin djemtë dhe burrat fisnikë të kësaj treve! Rroftë Shqipëria! Rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë! Rilindje! Rilindje! Rilindje! Fjala e Kryetarit të PS, Edi Rama në mitingun e zhvilluar në Pukë.
Posted on: Sat, 15 Jun 2013 12:03:40 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015