“Mafia shqiptare” - një libër urrejtje dhe racizmi - TopicsExpress



          

“Mafia shqiptare” - një libër urrejtje dhe racizmi antishqiptar “Mafia shqiptare” - një libër urrejtje dhe racizmi antishqiptar Nga LEKË SOKOLI Instituti i Studimeve Politike e Sociale (ISPS), revista “Politika & Shoqëria” Rreth librit Mafia shqiptare – një rrezik për Europën të studiuesve francezë XAVIER RAUFER dhe STEFANE QUERE Pak kohë më parë u vu në qarkullim libri “Mafia shqiptare - një rrezik për Europën”, me nëntitullin “Si lindi kjo superfuqi e Ballkanit?”, i autorëve francezë Xavier Raufer dhe Stefane Quere. Ç’është ky libër? Një libër më shumë në bibliotekën (jo aq të varfër) të racizmit Një libër i ri është i mirëpritur në rrethet intelektuale dhe shkencore, sikurse edhe nga lexuesi i gjerë. Në Shqipëri është bërë zakon që botimi i një libri të vërtetë të konsiderohet ngjarje. Madje sikur është bërë e modës që librat më të mirëpritur të jenë librat e autoëve huaj. Kjo mbart në vetvete edhe mikpritjen tonë tradicionale (sikurse edhe servilizmin jotradicional), për “të huajt” e veprat e tyre . Libri në fjalë është pikërisht “një zë nga Franca”, siç ka theksuar në pasthënien e tij redaktori, dr. Bujar Ramaj. Ai duhej të ishte mirëpritur prej vetë shqiptarëve, si një libër kundër mafias, e cila, kudo ku jetojnë shqiptarët, konsiderohet si një mallkim, një fatkeqësi që u shtohet fatkeqësive të tjera, historike apo të jetës së përditshme, një barrierë reale për integrimin e Shqipërisë në strukturat europiane, një pengesë për përcaktimin e statusit final të Kosovës etj. Në këtë kuptim shqiptarët urrejnë çdo lloj mafie e çdo lloj organizimi sipas modelit mafioz. Një libër i vërtetë kundër mafias do t’i bashkëngjitej revoltës së shqiptarëve kundër trafikantëve të drogës, të grave, të klandestinëve, të makinave etj., sikurse kundër korrupsionit, kondrabandës, inkriminimit, dhunimit të të drejtave civile etj. Libri paraqitet si “Një tablo kriminale, e bazuar në të dhëna e fakte kryesisht zyrtare e nga masmedia shqiptare, të përpunuara nga këndvështrimi i një kriminologu investigues, me logjikën analitike të një studiuesi me nivel, … me konkluzione, prognoza, rekomandime shkencore dhe praktika bindëse…” (Pasthënia, fq. 165). Ai është shkruar nga dy studiues profesionistë, ndonëse në të jepen të dhëna vetëm për njerin prej tyre (!), Ksavie Rofe (Xavier Raufer): drejtor i studimeve të një qendre universitare të Parisit dhe pedagog në Institutin e Kriminologjisë së Parisit, autor i dhjetë librave etj. Libri paraqitet si një botim sipas origjinalit, me një shtojcë të ripunuar nga autorët nën kujdestarinë e “Qendrës Shqiptare për Studimin e Krimit të Organizuar dhe Mafias”. Pritej, pra, një libër sipas standardeve të shkencave shoqërore bashkëkohore. Por libri në fjalë nuk ka të bëjë aspak me këto shkenca. Atij i mungon, para së gjithash, rigoroziteti shkencor. “Mafia shqiptare” i ngjan një broshure propagandistike, amatoreske e spekulative, në të cilën janë bashkuar rrëmujshëm fakte e të dhëna, citime pa lidhje logjike e jashtë kontekstit, karakteristike për spekulantët. Po marrim vetëm një element, referencat, pa të cilat një libër nuk mund të quhet shkencor. Në çdo libër, të çfardo fushe të shkencave shoqërore, informacioni duhet të jetë i verifikueshëm nga oponentët, recensentët apo të interesuar të tjerë. Në këtë libër zotërojnë pohime të tipit “sipas Interpolit”, “nga konfirmimi i policëve të besueshëm”, “sipas AFP-së”, “shërbimet speciale bëjnëtë ditur se…”, “kemi të dhëna se…”, “sipas zëdhënësit të…”etj. “Mafia shqiptare” ka një inflacion aq të madh të dhënash e citimesh (këto përbëjnë lëndën kryesore të librit), saqë e bëjnë atë të lodhshëm, thuajse të palexueshëm. Duket sikur gjithçka është stisur me qëllim që lexuesi, sidomos ai që bën politikën e madhe (në Europë e më tej), të mjaftohet vetëm me titujt “mbresëlënës” , që të arrijë shpejt e shpejt në përfundimin: “Shqipëria (më saktë trekëndëshi shqipfolës i Ballkanit), po shndërrohet (në mos është shndërruar), në Kolumbi të Europës (fq. 97). Shqiptarët e kanë në gen klanin dhe mafian, madje që nga koha parahomerike (fq. 93). Hapësira shqipfolëse (“trekëndëshi i artë”-jepen edhe hartat), është vendlindja dhe vendbanimi i vërtetë i mafias. Shqiptarët (mafiozët) po shpërngulen drejt Europës, bashkë me kanunin e tyre (kodin e mafias), sikurse pesë shekuj më parë drejt Italisë së Jugut, për të krijuar mafian italiane (fq. 117). Eksodi shqiptar është një kolonizim mafioz (fq. 73) dhe mafia shqiptare përfaqëson rrezikun më të madh të Europës (fq. 72-89). Ky realitet i mafias shqiptare është jo vetëm i padurueshëm, por edhe i pandreqshëm (fq. 105). Ai provon se qëndrimi i fuqive të mëdha perëndimore ndaj Kosovës gabimisht ndërroi udhë, në fillim të 1999-ës (fq. 104). Vetë SHBA-të u nxituan (fq. 97), ndërsa OKB-ja po gabon (fq. 98-99). Është e kotë të përpiqesh të zgjidhësh mllefet e shqiptarëve të Kosovës me anë të forcës ndërkombëtare (fq. 98). Kosova, tani për tani, është vetëm një ëndërr e keqe (fq. 109), ajo po shndërrohet në mënyrë të pashmangshme në një Bosnje të dytë (fq. 108), që jeton vetëm me ndihma të huaja dhe me industrinë e krimit (fq. 109). Madje Kosova (sikurse gjithë trekëndëshi shqipfolës) nuk është Europë, por një vend ku zotëron kultura kriminale islamike (fq. 108). Pra mos u gaboni të dënoni masakrat ndaj shqiptarëve, derisa kriminelët dhe mafiozët janë ata vetë. Pa mëshirë! Lërini serbët të mbarojnë punë me ta. Të paktën mos nxitoni për statusin final të Kosovës ose, më ekzaktësisht, mos guxoni të nxitoni… Ky është mesazhi i librit “Mafia shqiptare”. Ai nuk është një libër kundër mafias, por një libër urrejtje dhe racizmi antishqiptar. Këtej burojnë diletantizmi, mungesa e rigorozitetit dhe e cilësisë akademike të tij. Autorët bëjnë një lojë sofistike me të dhëna që s’mund të quhen të tilla, me thënie e stërthënie pa adresë, pra as më shumë e as më pak, por një lojë amatoreske, lojë diletantësh të shkencës. Madje autorët e ndiejnë se do të akuzohen për manipulim të qëllimshëm të të dhënave, për përkthime të rreme etj., ndaj si hileqarë të vërtetë, kanë nxituar “t’i dalin të keqes përpara”, duke theksuar: “Ja në version origjinal, për të shmangur akuzën për përkthim të rremë” (fq. 104, 107). Autorët, gjithashtu, nxitojnë t’i dalin të keqes përpara edhe për racizmin antishqiptar që vlon në çdo faqe të librit. Raufer, në parathënien e librit thotë: “Dëgjoj që këtu vetëdijet morale: të flasësh për mafian shqiptare? Do të thotë të bësh lojën e Millosheviçit dhe të biesh në racizëm antishqiptar. Por, si kriminolog shkruaj pa qëllim të keq” (fq. 17). Edhe botuesi, sikurse vetë autorët, duke e ndierë racizmin antishqiptar të këtij botimi, rend të bëjë një deklaratë dashurie për Shqipërinë: “Përsa më përket mua, e dua Shqipërinë…” (fq. 5). Por nga përmbajtja mund të konstatohet, madje pa shumë vështirësi, se libri është shkruar me një qëllim politik të përcaktuar qartë. Autorët janë përpjekur të përpunojnë një mendim politik (kriminal), me shpresën se ai, të paktën, do të justifikojë aksionet kriminale kundër botës “mafioze” shqipfolëse, apo edhe do të jetë pararendës i një veprimi të ri kriminal kundër saj. “Mafia shqiptare” është, pra, një libër më shumë në bibliotekën (jo aq të varfër) të racizmit. Le të argumentojmë. Mafia dhe “Mafia shqiptare” Në libër vërehen shtrembërime në përcaktimin e historisë e mafias, sikurse ato që lidhen me jetën tradicionale të shqiptarëve, kulturën, të drejtën e tyre zakonore etj. Këto shtrembërime nisin që me përkufizimin e mafias si “një bashkim (koalicion) sekret “familjesh”, të lidhura nga gjaku ose martesa…, që vendos ligjin e pamëshirshëm të heshtjes (omeritá), që rekruton njerëz vetëm në bazë të seksit ose të racës…” (fq. 29). Në të vërtetë autorët kanë abuzuar, jo pa qëllim, me “argumentin” se qeliza e parë e mafias është familja. Nëse lidhjet e gjakut do të ishin i vetmi kriter rekrutimi, atëherë Tano Karidi, Terasini, Spinoza, kontesha Olga etj. (nga filmi “Oktapodi”, për të mos shkuar më tej), të gjithë duhej të kishin lidhje gjaku me njëri-tjetrin (!). Në të vërtetë mafia përfaqëson një rrjet i cili, për të qenë mafie, duhet të plotësoje tre kushte: të qenit rrjet sekret bashkëpunimi (organizimi), të veprojë për interesa ekonomike private (qëllimi), permes vendosjes së një rendi primitiv ose drejtësie primitive (mjeti). Lidhjet e gjakut, fisi, fqinjësia etj., etj., ndryshe nga ç’pretendojnë autorët e librit (fq. 28), në mafian moderne nuk kanë ndonjë peshë me rëndësi. Përkundrazi, mafiozët po tentojnë gjithnjë e më shumë që t’i mbajnë familjarët larg implikimit në veprimtaritë mafioze në të cilat ata janë përfshirë. Këtë e tregojnë edhe gjyqet e zhvilluara ndaj rrjeteve të tipit mafioz, siç është për shembull gjyqi “kokaina” në Tiranë, për të cilin flitet në shtojcën e botimit shqip të librit (fq. 138-140). Këto shtrembërime në interpretimin e përcaktimit të mafias bëhen për ta “afruar” atë teorikisht me fenomenet shekullore të jetës shqiptare, si besa, Kanuni etj., që thuajse paraqiten nga autorët si shtylla ku mbështetet mafia shqiptare (!). Amatorizmi, mungesa e rigorozitetit shkencor etj., lidhen pikërisht me tërbimin antishqiptar të autorëve, me përpjekjen për të identifikuar popullin shqiptar me mafian. Autorët shkojnë deri atje sa dukuri zakonore me zanafillë njëmijëvjeçare, si besa (fjala e dhënë) etj., jepen si pararendëse të mafias. Këmbëngulja e autorëve për të nënvizuar si kyç të suksesit të mafias shqiptare cilësi të përgjithshme morale si fjala e dhënë, besa, familjen biologjike (për ta, mafioze, fq. 116), apo lidhjet e gjakut është, në fakt, këmbëngulje për të bindur botën se “shpirti mafioz” përkon tërësisht me “shpirtin e racës” shqiptare. Madja autorët “çuditen” pse Kanuni i Lekë Dukagjinit i cili, sipas logjikës së tyre, na qenka “Bibla e mafias”, që “zbatohej pa të meta në malet e veriut të vendit, veçanërisht nga familjet mafioze” (fq. 117), shitet lirshëm në kioskat dhe libraritë e qyteteve shqiptare (fq. 34, 117). Pra, çuditërisht, “një zë nga Perëndimi” na kujton kohën e librave të ndaluar. Do t’u kujtoja këtyre autorëve “të çuditur” (apo të çoroditur), se ky Kanun shitet lirshëm edhe në libraritë e vendeve të Perëndimit, madje në botime shumë serioze dygjuhëshe, siç është, për shembull, varianti anglisht-shqip që shitet në libraritë (jo kioska) të Nju-Jorkut. E drejta zakonore shqiptare dhe ligjet e mafias Nuk e kisha menduar ndonjëherë se do të vinte një ditë që të polemizoja me dy (pseudo)shkencëtarë të huaj (aq më tepër francezë), rreth çështjeve që përbëjnë abc-në e shkencave shoqërore, sipas të cilave e drejta dokesore e një populli, sikurse mitet, përrallat, këngët epike, madje edhe kultura materiale në përgjithësi, nuk mund të identifikohen me një njeri të vetëm. Ato krijohen e pasurohen përgjatë shekujve nga populli, duke u bërë kështu një krenari e mendësisë dhe mençurisë së tij. Autorët kanë vënë në shënjestër Kanunin (sikurse vetë Lekë Dukagjinin), pikërisht për shkak të të qenit “palcë etnike e kombit shqiptar dhe e kulturës së tij”, siç thoshte Fishta, pra për të hedhur baltë mbi kulturën tonë kombëtare (sipas autorëve, kulturë e krimit), e mbi vetë shqipfolësit “mafiozë”. Duke u nisur nga parimi se një bashkësi njerëzore nuk e përcakton fati i përbashkët historik, as tradita e saj fetare, por mbi të gjitha e drejta dokesore, shumë shkencëtarë europianë (J.G. von Hahn, H. Hecquard, C. Becker, M. E. Durham, G. Siebertz, E. Cozzi, E. Jackh, F. Nopça, L. Lamouche, E. Kahn, J. Bourcart, Godart, R. M. Lane, J. H.A. Bernatzik, M. Hasluck, L. Fox etj.) , shumë kohë para autorëve të “Mafia shqiptare”, janë marrë me kanunet shqiptare, sidomos me Kanunin e Lekë Dukagjinit. Ata e kanë quajtur këtë të drejtë zakonore si shprehje të mirëfilltë të karakterit shqiptar: një karakter i mbrujtur me një moral të veçantë dhe që funksionon me standarde etike të vetat, si te çdo popull i qytetëruar i botës. Por asnjeri prej tyre nuk ka arritur të “zbulojë” pikëtakime midis ligjeve të së drejtës zakonore shqiptare dhe ligjeve të mafias, siç bëjnë në këtë libër Xavier Raufer dhe Stefane Quere. Kanuni, pra kjo vepër unikale me frymën humaniste të periudhës së Rilindjes Evropiane, me kontribut në thesarin e kulturës botërore (siç ka theksuar Schwerin), i quajtur si “Kushtetuta e vërtetë e shqiptarëve” (nga E. Durham etj.), nuk mund të jetë kurrsesi “kushtetua e mafias”, siç lenë të kuptohet apo siç pohojnë autorët e librit. Por libri “Mafia shqiptare” përmban një mal të pavërtetash për Kanunin shqiptar, hartuesit dhe zbatuesit e tij. Le të citojmë (fq. 117-118): “Në shekullin XV, pak para pushtimit turk, Lekë Dukagjini (Aleksandri, dukë lani), ose Zhani (Jan) - shihet ndikimi bizantin - fisniku gegë nga Dagmo dhe Zadrima, hartoi me shkrim këtë bashkësi rregullash (në fuqi për shumicën që nga parahistoria, në Iliri dhe në Epir), dhe i dha emrin e tij. Dukagjini luftoi kundër pushtuesve turq deri në vitin 1472, pastaj, i mundur, kapërceu me anije kanalin e Otrantos, me klane të tjera shqiptare. Ai u vendos në Pulja, të tjerë në Kalabri, duke sjellë me vete Kanunin e tyre. Studiues të familjeve mafioze mendojnë se Kanuni ka ndikuar shumë në mënyrën e sjelljes së mafiave italiane dhe në sjelljen e “burrave të fjalës”… Ai parashikon edhe rastin e aksidenteve vdekjeprurëse me veturë”. Këtu, sikurse në të gjithë librin, shtrembërimet mund të dallohen pa shumë mundim: 1. Princi (jo fisniku) shqiptar Lekë Dukagjini (1410-1481), për shembull, nuk është njohur me emrat Aleksandër, apo Zhani (Jan), pra nuk kemi të bëjmë me ndonjë ndikim bizantin, siç pohojnë autorët e “Mafia shqiptare”. Me sa duket edhe kjo “ndërhyrje” është bërë me qëllim përkeqësues, për ta lidhur të drejtën tone zakonore me konceptet, sjelljen, qëndrimet, veprimet, dredhitë, dinakërinë apo harbutërinë bizantine, siç është bërë zakon të kuptohet përdorimi i kësaj fjale. 2. Lekë Dukagjinit i njihet autorësia e njerit prej kanuneve tona, por vetëm si krijimtari gojore, jo e shkruar. Ai u trashëgua si praktikë gjykimi, si sentenca juridike, veproi në shekuj si “Common low” anglez, duke qenë i pashkruar, deri sa u mblodh dhe u kodifikua nga Shtjefën Gjeçovi, në kapërcyell të shekujve XIX-XX. Pra deklarimi “duke sjellë me vete Kanunin e tyre”, është abuziv, derisa ky Kanun është shkruar shekuj pas eksodit të shqiptarëve drejt Italisë. 3. Është absurde të përpiqesh të argumentosh se të jetuarit në një shoqëri ku zbatohet Kanuni shqiptar është njëlloj me rekrutimin në një shoqëri apo organizatë mafioze, nga e cila mund të shmangesh “vetëm me rrezik jete” (fq. 29). Kanuni, përkundrazi, njeh lirinë brenda organizimit fisnor, të cilën e institucionalizoi me organizimin e pleqësisë mbi bazë fshati e krahine etj. Kanuni i vjetër shqiptar kishte shumë më tepër hapësira lirie, jo vetëm se mafia, por, siç vëren Kadareja edhe nga e ashtuquajtura “drejtësi e frymëzuar nga lufta e klasave”, para së cilës ai ngjante çuditërisht demokratik dhe kujtohej me mall prej shqiptarëve. Nuk është e rastit që Kanuni, gjatë regjimit komunist, ishte ndaluar të botohej. Autorët e librit rekomandojnë të (ri)ndalohet edhe tani, në epokën e lirisë. 4. Autorët thuajse e kanë njëjtësuar Kanunin me gjakmarrjen, e cila nuk është veçse një pjesë e neneve të tij ndëshkuese. Do të ishte njëlloj sikur një shtet (Franca, për shembull), të gjykohej vetëm nga kodi i vet penal. 5. Edhe sikur t’i referohemi vetëm gjakmarrjes (pjesa më e verbër e Kanunit), nuk mund të bëhet paralelizëm midis ligjeve të Kanunit dhe atyre të mafias, qoftë edhe për faktin se në Kanun parimi bazë është “barazia e gjakut”, pra e njerëzve. Mafia, përkundrazi, nuk njeh kurrëfarë barazie. 6. Rregullat tragjiko-groteske të gjakmarrjes përjashtonin dy gjera: masakrën dhe çnderimin, ndryshe nga ç’ndodh me vrasjet mafioze. 7. Autorët e quajnë si tipar të së drejtës zakonore shqiptare të ashtuquajturin omeritá, pra ligjin e pamëshirshëm të heshtjes në krim, vrasje etj. (shih, për shembull, fq. 29, 51, 53, 77, 158). Në të vërtetë vrasja kanunore nuk pasohet nga heshtja. Përkundrazi ajo ishte si një pjesë teatri, si një pjesë e luajtur në sytë e të gjithëve. Si e tillë ajo artificializohej, shkëputej nga pasionet, zbrazej nga verbëria. Vrasësi ishte i detyrar të njoftonte familjen e viktimës për gjakun e marrë dhe autorësinë e vrasjes. Për më tepër ai ishte i detyruar të merrte pjesë në drekën e mortit të viktimës, sikurse nëna dhe motrat e tij ishin të detyruara t’i shërbenin atij, si gjithë të tjerëve. Kjo është, pra, krejt e kundërta e ligjit mafioz të heshtjes, të cilin autorët e përmendin dhe e analizojnë thuajse në çdo paragraf të librit, në përpjekjen për të “argumentuar” tezat e tyre antishqiptare mbi gjenezën e mafias. 8. Me psikologjinë sociale të shqiptarëve, mënyrën e jetesës e të organizimit shoqëror, me të drejtën e tyre dokesore, autorët kanë synuar të shpjegojnë edhe “origjinën” e mafias italiane. Por studimet mbi mafian italiane, të bëra nga vetë studiuesit italianë, provojnë të kundërtën. Në librin “Mafia dhe politika”, autori i tij, Mikele Pantaleone, shpjegon historinë dhe organizimin e mafias, sikurse përcakton me shumë saktësi vendosjen gjeografike të saj. Ai në asnjë faqe të librit nuk ka dhënë ndonjë shenjë të ndikimit shqiptar në historinë e mafias italiane. Madje edhe rrethanat historike të lindjes së saj, nuk përkojnë me historinë e shqipfolësve ballkanas, siç pretendojnë autorët e “Mafia shqiptare”. Citojmë: “Në kohën e pushtimit fenikas, grek, romak e arab, Sicilia Qendrore ishte objekt ndarjesh në latifonde, domethënë në toka të mëdha, në të cilat pronarët me pushtet absolut, përgjithësisht nuk banonin. Administrimi i çifligjeve, drejtimi i skllevërve që banonin në to, zakonisht u besohej njerëzve të shthurur, shumica kriminelë të vjetër, që organizoheshin në grupe, “kompani të armatosura”, për të shfrytëzuar popullsinë skllave, që ndodhej në mëshirën e tyre e për të vendosur njëfarë rendi primitiv e brutal. Një situatë e tillë nuk ndryshoi as gjatë epokës së mesjetës dhe mbretërimit të Burbonëve...” Një sfond i tillë historik dhe ekonomiko-social, me të cilin lidhet realisht origjina e mafias, nuk ka ekzistuar në Shqipëri. Edhe një tjetër autor italian, Xhemeli, që më 1848, në librin “Historia e revolucionit sicilian”, pohon për të njëjtën dukuri: “Origjina e këtij organizimi të famshëm na çon në epokën feudale, kur forcat publike u zevëndësuan nga pushteti personal; kur baroni dhe pronari, për të mbrojtur pasuritë e tyre, kështjellën dhe çifligun, qenë të detyruar të pajtonin me rrogë banda njerëzish të shthurur.” Pra kërkimi nga italianët i rrënjëve të mafias së tyre nuk i çon ata në Shqipëri, por në epokën feudale (madje edhe parafeudale), italiane (pikërisht siciliane), madje edhe në epokën para Lekë Dukagjinit. 9. Autorët e “Mafia shqiptare” kanë synuar të depërtojnë në Kanunin shqiptar dhe institucionet e tij, duke e parë atë jo në përdorimet korrekte, por vetëm në shtrembërimet e tij. Me këto shtrembërime dhe me vështirësitë gjithfarëshe të tranzicionit paskomunist, lidhen edhe rastet e “gjakmarrjes” në Shqipëri apo Kosovë, për të cilat autorët sjellin një lumë të dhënash (fq. 23 etj.). 10. Sipas autorëve të librit, shoqëritë klanore pjellin mafie. Por si i bëhet që shoqëri klanore, madje gjakmarrje etj., ka patur edhe në Francë, në Korsikë, për shembull? Ja “zgjidhja”: “Në Korsikë, një shoqëri klanore dhe një arenë shumë aktive krimi, prodhuan – në mungesë të një modeli të përshtatshëm organizimi apo vullneti për ta zbatuar atë – veçse një mjedis kriminal, por jo mafia” (fq. 34). Pyetja se ç’përfaqëson ky “model” (fq. 69-70), merr veçse ndonjë përgjigje të rrëmujshme: “Rrethanat shoqërore dhe historike, në mënyrë darviniane, shkaktojnë një ndryshim të vrazhdë në fillim, ndjekur nga një dyndje e dukurive përparuese kriminale. Një shembëlltyrë botanike jep mundësinë të sqarohet kjo përpjekje e befasishme: ajo e farave të qeskëzuara, të groposura në shkretëtirë nganjëherë për disa dekada, dhe që mjafton një rrebesh për t’i lulëzuar natën” (fq. 39-40). Kuptoje në je i zoti! 11. Të çudit dallimi që bëjnë autorët midis Ballkanit shqipfolës dhe atij joshqipfolës. Edhe kur ai lidhet me virtytet, edhe me cenet, përsëri interpretimet e autorëve janë gjithnjë në kurriz të shqiptarëve, të cilët, të vetëm në Ballkan, na qenkan mafiozë. 12. Të çudit gjithashtu fakti që autorët e këtij libri të zi e kërkojnë origjinën e mafias shqiptare jo në cenet dhe marrëzitë e shqiptarëve që, sikurse te ballkanasit e tjerë, i kanë madje me tepri, por në virtytet e tyre (nderi, besa, fjala e dhënë, mikpritja etj.), virtyte të cilat po gjenden përherë e më rrallë në shumë pjesë të botës, duke përfshirë edhe atdheun e autorëve të librit. 13. Tranzicionalistët i kanë shpjeguar dukuritë e reja sociale të tranzicionit paskomunist (mafia e kriminaliteti, përdorimi i drogës dhe prostitucioni etj.), si dukuri të lidhura jo me traditën, por me të tashmen, së shumti edhe me të shkuarën e afërt, jo me komunitetet e vogla e jetën tradicionale por, përkundrazi, me shembjen e këtyre komuniteteve, jo me marrëdhëniet shoqërore të virtytshme, por me komercializimin e marrëdhënieve shoqërore. E gjithë (a)logjika e librit është e kundërt me këto shpjegime. “Mafia shqiptare”, proceset integruese të Shqipërisë dhe statusi përfundimtar i Kosovës Shqipëria sapo ka nisur proceset integruese, ndërsa Kosova është në kërkim të statusit përfundimtar të saj. Libri, pra, është një botim “në kohën e duhur”, për t’i thënë Europës dhe botës se Shqipëria është e paintegrueshme, ndërsa lidhur me Kosovën, ne evropianët duhet t’i jemi mirënjohës Serbisë, nëse ajo e “bën zap”(!). Për të “argumentuar” tezat mbi “origjinën shqiptare” të mafias, si dhe përfundimet raciste që burojnë prej tyre, autorët kanë thirrur në ndihmë këdo e gjithçka: libra e gazeta (shqiptare, kosovare apo të huaja), politikanë e ushtarakë, përvojën europiane, amerikane, deri përvojën e Revolucionit Kulturor Kinez, inxhinierinë sociale, Darvinin, Frojdin, Jungun, Karl Marksin, Enverin, deri Kongresin e Drejtshkrimit të Shqipes (!), Gëten etj. Ata, gjithashtu nuk kanë kursyer askënd: nga Lekë Dukagjini te Sokol Koçiu, nga UÇK-ja te CIA, nga shqiptari më i zakonshëm tek Toni Bleri apo Bill Klintoni. Si në tekstet bazë të racizmit, autorët një dukuri të dhënë sociale, siç është mafia, e përgjithësojnë. Inkriminimin e një pjese të kufizuar të shoqërisë shqiptare e kosovare e shfrytëzojnë për të “argumentuar” inkriminimin e gjithë shoqërisë. Sipas tyre, e keqja ka përmasa shumë më të mëdha nga sa mund të konstatohet. Ligji i heshtjes (omeritá), bën që ne (europianët), thonë ata, të shohim vetëm majën e ajsbergut. Por kjo e keqe është ngjtëse e fiton terren. Qendra e gravitetit të mafias ndërkombëtare është zhvendosur në zonat shqipfolëse të Ballkanit. Tirana është kthyer në njëfarë OKB-je mafiozësh (fq. 53). Në zonën shqipfolëse gjithçka dominohet nga mafia. Shqiptarët krenohen me mafian e tyre. A nuk krenohen ata me UÇK-në, “një organizatë kriminale që sekuestron, vjedh, plaçkit, rrëmben, ushtron shantazh, u bën presion dëshmitarëve …, me fjalë të tjera vepron si mafie” (fq. 91). Autorët japin alarmin: kjo mafie po pushton Europën. Ajo ka depërtuar në Britani e Gjermani (fq. 82), në Austri e në Vendet Nordike (fq. 83), në Danimarkë, Belgjikë e Spanjë (fq. 83-86), në Poloni, Çeki, Sllovaki, Hungari (fq. 86-88), pa folur për Greqinë, mushkëri e jashtme e saj (fq. 88-89), apo dy fortifikatat e mafias shqiptare, Italinë e Zvicrën (fq. 72-79). Mënyra për “dominimin mafioz” të Europës është, sipas autorëve, emigracioni. “Në vitet 90-92, - thonë ata, - qindra mijëra shqiptarë hynë befas në Greqi; në shumicën më të madhe ata ishin djem të rinj, pa profesion dhe shpesh analfabetë” (fq. 88). Duhej theksuar domosdo “analfabetë” (megjithse në Shqipërinë e asaj kohe të paktën analfabetë nuk kishte), për të kuptuar se ishin kontingjente lehtësisht të rekrutueshme nga mafia. Ata e cilësojnë eksodin shqiptar, madje edhe atë kosovar të vitit 1999 , si “një kolonizim mafioz” (fq. 72, 73) dhe pohojnë, pa mëdyshje: “Është e qartë se kjo dyndje refugjatësh nuk është një eksod njerëzish të varfër, por një operacion i planifikuar dhe i organizuar bukur nga mafia shqiptare, në bashkëpunim me elementët më të korruptuar që kanë mbetur në shtetin shqiptar” (fq. 74). Po ku qëndron forca e mafias shqiptare? Kjo mafie, sipas autorëve, është shumë më e fuqishme nga sa mendohet dhe “askush nuk e njeh me të vërtetë rëndësinë e fenomenit” (fq. 64). Po ku qëndron forca e mafias shqiptare? 1. Sipas autorëve të librit forca e saj qëndron në radhë të parë te “kapitali që rrjedh nga krimi” (fq. 22). Këto para riciklohen për t’u shtuar (teoria e akumulimit të kapitalit, e Karl Marksit), dhe përdoren për të blerë ndërmarrje, skafe etj, por edhe për të financuar operacione më të vështira e më të sofistikuara (fq. 22). 2. Forca e mafias qëndron në lidhjen gjenetike me familjen. Celula bazë e shoqërisë, sipas “moralistëve” Raufer dhe Quere, është njëherësh edhe celula bazë e mafias. Familja mafioze nuk shuhet kurrë, mafiozët vdesin, por familja mafioze vazhdon (fq. 29). 3. Forca e saj qëndron, gjithashtu, në lidhjet e mafias shqiptare me atë ndërkombëtare, në marrëveshjet Joint-Venture me kartelet kolumbiane (fq. 114), mafian italiane (siciliane, puljeze, kalabreze), turke etj., etj. 4. Forca e mafias shqiptare qëndron, sipas autorëve, në lidhjen me ekstremistët islamikë. Shihni UÇK-në (këtë organizatë kriminalo-mafioze, thonë autorët), “mbështetja më e siguruar e së cilës erdhi që në fillim nga boshnjakët. Të dy popujt u afruan me njëri-tjetrin nga feja dhe një armiqësi e përbashkët kundrejt Jugosllavisë së S. Millosheviçit” (fq. 22). Autorët madje kanë arritur të sajojnë lidhje të mafias shqiptare me terroristët islamikë dhe Osama Bin Ladenin (fq. 123). 5. Forca e mafias shqiptare qëndron, më tej, në lidhjet e saj me politikën, jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, ku mafia është ngritur në sistem, por edhe ndër shqiptarët e Maqedonisë. Autorët shkruajnë, madje pa iu dridhur kalemi: “Partitë shqiptare të Maqedonisë janë thjesht shprehje e mafias vendase” (fq. 95). Madje ato etiketohen si “bashkim kompakt kriminelësh” etj (po aty). 6. Por, sipas autorëve, mafia shqiptare nuk ka vetëm mbështetjen politike të vetë shqiptarëve. Ajo ka edhe mbështetje të huaj politike. UÇK-ja (organizatë mafioze), për shembull, sikurse grupet kriminale të shqiptarëve të Maqedonisë, janë sponsorizuar edhe nga CIA (fq. 103), pra nga vetë SHBA-të. Raufer dhe Quere kanë “emëruar” edhe “kumbarin” (padrinon) amerikan të mafias shqiptare: kongresmenin nga Ohajo, sherifin James Traficant, “përkrahësi më i tërbuar i UÇK-së në Kongresin amerikan” (fq. 102), “i vetmi që u dërgua në Kosovë në gjashtëmujorin e parë të ’99-ës, për të armatosur UÇK-në” (fq. 102). Për të bindur “lexuesin e shastisur” se “i gjithë aktiviteti i këtij politikani të llojit Pitbull” (fq. 103), “është shprehje e detyrimeve, besnikërisë dhe e bindjeve ndaj krimit” (fq. 101), autorët nuk hezitojnë të gërmojnë në biografinë e tij dhe të nxjerrin prej andej origjinën italiane, lidhjet e tij me “familjen” (celula bazë e mafias - si kudo në libër), prejardhjen prej “një familje të varfër, por të ndershme” (siç janë familjet “mafioze” shqiptare, - shënimi im, LS), deri fakte të tilla si “urdhëroi vrasjen e ....” etj., etj. Por si është e mundur që SHBA-të të mbështesin e të financojnë një forcë terroristo-mafioze si UÇK-ja? Për shkak të një politike të dyshimtë e të koklavitur (fq. 103), për shkak të nxitimit të tyre (dhe shtojnë se çdo nxitim vjen nga djalli, fq. 97), “për të vendosur nëpërmjet NATO-s një Kolumbi në zemër të Europës ” (fq. 97), përgjigjen autorët , për shkak të dështimit të SHBA-ve (këtij të ashtuquajturi shtet), në luftën kundër mafias dhe në përuljen ndaj saj , pë shkak të naivitetit të tyre (si në Bosnje - Dejtoni) etj., etj. 7. Forca e mafias shqiptare, sipas autorëve, qëndron në qëndrimet e çuditshme të komunitetit ndërkombëtar, duke filluar me organizmin kryesor të tij, OKB-në, sidomos lidhur me Kosovën, “Kolumbinë e Europës”, të cilën ata shpesh e veçojnë nga Shqipëria. Në libër ka mjaft deklarime të tipit: “historia e vonshme e Kombeve të Bashkuara jep shumë shembuj qëndrimesh të çuditshme...” (fq. 97), “në makthet e tyre më të këqia, drejtuesit e KFOR-it dhe të UNMIK-ut, shohin që Kosova të shndërrohet në mënyrë të pashmangshme në një Bosnje të dytë” etj. Autorët e cilësojnë praninë ndërkombëtare në Kosovë si një sipërmarrje pa precedent, që nuk ndihmon në restaurimin e një vendi, që ai të mund të jetojë në shoqërinë e kombeve (fq. 98). Këtu autorët e hadhin maskën dhe deklarohen hapur kundër pavarësisë së Kosovës. Ç’duhet bërë? Kush mund ta mposhtë mafian shqiptare? Sipas autorëve përgjigjja është e thjeshtë: askush nuk mund ta mposhtë mafian shqipare si të tillë, ndaj, në pamundësi për ta mposhtur atë, ne kemi në dorë të “mposhtim” atdheun e mafias, Shqipërinë dhe sidomos Kosovën. Le të analizojmë më tej: 1. Mafia shqiptare nuk shuhet kurrë, thonë autorët. Koza Nostra nuk u zhduk në njëzet vjet fashizëm. Triadat kineze, gjithashtu, u bënë ballë pesëdhjetë viteve komunizëm, nga të cilat tridhjetë vite “Revolucion kulturor” që shkaktoi tridhjetë milionë viktima (fq. 29-30). Edhe SHBA-të janë përpjekur të shkatërrojë mafian, por më kot (fq. 97). Pra, është e kotë. 2. Mafian mund ta mposhtë, për shembull, drejtësia e vendosur nga gjykatat “e pavarura”. Pallavra! Le të pranojmë, për shembull, se ndodh një mrekulli dhe një kumbar shqiptar është arrestuar në Kosovë, thonë autorët. Gjyqtarët do ta lirojnë menjëherë sepse ata ose janë simpatizantë të UÇK-së, pra të mafias, ose janë të kërcënuar, sikurse familjet e tyre në fshat (fq. 63). 3. Po KFOR-i, UNMIK-u etj., a mund ta bëjnë zap mafian shqiptare, sidomos atë kosovare? Përsëri pallavra! Prania e tyre në Kosovë, përkundrazi, fuqizon mafian, për shembull, ka ndikuar në ngritjen e shkallës së prostitucionit, pra (1) të nivelit të të ardhurave të mafiozëve shqiptarë. Më tej, (2) ushtarët e KFOR-it janë janë rekrutuar nga mafia. Le ta krahasojmë, thonë ata, me gjendjen e ushtrisë izraelite në jug të Libanit. Edhe atje ushtarët janë gjithnjë e më shumë të njollosur në tafik droge etj., megjithse ushtarakët izaelitë janë “në një gjendje morale një mijë herë më të mirë se ajo e trupave të KFOR-it në Kosovë, sepse ata luftojnë për një objektiv të qartë, i përkasin dhe i binden urdhërit të një kombi etj. Në Kosovë ka, përkundrazi, përzierje kombësish, një mandat i paqartë dhe kontradiktor, burime të ndryshme autoriteti (shpesh konfliktualë - fq. 108). Më tej akoma (3), ushtarakët e KFOR-it u thonë prostitutave, pra mafiozëve, të fshehta të rezikshme. Ku? Pikërisht në shtrat. 4. Mafia shqiptare nuk mund të bëhet zap se ajo është e pamëshirshme. A nuk ishte mafia shqiptare që e shndërroi Kosovën më 1999 në një thertore (siç jepte alarmin Toni Bler, fq. 59) . Është e kotë të përpiqesh të zgjidhësh mllefet e vendit me anë të forcës ndërkombëtare (fq. 98). Por a mund të zgjidhet problemi me programe zhvillimi ekonomik? Edhe kjo është e pamundur, thonë autorët. Këtë e provon antimodeli Bosnje. “Që nga Dejtoni Bosnje-Hercegovina mori nga një milliard dollarë për çdo vit. Rezultati? Asgjë ose shumë pak...” (fq. 111). Po me programe të zhvillimi të shoqërisë civile shqipfolëse? Ja përgjigja (fq. 100): “Shumë naivitet i padurueshëm: kush mund ta besojë se vetëm për një sekondë apo gjatë fundjavëve me trajnime psikologjike, njëlloj sikur të nisemi dy ditë me stazh tenisi ose mësime poçerie? Si të mos e dimë se në shekuj, nganjëherë mijëravjeçarë urrejtjeje, terrori, detyrime besnikërie dhe bindje ndaj klaneve kanë hyrë në thellësi të psikikës njerëzore?” Autorët përpiqen të argmentojnë se në rastin e zonave shqipfolëse të Ballkanit, nuk kemi të bëjmë më një sjellje (devijante, kriminale), të mësuar, të lidhur me vetëdijen njerëzore. Jo, ato nuk janë pasuri individuale. Këto instinkte, këto arketipe nuk janë fituar në mënyrë individuale. Ato përbëjnë të pandërgjegjshmen kolektive (referencë nga Jungu). Dhe pas këtyre referencave nga Jungu e Frojdi, autorët shpallin triumfin: “A mund ta fshijmë vërtet këtë të pandërgjegjshme duke marrë pjesë në një konferencë, duke lexuar një libër?” (fq. 100). Ndaj kjo sjellje (kriminalo-mafioze), biologjike, instinktive, gjenetike, e lindur bashkë me shqiptarin dhe si reagime ndaj realitetit shiptar, nuk mund të trajnohet me të mësuarit, ajo nuk mund të maturohet, nuk mund të ndryshojë. Ato para se të përfaqësojnë realitete sociale, përfaqësojnë realitete të pandërgjegjshme, sikurse ëndrrat (Frojdi). “Kosova është vetëm një ëndërr e keqe” (fq. 109). Derisa e keqja është biologjike, ajo duhet çrrënjosur biologjikisht. Pra krimi, përpara se të kryhet, përgatitet nga propaganda antishqiptare, pikërisht prej intelektualëve kriminelë. Ky është libri “Mafia shqiptare” dhe autorët e tij, Raufer dhe Quere! I vetmi që mund të bënte zap mafian shqiptare ishte Millosheviçi, i cili organizoi sulme kundër saj (mars 1998, sulmi i parë i madh, dhe tetor 1998, sulmi i dytë i madh, fq. 123), por SHBA ngarkuan NATO-n për të “instaluar një Kolumbi në zemër të Europës”. Epilog: moda antishqiptare e (jo)shqiptarëve Ky libër racistësh antishqiptarë nuk është i vetmi i botuar kohët e fundit në Shqipëri . Veç kësaj, nuk janë vetëm librat. Pra, a kemi të bëjmë me një modë antishqiptare? Nëse po, të kujt? Vetë të Xavier Raufer e kompani? Si është e mundur që një libër i mbushur fund e krye me egërsi dhe urrejtje raciste antishqiptare, një libër autorësh pa skrupuj, që tallen me verfërinë dhe fatkeqësitë e shqiptarëve të sotëm, në vend që të denoncoet, përkthehet në shqip dhe botohet në Shqipëri, madje duke na u shitur si “një zë nga Franca”? Të bën përshtypje, gjithashtu, fakti se ky botim u shpërnda bashkë me gazetën ”Tema”, sipas një formule jo të zakontë: ai që blen librin, merr falas edhe gazetën (!). Botimi i një libri është, gjithashtu, ekskluzivitet i një shtëpie botuese. Në botimin në fjalë është shënuar “Kumti”, që në shqip do të thotë ”lajm”. Por libri, si një botim klandestin, nuk ka ISBN, nuk është katalogizuar në Bibliotekën Kombëtare, sikurse nuk ka çmim etj. Ai gjithashtu është përkthyer, gjoja redaktuar e faqosur shumë keq. Në këtë çast të vështirë, kur antishqiptarizmi po kërkon të fitojë terren, të paktën ne shqiptarët duhet të mendojmë e të veprojmë edhe shqiptarisht, në kuptimin më të mirë të fjalës, të bëhemi avokatë të vërtetë të vetvetes, duke filluar nga intelektualët, institucionet shtetërore e civile, Avokati i Popullit etj., deri te çdonjëri nga ne. Është koha që ta fitojmë vendin në Europë, por edhe duke kthyer mbrapsht çdo mesazh e thirrje urrejtjeje e izolimi që vjen qoftë edhe prej saj, siç janë ato të autorëve francezë të “Mafia shqiptare” i cili është, në fakt, një një libër në favor të mafias dhe kundër shqiptarëve.
Posted on: Tue, 02 Jul 2013 09:05:27 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015