PESE MIJE VJET FORTIFIKIME NE SHQIPERI GJERAK KARAISKAJ Armë dhe - TopicsExpress



          

PESE MIJE VJET FORTIFIKIME NE SHQIPERI GJERAK KARAISKAJ Armë dhe operacione rrethimi nga koha antike Në vitin 230 p.e.r., në kohën e sundimit të mbretëreshës Teuta, ilirët e fisit të ardianëve sulmuan qytetin më të fortifikuar dhe më të pasur të Epirit, Foiniken, të cilin, sipas Polibit, e morën me sulmin e parë (Polyb. II, 5). Epirotët, pasi morën vesh këtë ngjarje, u drejtuan me të gjitha fuqitë e tyre në ndihmë të Foinikes. Ata e vendosën kampin e tyre buzë lumit të Bistricës, që kalon rrëzë qytetit, dhe për t´u siguruar nga ndonjë sulm i papritur shkulën drurët e urës, që ngrihej mbi këtë lumë. Pasi morën këtë masë, epirotët qëndruan të shkujdesur dhe e lanë pas dore rojën e lumit. Por ilirët, pasi morën vesh këtë, u nisën natën dhe pasi vendosën trarët mbi urë, kaluan pa u vënë re dhe zunë një vend të fortë, ku qëndruan deri sa u gdhi. Pasi u gdhi, filloi beteja, në të cilën epirotët u mundën. Një pjesë e tyre mbetën të vrarë dhe u zunë robër, ndërsa të tjerët mundën të iknin dhe shkuan tek atintanët. «Kjo fushatë e ilirëve, shkruan Polibi (II, 6). i habiti dhe u kalli tmerr gjithë helenëve që banonin gjatë bregdetit. Këta, kur panë se qyteti më i fortifikuar dhe më i fuqishëm i Epirit u shkatërrua dhe u shkretua në një mënyrë të pabesueshme, s´kishin më frikë vetëm për të ardhurat e tyre, si gjer tani, por edhe për veten dhe për qytetet e tyre». Në luftën për mbajtjen e qytetit të Foinikes, ilirët, duke vlerësuar forcën e tyre sulmuese dhe duke shfrytëzuar befasinë, zgjodhën betejën jashtë mureve të qytetit, para se kundërshtari të përpiqej ta merrte atë. Kjo taktikë, jo vetëm që u siguroi fitoren, por dhe nuk u dha kohë epirotëve të grumbullonin forca të reja, që mund t´u vinin në ndihmë nga aleatët, ashtu siç ndodhi në fakt, por kësaj radhe pasi kishin humbur betejën pranë qytetit të Foinikes. Një vit më vonë, në pranverë të vitit 229 p.e.r., një ushtri ilire rrethoi qytetin e Korkyrës. Ndërsa një pjesë e ushtrisë mbante të rrethuar qytetin, pjesa tjetër e ngarkuar mbi anije, zhvilloi një betejë detare me flotën akease, që u vinte në ndihmë të rrethuarëve. Beteja u zhvillua në afërsi të ishullit Paksos. Ilirët i lidhën anijet e tyre nga katër dhe u vërsulën kundër armikut. Anijet e akeasve u ndeshën aq fort sa mezi mund të lëviznin, mbasi ishin futur midis sqepave të anijeve ilire të lidhura bashkë. Atëherë ilirët u hodhën mbi anijet e kundërshtarit dhe i pushtuan ato. Kështu zunë katër anije me nga katër radhë lopatash, ndërsa një tjetër me pesë radhë e mbytën bashkë me marinarët e saj. Pas kësaj beteje, korkyrasit e dorëzuan qytetin dhe pranuan një garnizon ilir në të. (Polyb. II, 10). Lisi ishte një nga qytetet më të fortifikuara të ilirëve. Kur Filipi V i Maqedonisë me ushtrinë e tij u ndodh pranë tij, pas një udhëtimi prej dy ditësh, vuri re se qyteti ishte përforcuar mirë nga të gjitha anët. Ndërsa për Akrolisin, që kishte një lartësi të madhe dhe ishte i fortifikuar mirë, ai humbi çdo shpresë se mund ta pushtonte. Sa për qytetin mendonte akoma se mund të bënte diçka. Pasi pa mirë vendin, vuri re se terreni që shtrihej midis Lisit dhe rrëzës se malit të Shëlbuemit, ku ndodhej Akrolisi, ishte i përshtatshëm për taktikën që do të ndiqte (Polyb. VIII, 13). Kur u err, mori pjesën më të madhe e më të zgjedhur të ushtarëve të tij me armatim të lehtë dhe e fshehu në disa lugina të pyllëzuara. Rruga, nëpër të cilën Filipi çoi këtë pjesë të ushtrisë së tij, kalonte nëpër luginën Zalli i Grykës, që ndodhet në anën lindore të Akrolisit (mali i Shelbuemit) dhe, duke kaluar qafën që formohet midis malit të Shelbuemit dhe të Mercinjës, ai i erdhi rrotull Akrolisit deri tek lagjja e sotme Varosh, ku vendosi në fshehtësi trupat e tij (1) . Të nesërmen, Filipi mori me vete trupat e armatosura rëndë dhe pjesën tjetër të ushtrisë me armatim të lehtë e duke ecur gjatë bregut të detit, u nis për në anën tjetër të qytetit. Ilirët ishin informuar për fushatën e Filipit, prandaj në Lis ishin grumbulluar forca të mëdha nga krahinat fqinje, ndërsa në Akrolis, ngaqë kishin besim në fortifikimet e tij, kishin lënë vetëm një roje të vogël. Kur po afroheshin maqedonasit, vendasit filluan të dalin jashtë mureve të qytetit, duke pasur besim si në numrin e madh të forcave të tyre, ashtu edhe në pozitën e vendit. Filipi mbajti në fushë ushtarët e armatosur rëndë, ndërsa të tjerët i nisi drejt kodrave, për t´u përleshur me ilirët. Për një kohë fati i luftës mbeti i dyshimtë, por pastaj maqedonasit u detyruan të tërhiqen. Ilirët morën guxim nga kjo fitore, i ndoqën ushtarët e Filipit, zbritën në fushë dhe u përleshën me forcat e armatosura rëndë. Rojet e Akrolisit, që shikonin nga muret gjithë ngjarjen që u zhvillua, kujtuan se Filipi po tërhiqej dhe, pasi lanë vetëm pak vetë në kala u derdhën gjatë shpatit të malit për në fushë, me qëllim; që të ndiqnin armikun dhe të merrnin plaçkën e luftës. Pikërisht në këtë çast, Filipi u dha sinjalin forcave të fshehura në Varosh të sulmonin qytetin dhe të zinin Akrolisin. Akrolisi u zu me lehtësi, pasi ishte i pambrojtur, ndërsa qyteti ra vetëm të nesërmen, pas luftimesh të mëdha kundër sulmeve të maqedonasve. Në këtë luftë, ilirët, me gjithë trimërinë dhe guximin që treguan, nuk mundën të fitojnë, pasi nuk shfrytëzuan si duhet fortifikimet e fuqishme të Lisit dhe Akrolisit, por e zhvilluan pjesën më të madhe të betejës në fushë e para kohe. Gjithashtu, ata treguan mungesë vigjilence për të zbuluar forcat e fshehura të Filipit. Në vitin 214 p.e.r. Filipi V rrethoi Apoloninë. Përvec forcave të shumta, ai kishte grumbulluar në lëmin e tij katapulta, balista dhe armë të tjera rrethimi, por maqedonasit nuk arritën t´i përdorin këto armë, pasi trupat që mbronin qytetin bënë një sulm të befasishëm natën në kampin e Filipit, kaluan ledhet pa u diktuar dhe pasi zunë robër dhe asgjësuan një pjesë të mirë të ushtrisë maqedonase, morën katapultat, balistat dhe armët e tjera të këtij lloji që ishin grumbulluar këtu, për të sulmuar qytetin, e i shpunë në Apoloni, për te mbrojtur muret, po t´u qëllonte përsëri një fat i tillë (Livi XXIV, 40). Uskana ishte një nga qytetet e rëndësishme të fisit të penestëve. Ai ndodhej në afërsi të Lyhnidit (Ohrit). Kishte dhjetë mijë banorë dhe një garnizon të vogël kretas. Rreth vitit 170 p.e.r., një ushtri romake prej 8000 vetësh, nën komandën e Ap Klaudit, u nis të pushtojë qytetin. Romakët vendosën lëmin rreth 12 milje larg qytetit, lanë aty një roje prej 1000 vetësh dhe me pjesën tjetër të ushtrisë, që formonte një kolonë të gjatë e të çrregullt nga marshimi, ju afruan qytetit. Ap Klaudi mendonte se do ta pushonte Uskanën me lehtësi, duke u bazuar në disa informata që kishte marrë se garnizoni kretas do të dorëzonte qytetin. Bindja e tij u forcua, kur mbi mur nuk pa asnjë roje të armatosur. Por kur romakët u avitën në largësinë e hedhjes së shtizave, nga të dy portat e qytetit dolën njerëz të armatosur që sulmuan ushtrinë romake. Britma e tyre u shoqërua nga ajo e grave, që qëndronin mbi mure dhe bënin një zhurmë të madhe me enët prej bakri. Të frikësuar nga kjo rrëmujë e madhe dhe e përgjithshme, romakët nuk mundën t´i qëndrojnë as sulmit të parë. Qytetarët e ndoqën ushtrinë e shpartalluar të romakëve, prej së cilës vetëm dy mijë vetë arritën në lëmë. Prej këtej, ushtria, që kishte mbetur pas këtij dështimi me në krye legatin Ap Klaudi, u kthye në Lyhnid (Liv. XVIII, 10). Në vitin 169 p.e.r., Uskana u sulmua nga ushtria maqedonase me në krye mbretin e tyre Perseun. Perseu u nis me 10 mijë këmbësorë, 2 mijë ushtarë të armatosur lehtë dhe 500 kalorës. Kishte marrë me vete drith për shumë ditë dhe nga pas i vinin mjetet për të sulmuar qytetet. Perseu e sulmoi qytetin nga të gjitha anët. Një pjesë përpiqeshin të ngjiteshin me shkallë mbi mure, ndërsa të tjerët t´u vinin zjarrin portave. Megjithëse sulmuesit këmbenin njëri-tjetrin papushim, ditë e natë, mbrojtësit e qytetit mundën t´i qëndrojnë kësaj furie. Qyteti ra vetëm atëhere kur filluan të viheshin në veprim tenda, që shërbenin si mbrojtje nga urat e zjarrit dhe objektet e tjera që hidheshin nga muret; filluan të ngriheshin edhe kulla rrethimi. Raporti i forcave gjithashtu nuk ishte i barabartë dhe qyteti vuante nga mungesa e rezervave ushqimore (Liv. XLIII, 18). Mjete dhe mënyra të shumta sulmi u përdorën edhe gjatë rrethimit të qytetit Oene, i cili u pushtua nga Perseu pas Uskanës. Oene, gjithashtu qytet i penestëve, nuk mund të merrej pa një rrethim të rregullt, jo vetëm se garnizoni i tij ishte diçka më i fuqishëm se i qyteteve të tjera, por se edhe muret e tij ishin shumë të forta dhe kishte një pozitë të favorshme natyrore, duke u mbrojtur nga njëra anë prej lumit dhe nga ana tjetër prej një mali të lartë, që mezi kalohej. Në Oene kishte gjithashtu një garnizon romak. Perseu e rrethoi qytetin me hendek e ledhe dhe urdhëroi të ngrihej një çukë dheu, me një lartësi më të madhe se ajo e mureve. Gjatë këtij punimi, të rrethuarit dilnin me sulme të shpeshta nga qyteti, me qëllim që të mbronin muret dhe të pengonin punimet e armikut. Por në këto përpjekje humbi një numër i madh prej tyre, ndërsa pjesa tjetër ishte dobësuar, duke u munduar ditë e natë si dhe nga plagët që kishin marrë. Kur u ngrit çuka afër murit, kohorta mbretërore u hodh më atë anë dhe qyteti u sulmua me shkallë nga të gjitha drejtimet (Liv. XLIII, 19). Gjatë rrethimit të qytetit të Kasandrës, që mbrohej nga një garnizon prej tetëqind agrianësh dhe dy mijë ilirësh nga fisi i penestëve, romakët vendosën të futen në qytet nga zgavrat e krijuara në mure. Përfundimi i punimeve për hapjen e këtyre zgavrave u shoqërua nga brohoritje dhe thirrje të forta gëzimi nga ushtarët romakë. Në fillim, garnizoni i Kasandrës u habit dhe nuk e kuptoi domethënien e këtyre britmave, por menjëherë, pas këtij çasti hezitimi, u përpoq t´i kthente në favor të tyre punimet, që kishin bërë romakët. Kështu që menjëherë, një njësi e fortë agrianësh dhe ilirësh dolën nga muret e qytetit dhe sulmuan në befasi romakët, që po grumbulloheshin për të hyrë në qytet. Duke përfituar nga rrëmuja, i ndoqën ata gjer në buzë të hendekut, i hodhën brenda dhe i mbuluan me gurë e dhë. Romakët patën 600 të vrarë, ndërsa ata që ndodheshin midis hendekut dhe murit u mbuluan me plagë (Liv. XLIV, 11, 12). Dalmatët ishin një nga fiset më luftarake të ilirëve. Kryeqyteti i tyre Delmin, në vitin 156 p.e.r., u bë objekt i sulmit të një ushtrie romake të komanduar nga konsulli Mark Friguli. Kur ky po përgatiste lëmin e luftës, dalmatët u ranë rojeve të tij dhe i mundën, ndërsa Frigulin e nxorën nga lëmi dhe e ndoqën deri në lumin Narona. Kur filloi stina e dimrit dhe dalmatët u kthyen nëpër vendbanimet e tyre, konsulli Friguli i sulmoi në befasi, duke shpresuar se do t´i gjente të papërgatitur, por u gjend përsëri përpara forcash të ardhura nga qytetet për t´i dalë përpara sulmit të tij. Atëhere u detyrua të kthejë rrugë dhe t´i bjerë qytetit Delmin. Mirëpo, meqenëse nuk mundi ta pushtonte qytetin e fortifikuar me anë të sulmit dhe makinat e rrethimit nuk mund t´i përdorte, për shkak se muret e qytetit ishin shumë të larta, hoqi dorë dhe u drejtua kundër qyteteve të tjera, që kishin më pak forca, pasi shumica e tyre ishte grumbulluar në Delmin. Ai ju kthye përsëri këtij qyteti dhe urdhëroi të hidheshin në qytet, me anë hobesh, topuze dy kut të gjata, të mbështjella me serë, squfur e kashtë liri, të cilat nga shpejtësia ndizeshin. Kështu u dogjën shumë pjesë të qytetit dhe romakët mundën të pushtojnë Delminin. (App. Ilyrike, 4, 11; shih dhe Frontini, III, 2). Rreth 100 vjet më vonë. në vitin 35 p.e.r., Oktavian Augusti u nis me ushtri, për të nënshtruar ilirët e Veriut e sidomos japodët, popull luftarak, që kishin thyer disa herë ushtritë romake për 20 vjet rresht. Që gjatë rrugës, ata e dëmtonin ushtrinë romake duke zënë prita nëpër shtigje, ku kishin rrëzuar drurët e pyllit për të vështirësuar më tepër kalimin. Kryeqyteti i japodëve, Metuli, gjendej mbi një mal shumë të pyllëzuar, mbi dy kodra, të cilat i ndante një luginë e ngushtë. Aty ishin grumbulluar rreth 3.000 luftëtarë të armatosur mirë, që zbrapnin me lehtësi sulmet e romakëve. Këta të fundit kishin hapur llogore për t´u futur në qytet, por metulasit i prishnin, duke bërë sulme të vazhdueshme ditë e natë dhe duke e goditur armikun me makina gurëhedhëse, që i kishin vendosur mbi muret e qytetit. Nga ana e tyre, romakët përdorën makinat për shkatërrimin e mureve të Metulit. Ndërkaq, metulasit po ndërtonin një mur tjetër brenda të parit dhe kur ai u dëmtua, mjaft nga makinat gurhedhëse e braktisën dhe u hodhën brenda murit të ri. Kundër murit të ri romakët grumbulluan forca dhe në dy pika, zgjaten katër ura, për ta kaluar murin nëpërmjet tyre, ndërsa një grup ushtarësh ishte dërguar në pjesën e mbrapme të qytetit, për të çorientuar metulasit. Një pjesë e metulasve përballonin ata që drejtoheshin kundër murit, ndërsa pjesa tjetër qëllonte me heshta të gjata. Metulasit arritën të rrëzojnë tri nga urat. Kur ra ura e tretë, romakët i kapi një tmerr aq i madh saqë asnjë s´guxonte të hipte në urën e katërt. Augusti, që vrojtonte nga një kullë e lartë druri, u mundua më kot t´i jepte kurajo ushtrisë. Atëhere ai u detyrua të kalonte vetë urën, bashkë me disa nga komandantët, Agripën dhe Ieronin, por edhe ura e katërt u rrëzua. Një pjesë e romakëve, që ndodheshin mbi të, vdiqën, ndërsa të tjerë u plagosën. Augusti vetë u plagos në këmbën e djathtë dhe në të dy krahët. Pasi arriti në kullë, ai urdhëroi të ndërtoheshin ura të tjera. Vetëm pas përpjekjesh të mëdha dhe me kusht që romakëve t´u lëshohej vetëm njëra nga kodrat për vendosjen e garnizonit, ata mundën të futen në Metul. Ngjarjet që pasuan çuan në nje betejë të re, në rënien heroike të metulasve dhe në djegien dhe shkatërrimin e plotë të qytetit nga vetë vendasit (App. Illy. 19-21). Për pushtimin e qytetit Segesta, Augusti u detyrua të ndërtojë një radhë fortifikimesh të vogla përreth dy fortifikimeve të mëdha, si dhe ura mbi lumë. Segestasit ndërmorën shumë kundërsulme, por pasi nuk patën rezultat, filluan të hidhnin që sipër «flakëse» dhe «zjarre», që mund të kenë qenë si ato që përdorën romakët kundër Delminit. Në ndonjë rast, kur parashikohej që rrethimi të vazhdonte gjatë, ndërtoheshin mure të tjera rrethuese nga sulmuesit, për ta bërë sa më të plotë rrethimin dhe për të mbrojtur ushtrinë nga kundërsulmet. Një ndërtim të tillë, të përbërë nga një ledh dheu dhe hendeku e kemi përmendur, kur kemi përshkruar rrethimin e qytetit Oene nga Perseu. Por një shembull më të hershëm e kemi nga fushata e Aleksandrit të Madh për pushtimin e qytetit të dasaretëve, Pelionin kur Aleksandri. për të penguar të rrethuarit të dilnin, vendosi të ndërtonte një mur (Ruf. Suppl. I, 17). Ndërsa Augusti, në fushatën për nënshtrimin e ilirëve të Veriut, për të mbajtur të rrethuar qytetin e liburnëve, Promona, urdhëroi të mbyllen me mure si qyteti ashtu edhe dy kodra, që ndodheshin në duart e ilirëve, perimetri i mureve do të ishte dyzet stade (rreth 7 km). (App. Illyr. 25). Ka pasur dhe raste që, për të bërë sa më të efektshëm rrethimin, është ndryshuar rrjedha e lumenjve nëpërmjet hapjes së kanaleve, kur këta lumenj shërbenin si një mbrojtje e sigurtë për qytetin. Të rrethuarit, nga ana tjetër, përveç armëve të përmendura deri tani, për t´u mbrojtur, hidhnin mbi armikun gurë me hobe ose i rrokullisnin ato nëpër shpatet e thepisura të kodrave, mbi të cilat ngriheshin kalatë; lëshonin arka të rrumbullakëta dhe karroca të mbushura me gurë, të cilat, duke u përplasur mbi shkëmbinjtë, shpërndaheshin në copa dhe përçanin radhët e armiqve që sulmonin. Në kohën e vonë antike (shek. IV-VI), kur Perandoria Romako-Bizantine kërcënohej nga sulmet e fiseve «barbare», edhe ushtria ilire ishte e organizuar në legjione; çdo legjion ishte njësi ushtarake komplekse. Në përbërje të legjioneve kishte zdrukthëtarë, muratorë, karpentierë, farkëtarë dhe zejtarë të tjerë, të cilët ndërtonin shtëpi, kampe dimërore, makina luftarake, kulla lëvizëse druri dhe mjete të tjera për mbrojtje qytetesh dhe sulm. Legjionet kishin gjithashtu pu-nishte armësh, ku prodhoheshin mburoja, parzmore, harqe dhe shigjeta, heshta, përkrenare, etj. Në repartet speciale përfshiheshin dhe kunikularët (xhenierë), të cilët, sipas zakonit të besëve (fis në Trakë), gërmonin llagëme nën tokë dhe pasi shponin themelet, hynin papritur, për të pushtuar qytetin (Veget. II, 11). Por edhe «barbarët», duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me ushtritë romake e bizantine nëpërmjet luftërave, i kishin perfeksionuar në. shkallë të madhe armët dhe mjetet e -rrethimit, së paku që nga shek. V. Mjete të fuqishme rrethimi u përdorën kundër qytetit ilir të Naisit (Naissus, Nish). Hunët që e rrethuan qytetin, ndërtuan në fillim mbi lumë një urë që ushtria të kalonte lehtësisht dhe pastaj sollën pranë mureve makina luftarake dhe disa platforma trarësh të vendosura mbi rrota, për të lëvizur më lehtë. Mbi to qëndronin ushtarë, që qëllonin me shigjeta nga frëngji të maskuara. kundër atyre që mbroheshin nëpër bedenat e mureve. Që të luftonin pa u rrezikuar, platformat ishin mbuluar me çati prej thuprash dhe lëkurësh, të cilat i mbronin si nga shigjetat e zakonshme ashtu edhe nga ato me zjarr, që lëshonin mbrojtësit kundër tyre. Për shkatërrimin e mureve u përdorën «kryedeshë», ndërsa shkallët qëndronin në gatishmëri, për t´u vendosur në të çarat e mureve të krijuara nga kryedeshët, apo në pjesët e tjera të padëmtuara të mureve, pasi mbrojtësit të tërhiqeshin nga muret të detyruar nga breshëritë e shigjetave, të lëshuara nga platformat e lëvizshme. Kur makinat luftarake u vendosën pranë fortifikimit, mbrojtësit hodhën nga muret gurë të mëdhenj, që i kishin grumbulluar që përpara për këtë qëllim dhe disa nga këto makina bashkë me njerëzit që i përdornin i shtypën. Por ata nuk mundën t´i bëjnë ballë sasisë së madhe të këtyre makinave (Prisc. 16, 278-280). (1) C. Prashniker. A Schober, 26.
Posted on: Sat, 10 Aug 2013 19:30:00 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015