Nga Dr. Vasfi Baruti Shqipëria me dy festa Çlirimi! Nga viti - TopicsExpress



          

Nga Dr. Vasfi Baruti Shqipëria me dy festa Çlirimi! Nga viti ’92 çdo fundnëntori populli e politika, qeveritarë, ligjvënës e veteranë, të gjithë ndarë dysh: të djathtë festojnë 28 Nëntorin: Dita e Flamurit dhe Çlirimit, të majtët 29 nëntorin: ditfesta e Çlirimit! Dhe debati bëhet për ditën e çlirmit të Shkodrës, më 28 apo 29 nëntor, kurse ditfesta e çlirimit e vendosur më 9 nëntor 1945 kishte qëllime politike për t’u njësuar me festën e Jugosllavisë, dhe aspak e kushtëzuar me ditën e çlirimit të Shkodrës. Pas çdo rotacioni politik ndryshon dhe ligji për ditën e Çlirimit, njësoj si vendi të çlirohej nga një regjim pushtues i huaj! Forca politike e djathtë sapo erdhi në pushtet, me votën e shumicës qeverisëse fshiu me të drejtë nga kalendari tradicionalizmin e festës të 29 nëntorit dhe vendosi: 28 Nëntori Dita e Flamurit dhe e Çlirimit, dhe riktheu traditën kombëtare njëvjeçare (28 nëntor 1944 - 28 nëntor 1945), veçse me argumente të pamjaftueshme historike. Të majtët me Ligjin nr. 8253, dt. 30. 10.1997 rikthehen në tradicionalizmin historik të E. Hoxhës: “29 Nëntori dita e Çlirimit”. Me ardhjen e të djathtëve në pushtet (2005) s’ndodhi çka pritej, siç qe deklaruar për shtatë vjet në festat e nëntorit se do rivendosej 28 Nëntori i Tretë historik. Qeveria Berisha nuk ndryshoi ligjin socialist për 29 Nëntorin, e njohu si dita e çlirimit, por e la jashtë protokollit zyrtar për t’u kremtuar si e tillë, dhe njëzetetetënëntoristët mbeten kundërshtarë të vendosur: 29 Nëntorin e duam festë zyrtare. Sigurisht loja politike me ditën e çlirimit do riluhet kur socialistët të vinë në pushtet, 29 nëntori do të rivendoset, siç dhe është bërë publike prej tyre! Kjo lojë s’duhet të ripërsëritet, koha ka ardhur, dokumentet e të vërtetës të pamëshirë janë zbuluar. Ligji nr.134, dt. 5.11.1945 prej mëse 60 vjet mezi pret të fitojë lirinë e dhunuar, dhe Ligji është në fuqi: 28 Nëntori, dita e Çlirimit të Shqipërisë. Në debatin për vendimin e Qeverisë për rishkrimin e historisë së vërtetë, historianët e politikës së majtë (Prof. Paskal Milo, Prof. Pëllumb Xhufi e Co) për të shpjeguar se ky vendim është politik e me pasoja të këqia për historiografinë tonë bashkëkohore, për argument marrin “ndryshimin nga Berisha të ditës së çlirimit nga 29 në 28 nëntor.” Por le t’i qasem argumentit të profesorëve të historisë, atij të ndryshimit të ditës së çlirimit nga 29 në 28 Nëntor, dhe t’i vemë përballë të njëjtin argument, atë të ndryshimit të ditës së çlirimit, veçse në të kundërtën, nga 28 në 29 Nëntor, siç edhe ndodhi brenda katër ditëve nga 5 në 9 nëntor ’45. Nuk mbaj meritën e zbulimit i pari të dokumentit arkivor me Ligjin Nr. 134, dt. 5.11.1945, sepse dokumenti është zbuluar para meje nga Akademia e Shkencave, madje është cituar dhe ligji por duke censuruar ditën e çlirimit; po ashtu, Ligji ka qënë në dorë dhe të ish-presidentit, siç edhe e ka pohuar në një farë mënyre, por ishte në konflikt interesi me të; Ligji njihej edhe nga drejtori i mëparshëm i Muzeut, sigurisht edhe nga historianë të opozitës, aq aktivë në debatin e sotëm kundër rishkrimit të historisë së vërtetë, e të gjithë Ligjin Nr. 134 e mbajnë në fshehtësi, madje dikush i ndërroj pozicionin për të vështirësuar shumë gjetjen e tij. Prej kohësh një debat i kotsëkotë sepse dita e Çlirimit është saktësuar me ligj më më 5 nëntor 1945. Në debatin për shkrimin e historisë historianët e politikës (Prof. Pëllumb Xhufi e Prof. Paskal Milo) për argument të të këqiave që vinë nga vendimi i Qeverisë për rishkrimin e historisë (ndërhyrja e politikës) i referohen shembullit të tyre klasik të “ndryshimit nga Berisha të datës së çlirimit nga 29 në 28 nëntor”; dhe t’i qasemi argumentit (ndërhyrjes së politikës) dhe shembullit (ndryshimit të ditës së çlirimit) që i referohen profesorët me të njëjtin argument (politika) dhe me të njëjtin shembull (ndryshimi të ditës së çlirimit por nga 28 në 29 nëntor). Prurja e historisë vjen me një leksion për profesorët e politikës (që cituam): Akti i parë i mistifikimit të dokumentit është Ligji Nr. 134, dt. 5 nëntor 1945 për ditën e çlirimit nga 28 në 29 nëntor; dhe institucioni i parë shtetëror i falsifikimit të historisë është Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar, në Seancën e 5-të të Mbledhjes së 14-të, të 9 nëntorit 1945. E vërtetë e pamëshirë! Më 5 nëntor 1945 bëhet Mbledhja e 14-të, seanca e I, e Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtare, dhe kryetari Dr. Omer Nishani konstaton se në mbledhje ishin anëtarët e Kryesisë: “Kolonel Baba Mustafa Xhani (nënkryetar), Hasan Pulo (nënkryetar), Koço Tashko (sekretar), Sami Baholli (sekretar), Gjeneral-Major Bedri Spahiu, Gjeneral-Major Dali Ndreu, Gjeneral-Kolonel Enver Hoxha, Gogo Nushi, Prof. Gjergj Kokoshi, Kolonel Haxhi Lleshi, Kolonel Islam Radovicka, Kolonel Kristo Themelko, Manol Konomi, Dr. Medar Shtylla, Gjeneral-Major Myslim Peza, Nako Spiru, Ollga Plumbi, Qirjako Harito, Kolonel Ramadan Çitaku, Spiro Koleka, Gjeneral-Major Spiro Mojsiu, Kolonel Tuk Jakova. Në mbledhje mungojnë “Gjeneral-Leitnant Koci Xoxe (nënkryetar), Dr. Gaqo Tashko (ministër i Bujqësisë e pyjeve), Kolonel Hysni Kapo, Liri Gega, Prof. Sejfulla Malëshova, Prof. Siri Shapllo e Dr. Ymer Dishnica.” [FAKSIMILE 1] Siç shihet, Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar formohej nga krerët më të lartë ushtarakë e politikë të luftës e pas lufte, dhe vetë ministrat e Qeverisë Hoxha. Në rend të ditës mbledhja e Kryesisë ka diskutimin e disa projekt-ligjeve, e i dyti vjen projekt-ligji mbi “Amnisti dhe falje për fajet ordinere të kryera deri në çlirimin e Shqipërisë.” Hartuesi i projekt-ligjit, Manol Konomi (ministër i Drejtësisë), ditë Çlirimi të Shqipërisë shënon 17 nëntorin me argument se është dita e çlirimi të Tiranës kryeqytet. Diskutim kryesor në mbledhjen e Kryesisë bëhet për ditën kur është çliruar Shqipëria, dhe diskutojnë: Manol Konomi, Gjergj Kokoshi, Qirjako Harito e Tuk Jakova, kurse E. Hoxha s’mund t’i kundërvihej të gjithëve ndaj dhe u bashkua me të gjithë, sepse më 28 nëntor 1944 në fjalimin para popullit të Tiranës e gjithë Shqipërisë i detyruar prej faktit të kryer (nga “Komisioni qëndror i organizimit festimit të 28 Nëntorit”) deklaroi: 28 Nëntori është dita dy herë e shënjtë, dita e Flamurit dhe e çlirimit, por që në kokë kishte plan tjetër, siç shihet pas katër ditësh. 24 anëtarët e Kryesisë pa asnjë përjashtim përkrahë propozimin e Qirjako Haritos: “... data 17 nëntor të bëhet 28 Nëntor 1944. (përkrahet)”; dhe nga të gjithë me unanimitet pranohet mendimi i Tuk Jakovës: “Sh. Tuk Jakova thotë se kur shkoi okupatori prej Shkodre nuk ngeli ma ushtri e huaj në ndonjë vënd të Shqipërisë prandaj duhet të bëhet 28 nëntor 1944 (Pranohet).” [FAKSIMILE 2] Janë 24 gjeneralë, kolonelë, ministra që bashkohen në një mendim: 28 Nëntori është dita e Çlirimit të Shqipërisë! Eshtë vendim i Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar: me votën e tre nënkryetarëve dhe sekretarit të Kryesisë, është vota e Kryeministrit E. Hoxha (komisar i shtabit të Luftës), vota e Spiro Moisiut, komandant i Shtabit të Luftës, vota e Tuk Jakovës, komisar i Divizionit të Dytë që Shtabi i Përgjithshëm e ngarkoi me detyrën ushtarake për çlirimin e Shkodrës, e gjithë anëtarëve të tjerë të Kryesisë; fjalët përkrahet dhe pranohet tregojnë se vendimi (“28 nëntori, dita e çlirimit) është i njëzëshëm i gjithë udhëheqjes politike e ushtarake të Luftës e pas luftës, e Qeverisë Hoxha! Përkrahja dhe pranimi unanim i propozimit të Tuk Jakovës (28 Nëntori dita e Çlirimit) nga 24 qeveritarë të Qeverisë Hoxha, nga Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar (organ ligjvënës) a s’është argument më shumë i pakontestueshëm që t’i jepet fund përqeshjes së historisë me dy data çlirimi, një turp kombëtar pa të ngjashmen e vet në historinë e kombeve të qytetëruara! Ç’dokument tjetër duhet t’u ndryshojë mendje për mbarë njëzetenëntënëntoristëve veteranë, politikanë e historianë të majtë?! Po, është edhe një dokument ligjor i pashfuqizuar deri sot: Ligji nr. 134, dt. 5 nëntor 1945. Argumenti ligjor! Mbledhja e Kryesisë për diskutimin e ditës së çlirimit dhe neneve të tjera të amnistisë përfundon me miratimin e Ligjit nen për nen: “Këndohet Ligji dhe pranohen nen për nen si vijon: Neni 1. Amnistohen të gjitha fajet ordinere të kryera deri edhe ditën e 28 Nëntorit 1944...” [FAKSIMILE 3] Mbledhja e Kryesisë miratoi Ligjin nr.134, dt.5.11.1945 dhe neni 1, rreshti i dytë saktëson ditën e Çlirimit: “28 Nëntor1944.” Përderisa togfjalëshi (“dita 28 Nëntor 1944”) i Ligjit 134 nuk është shfuqizuar, dhe nuk është shfuqizuar as më 1945 dhe as deri sot, atëherë togfjalëshi “dita 28 Nëntor1944”, dita e Çlirimit, ka fuqi ligjore edhe sot. Kjo e vërtetë ka edhe mbështetje kushtetuese: Nenin 178, pika 1 e Kushtetutës: “Ligjet dhe aktet e tjera normative të miratuara para datës së hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute do të zbatohen derisa nuk janë shfuqizuar.” Që do të thotë se saktësimi i ditës së Çlirimit (28 Nëntor 1944) në Ligjin 134 dt. 5.11.1945 është në fuqi, dhe është marrëzi ligjore të vihet në dyshim nga politika e politikanë dhe historianë të politikës së majtë. Përderisa Ligji Nr. 134 dt. 5.11.1945 që saktëson ditën e çlirimit më 28 nëntor nuk është shfuqizuar edhe pas 21 tetorit 1998, kur u miratua Kushtetuta, do të thotë se është formal, i paqënë Ligji nr. 8235 dt.30.7.1997 që cakton 29 Nëntorin dita e Çlirimit; se Ligji nr. 8235 është i kundërligjshëm përderisa është marrë pa u shfuqizuar më parë Ligji nr. 134 dt. 5.11.1945; dhe se Ligji nr. 8235 bën kaos ligjor sepse në të njëjtën kohë për ditën e Çlirimit ka dy ligje në fuqi që kundërshtojnë njëri-tjetrin! Akti i parë i mistifikimit të dokumentit. Historia e mistifikimit të dokumenteve shtetërore nis me dokumentin e ditës së Çlirimit: Ligji N.r 134, dt. 5 nëntor 1945, me protagonist kryesor kryeministrin Enver Hoxha, dhe institucioni i parë që i vuri vulën institucionit të falsifikimit të historisë është Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar. Midis 5 nëntorit (kur u diskutua e miratua me vota unanime Ligji Nr. 134) dhe datës 9 nëntor (kur u ridiskutua dita e çlirimit) mistifikohet ligji 134, dhe siç shihet në faksimile të dokumentit arkivor ndryshon 8-ta dhe lexohet 29 Nëntor. [FAKSIMILE 4] Mistifikimi i datës së çlirimit nga 28 në 29 Nëntor bëhet në fshehtësi nga Kryesia e Këshillit Antifashist përderisa procesverbalet e Kryesisë (nga 6 në 8 nëntor, e deri 26 nëntor) janë në vijimësi dhe në asnjë prej tyre nuk ka asnjë shënjë për diskutimin e ndryshimit të datës nga 28 në 29 nëntor. Dhe po ashtu, asnjë faqe e procesverbaleve të mbledhjeve të Kryesisë nuk mban vulën e Kryesisë, dhe kjo e Ligjit 134 është e vetmja faqe dokumenti që përfundi saj ka vulën e Kryesisë së Këshillit, por edhe vetë vula përbën një tjetër fshehtësi (vulosje e vjedhur) përderisa vula nuk mban as një sigël të kryetarit apo të një nënkryetari të Kryesisë së Këshillit Antifashist. Dokumenti i mistifikuar botohej në Gazeta Zyrtare nr. 71, 13 nëntor 1945. [FAKSIMILE 5] Kush ishte më interesuar për ndryshimin e datës së çlirimit, dhe në fshehtësi kaq të madhe? Enver Hoxha e as kush tjetër ishte tejet i motivuar për të njësuar festën e çlirimit me atë të Jugosllavisë së Titos, ishte po E. Hoxha ai që e publikoj për herë të parë 29 Nëntorin festë e përbashkët e Shqipërisë dhe Jugosllavisë (29 nëntor ’47), ishte po E. Hoxha flamurmbajtësi i vetëm për bashkimin e Shqipërisë me federatën jugosllave të Titos. Janë të gjitha argumentet (15 faksimile burimore) për të besuar se me dorën e vet Enveri ndryshoi datën e çlirimit nga 28 në 29, dhe për këtë po i referohem edhe një argumenti specifik: Në fjalimin para popullit të Tiranës, më 28 nëntor 1944, që në fillim të metingut Enveri deklaroi: “Dita e Flamurit u bë dita dy herë e shënjtë: dita e çlirimit dhe e bashkimit të popullit shqiptar.”[Buletini i Luftës Nacional-Çlirimtare 1944:30 nëntor.] Kurse ribotimi i fjalimit redaktohet duke hequr fjalën “e çlirimit” dhe zevendësuar me fjalën “e Pavarësisë”: “Dita e Flamurit u bë dita dy herë e shënjtë: dita e Pavarësisë dhe e bashkimit të popullit shqiptar.” [E. Hoxha, vepra 1: 1968:605] Redaktimi i fjalës “e çlirimit” është në akord të plotë me ndryshimin e ditës së çlirimit në Ligji Nr. 134, të 5 nëntorit ’45 ndaj dhe aktori e regjizori i vetëm i mistifikimit të Ligjit është E. Hoxha. Në shëmbullin e argumentit të ditës së Çlirimit është gjithë historia e Luftës, që nga themelimi i Partisë, Konferenca e Pezës, Konferenca e Parë e vendit e deri Plenumi Dytë i Beratit, nëntor ’44, po ashtu edhe homerizimi i Luftës dhe legjendarizimi i E. Hoxhës, që s’është veçse figura më negative e Luftës.
Posted on: Mon, 12 Aug 2013 13:08:53 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015