MARK SIMONI Letersia dhe dy muzgjet Editorial i numrit 1 te - TopicsExpress



          

MARK SIMONI Letersia dhe dy muzgjet Editorial i numrit 1 te gazetes “MUZGU” (maj 2013) Nuk e mbaj mend se çfarë ndjesie përcaktuese kam patur kur vendosa ta quaj “Muzgu” Shtëpinë Botuese dhe këtë gazetë të re.. Ndoshta i shtyrë nga hijeshia, tisi, pashija dhe nuri që merr e gjithë natyra në çastin kur dita dhe nata janë më pranë se kurrë. Ndoshta kam menduar për emrin e muzgut pikërisht ngaqë ky gjest i natyres ka frymëzar e marrosur miliona poetë, (dhe s’ka çast të natyrës dhe pjesë të gjeografisë frymëzuese që të jetë përmendur aq shumë se sa muzgu). Por ndoshta dhe ngaqë tek fjala “muzgu” unë kam gjetur një harmoni të përkryer tingujsh. Dhe ku “u” dhe “z” janë një tingëllim magjik në vete, e që kanë të bëjnë me psikolinguistikën. (Kujtoni muzika, muza, buzët dhe shkruesin tonë të parë Buzukun). Kjo lloj harmonie dhe vendosje fonemash quhet nga formalistët “kuptimshmëria e allogjizmit të tingujve”. Pra, në një farë mënyre, kur përzgjodha këtë titull, nëse s’ka qenë dot thelbësore vetëm njëra prej arsyeve, atëherë do të kenë qenë të tëra njëherësh ato që më kanë shtyrë në këtë vendim. Por, menjëherë sa e mësuan këtë emërtim, njerëz konfidente, duke u munduar t’i shmangen kundërshtisë, më flisnin për më shumë dritë në titull, apo për ndonjë çast tjetër të ditës që të kishte më tepër optimizëm. Unë kur vendosa këtë emër kam menduar vetëm muzgun e ditës, (atëherë kur dita zbehet, dhe bota është në paranatë, është në atë që shumë e kanë quajtur aksham). Më duhet ta përmend akshamin për një arsye të mëposhtëme. Vetëm duke u marrë me ligjësitë e natyrës dhe “kohën simetrike”, intuita jonë duhej ta dërgonte çdonjërin nga ne në llogjikën se, gjendjet e natyrës kanë rregullin të përsëriten dy herë brenda të njëjtit cikël. Ashtu siç janë solsticet brënda vitit, apo edhe Zeniti e Periheli, që janë krejt njëlloj por në kohë diametrale, s’kishte përse ndodhte ndryshe me çastin kur dita ndahet nga nata apo e kundërta, nata ndahet prej ditës Para shumë kohësh, thellë, diku, në disa zona tonat, është përmendur dhe një tjetër muzg, kur nata në këtë rast zbehet ngadalë dhe hyn në ditë. Dhe nëse ai i pari qe muzg i ditës, ky i dyti quhej muzg i natës. Njëri quhej aksham, ndërsa tjetri quhej agshol. Pavarësisht se fjala agshol ka frymën turke dhe mekanizmin turk të formimit të fjalëve, vemë re se tek “agshol” kemi pjesezën “ag” (agim, agoi). Është fakt se kjo fjalë është përmendur në një gjeografi të ngushtë. Agsholin e kam hasur pak në veri dhe Kosovë, (në gjendje gati të harruar e rudimentale), si dhe dy tre herë të përmrndur nga prozatori ynë Ernest Koliçi. Por nëse këtu tek ne ka qenë si nocion kaq pak i përmendur, në leksikun e gjuhëve serioze e të formuara, e gjejmë me lehtësi. (Rasti i agsholit është dëshmi se edhe gjuha shqipe ka tentuar shpesh të proçedojë si gjuhët moderne). Mjafton të ishim pak më të kujdesshëm, e të hidheshim deri tek latinët apo dhe italianët, dhe do ta mësonim këtë. Crepusculum, (kohë tranzitore) thonë latinët. “Il crepusculo dell’ matino” dhe “il crepusculo della sera” përmendin italianët. Kam kërkuar tek Gustav Majeri në fjalorin e tij të 1895 dhe nuk e kam gjetur kund agsholin. (Ndoshta koridori i ekspeditës së tij nuk ka kaluar nëpër terrenet ku përmendej kjo fjalë, muzgu i mëngjesit.). Madje as fjalori i Gazullit s’e ka. Nuk e di përse kaq e vetmuar dhe fillikate kjo fjalë. Për t’u habitur. U zgjata ca në këtë argument, për t’iu dhënë në dorë një variant tjetër skeptikëve që s’iu pëlqente dhe aq “muzgu” si titull, iu dukej i zymtë. Por kjo që shpjegova nuk ua heq dot patetikën e dritës së mëngjesit atyre, ashtu siç nuk ua zvoglon shansin e frymëzimit të tjerëve që tek natyra e muzgut të mbrëmjes kane vënë një pjesë të letërsisë së tyre të bukur. Pikërisht, situatat optimiste në tekstet dhe librat plot dritë verbues të mëngjesit, më rikujtoi për të disatën herë një prej sëmundjeve më të rënda dhe më të gjata të letersise sone, patetizmin, (kuptohet dhe retorikën njëkohësisht). Kjo është lëngata e një letersi të paformuar, e mbushur me fjalë pa substancë, pa filozofi, vepra pa strukturë, pa dije, pa kulturë të shkruari, pa mendim, mbërthyer nga subjekte folklorike, me shumë britëm, me shumë mitomani, me shumë dritë e heroikë joreale. E gjitha kjo patologji të kujton një letërsi të vjetër në stil e në proçedurë. (Të kuptohemi, jo të vjetër si kohë, por të vjetruar). Se dhe Homeri në antikitet, kur thote: “Anijet rreshqisnin mbi det/Ashtu si mendimet”, shkruante në mënyrë shumë më filozofike dhe moderne edhe se sa në ditët tona. Letërsia e dobët tek ne ka patur shansin e të qenit në mazhorancë, (mbasi është letërsi e shkruar me “kollajllëk” dhe nga shumëkush), dhe pikërisht fakti i shumicës i bën dhe më agresivë idhtarët e saj, më idhnakë ndaj rebelimit dhe formateve moderne, ekstravagancës dhe koncepteve jotradicionale, frymave të reja që vijnë nga letërsi elitare e tashmë të konsoliduara, rrymave estetike, shkollave dhe tendencave avanguardiste. Gazeta “Muzgu”, e ka piksynim të vendoset mbi kritere të konsoliduara estetike dhe letrare, duke e menduar letërsinë jo vetëm si art krijimi e talenti, por njëkohësisht edhe si kulturë dijesh e shkencë studimesh. “Muzgu” do të plotësojë boshsinë, dhe me letërsinë tuaj më të mirë, do të kthehet në nje institucion vlerash, arsyetimesh, debatesh, gjykimesh, kodesh estetike, rrymash, tendecash, prirjesh, tezash, doktrinash letrare.
Posted on: Sun, 25 Aug 2013 12:01:58 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015