Nga fjala e mbajtur ne Universitetin "Vitrina"... Përshëndetje - TopicsExpress



          

Nga fjala e mbajtur ne Universitetin "Vitrina"... Përshëndetje të dashur miq, E prita me kënaqësinë më të madhe këtë ftesë, për disa arsye. Së pari, sepse jam në një mjedis universitar, që e konsideroj si habitatin tim natyral, së dyti sepse ftesa më erdhi nga ish studentë, me të cilët jam takuar kur ata sapo kishin nisur studimet e larta, në rrugën e gjatë të dijes në shkencën e mjekësisë, dhe sot që i ritakoj ata janë në një tjetër hap të jetës të tyre, ashtu si unë, vite më parë. Ndjehem njëkohësisht e nderuar me ftesën për këtë diskutim, por edhe e përgjegjshme për kërkesat që paraqet ky auditor i shquar kolegësh. Sigurisht, disa nga ju kanë më shumë përvojë apo njohuri se unë, ndaj zgjodha të mbetem aty ku e gjej “terrenin tim të sigurtë” sociologjinë. Kur e nisa këtë rrugë nuk e dija që e ardhmja që ajo do më të sillte do ishte kaq e vështirë, por unë nuk jam penduar asnjë çast për zgjedhjen time dhe kam “luftuar” me të gjitha mundësitë që ajo të njihej së bashku me mua. Në këto 10 vjet sociologjia më ka lodhur shumë, por po të kisha mundësinë të zgjidhja edhe njëherë, sërish atë do të zgjidhja. Që nga fillimet punës sime jam munduar të jap edhe nga profili im, me të gjithë e njerëzit për të cilët dhe me të cilët kam punuar dhe bashkëpunuar. Për ne që lëvrojmë sociologjinë interes përbën çdo vend ku njerezit takohen, ne mund të shfaqim interes për shumë gjëra apo çështje të tjera, por interesi kryesor është ai ndaj botës së njerëzve, ndaj institucioneve të tyre, ndaj historisë së tyre, ndaj pasioneve të tyre etj. Bergeri thoshte se “Sociologu është një person që ka një interes të madh, të pashtershëm, herë-herë të pacipë, për faktet e njerëzve”. Mësimi i parë që marrim nga kjo fushë është gjërat nuk janë ato që duken. Ky mund të duket një pohim i thjeshtë, por nuk është i tillë, sepse vetë realiteti ynë është i ndërtuar nga shtresa me shumë kuptim. Zbulimi i çdo shtrese të re ndryshon kuptimin e të tërës”. Fushat e studimit të sociologjisë janë shumë të gjera dhe përfshijnë vlerat, shoqërizimin, bashkëpunimin, konfliktin, shkëmbimin, pabarazinë, deviacionin, rendin, dhunën dhe ndryshimin shoqëror. Sociologjia është një disiplinë e aplikuar dhe akademike, pra një shkencë, ku kërkimi sociologjik shtrihet nga analiza e kontakteve të shkurtra midis individëve anonimë e deri tek studimi i proceseve shoqërore të komplikuara. Kjo fushë fokusohet në të studiuarit se si dhe përse njerëzit veprojnë të organizuar në shoqëri, si individë apo si anëtarë të grupimeve apo të institucioneve të ndryshme. I njëjti sociolog punon në një ose më shumë fusha, siç mund të jenë shtresëzimi shoqëror, organizimi shoqëror, edukimi, familja, psikologjia shoqërore, urbane dhe rurale, statistika etj. Me pak fjalë, sociologët studiojnë fytyrat e shumta të shoqërisë. Një ndër elementët e rëndësishëm përmes së cilës shoqëria e siguron vazhdimësinë e vet nga një brez në tjetrin është shoqërizimi. Por, ç´është shoqërizimi? Ky proces lejon formimin e personalitetit të individit si dhe të mësuarit e modeleve të sjelljes të shoqërisë, pjesë e së cilës është. Shoqërizimi mund të përcaktohet si procesi përmes të cilit individët zhvillohen gjatë gjithë harkut të jetës, duke ndërvepruar me grupe të ndryshme shoqërore, nisur kjo zakonisht nga familja. Ai bëhet gjithmonë e më aftë të komunikojë brenda një kulture të caktuar, duke përvetësuar modelet e sjelljes, normat dhe vlerat e shoqërisë ku bën pjesë. Por mos harrojmë se një mjedis i rëndësishëm i këtij procesi është pikërish shkolla. Jeni ju të, dashur kolegë! Shoqërizimi zgjat gjatë gjithë jetës, edhe faza më e rëndësishme e këtij procesi realizohet në fëmijëri apo në fazën e rinisë së parë. Pra në fazat ku hidhen bazat e formimit të personalitetit të të rriturit. Si e tillë, pra është edhe periudha universitare. Arsyeja pse sociologjia është dhe duhet të jetë pjesë e kurrikulave të fakulteteve tona lidhet me faktin se ajo edhe si si disiplinë akademike jep shumë sugjerime praktike për jetën tonë: Së pari, te menduarit sociologjik dhe kerkimi sociologjik ndihmojnë në krijimin e politikave praktike dhe reformave sociale në disa drejtime të qarta, siç mund të jenë ato për kundërvenien e varfërise etj, luftën kundër papunësisë, kundër pabarazive shoqërore etj. Së dyti, sociologjia ndihmon në hartimin praktik të politikave në rritje të ndërgjegjes kulturore të grupeve të ndryshme të shoqërisë. Kështu të gjitha ato politika qe nuk mbeshteten në vetëdijen e mirëinformuar për mënyrat e jetesës mbi të cilat ato ndikojnë, kanë shumë pak mundësi për sukses. Së fundmi, sa më shumë të dinë njerëzit për kushtet e veprimit dhe për veprimtaritë e jetës së tyre, aq më shumë do të jenë në gjendje të ndikojnë në rrethanat e jetës së tyre. Sociologjia nuk u vjen në ndihmë vetëm politikëbërësve, por kur grupet kanë ngritjen e duhur kulturore dhe vetëdijen, ato mund t’iu përgjigjen në mënyre efikase politikave të ndjekura nga zyrtarët. Ateherë, të dashur kolegë, sociologjia është shkenca e cila siguron ngritje kulturore për vetveten, duke u dhëne njerëzve mundësine të ndryshojnë kushtet e jetës së tyre. Jo më kot, historia na jep një trajektore gjithnjë në rritje të afrimit të kësaj shkence me mjediset universitare që nga fillimet e saj deri më sot. Për ta ilustruar këtë mund të them se: Kjo disiplinë u përdor për herë të pare me emertimin e vet, në fushën e mësimdhenies, në Universitetin e Kansasit, në vitin 1890 nga Frank Blackmar, në lëndën me titull: „ Elementët e sociologjisë” (kjo është dhe lenda më e vjetër e kësaj fushe që vazhdon në Amerike). Departamenti i Sociologjisë dhe Historisë në Universitetin e Kansasit u themelua më 1891, por një vit më vonë, në Universitetin e Chicagos, Albion Small themelei të parin departament tëpavarur i sociologjisë, ndërkohë që më 1895 themeloi edhe „Revistën Amerikane të Sociologjisë”. Në kontinentin tonë, departamenti i parë i sociologjise u themelua më 1895 në Universitetin e Bordosë nga filozofi dhe sociologu Emile Durkheim, themeluesi i Revistës „Vjetarit Sociologjik” një vit më vonë. Departamenti i parë i sociologjisë në Britanine e Madhe u hap në Shkollën Londineze të Ekonomisë dhe Shkencave Politike më 1904 që është edhe vendlindja e „Revistes Britanike të Sociologjisë”. Harriet Martineau është e para grua sociologe në historinë e mendimit sociologjik emrin e së cilës ka marrë edhe fondacioni që unë drejtoj. Më 1919 një departament i sociologjise u hap në Gjermani në Universitetin “Ludëig Maximilians” të Mynihut nga Max Weber dhe në Poloni një vit më vonë, nga Florian Znaniecki. Bashkëpunimi ndërkombëtar në sociologji filloi më 1893 kur Rene Worms themeloi një “Institut Ndërkombetar të Sociologjisë”, një institucion i vogël, i cili më vonë u eklipsua nga një tjetër me i madh siç ishte „Shoqata Nderkombetare Sociologjike”. Më 1905 u themelua “Shoqata Amerikane Sociologjike”, organizata më e madhe në botë e profesionisteve të sociologjisë, ndërsa ne 1909 Ferdinand Tonnies dhe Max Weberi themeluan “Shoqatën Gjermane të Sociologjisë”. Së fundi, që t´u paraprij pyetjeve të auditorit të nderuar, po preferoj të sqaroj disa aspekte të jetës së përditshme të pedagogëve të cilët, përtej shkencës, aplikojnë njohuritë e sociologjisë në sjelljen e tyre çdo ditë, qoftë edhe në mënyrë intuitive. Nuk ka se si të mos kemi qëndrime konform normave shoqërore që studion sociologjia, kur hyjmë në Universitet dhe u themi studentëve “Mirëmëngjes”; kur përhapim mirësi ndaj tyre, në vend të distancës pseudoakademike, apo kur me sjelljen tonë të kujdesshme dhe të dashur bindim studentët për drejtësinë dhe domosdoshmërinë e kërkesave tona mësimore. A nuk kemi krijuar një klimë shoqërizimi të përshtatshëm kështu për studentët tanë? Në rastin e stimulimit të ndonjë studenti me shenja deviacioni, apo ndonjë tjetri të dallueshëm për nga etnia ose prejardhja e tij rurale a nuk mbajmë një qëndrim të drejtë shoqërizues? Shembuj të tillë ka çdo ditë dhe sigurisht na ndodh të gjithëve. Thellimi i këtyre njohurive do të na pajiste edhe më fort me mënyrat e ndryshme dhe format që na bën të ditur shkenca e sociologjisë duke kontribuar edhe më me efikasitet në punën e bukur, fisnike dhe të vështirë të pedagogut. Duke përfunduar këtu fjalën time të shkurtër do të prisja me kureshtje dhe interes pyetjet tuaja, me shpresën se përgjigjet e mija do t´ua përkëdhelnin kurreshtjen për dijen. Faleminderit!
Posted on: Thu, 03 Oct 2013 11:34:48 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015