Proçedurat e vendosjes së INTACS dhe COLLAGEN CROSS LINKING - TopicsExpress



          

Proçedurat e vendosjes së INTACS dhe COLLAGEN CROSS LINKING aplikohen vetëm në Spitalin Amerikan Vendosja e INTACS dhe COLLAGEN CROSS LINKING janë dy metoda që rekomandohen për frenimin e evolucionit të Keratokonit 1 . Në Shqipëri, këto dy proçedura aplikohen vetëm në Spitalin Amerikan. 1 - Vendosja e INTACS Është një metodë kirurgjikale që konsiston në vendosjen kirurgjikale të unazave në formë harku, në trashësinë e kornesë duke realizuar kështu sheshimin e saj. Kjo proçedurë është shumë e përshtatshme dhe e rekomandueshme për pacientët të cilët nuk tolerojnë dot mbajtjen e lenteve të kontaktit të forta dhe në të cilët vlera e keratometrisë nuk i kalon 58 D. Gjithashtu u ofrohet edhe atyre individëve me keratokonus që duan të përmirësojnë shikimin. Kjo proçedurë kirurgjikale u aplikua për herë të parë në Francë para 8 vitesh dhe aplikohet tashmë si proçedurë rutinë në trajtimin e keratokonit në SHBA. Është proçedurë e aprovuar nga FDA dhe nën protokollin HDE. 2 - COLLAGEN CROSS LINKING Cross – linking është një metodë trajtimi jo– kirurgjikale, që bazohet në aplikimin e rrezeve ultraviolet A (UVA 365 nm) dhe riboflavinës (Vitamina B2) e cila rrit qëndrueshmërinë e strukturës së kornesë në 300%. Në studimet që janë bërë, një korne e tillë më e qëndrueshme, është treguar më rezistente ndaj tendencës për të progresuar në formën e keratokonusit. Ky trajtim aplikohet prej vitesh në Europë dhe rekomandohet në pacientë me Keratokonus progresiv, i shoqëruar ose jo me INTACS. Proçedura e trajtimit Ky trajtim konsiston në aplikimin e pikave të vitaminës B2 (Riboflavinës) në sipërfaqen e syrit. Më pas aplikohet ndriçimi me rreze ultraviolet në sipërfaqen e tij. Aplikimi i rrezeve ultraviolet stimulon proçesin e kolagjen cross – linking në korne dhe forcon mekanikisht kornenë duke ndaluar evolucionin e keratokonusit. Qëllimi i këtij trajtimi nuk është të korrigjojë numrin e syzave por të forcojë kornenë dhe të frenojë avancimin e keratokonusit. Pacientët mund të kenë nevojë përsëri të përdorin lente kontakti ose syza për të përmirësuar edhe shikimin. Proçedura është e padhimbshme dhe realizohet si më poshtë: Nën biomikroskop kryhet heqja e shtresës së sipërme të kornesë me një sfungjer të posaçëm dhe më pas kornea mbulohet me solucion me vitaminë (riboflavinë). Pritet rreth 45 min deri 1 orë derisa kjo e fundit të penetrojë plotësisht në brendësi të syrit. Pasi kjo gjë vërtetohet në biomikroskop, aplikohen rrezet UV (ultraviolet) në sipërfaqen e kornesë për rreth 30 min, me anë të një llampe speciale. Gjatë këtij aplikimi, proçesi i cross link-ut që lidh fibrat korneale me njëra-tjetrën, intensifikohet dhe përhapet në të gjthë kornenë. Më pas vendoset një lente kontakti në sy dhe rekomandohen kolire antibiotike dhe antiflamatorë për disa ditë. Përse është e nevojshme të hiqet epiteliumi (shtresa e sipërme e kornesë)? Epiteliumi (shtresa e sipërme e kornesë) vepron si barrierë ndaj cross linking. Zona ku epiteliumi mungon, stroma është më kompakte dhe proçesi i cross- linkut është kryer, ndërsa kur paraqitet kornea me epitelium fibrat korneale paraqiten të vendosura larg njëra- tjetrës dhe nuk evidentohet Cross-Link apo kompaktësim i strukturës. Cilat janë komplikacionet e mundshme të kësaj proçedure? Deri më sot janë raportuar shumë pak rreziqe nga ky lloj trajtimi. Rrezet ultraviolet përdoren me intensitet të ulët për të evituar dëmtimet e qelizave të kornesë dhe të strukturave të tjera në brendësi të syrit. Trajtimi zhvillohet në sipërfaqe të syrit dhe për këtë arsye për pak ditë pas saj pacienti mund të ndjejë : • diskomfort • mjegullim të pamjes • pamundësi për të vendosur lentet e kontaktit disa javë pas trajtimit • ndryshim në formën e kornesë që mund të shkaktojë ndryshim në numrin e syzave apo të lenteve të kontaktit 1 Keratokonusi është një sëmundje progressive e kornesë që evidentohet zakonisht rreth moshës 18 vjeç dhe konsiston në hollimin qëndror të saj. Për pasojë, forma e kornesë ndryshon nga asferike në cilindrike dhe kjo sjell ulje të shikimit dhe rritjen progressive të astigmatizmit (korrigjimit cilindrik). Shkaku I saj është ende I panjohur dhe ecuria e paparashikueshme. Prek zakonisht të dy sytë.
Posted on: Wed, 19 Jun 2013 16:46:26 +0000

Recently Viewed Topics




© 2015