Martin Camaj: Tirana e mvarur nga rusët për çështjen e - TopicsExpress



          

Martin Camaj: Tirana e mvarur nga rusët për çështjen e Kosovës Martin Camaj Të shpallur “të padëshiruar” apo më keq, “armiq” në vendin e tyre, andej, në dhe të huaj ata ndanin hidhërimin me njëri-tjetrin. Mustafa Kruja-Merlika, Ernest Koliqi, Martin Camaj, At Zef Valentini, Karl Gurakuqi, Namik Resuli dhe Stavro Skendi i kanë shkruar letra sho-shoqit, ku flisnin për çështje politike, letrare, gjuhësore apo personale. Të gjitha këto na vijnë përmes vëllimit të dytë të librit “Kuvend letrash me miqtë”, hedhur në treg nga shtëpia botuese “OMSCA-1”. Të gjithë sa më sipër i drejtohen Mustafa Krujës, i cili gjithashtu u përgjigjet të gjithëve. “Për gjuhëtarë si Mustafa Kruja e si Karl Gurakuqi, për albanologë si Valentini, për shkrimtarë si Ernest Koliqi e Martin Camaj, largimi prej tokës amë duhet të ishte nji mallkim. Larg atdheut u mungonte landa e parë: u mungonin njerëzit, gjuha e tyne. Ishin larg prej nji genius loci që i kishte rritë e mësue gjana të pathanshme. Koliqi, Camaj, Valentini e Gurakuqi këtë mungesë do të mundoheshin me e plotsue në dy mënyra: tue shkue mes arbëreshëve dhe tue ndejt me të ikun shqiptarë, sidomos prej maleve tona”, shkruan në parathënien e librit prof. Ardian Ndreca. Epistolari i përfshirë në këtë vëllim i takon një harku kohor nga viti 1945-1958 dhe në disa prej shkruesve janë ende të nxehta çështjet politike. Në gjuhën e tyre shquhet shqetësimi, ka pezm, mllef… “Si Mustafa, ashtu edhe Ernesti, të cilët ishin marrë me politikë aktive gjatë Luftës, shihet se shprehin keqardhje për si shkuen punët gjatë Luftës; ndihet Mustafa Kruja diku-diku edhe dëshira për me kuptue ma thellë se ku kanë gabue, por secili asht i bindun se n’ato çasa historike s’ka pasë as mundësi dhe as dije për me veprue ma mirë. Tue e pa Shqipninë të nënshtrueme e për ma tepër nën thundrën e “Harushës së Veriut”, siç e quejnë ata Bashkimin Sovjetik, ndiejnë se kanë pasë të drejtë që e kanë luftue komunizmin, ndryshe prej ndonji force tjetër politike që u pat mundue me flirtue pa sukses me frontin komunist”, shkruan Ndreca. Por ka dhe ndër ata që nuk duan të merren me politikë, edhe pse aty-këtu edhe ata nuk mund të jenë indiferentë. “Unë e kam vendosë nji herë e mirë mos me u përzi ndër dallavere politike, mbasi nuk ndiej kurrfarë vokacjonit për ket drejtim. Dëshira ma e madhe e emja asht me vijue profesjonin tem”, i shkruan poeti e shkrimtari Martin Camaj në një prej letrave dërguar Mustafa Krujës. Mes shumësisë së letrave kemi shkëputur një pjesë nga një letër shumë e gjatë e Camajt, ku ai parashtron çështjen e Kosovës. ÇASHTJA KOSOVARE Çashtja kosovare mundet me u vrejtë, në të vërtetë dhe ashtu si vrehet, në pikpamje të ndryshme, mun dhe nga vetë shqiptarët nacjonalista. Qe, p.sh., emigracjoni këtu në Prendim qenka i damë dysh për sa i përket çashtjes kosovare: “luftë dhe alarmim pse mbaroi Kosova!” bertitka nji pjesë. Nësa pjesa tjetër qenka e mendimit që mos të bahet fort zhurmë rreth kësaj çashtje, por të pritet nji moment ma i pershtatun, ase ma aktual për të ba ndonji veprim diplomatik. Pak a shum, edhe në Shqipni nacjonalistat ndahen po në dy opinjone. Gjithkush asht kureshtar me dijtë, por ma tepër se askush jugosllavët, se çka mendon qeverija e soçme shqiptare mbi ket çashtje. Mbas mendimit tem, ata të Tiranës nuk kanë qëndrim të caktuem në ket mes, pse ata, si në çdo gja tjetër, janë të mvarun prej rusëve. Asht e vërtetë se rusët machiavelista nacjonalizmin shqiptar e shfrytzojnë ndër rasa të ndryshme si mjet presjoni kundra Jugosllavisë, por rusët në kurrnji rasë nuk kanë me qenë në favor të shqiptarëve të Kosovës. Çka mendojnë jugosllavët? Si partija komuniste jugosllave, ashtu dhe çdo rrymë tjetër mbrenda këtij shteti qi ka në program nji pushtet jugosllav, qofshin kta dhe kroatë ase sllovenë, nuk e lëshon Kosovën pa gjak e luftë. Kosovarët ket gja e dijnë shum mirë, prandej çdo intelektual dhe njeri që mendon realisht ndër shqiptarët nën Jugosllavi e ka humbë shpresën në fuqinë fizike dhe u mbetet me shpresue se ishalla ka me ardhë nji ditë kur fuqitë e mëdha, për interesa të veta, kanë me urdhnue jugosllavët që të rrinë në caqet e veta e t’i lanë shqiptarët me jetue si donë ata. Me ket mendim bashkohem dhe unë, megjithse asht mjaft fatalist. Kosovarët shqiptarë bajnë detyrën e vet: mundohen me ruejtë ata çka kanë me të gjitha forcat e veta. Masa e intelektualve të rij, pergjithsisht, lot nji politikë “bashkimi dhe vllaznimi”, gja që nuk asht aspak bindëse për kurrnji grup etnik në Jugosllavin e soçme! Asht interesant me u gjete në qytetin e Prishtinës në kohë të mbrames kur populli del në shëtitore: nuk mundesh me e gjetë nji grup të përziem serbë e shqiptarë, por fare janë të ndamë dyshë, në nji anë serbët e në nji anë shqiptarët. Udhëheqsija e partisë, përkundra asht nji klikë krejtsisht e izoluese, e perzieme me dy kombësinat pa dallim. Por, për t’iau paraqitë gjendjen kosovare ase shqiptare në Jugosllavi, duhet hjedhë nji sy fakteve historike ç’prej 1945 deri në sod, tue vu në dukje shkurtimisht dhe shkaqet. Revolucjoni komunist në Kosovë Revolucjoni komunist në Kosovë ka qenë krejtësisht specifik, shikue nga Titoja me shokë qysh atëherë nën prizmin nacjonal. Në të vërtetë, ky revolucjon ka realizue këto masa: I. Hakmarrje e serbëve, malazezve e maqedonasve kundra shqiptarëve që u përpoqën të bajnë Shqipnin e madhe. Ket gja ata e kryen me dorën e shqiptarëve. ( shi. Albanski jugoslovenski – V. Dedjer). II. Shtypja e beglerëve, tregtarve dhe shtëpijave të para shqiptare dhe marrja e tokave të tyne për t’iau shpërndá kryesisht malazezve, tue qenë këta i vetmi element që mund t’u bajnë ballë shqiptarëve, dhe tepricën tjerëve fshatarëve shqiptarë të vorfën, me qëllim me i afrue dhe me i zbutë tue ba me harrue skenat e përgjakshme. Nga shpërndamja e tokave shqiptarët nuk kanë përfitue për këto arsye: A) Fryma konservatore “po na i dau shkau tokat e parisë shqiptare e nesër njisoj kanë me na i marrë pse iau ka lanë baba”. B) Fryma e kolektivizimit komunist në kundërshtim me individualizmin e fshatarit tonë (gja analoge dhe në Malsinë e Shkodrës, ku as dy % nuk kanë përfitue nga reforma agrare). C) Kosovari psikologjikisht e ka ndie vehten plotsisht të mujtun tue ra për së dytit në robni, prandej nuk ka pasë zemër të kërkojë përfitim prej beneficeve të revolucjonit si elementi ma i vorfën në Jugosllavi. Karakteristikë kryesore në mardhanjet e shqiptarëve e të qeverisë jugosllave asht mosbesimi reciprok. Fakte vërtetuese: moskujdesi i qeverisë që në Kosovë e Metohi të ngrihen fabrika, elektrane ase të hapen udhë të reja si në krahinat e tjera jugosllave… Nga ana tjetër, ky vend asht i mbushun me landë të para që nuk përpunohen në vend, por transportohen në Serbi, gja kjo krejt në kundërshtim me parimin Marxisto–Leninist. Mos të harrohet se dhe Kosmeti asht zyrtarisht krahinë autonome, prandej duhet të kishte nji autonomi ekonomike. Mosindustrializimi i këtij vendi ka shkaktue “pecallben” tek shqiptarët, d.m.th. shpërndamjen e shqiptarëve nëpër tanë shtetin për të gjetë punë, sidomos në kohën e dimnit. (Në dimnin e vjetit 1956, vetëm në Beograd ka pasë ma se 14.000 puntorë krahu shqiptarë, tue përfshi edhe spataxhit. U dokumentue me nji reportazh pregatitë nga disa studenta shqiptarë në Beograd nergut për revistën e ilustrueme,”Zzni i Rinisë”. Ky artikull qe censurue dhe ndalue.) Nga të gjithë këta na dalin disa pyetje: A thue jugosllavët ase ma pikërisht komiteti qendruer i partisë komuniste jugosllave parashef se do ta humbi Kosovën nji ditë, prandej nuk derdh kapital në tê, por e shfrytzon? A thue Kosmeti nuk asht vend strategjik ushtarakisht i përshtatun për zhvillim industrijal, dhe se në rasën e ndoj lufte ata kishin me e humbë për së shpejti? Kjo e fundit ka ma ngjasë, sepse ata në të vërtetë krejt industrinë e randë, sidomos industrinë ushtarake, e kanë përqendrue në krahinat malore të Bosnjës, mirë e mprojtun nga Lindja e nga Prendimi…
Posted on: Fri, 13 Sep 2013 01:13:25 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015