Një histori e rrallë/ Banorët që faleshin sipas Ungjillit të - TopicsExpress



          

Një histori e rrallë/ Banorët që faleshin sipas Ungjillit të Fan Nolit VEPROR HASANI FAN_NOLIPrifti i fshatit Progër kishte vendosur të shkonte drejt e te dhespoti i Korçës e t’i tregonte atij gjer e gjatë se ajo që po ndodhte në Progër as ishte parë dhe as ishte dëgjuar në dynja kurrë ndonjëherë më parë. Prograrët ose ishin çmendur të gjithë burra dhe gra, ose në shpirtin e tyre kishte hyrë djalli dhe ata nuk e dinin se çfarë po bënin. Se si mund të dilej nga kjo situatë, vetë prifti nuk ishte në gjendje të jepte ndonjë zgjidhje. Të gjitha shpresat i kishte varur te dhespoti. Banorët e këtij fshati kishin kohë që nuk po i respektonin më rregullat e vjetra. Ata shkonin në kishë, faleshin, këndonin vetë dhe largoheshin nga kisha sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Kjo ishte vetëm gjysma e së keqes, sepse gjysmën tjetër nuk kishte zot që ta tregonte. Banorët e Progrit faleshin dhe këndonin (psaltnin) shqip, sipas librit të shenjtëruar të priftit ortodoks Fan Noli! Për priftin që ishte nisur drejt dhespotit të Korçës e gjitha kjo ishte një tmerr i madh. Se si do t’ia thoshte dhespotit të gjitha këto as vetë ai nuk e dinte. Nuk ishte çudi që edhe vetë dhespoti mund të luante nga mentë kur ta dëgjonte këtë histori të padëgjuar. Në të vërtetë, banorët e Progrit kishin kënduar shqip në mes të kishës edhe herë të tjera, por prifti kishte bërë sikur nuk i kishte parë dhe sikur nuk i kishte dëgjuar (sepse çfarë mund t’u bënte, kur ata nuk i bindeshin!), por tashmë nuk mund të toleronte më. Dhespoti duhet t’i dinte të gjitha. Për këtë të keqe të madhe që po i vinte kishës, shkaktarë ishin bërë ca prograrë, emigrantë në Amerikë, të cilët sa herë që vinin që andej, dëshironin të shkonin në kishë, të faleshin dhe të këndonin shqip. Mbërritja te dhespoti Nxitonte priti i Progrit dhe i merrej fryma. Nuk mund ta mendonte dot që në kishë të këndohej shqip. Kisha ishte greke dhe vetë zoti ishte grek; të paktën kështu u thoshte prifti grekoman banorëve të fshatit Progër, por ata të mallkuar prograrë as që donin t’ia vinin veshin fjalëve të tij. Dukej sikur në mendjen e tyre diçka të keqe u pëshpëriste vazhdimisht ai, që ata e quanin njeri të madh, dhe që emrin e kishte Fan Nol. Të gjitha këto kishte vendosur t’ia tregonte gjerë e gjatë dhespotit. Dhe me t’u gjendur përballë tij, nisi t’ia rrëfente me një lumë fjalësh se çfarë kishte ndodhur atje në kishën e fshatit Progër, por dhespoti dukej se asgjë nuk po kuptonte, ose më mirë nuk donte ta besonte atë që po dëgjonte me veshët e tij. Ajo që i kishte mbetur në mendje ishte vetëm emri i Fan Nolit Iu desh priftit t’ia tregonte sërish atë që kishte ndodhur dhe tmerrin t’ia tregonte më shkoqur e më ngadalë që edhe dhespoti të mos pësonte gjësendi, sepse kjo që po ndodhte atje në fshatin Progër nuk ishte gjë tjetër veçse mallkim, largim i besimtarëve nga gjuha e Zotit. Zoti që kur kishte lindur vetëm elenika (greqisht) dinte të fliste! Dhe nuk kishte folur ndonjëherë gjuhën e Fan Nolit! Ku ta mësonte Zoti atë gjuhë! Atij nuk kishte rënë ndonjëherë rruga që të shkonte në Qytezë të Kolonjës, në vendlindjen e tij. E nga ta dinte Zoti që paskësh patur edhe një fshat të tillë. Ma thuaj edhe një herë, tha dhespoti. Dhe prifti përsëriti për të disatën herë të njëjtat fjalë: “Im Zot, ata shkojnë në kishë, falen dhe këndojnë shqip, sipas librave të Fan Nolit. Ata i quajnë librat e tij të shenjtëruara! Për dhespotin ky lajm ishte po aq i rëndë sa ç’është dhe lajmi i vdekjes. Kjo ngjarje do të mbetej e shkruar edhe te gazeta “Lidhja orthodokse”, botuar në dt. 2, të premten e vjeshtës së 2-të të vitit 1909. Ne po e sjellim atë sipas atmosferës që përcjell vetë kronika e asaj kohe. Ngjarja Dhespoti donte të dinte se kush kishin qenë shkaktarët e vertetë të këtij turbullimi të frikshëm që po pushtonte kishën, dhe prifti nisi përsëri nga rrëfimi. Nuk e kishte të lehtë të tregonte. Ishte rrëfimi më i vështirë i jetës së tij Po i vinte keq edhe për dhespotin që atë çast sytë i kishin mbetur hapur dhe lëvizjet i kishin ngrirë. Megjithatë i duhej të dëftente gjithçka deri në detaje, sepse siç thuhet, pikërisht aty te detajet fshihet djalli, dhe vetëm Dhespoti mund ta dallonte ku përpiqej të fshihej ai. Im Zot, i tha prifti, e keqja ndodhi kur nga Amerika erdhën Pando Ikonomi, Jovan Tasi dhe Nikolla Spiro. Gjithnjë kështu ndodh kur vijnë ata të mallkuarit, emigrantët e Amerikës. Fillimisht takohen me njëri-tjetrin, çmallen, bisedojnë gjatë e pasi kanë qarë hallet, shkojnë të gjithë bashkë (kështu e kanë zakonin) të falen në kishë. Kur janë të gjithë tok, bëhen edhe më të frikshëm. Tmerrohem kur dëgjoj që ata po psaltin shqip. Atë çast nuk e di nëse jam i vdekur apo i gjallë. Ata këndojnë shqip Im Zot! Janë çmendur që të gjithë! U është mbushur mendja se po bëjnë një gjë të vyer. Emigrantët e Amerikës janë një mallkim i madh. Sa herë vijnë në Progër u tregojnë bashkëfshatarëve se si më 22 mars të vitit 1908, në Kishën e “Shën Gjergjit” në Boston, prifti shqiptar, Fan Noli, vetëm 26 vjeç, mbajti në gjuhën shqipe, kaq bukur e kaq mirë, shërbesën e parë fetare. Psaltir kishte qenë Petro Nini Luarasi. Por ata, zotëri, kanë sjellë me vete edhe librat e përkthyera nga Fan Noli dhe kanë filluar t’i mësojnë përmendësh. A thua se dikush u ka bërë magji! Të gjithë e kanë lexuar shqip Shërbesën e Javës së Madhe dhe librin e Shërbesave të Shenjta. Ata vijnë në kishë, falen, këndojnë shqip dhe largohen nga kisha sikur të mos ketë ndodhur asgjë e keq. Më thoni çfarë duhet të bëj? Pikërisht për këtë gjë kishte vrapuar prifti i Progërit deri te dhespoti, donte të dinte se çfarë duhej të bënte. Më thoni, im zot, si të bëj? Deri atë çast dhespoti nuk e kishte menduar kurrë se do të vinte një ditë që nëpër kisha të hynte gjuha e mallkuar shqipe. Prifti qëndronte përpara këmbëve të tij dhe priste përgjigje. Pyetja, “Im Zot, si të bëj”, qëndronte pezull. Dhespoti si gjithnjë e kishte një përgjigjë gati, por po vononte në artikulimin e saj, sepse misteret quhen të tilla vetëm kur ato thuhen ngadalë e thuhen në çastin e duhur mistik, dhe jo çdo njeri e përcakton dot atë. Dhe dhespoti foli: Prograrët duhet të shndërrohen të gjithë në grekër! Edhe gazeta “Lidhja orthodhokse”, e bën të njohur këtë moment. Ajo shkruan: “Shenjtëri e tij (dhespoti) ep urdhratë (prifti) të mos meshonjë gjer mos binden fshatarët që të quhen grekër”. Ky ishte urdhëri. Prifi u nis përsëri andej nga kishte ardhur. Nxitonte të kthehej në Progër dhe çdo çast mendonte se si atij do t’i duhej t’i bindte ata njerëz njeherë e përgjithmonë se nuk ishin shqiptarë por grekër dhe nuk kishte ç’u duhej Fan Noli dhe librat e përkthyera prej tij. Ndoshta prifti grekoman besonte se Zoti i dinte të gjitha gjuhët e botës, por gjuhën shqipe nuk e njihte, pasi mund të kishte mbetur në klasë. Ai do t’u shpjegonte banorëve të Progrit se edhe në qofsh ortodoks, nuk kishte asnjë vlerë nëse nuk ishe grek. Dhe deri sa banorët e fshatit Progër t’i kuptonin të gjitha këto, ai nuk do të meshonte as në raste gëzimesh dhe as në raste hidhërimesh. Veç kësaj, nuk do t’i lejonte të hynin në kishë, të faleshin dhe t’i këndonin troparet në gjuhën shqipe. Në kishte do të flitej vetem elenika Prograrët Vajtja me nxitim e priftit të tyre te dhespoti i Korçës u mësua nga të gjithë banorët e fshatit. Ata e dinin pse ai po shkonte atje. Nuk dinin vetëm me çfarë haberesh do të kthehej ai. Gjithashtu, e morën vesh edhe kur prifti u kthye nga Korça. Lajmi i parë që u përhap në fshat ishte: ai nuk do të meshonte më as për të mirë dhe as për të keq deri sa të gjthë ata ta quanin veten grekë. Ky lajm u mësua që në fillim sepse kishte qenë vetë prifti që ua bëri të njohur të gjithëve. Fill pas shpalljes të ultimatumit të tij, prifti grek priti që gjithë fshatarët e Progërit t’i binin ndër gjunjë e t’i luteshin që ai të mos ua bënte këtë të keqe kaq të madhe, por në të vërtetë nuk ndodhi kështu. Edhe banorët e Progrit i bënë të ditur se edhe ata ishin në kërkim të një prifti shqiptar. I thanë se koha e priftërinjëve grek kishte ikur. Kur i dëgjoi të gjitha këto, prifti grek mbeti syhapur ashtu si dhespoti kur dëgjoj lajmin për herë të parë dhe lëvizjet i mbetën të ngrira. Trishtimi i tij u bë edhe më i madh kur mori vesh se ndërsa ai kishte qenë në Korçë te dhespoti, banorët e Progrit ishin falur dhe kishin kënduar në kishë me librat e Fan Nolit. U tmerrua kur mendoi se tashmë e tutje në të gjithë kishat e Shqipërisë do të dëgjohej gjuha e Fan Nolit. Megjithatë ai do bënte çmos që greqishtja dhe kIsha të ishin bashkë, nuk do tërhiqej kurrë. Ata që duhet të përuleshin duhej të ishin banorët e fshatit Progër. Prifti u betua nuk do të linte rast e mjet pa përdorur deri sa ata t’i ktheheshin rrugës së tyre të vjetër. Dhe rasti e solli; një gjëmë e madhe kishte ndodhur në fshat Kishte vdekur djali i Ilo Themelit Nuk kishin kaluar veç disa ditë kur të gjithë morën vesh se kishte vdekur djali i Ilo Themelit. Pikëllim më ta madh nuk kishte. Njerëzit po i drejtoheshin shtëpisë së Ilos. Qanin gratë dhe vajtimet nuk kishin të mbaruar. Vetëm prifti i fshatit përgjonte çdo lëvizje dhe zë të tyre dhe priste se çfarë do të ndodhte. Ata nuk do ta varrosnin dot pa kryer rritet që bëhen në raste të tilla. Këtë gjë prifti e dinte mirë. Rasti i kishte trokitur në derë. Mundësi më të mirë nuk mund të gjente. Ishte momenti i provës së madhe: do të tërhiqej ai apo do të thyheshin banorët e Progërit. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, fitorja do të ishte në anën e tij. Pas dëshpërimit që po përjetonte prej disa ditësh më në fund do të provonte një buzëqeshje të madhe. Kur fitoren ta kishte të shtrënguar fort në dorë do të nisej përsëri nxitimthi te dhespoti, por kësaj radhe për t’i dhënë lajmin e madh: Im Zot, e fituam luftën, ata u përulën! U vetëshpallën grekë! Në të gjitha kishat do të dëgjohet vetëm gjuha greke! Fan Noli u mund! Dhe prifti i besonte fitores së tij, sepse gjithçka do të ishte e lehtë. Banorëve të Progërit nuk do t’u kërkohej ndonjë sakrificë e madhe, nuk do të kishte as flijime, mjafton që ata të pohonin: “jemi grekë, sepse pa qenë grek nuk mund të jesh ortodoks i mire”, vetëm kaq. Prifti po ndiente se gjithçka do të shkonte ashtu siç ishte parashikuar edhe nga vetë ai. Varrimi me librat e Fan Nolit Sigurisht, njerëzit e të vdekurit do të kërkonin ndihmën e priftit, dhe ashtu ndodhi. Ata erdhën dhe i thanë të vinte për të kryer adetet, por ai nuk lëvizi nga vendi. Provuan t’i luteshin njerëz të tjerë, banorë të nderuar të fshatit, burra të moshuar, por prifti prapë nuk e mori mundimin të lëvizte. Orët kalonin dhe djali i Ilo Themelit rrezikonte të mbetej i pavarrosur, por prifti nuk u tundua as nga kjo gjë, edhe pse mosbindja e tij mund të ishte një mëkat i madh. Ai ishte betuar, nuk do të tërhiqej në asnjë rast. E dinte mirë; vërtet banorët e Progërit kishin mësuar të luteshin me librat e Fan Nolit, por asnjëri prej tyre nuk dinte çfarë duhej bërë me një të vdekur. Shkuan përsëri dhe iu lutën dhe ai sërish u kërkoi që ata të pranonin që ishin grekër dhe asgjë më shumë se kaq. I thanë që do të ankoheshin te dhespoti, por ai vuri buzën në gaz si për t’u thënë: “Këtu dhespot jam unë!” Së fundi gjithkush u bind se diçka duhej bërë, pasi prifti kishte vendosur ta linte djalin e vdekur pa varrosur. Ata s’mund të pranonin që ishin grekë, por edhe djali nuk mund të lihej i pakallur në dhe. Edhe ata ishin betuar të mos thyheshin në asnjë rast e për asgjë, por a mund të rrezistonin dot më shumë se kaq. Çfarë duhej të bënin vallë? Shpresat për të zgjidhur këtë ankth po shuheshin, kur befas u dëgjia një zë. Ishte dikush prej banorëve që kishte qenë emigrant në Boston të Amerikës. “Më sillni librat e Fan Nolit, tha ai. Punën e psaltrit do ta bëj unë, ashtu siç bëri Petro Nini Larasi në Kishën e “Shën Gjergjit” në Amerikë, nuk na duhet një prift i tillë. Dhe ashtu u bë. Djali u varros duke i kënduar shqip me librat e Fan Nolit. Gazeta “Lidhja orthodhokse” e mbyll kështu këtë informacion të saj: “Kur panë fshatarët që të luturat mbetën të kota e djali zuri të qelbej vendosnë ta mbulojnë vetë dhe kështu me librin e shenjtëruar të të bekuarit prift ortodoks Fan Noli e varruan. Kur vajti fshati tek dhespoti për priftin, ai u tha që kisha dhe shkolla janë elikotati e po të mos bëhen grekër nuk e lë priftin të meshonjë se janë apisti! (të pabesë). Po në u kthefshin, atëherë do të dërgonj priftin të këndonjë mi (mbi) varr të të vdekurit”.
Posted on: Mon, 28 Oct 2013 16:14:20 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015