Ngushëllimi me Muzat Agron TUFA I Tani gjithkush, me pak vullnet - TopicsExpress



          

Ngushëllimi me Muzat Agron TUFA I Tani gjithkush, me pak vullnet mund të dijë më shumë për poetin, studiuesin, filozofin dhe eruditin Arshi Pipa. Gjithkush mundet, së paku, të mësojë mbi peripecitë e tij, famën si profesor i universiteteve amerikane, të ketë pak a shumë një ide mbi veprat e tij studimore të botuara me veshje luksoze në akademitë dhe universitetet amerikane, gjermane apo italiane, me përjashtim vetëm të akademive dhe universiteteve shqiptare. Dijet e Pipës dhe aftësia e tij sintetike e përpunimit të tyre mbetën, për fat të keq, të paushtruara në auditorët shqiptarë, pikërisht në kohën e urisë tonë për dije. Sa më shumë kridhesh në universin artistik dhe shkencor të Arshi Pipës, ndjen pikëllim e keqardhje për shkak të atij tersllëkun të madh që quhet “fat historik”. Kjo të bën të mendosh se çfarë mrekullie do të kishte qenë, fjala vjen, në vendin tënd, në vend të profesorëve-kakademikë thinjoshë, që mbrojtën deri në qimen e fundit namuzin e marksizëm-leninizmës, ta kishe profesor Arshi Pipën. Ajme, çfarë humbje! Fantastike këtu është se ëndrrat më të mundshme nuk bëhen realitet. * * * Në fund të viteve ‘30-40 të shekullit që shkoi, në brezin e poetëve të rinj dhe poetikave të reja, pas krijimtarisë së njohur të Fishtës, Mjedës, Koliqit, Lasgushit, Gaspër Palit, Shantojës, Prenushit apo, pjesërisht, edhe Migjenit, pa numëruar këtu një duzinë emrash disi më margjinalë, Arshi Pipa ishte poeti më i rëndësishëm që u shfaq në periodikët letraro-kulturorë, me një veprimtari letrare të shumanshme e të bigëzuar në disa zhanre. Karakteristikat e kësaj prezence letrare të Arshi Pipës binin në sy menjëherë për nga seriozitetit i madh, erudicioni dhe sidomos, origjinaliteti i thellësisë së mendimit - një nga tiparet që i mungonte mendimit letraro-kritik e eseistik të kohës, jo se nuk ekzistonte në përgjithësi, porse modelet që paraqiteshin e qarkullonin kishin pak a shumë të njëjtën prirje mbisunduese - atë të modelit kritik social. Pa përjashtuar disa modele atipike, sikundërse është psikanaliza e papastër e Krist Malokut, prirja e Pipës ishte për të kërkuar toka të reja për mendimin kritik mbi poezinë, përkthimin, psikologjinë e artit etj., sikundërse vërehen në disa shartime të kundrimit të artit poetik, të lidhura me shumë fusha aplikative ndërdisiplinore, të cilat sot janë moda më e përhapur në Evropë mbi poetologjinë. Kujtojmë këtu disa prej këtyre modeleve, siç janë hulumtimet eseistike të Pipës mbi Nolin, Migjenin, e sidomos, përmasa bergsoniane e Pipës në esenë “Metafizikë dhe poezi”. Por neve na intereson këtu të theksojmë hartografinë e shkrimësisë poetike, në larminë prozodike të rimave dhe metrave dhe, sidomos, në diksionin dhe intonacionin poetik. Procedetë e poetit të ri, gjykuar nga produkti poetik i këtyre viteve, shtjellohen sipas eksperimenteve të ekuilibruara me llojin e vargut, format e katrenës, strukturën grafike të poezisë dhe frymën e materies poetike, deri në formacionet e vers libre (vargut të lirë). Të tilla janë poezitë “Gjeth të veshkun”, “Nga dritarja e çilun”, “Ndamja”, “Vdekja e Norit”, Sonatë fusharake”, “Kanga e dehjes”, “Hijet tallëse”, “Pafajnia” - si dhe një pjesë e lirikave të librit të dorëshkrimit të vitit 1943 - “Libri i dashunisë dhe i fatit”. Si shumë e këtyre përvojave të rinisë merret vëllimi i parë poetik “Lundërtarë” i botuar në vitin 1944, një luks i artit poetik, gjykuar sipas peizazhit ekzistues dhe gjendjes së lirikës shqiptare të asokohe. Ndonëse me një koprraci të pafalshme, mbi vëllimin “Lundërtarë” është shkruar, duke dhënë gjykime të sipërfaqshme e të nxituara, shpesh duke rënë në kurthin e shënimeve shoqëruese të autorit, pa na thënë ndonjë gjë të re përtej tyre. Megjithëse nuk është objekti i këtij vështrimi, duhet thënë se krahas formave klasike e postklasike të lirikës dhe frymës postromantike, d.m.th., pas shterimit të përvojës romantike, si balada, elegjia, soneti, në të parin libër me poezi të Pipës ndeshemi me një prirje novatore të indit dhe strukturës së poezisë dhe, sidomos, të plazmës dhe supersticionit të saj, që synojnë vargun e lirë, i cili, si tek çdo mjeshtër i vjershimit, nuk është aspak i lirë. Elegjitë nostalgjike të Pipës krijojnë gjendjen e një zymtësie dhe metafizike të ngrysjes e venitjes, duke i shtuar ngjyra e nota të thella ekspresioni lëndës poetike, çka është karakteristikë për postparnasianët (“muza e rrënojave dhe qiparisave”) dhe, deri diku, për nostalgjinë dhe brengosjen ala-Verlen. Trekëndëshi i përjetimit në këto poezi të Pipës është Melankolia-Shpresa-Fataliteti., ku herë merr të përpjetë njëra nga këto zanafilla, herë tjetra. Pikërisht prirja e këtyre krijimeve do t’ia vlente të kundrohej me imtësi ajo “kockë” që u hedh Pipa studiuesve me metaforën e metamorfozës së krymbit. “Dhe do t’ishe fort i kënaqun sikur ndër këto vargje të gjindej aq sa ka: dëshirë, kërkimi i poezis, mundimi i krymbit për me u-bâ flutur, ankthi i së pavetëdijshmes instinktive për me dalë në pastërtin e mendimit, në shpirtin e kthjelltë”. Por me Arshi Pipën, që hynte fuqishëm në poezinë shqipe si rrallëkush në ato vite, me një dije të shumanshme dhe një kulturë solide të poezisë, filozofisë dhe estetikës; me Arshi Pipën, që pjesën debutuese të artit poetik e hodhi me një hap të sigurt nëpërmjet përvojash të ekuilibruara, të cilat mund të themi se përbëjnë një postscriptum për gjithë artin neoromantik të lirikës sonë; me Arshi Pipën, i cili sapo kishte shpalosur në mënyrë sinjifikative instrumentarin e tij të ligjërimit poetik dhe imazhet alegorike të Lundruesit supersticioz në një terren të pasigurt me të papritura; me Arshi Pipën që e kishte begatuar në një kohë shumë të shkurtër sistemin prozodik të shqipes me metra, kumbe, përvoja e ndjeshmëri origjinale, ndodhi pikërisht fataliteti i lundërtarit në det. Atij iu desh të mbijetonte ndër valë dhe stuhi, të cilat edhe pse nuk arritën ta shkatërronin, ia arritën sidoqoftë, ani pse përkohësisht, ta shmangnin nga kursi i natyrshëm i udhës. II Marrëdhënia e poetit me muzat është një traditë tepër e lashtë dhe pandërprerë, duke marrë konotacione të ndryshme në tradita të ndryshme letrare, shpesh duke shërbyer në cilësinë e formulës si truk artistik, nganjëherë ironik e parodizues. Tradita klasike, që e ka burimin në truket alegorike të antikitetit të vonë, i konsideronte Muzat si mbrojtëse të arteve, ku secila, sipas atributeve i përgjigjej një zhanri. Tradita romantike, që i ka rrënjët tek pikëpamjet platonike mbi natyrën e artit dhe që u përfaqësua mandej nga Niçja dhe ithtarët e tij, i quante Muzat frymëzuese të krijuesve, që “mahnitnin” shpirtin e poetit; krijimtaria në këso rastesh kundrohej si një gjendje ekstatike, furor poeticus. Në gjysmën e dytë të shekullit ?? u vu re tendenca për t’i rishikuar këto dy pikëpamje, për të parë se cila prej tyre kishte në vetvete më shumë të drejtë. Dhe menjëmend, Muzat pak a shumë qenë të “caktuara” në mënyrë skrupoloz sipas llojeve të artit, në rastin më të mirë në epokën e vonë helene. Ndërsa ikonografia tradicionale evropiane e Muzave ka qenë një realitet i perandorisë së vonë Romake. Që nga lashtësia e hershme me ardhjen e Muzave lidheshin momentet më të ndritshme e më të bukura në jetë - momentet e përndritjes dhe frymëzimit, shfaqja e diçkaje të re, takimi me ëndrrën. Përse thonë se takimi me muzën mund të ndryshojë jetën? Përse poetët e vjetër dhe orakujt, duke filluar interpretimin e këngëve të tyre, u drejtoheshin Muzave me lutjen për të marrë bekimin e tyre? Përse grekët e vjetër, duke përcjellë miqtë e tyre në udhë të largëta apo duke i uruar ata për punët e mëdha apo hapat e rinj, shpesh thoshin: “Shko, dhe paç me vete Muzat!”? Në qendër të Athinës, në Akropol, gjithmonë ka ekzistuar një faltore kushtuar Muzave, - Muzeioni. Po ne a jemi ndeshur në jetën tonë më këto vizitore të mrekullta e të misterta? Dhe nëse jemi ndeshur, atëherë, kur? Ndoshta jemi ndeshur atë pranverë, kur na trokiti dashuria e parë, dhe dukej, sikur gjithçka përreth shpërtheu në lule shumëngjyrëshe, edhe pse toka dergjej ende nën dëborë? Ose atëherë, atëherë kur ne u bindëm, se e kemi gjetur më në fund punën dhe zejen e adhuruar, me të cilën do të merremi gjatë gjithë jetës? Atë moment, kur në vetëdijen tonë lind imazhi i parë, ende i paqartë, për kë dhe për çfarë ëndërrojmë, grekët e quanin “puthje të muzave”. Nga ky moment ëndrra zë vend në zemrën tonë, dhe ne e dimë se nuk mund të jetojmë më pa të. Dhe nis një udhë e gjatë për tek ëndrra, udha e provave dhe e gabimeve, por kjo është edhe udha drejt harmonisë dhe dritës së Apolonit, udha e takimit me fatin. III Në poezitë e Arshi Pipës kemi një marrëdhënie komplekse me Muzat. Ai e identifikon veten si poet që i falet një “Muze krenare”, duke ia caktuar asaj ngjashmërinë me hyjneshë Atenë-sykthjellën që lindi nga Zeusi. Ashtu si mbron hyjnesha ledhet e Akropolit, ashtu dhe Muza e tij ia mbron të pakompromentuar dhuntinë poetike. Poezia “Ishulli” hapet me një sensacion dhe rizgjim të shqisave të topitura, një drithërimë që e shkundullon dhe trand krejt qenien, diç e ngjashme si në rastet e Zbulesës apo si me ndjesitë e profetëve para Zbritjes së fjalës hyjnore. “Plasi nga trûtë e t’Epërmit ngjeshun me përkrenare hyjnesha qi për fron ledhet pëlqeu t’Akropolit. O Muza ime krenare, Me të sa fort Afron! “Ishulli” Gjithë duke iu drejtuar Muzës (“unë lundërtar me busullën/ tënde...”) poeti pohon se ka kërkuar me të “një themel për virtyt”, të cilin e ka gjetur atë themel/bazë në një “ishull kufitar” (ishulli si simbol i vetmisë dhe vuajtjes personale, por edhe i papmposhtësisë frymore) “kur ania m’u mbyt”, çka na lë të kuptojmë, se në vitet e tmerrshme të shpërfytyrimit njerëzor nëpër kampet komuniste të shfarosjes, Muza ka qenë Shpresa dhe forca irracionale shpirtërore që e ka mbajtur gjallë. Duke i besuar shejtnisë së Muzës, poeti pohon se “Gjeta dijen e herëshme/ qi botën ma ban timen” - dhe, për më tepër, që në tërë atë ring asgjësimi, kur identiteti i individit shtypet e degradohet nga dhuna, është Muza që “m’i shlyen caqet kah ndaheshim”, pra është mbrojtësja jo vetëm e higjienës së ekzistencës, shpirtit dhe trurit, por edhe e botës së tij, duke e shlyer/fshirë kufirin e kampit që e ndan nga bota e lirë. Besimi dhe besnikëria tek Muza është mjet shpëtimi i artistit, sepse ajo e ruan integritetin trupor e shpirtëror në emër të dhuntisë artistike: “e ma të pasun rimën/ ma ban me shqise e mend”. Si duket Pipa ka zgjedhur modelin dhe imazhin antik të Muzës, të padhunuar ndër mbivendosjet e traditave letrare, madje duke e purifikuar shpërdorimin e muzës, “vesin” e të drejtuarit saj si shtampë, si klishe. Pipa pëlqen t’i rikthehet burimit zanafillor të Olimpit dhe Parnasit, kur nëntë motrat pinin në burimet e Hipokrenës, apo më saktë, marrëdhënien e stërgjyshit tonë letrar, Homerit. Muzat e shoqëronin njeriun në të gjitha çastet e rëndësishme të jetës, të tilla si lindja, vdekja, dashuria dhe martesa, krijimtaria, zgjedhja e rrugës dhe destinacioni - në momentet kur vendosej fati i tij. me praninë e tyre ato shënojnë momentet e lindjes së të resë. Marrëdhënia me Muzën, e cila është bërë banalitet i rëndomtë sot në Europë, në epokën homerike ka pasur një përmbajtje mjaft të ndërlikuar. Poetët e parë grekë Homeri dhe Hesiodi pohojnë një lidhje të drejtpërdrejtë të krijimtarisë së tyre poetike me Muzat. Secili sosh, në fillim të veprave të tyre, i drejtohet Muzës ose Muzave (Hom. Il. I, 1; Od. I, 1; Hes. Op.1) me lutjen për të ditur diç mbi ngjarjet konkrete, për të kënduar heroin apo Hyjtë-Muza, që ata t’i frymëzojnë. Kjo shpjegohet thjesht: Muzat-hyjnesha dinë gjithçka, përkundër nesh që s’dimë asgjë, përveçse lutemi. Muzat u dërgojnë poetëve frymëzimin, njësoj sikurse zotat i veshin heronjtë me bukurinë e jashtme të kurmit dhe fytyrës. Në “Iliada”. II 485 - 493 poeti para përshkrimit të gjithë fuqisë ushtarake akeje dhe trojane u drejtohet Muzave, të cilat dinë gjithçka në botë, që ato t’i ndihmojnë për t’i kujtuar me hollësi të gjitha anijet e akejve. Në “Odiseja” VIII 480 për këngëtarët thuhet: “Kush përveç Muzës, që i do aq fort, me këndue i ka mësue?”. Dhe kur Demodoku nis të këndojë, thuhet: “Muza e këndëlli kangtarin me këndue bâmat”. Sepse: “hyu i dha atij zemër të na gazmojë me kangë, sado dëshirë ai për kangë mos me pasë”. Një këngëtar tjetër, tashmë në shtëpinë e Odisesë, që argëtonte mtonjësit në mungesën e të zotit të shtëpisë, lyp lëmoshë, duke argumentuar: “Jam një i vetmësuem, vetë hyjnia m’i ka mbjellë në zemër kangët gjithfaresh. Dhe ma merr mendja se jam aq i zoti, sa di me t’këndue kangë si për hyj. Në mos jo, prejma grykën”. Varësia e plotë e poetit nga Muzat është demonstruar tek Demodoku edhe me vërbërinë e tij. Ai është aq i kredhur në dhuntitë e Muzës, sa nuk i ka mbetur më ç‘të shohë me sytë e tij fizikë (Od. VIII 63.): “Muza atë e deshti, por me një të mirë e një të ligë e pajisi: dritën e syve ia mori, porse i dha kangët e amla”. Vetë Homeri ishte një plak rapsod, i verbër. Në variantin e rimarrë të Pipës, tek poezia “Ode poezisë”, poeti i rrëfen Muzës në vetë të dytë, me sinqeritet, si një personi të shtrenjtë e tepër intim, se: “Kisha frikë se birresha,/ kaq shumë ngjate larg meje/ ku dergjem e s’lëshoj/ o ti vetëm e ngeluna/prej çdo tjetër hareje,/ sublime ndër vargoj!”. Poeti “marroset” në strofat vijuese për “mallin botëror”, për “ngazëllimin e njohjes” nga prekja dhe zgjimi i Muzëz dhe poetit i rreh zemra e mrekullueme “Si laureshë n’agim”. O shembull i elementave! O motër dashunije! Nevojë qi dukesh trill! - E ke t’atyne kohnave Virgjën at fllad e shije Ku dija zuni fill. E n’erdh tash prej kreshtave T’Olympit n’anët tona Mbi Pindin epirot Kujto pyllin ku orakullin E hershëm pat Dodona: Pagan besuen nji zot. Muza e Pipës është po ajo e miteve heleno-ilire, e gjithkohshme dhe e gjithkundshme; ajo e përshkon tërë materien fizike dhe shpirtërore shqiptare, majat e Sharit, valët e Adriatikut e Jonit, duke u shkrirë dhe identifikuar me pengjet e pamorta të poetit, si për shembull, me motrën e vdekur. Mos je dikur e trembuna Flatër e ndonjë malli N’idylin që s’u korr? Apor je vetë i dashuni Mbi tjerët e ma i gjalli Shpirti i motrës në vorr? Marrëdhënia e Pipës me Muzën, mbetet po ai imazh mitik i poetëve të vjetër të antikitetit, për të theksuar natyrën e tyre të përjetshme, porse tek Pipa kemi imazhin dinamik të mitit. Miti, para së gjithash, këtu ai i Muzave, është vetëm forma e kallëpit në të cilën merr trajtën e tij çdo përmbajtje e lëndë bashkëkohore. Trajta apo forma e fatit është gjithmonë ai modus universal i mitit, në çdo kohë. Prandaj Muza, sipas Pipës, është dhimbja dhe pengu që ka mbetur vulë e pashlyeshme në shpirt, sikundër tek strofa e mësipërme, - më i dashuri e më i gjalli ndër të tjerë - shpirti motrës së vdekur. Duke qenë mbrojtëse e të gjithë shërbyesve të artit, duke falur dhuntinë e këngës, lojës në instrumentet muzikorë dhe thurjen e vargjeve, muzat nuk ia falin kujt sqimën. Prandaj një nga cilësitë kryesore të poetëve dhe artistëve të lashtësisë ka qenë pastërtia e ideve dhe përpjekjeve, ndaj ata gjithmonë lypnin ndihmën, bekimin dhe frymëzimin e Muzave, që të mund të jepnin në veprat e tyre imazhet e shenjta hyjnore. Dhe prandaj Muzat janë të lidhura më parimin e pastrimit të shpirtit, ato janë filli lidhës ndërmjet hyjnive dhe njerëzve. Pathosi etik i Pipës, është i kuptueshëm: poezia, para së gjithash, kërkon një zemër të madhe e të pastër. Në të kundërt, ku nuk ka higjienë shpirtërore, nuk banon as Muza. Përafërsisht në ato vite kur janë shkruar këto poezi, në burg a në mërgim, në letërsinë shqipe kishte pllakosur perversioni i muzave, servilizmi i thellë dhe kopjimi më i shëmtuar i modeleve të antipoezisë. Në të ashtuquajturën reviste letrare “Literatura jonë” (që në titull - përkthim nga rusishtja - “Nasha literatura”), organ i Lidhjes së Shkrimtarëve, jepeshin modelet e importuara poetike të poetëve zyrtarë, servilë e të patalentuar, kryesisht komisarë të partisë. Në numrin 3-4 të kësaj reviste botohej poema “Tuneli rritet” e një prej adeptëve të socrealizmës, Aleks Çaçit, me subjekt - hapjen e një tuneli hekurudhor në Jugosllavi. Qorrollepsja dhe tëhuajësimi nuk mund të gjejnë apoteozë më të turpshme. Ja një fragment, sa për të gjykuar: Boriç Mile, udarnik! Në tunelin e Vrandukut, Lind çdo ditë njeriu i ri, Hapet mali gjer në funt... ...Çpo shikojnë sytë e mi! “Tito” ngrihet gjithë tuneli, Toka tundet nga themeli, Gjokset turren si një zjarr, Shkëmbi çduket menjëherë, Shkëmbi tjatër po mer tmerrë...” “Tuneli rritet”, “Literatura jonë” 3-4, Maj-Qershor 1947 Në traditën letrare shqiptare Arshi Pipa, ka megjithatë, një paraardhës, në marrëdhëniet e tij me muzën. Është Jeronim De Rada me Lumbardhën e tij të Anakreontit, që i kthehet idesë, se sado të ndryshojë kjo botë, në thelb, për shpirtin njerëzor gjithçka mbetet si më parë, shpirti botëror i njeriut mes përtëritjes së natyrës, mbetet po aq i ngazëllyer e i brengosur, sa ç‘ka qenë në kohërat e parrokshme nga kujtesa. Ose e thënë me gjuhën e Ekleziastit, për shpirtin dhe përjetimin njerëzor “nuk ka asgjë të re nën hënë”. Dallimi i Pipës nga paraardhësit është se ai kthimin dhe drejtimin e tij nga Muza, e rrëfen si varësi totale, duke ua lënë atyre “shpirtin në dorë”. Sepse nuk ka më lojë: Arshi Pipa ka vënë gjithçka: jetën dhe ekzistencën e tij. Ndaj poezinë e frymëzuar nga muzat ai e sheh si shpëtim jo vetëm të vetvetes, por të njerëzve të tij të dashur, të zemrës e të gjakut, të kombit të tij, në një art pa hile, pa truke, pa ngeshmërinë e eskperimentimit, sepse nuk ka më kohë: ai duhet të dëshmojë për mizoritë e kësaj botë, për burgun e madh ku lëngon qenia shqiptare dhe për ndonjë rreze depërtuese në tërrin e hadit shqiptar. Për të na dëshmon megametafora e poezive të vëllimit “Libri i Burgut”, por më përveçmas, marrëdhënia e tij pasionante me muzat dhe krijimin dhe transformimin e “udhëtarit të magjepsur” nga bukuria edhe në zgafellën e ferrit. Kjo përvojë është e tij, është reale, dhe poeti dëshmon, nuk qarravitet, përkundrazi ai e shpërndan kumtin dhe beson se me këtë kumt, përmbush një mision, për të cilin është i zgjedhur dhe se, ai si poet, përpiqet për të qenë sa më i denjë në misionarizmin e tij. “Me ty ndër gjinj do mundesha, Sikur ban rabdomanti, ndër kroje t’i shpërthej ujnat nën dhé të fjetuna; e ku gjindet diamanti ta gjej, ta qes andej. Ashtu qi strofat t’enduna me matuni klasike të rrjedhin nëpër to mendimet ma të ndrituna dhe ndijet mâ fisnike, mësim për cilindo. Eja mâ shpesh, o e bukura motër hyjnore, eja për t’amblin frymëzim! qi kët dhuratë të zotave të lashtë me fjalë të reja t’ia kthej unë kombit tim. Në këtë besim dhe besnikëri ndaj muzave, poeti Arshi Pipa gjeti jo vetëm sekretin e rezistencës, mbijetesës, por edhe të ngushëllimit me të bukurën dhe të lartësuarën, pikërisht në epiqendrën e shëmtisë, të shpresës, pikërisht aty ku braktisej çdo shpresë. Sepse siç e thotë edhe vetë poeti në shënimet e tij për sonetet e ciklit “Kanali”: “Mjekët nuk dijshin me spiegue se qysh të burgosunit vazhdojshin me jetue ndër kushte të këtilla. Jo se të pakët qenë ata qi vdiqën, por pritej qi të zhdukej pjesa ma e madhe. - Kam vërejtë se ata qi vdisshin ishin ma fort njerëz të cilët kishin humbur durimin, besimin dhe shpresën”.
Posted on: Tue, 01 Oct 2013 20:08:03 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics



To

© 2015