Masakra ekologjike, si po pritet Gjomolla për qymyr Një - TopicsExpress



          

Masakra ekologjike, si po pritet Gjomolla për qymyr Një rrugëtim i “Shekullit” në Kudhës, atje ku banorët jetojnë çdo ditë me frikën nga uji dhe zjarri. Barbaria me pyllin, dikur plot me kafshë që sot po zhduket nga njerëzit Ardit Rada Kudhësi është një nga fshatrat e krahinës së Himarës me një shtrirje në jug-perëndim të saj dhe vetë 6 kilometra larg detit Jon. Është nga ata fshatrat tipikë të Bregut, ku pavarësisht përpjekjeve gjatë kohës së kooperativës për të kultivuar nga drithërat e gjer të agrumet, ekonomia e banorëve të fshatit mbeti e varur te ulliri dhe dhentë, situatë e cila vazhdon edhe sot. Për të hyrë në fshat na u desh të ndiqnim një kthesë në të majtë të rrugës nacionale në Qeparo, ndërsa e gjithë rruga për në qendër të Kudhësit rrethohet në të dy krahët me ullinj dhe tek-tuk ndonjë dardhë. Një fshat i cili daton të paktën që prej vitit 1431, sot ka rreth 1200 banorë të regjistruar. Të dhënat i referohen studimit të profesorit të zonës, Panajot Gjiknurit, pasi Kudhësi sot nuk ka asgjë të së shkuarës veç ullinjve qindra-vjeçarë dhe lapidarit që nderon pesë dëshmorët që i ka dhënë Luftës Antifashiste. Është pikërisht ky fshat i cili ka mbrojtur banorët nga fshatrat përreth pasi ka shërbyer si kullë për shkak të relievit të tij malor. Ndaj dhe vetë banorët që takuam rrugës na tregojnë se fjala Kudhës vjen nga Kullë, ndërsa fshati ka pasur fatin që të ngrejë shkollën e parë shqipe që prej vitit 1921. Sot në Kudhës, prej 1200 banorëve të regjistruar jetojnë rreth 200 frymë pasi të rinjtë kanë zgjedhur emigracionin si rrugën e vetme për të jetuar, por edhe për të ndërtuar shtëpitë e reja në vendlindje. Pylli i Gjomollës Duke u ngjitur për në Kudhës pyesim se ku mund ta gjejmë kryeplakun e fshatit për të na rrëfyer rrugën drejt “ferrit”. Janaq Tata, i zgjedhur pesë herë si kryeplak është një prej banorëve besnikë të fshatit, të cilin e gjejmë pranë lapidarit ku dhe ka parkuar motorin e tij të vogël që i shërben për të ngjitur rrugën malore dhe të ngushtë të Kudhësit. Me atë mikpritjen që karakterizon vendasit, Janaqi tregohet i gatshëm të na tregojë jo vetëm historinë e vendlindjes së tij ashtu siç e di ai, por edhe frikën me të cilën kudhsiotët jetojnë çdo ditë. Më shumë se kushdo, Janaq Tatës i dhimbset Kudhësi. Kjo për faktin se ai ka qenë ndër vite pjesë e Shoqatës së Gjuetarëve dhe njeh mirë florën dhe faunën e pyllit të Gjomollës që është ndër të paktat pasuri të fshatit. Sipas tij, Gjomolla më parë ka qenë një pyll në të cilin veç pemës së rrallë që mbrohet nga konventat evropiane, ka pasur gjithashtu derra, sorkadhe, lepuj dhe fazanë. Ndërsa sot, në Kudhës nuk merr dot frymë as robi... Masakra ekologjike Është tepër e vështirë ta përshkruash atë çka të ndjejnë mushkëritë teksa ngjitemi në një shteg për në pyllin e Gjomollës, i cili ndodhet prapa fshatit. Një djegësi që të përshkon rrugët e frymëmarrjes të shoqëron gjithë rrugës, ndërsa era e tymit të ngjitet në trup edhe pse ende nuk sheh as tym dhe as zjarr. Janaq Tata na udhëheq ndërsa fjalët e tij janë të pamjaftueshme për të kuptuar se çfarë po ngjet në të vërtetë. Pas gjysmë ore rrugë me makinë në një shteg të ngushtë të paasfaltuar, hyjmë në “ferrin” e paralajmëruar prej të paktën tri vitesh. Vatra të tëra ku dikur digjeshin drunjtë, sot kanë mbetur si rrathë të zinj ndërsa autorët e kësaj katastrofe po krijojnë vatra të reja më në thellësi. Frika e banorëve Kompania e regjistruar me emrin “Bolena” ka marrë në dorëzim pyllin e Gjomollës për ta shfrytëzuar atë për qymyr. Janaq Tata na tregon se pavarësisht përpjekjeve ndër vite të fshatarëve për të ndaluar këtë masakër, sivjet kompania në fjalë arriti ta marrë lejen e shfrytëzimit. Kjo u arrit përmes një marifeti, sikurse na e konfirmojnë edhe punonjësit e pyjores pranë Bashkisë Himarë. Kësaj të fundit, pavarësisht se e ka Gjomollën në territorin e saj, ia hoqën kompetencat nga Ministria e Mjedisit duke ia kaluar nën administrim Drejtorisë Rajonale të Vlorës, e cila e tenderoi dhe e dha zonën për shfrytëzim pa bërë asnjë studim. Në fakt, zona nuk ka nevojë për një studim sepse prerja e Gjomollës ka treguar se mund të shkaktojë katastrofa dhe Bashkia Himarë dërgoi para fillimit të shfrytëzimit opinionin e saj negativ për dhënin e pyllit për qymyr. Rreziku më i madh që vjen nga kjo masakër ekologjike i kanoset Qeparoit i cili rrezikon të përmbytet nga shirat e rrëmbyer në dimër. Uji pritet të zbresë nga mali me shpejtësi dhe duke qenë se nuk ka pemë në Gjomollë, mund ta marrë Qeparoin përpara. Dhe në fakt kjo ka ndodhur edhe në kohën kur pyjet priteshin me kriter. “Rreth viteve 1967-‘68, Gjomolla u shfrytëzua për prerje druri dhe në dimër Qeparoi që ndodhet poshtë Kudhësit u mbyt i tëri. Imagjinoni se kur kjo ka ndodhur në atë kohë që çdo ndërhyrje bëhej me studim, çfarë mund të ndodh sot që firma private ka prerë çfarë i ka dalë përpara” – na thotë Janaqi më tepër për të treguar se sa për të na pyetur. Por në fakt dëshmi të tjera ta ngjethin mishin kur mendon se pse një fshat i begatë si Kudhësi që i ka rezistuar forcave të natyrës dhe pushtimeve të të huajve, duhet shkatërruar nga shqiptarët. Frika më e madhe për banorët e Kudhësit mbetet edhe zjarri. Janaqi na tregon se në dimër Kudhësi nuk rrezikohet aspak nga një përmbytje e mundshme dhe se kjo i kanoset vetëm Qeparoit-fushë. Por ai dhe banorët e tjerë e kanë penguar këtë punën e qymyrit sepse i tremben zjarrit. Jo atij që po ndodh tani, por atij që vjen pas shtatorit, muaj kur edhe kontrata mes “Bolenës” dhe Ministrisë së Mjedisit skadon. “Ne e dimë si janë këto punë. Do mbarojnë së bëri qymyr dhe nuk do e pastrojnë zonën siç e kanë të parashikuar në kontratë, por do i vënë flakën që të humbin gjurmët e pemëve të prera pa kriter dhe ky zjarr mund të vijë gjer në fshat” – thotë Janaqi. Skllevërit e qymyrit I afrohemi vatrës së parë ku bëhet qymyr dhe syri të sheh diçka të pashpjegueshme. Dhjetëra mushka, disa persona të nxirë në duar e fytyrë janë banorët rrëzë përroit dhe ndër pyje. Të gjithë të shpërndarë në vatra të ndryshme, nga të cilat ne konstatojmë tre të tilla. Janë të ardhur kryesisht nga zona e Dibrës që flenë, hanë dhe punojnë aty në mes të malit të paktën katër muaj të vitit derisa shirat e shtatorit nisin dhe puna mbaron për sezonin. Murati, një prej tyre na tregon se jetën në pyll e kanë të vështirë. Sipas tij, puna nis në orën 5 të mëngjesit dhe mbaron në 9 të mbrëmjes kur nis të erret, ndërsa ditë pushimi nuk kanë. Punëtorët e qymyrit paguhen me ditë punë dhe e diela u intereson të punojnë, por edhe nuk kanë për çfarë ta shfrytëzojnë tjetër një ditë pushimi. “Paguhemi 10 mijë lekë të vjetra në ditë dhe flemë në kasollet e plasmanit që sheh. Shumë e vështirë si jetë se gatuajmë vetë dhe gjumin e bëjmë me frikë. Na ka ndodhur të zgjohemi me gjarpër në krevat, po ç’të bëjmë... Për bukën e gojës kemi ardhur” – thotë një prej dibranëve që e ndjen veten si emigrant në Kudhës të Himarës. Në kasollet e ngritura për të fjetur sheh disa djem të mitur 12-15 vjeç të cilët bëjnë po këtë punë; presin e djegin dru. I vetmi argëtim për ta është përdorimi i celularit për ndonjë lojë, pasi valët e telefonit nuk kapin në atë zonë mes maleve. Ata i shmangen pyetjeve dhe objektivit të aparatit, ndërsa më të rriturit si me shaka na thonë: “Na nxirr ndonjë fotografi të na shohin kalamajtë në gazetë se kemi katër muaj që nuk shkojmë në shtëpi!” Metodologjia dhe tregtia Kur i pyesim punëtorët se ku e mësuan këtë zanat, janë të rrallë ata që na pohojnë se e kanë bërë të njëjtën punë në Greqi, ndërsa përgjigja në kor është: “Këtu e mësuam nga halli. Çfarë s’të bën halli o djalë...” dhe gjithmonë çdo përgjigje e shkurtër që japin mbyllet me frazën “për bukën e gojës”.Por si bëhet qymyri? Punëtorët janë të ndarë në dy grupe; një person pret pemët me motosharrë lart në parcelat e caktuara sipas tenderimit, ndërsa dy-tre të tjerë i ngarkojnë në mushka dhe i zbresin poshtë në vatrat e qymyrit. Punëtorët që rrinë në këto të fundit, i vendosin drunjtë në formën e bunkerëve karakteristikë të Shqipërisë, fusin kashtë ndër boshllëqet mes druve të vendosur ashtu stivë dhe më pas i mbulojnë me dhe. Më pas, hapin një portë për ta ndezur zjarrin brenda ndërsa dheu e mbulon vatrën që zjarri të mos dalë jashtë kontrollit. E ndërsa drunjtë digjen brenda në furrë, punëtorët duhet t’u rrinë mbi kokë pasi ndodh që zjarri të dalë vërtetë jashtë kontrollit dhe qymyri të mos bëhet ashtu siç ua kërkojnë. Nga ana tjetër, kompania ka urdhëruar që të priten pemët më të trasha si lisi, ahu, koçimare e të tjera pasi pemët me trungje më të hollë dhe shkurret bëjnë qymyr më të imët dhe kompania humbet në peshë gjatë mbushjes së thasëve. Kjo për shkak se qymyri mund të shkërmoqet e të bëhet hi. Në njërën vatër “skllevërit” na pohojnë se maunet ngarkohen çdo ditë me thasët e qymyrit dhe shkojnë në portin e Durrësit për t’u shitur më pas në Itali, ndërsa të tjerët na thonë se ai qymyr përveçse furnizon restorantet e bregut të jugut, tregtohet edhe në Greqi. Rezistenca e vendorëve Kur e pyesim Janaqin se çfarë ka bërë fshati për ta ndaluar shkatërrimin e Gjomollës, na tregon kopjet e peticioneve që pleqësia i ka dërguar Ministrisë së Mjedisit, ndërsa thotë “mua aq sa më shkonte vula e bëra timen. Tani që ia kaluan si kompetencë Drejtorisë Rajonale të Vlorës, nuk na pyet më njeri”. I njëjti fakt na konfirmohet edhe nga kryebashkiaku i Himarës, zoti Jorgo Goro. Në një takim në zyrën e tij, Goro thekson se kompania “Bolena” po vepron në një pyll i cili është nën administrimin e Ministrisë së Mjedisit dhe jo të Bashkisë Himarë. “Ministria e Mjedisit kërkoi mendim nga ne dhe ne i dërguam një opinion negativ në lidhje me dhënin e Gjomollës për shfrytëzim. Pavarësisht kësaj, ministria pas një muaji bëri një tender në Vlorë dhe ia dha kompanisë në fjalë”. Nga ana tjetër, kreu i bashkisë së Himarës shprehet se në institucionin që ai drejton, sipërmarrësit në fjalë nuk kanë depozituar asnjë dokumentacion duke e shpërfillur autoritetin vendor duke qenë se leja u është dhënë nga ekzekutivi. “Gjomolla nuk është pylli jonë, edhe pse është në territorin e Himarës” – thotë Jorgo Goro duke theksuar se përgjegjësia nesër do të bjerë mbi ata që kanë dhënë leje për prerjen e pemëve në parcelat 30 dhe 31. Prerja e pyllit të Gjomollës, Kudhësi i trembet zjarrit Inspektori i Pyjeve pranë Bashkisë së Himarës, Niko Jovani, na pret në qendër të fshatit Qeparo, aty ky rruga kthehet për në Kudhës. Ai është njëkohësisht edhe banor i fshatit ku masakra ekologjike po vazhdon prej kohësh, por për ironi të fatit pylli i Gjomollës nuk është nën juridiksionin e Bashkisë së Himarës. Niko, edhe pse në prag të pensionit, tregohet tepër aktiv jo vetëm për të komunikuar me ne, por edhe duke qenë pjesë e firmëtarëve të peticioneve të banorëve të Kudhësit i cili pret nga momenti në moment që Gjomollës t’i vënë shkrepsen... Z. Jovani, si është e vërtetë e shfrytëzimit të pyllit të Gjomollës? Problemi i prerjes së pyllit të Gjomollës në Kudhës është disa- vjeçar. Duke qenë se veç punës si inspektor i Pyjores jam edhe pjesë e Pleqësisë së fshatit, dua të theksoj se banorët e kanë kundërshtuar çdo vit këtë fenomen. Kundërshtimi ynë ka qenë i formës qytetare, pra kemi dërguar peticione në adresë të Ministrisë së Mjedisit edhe si banorë, por edhe në bashkëpunim me bashkinë e Himarës që në kohën që kjo e fundit drejtohej nga Vasil Bollano. Madje këto letra ia kemi dorëzuar edhe këshilltarëve të kryeministrit. Ky i fundit na ktheu përgjigje se e drejta ishte në anën e fshatit dhe se ne nuk duhet të bëheshim merak. Ne menduam se gjithçka u zgjidh, ndërsa nga ana tjetër tenderi ishte mbyllur. Vitin e fundit kompetencat mbi territorin e pyllit të Gjomollës ia hoqën bashkisë dhe ia dhanë Zyrës Rajonale të Vlorës që varët drejtpërdrejtë nga Ministria e Mjedisit. Kjo u bë me pretendimin që Zyra Rajonale ishte palë e interesuar për shfrytëzim dhe më pas bëri tenderimin për zonën. Si punonjës i Pyjores, por edhe si banor i fshatit, a keni vënë re ndonjë shkelje? E vërteta është që firma që po pret pyllin nuk ka devijuar nga leja që ka marrë. Pra po pret në ato parcela që i janë caktuar, parcelat 30 dhe 31 që janë të shënuara edhe në hartë. Edhe sa i përket prerjes së ilqes askush nuk ka vërejtur prerje të kësaj peme të rrallë, por e gabuar është prerja e druve pa kriter. E them këtë pasi që prej muajit maj që kanë nisur shfrytëzimin e Gjomollës prerja e pemëve nuk është e rregullt sepse rregullat mjedisore parashikojnë që prerja duhet të bëhet për pemët e vjetra, ndërsa ata presin çfarë t’u dalë përpara. Nga ana tjetër, arsyeja pse fshati ka reaguar gjithmonë dhe ka pasur frikë nga ky aktivitet lidhet me një hile që bën subjektin i cili është i detyruar që ta pastrojë pyllin pas përfundimit të kontratës. Pastrimi bëhet me breza ndërsa kompania për të shmangur këtë detyrim që kërkon punë dhe investim dhe për të zhdukur gjurmët e prerjeve pa kriter, i vë zjarrin dhe ky zjarr mbetet pa autor... Edhe për zjarrin që i është vënë vjet Kudhësit, banorët dyshojnë se ia ka vënë kjo kompani me qëllim që ta shfrytëzojnë sivjet. Kjo sepse pyjet e djegura jepen për shfrytëzim zakonisht. Prodhimi ilegal i qymyrit në Fterrë Gjatë një pushimi të shkurtër tek “Ujëvara” në Borsh, disa qytetarë një tavolinë më tutje i ankoheshin njëri-tjetrit për vapën që bëhet më e vështirë edhe për shkak të disa djegieve të pyllit në Borsh-Fterrë. Nuk bëhej fjalë për zjarret e zakonshme të muajit të verës, por për një situatë të paprecedentë si ajo e rastit të Kudhësit. Ekipi i “Shekullit” udhëtoi drejt zonës Borsh-Fterrë-Çorre ku vëzhgoi se vatra të tëra të bërjes së qymyrit ndodheshin pranë pikës së dytë të hidrocentralit të kësaj zone, i quajtur “Fterra 1”. Në anën e djathtë të grykëderdhjes së lumit vumë rë sipërfaqe të tëra pyjesh të djegura dhe të zhveshura nga bimësia e tyre. Me sy të lirë dhe me një logjikë të thjeshtë mund të dallonim se djegia e tyre nuk ishte shkaktuar në mënyrë të njëtrajtshme, por bëhej fjalë për një djegie të ndezur qëllimisht si pasojë e zjarreve të njëpasnjëshme. Pylli Borsh- Fterrë është viktima e radhës në zonën e bregdetit, ku pyjet dhe kullotat janë bërë burim fitimi i babëzisë së subjekteve private duke shkelur çdo procedurë, ligj dhe kontratë me vendorët dhe duke shpërfillur banorët e zonës. Pas interesimit në komunën Lukovë, njësi vendore kjo që ka nën administrim pyllin, mësuam se subjekti i regjistruar me emrin "Laureta Çami" ka vite që e ushtron këtë veprimtari në kurriz të mjedisit dhe banorëve. Gazeta “Shekulli” ka mundur të sigurojë një kopje të dokumentacionit të këtij subjekti ku përcaktohen qartë detyrimet e tij. Ndër to theksohet se lloji i drurit që duhet të presë ky subjekt është “Mare” dhe për këtë prerja duhet të realizohet me sopatë. I gjithë ky aktivitet duhet të ushtrohet brenda një hapësire të caktuar, duke mbrojtur sipërfaqet që shfrytëzon nga zjarret dhe duke mbajtur përgjegjësi. Kontrata mes firmës private dhe komunës Lukovë përcakton gjithashtu se kompania duhet të ruajë prerjet e pemëve të rralla siç është ajo e ilqes. Po kjo kontratë nuk bën fjalë për shfrytëzim qymyri, por vetëm për prerje dhe tregtim të lëndës drusore. Gjatë vëzhgimit tonë në Fterrë, banorët që pyesim për të na treguar rrugën, na ankohen se jo vetëm që prerja bëhet me motosharrë, por pema e ilqes është prerë pa kriter. Nga ana tjetër, ndryshe nga Kudhësi, Fterra është djegur dhe pemë gjysmë të djegura krijojnë kontrast me shkurret ende në gjelbërim.
Posted on: Thu, 08 Aug 2013 08:52:49 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015