Rama nis të shpërblejë aleatët e vegjël me rreshtin e dytë - TopicsExpress



          

Rama nis të shpërblejë aleatët e vegjël me rreshtin e dytë të kabinetit. Pas vendimit të një jave më parë ku u përcaktuan emrat e 23 zëvendësministrave, zbardhen emra të tjerë të listës së numrave 2. Për këto vendime emërimesh ka informacione me shkrim, por ka edhe të dhëna vizive. Rama preferon më shumë rrugën e dytë, sidomos në rrjetet sociale. Përmes fotos së publikuar në faqen zyrtare në Facebook, kryeministri Rama ka bërë të njohur indirekt edhe emrat e rinj të zëvendësministrave. Pas LSI-së dhe PBDNJ-së që u shpërblyen që në vendimin e parë me poste zv/ministri, këtë radhë vendimi ka qenë favorizues për aleatët e tjerë. Kreu i qeverisë i ka dhënë fund edhe dilemës se cilët do të jenë dy ndihmësit e ministrit të Financave, Shkëqim Cani. Zëvendësministri i ri i këtij dikasteri do të jetë Ervin Mete, i cili është kryetar i Partisë G99. Mete ka përfunduar studimet për të drejtën fiskale në një prej universiteteve të botës anglo-saksone, “London School of Economics” dhe master në programin e ligjit në Harvard. Ervin Mete, i rikthyer prej disa vitesh në Shqipëri, punon si pedagog i Fakultetit Juridik në një prej universiteteve europiane dhe njëkohësisht është i angazhuar në politikë si kryetar i Partisë G99. Në këtë mënyrë, kryeministri Rama i ka hapur rrugë edhe futjes së aleatëve të tjerë në qeveri. Një tjetër zëvendësministër i Financave është Erjon Luçi, duke e kompletuar drejtimin në këtë dikaster. Burime nga qeveria bëjnë të ditur se janë edhe 5 poste zëvendësministrash pa u mbyllur, ndërsa pritet që të shpërblehen edhe aleatët e tjerë të PS-së. Paskal Milo, Skënder Gjinushi, Mark Frroku priten që të marrin nga një post zëvendësministri për partitë e tyre. Burime nga aleatët bëjnë të ditur se emërimet e reja mbyllen brenda kësaj jave duke plotësuar edhe nivelin e dytë të drejtuesve të ministrive. Ende kreu i qeverisë nuk ka emëruar dy zëvendësministra te Ministria e Drejtësisë, një zv/ministër te Mbrojtja si dhe një tjetër te Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Ndërkaq, një emër nga fusha e biznesit është përfaqësuar këtë radhë në qeveri, Alban Zusi, që është zgjedhur zëvendësministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rual dhe Administrimit të Ujërave. Në këtë ministri është emëruar edhe Jani Baba i PBDNJ-së. Një javë më parë, kryeministri Rama emëroi në Ministrinë e Punëve të Brendshme dy zëvendësministra, Elona Gjebrean dhe Ilirjan Mustafaraj të cilët përfaqësojnë LSI-në. Ministria e Arsimit dhe e Sportit do të ketë si numra dy të saj Nora Malaj e LSI-së dhe Arbjan Maznikun nga PS. Shëndetësia do të ketë Milva Ekonomi dhe Klodian Rjepaj, të cilët do të jenë bashkëpunëtorët e ngushtë të Ilir Beqajt, kurse tek Ministria e Energjisë dhe Industrisë do të jenë Dorjan Duçka nga LSI si dhe ish-deputetin socialist, Ilir Bejtja. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj do të ketë si bashkëpunëtor të tij Bardhylka Kospirin dhe Gentiana Sulën. Ylli Manjani i Lëvizjes Socialiste për Integrim i rikthehet sërish detyrës së zëvendësministrit në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës. Ish-diplomati Dritan Hila do të jetë i vetmi zëvendësministër i Mbrojtjes. Ndërsa LSI do të përfaqësohet në Ministrinë e Punëve të Jashtme nga Sokol Dervishaj. Po në postin e zëvendësministrit të Ministrisë së Punëve të Jashtme është dhe përfaqësuesi i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Alqi Puli. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes do të ketë vetëm një zëvendësministre, Brunilda Paskalin e cila është përfaqësuese e LSI-së. Ndërsa zëvendësministra të Integrimit Evropian janë zgjedhur Gentian Elezi dhe Majlind Lazimi. Ish-kandidati socialist, Zef Çuni është numri dy në dikasterin e Kulturës ndërsa arkitekti Gjon Radovani do të mbajë postin e zëvendësministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Përfaqësuesi i tretë për PBDNJ-në është një femër, Oljana Ifti e cila do të mbajë postin e zëvendësministres së Mjedisit së bashku me ish-kandidaten socialiste në zgjedhjet e 23 qershorit në Shkodër, Diana Bejko.
Posted on: Tue, 08 Oct 2013 08:35:42 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015