Ramiz LUSHAJ TË PAUDHËT KUNDËR RRUGËS DURRËS-PRISHTINË - TopicsExpress



          

Ramiz LUSHAJ TË PAUDHËT KUNDËR RRUGËS DURRËS-PRISHTINË 1. Në ballinën e faqes zyrtare “Prokuroria Shqiptare”, poshtë “Peshores së Drejtësisë”, sipër triptikut me foto të Flamurit Kombëtar Shqiptar, godinës e stafit të institucionit të akuzës, më befasoi paragrafi i pestë: “Qëllimi i punës sonë është që para drejtësisë të vihen një numër sa më i madh personash që kanë kryer vepra penale”. Ky normim më krijoi ide-imazhin: Sikur, prokuroria, ky institucion i shtetit demokratik shqiptar ende punon “me plan” akuzash e prangash si në kohën e diktaturës komuniste të RPSSH (!). Sikur prokuroria është ende e paçliruar terësisht në psikologji e metodologji nga paraardhësit prokurorë kuqalosh të Enveriadës, si Aranit Çela, Bedri Spahiu, Rrapi Mino, etj., që i shkruan faqe të zezë këtij institucioni të shtetit e skalitën urrejtjen e ndërgjegjes e memories shqiptare ndaj veprimtarisë politike të tij. Pikërisht sallakëria e “Plan-Ofiqëve”, me pultime e gradacione, edhe sipas menysë oreksale të paragrafit 5, e kanë futur në rreth të kuq shigjetues si “Plan-Aksion” të tyre Rrugën gjeostrategjike Durrës-Prishtinë, firmëtarët e ndërtuesit e saj, me ravijëzime e piketime në dosjen hetimore “Nr.1” të kalkuluar e kamufluar juridikisht si turrëdrurësh galileonian për të “djegur” me benzinë politike “sa më shumë persona!”(!), veçanërisht e kryesisht Ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha. E keni dëgjuar e lexuar se si në disa masmedia pranë sallakërisë së politikës e prokurorisë sallake arrijnë deri aty sa të japin “pretenca” për Ministrin e Jashtëm sikur dënohet kaq e aq vite burg (!). Kjo më ngjan me kohën e Enveriadës kur njerëzit nga gjyqi në kolektiv përcilleshin në prokurori dhe në gjyq iu jepnin denim kolektiv duke i flakur në burg! Prokuroria e Përgjithme, reformë-arrnuar, e blinduar sollakërisht, ngjan me një qendër zjarri enveriane të “Luftës së Ftohtë”, që gjuan me breshëri politiko-juridike mbi Qeverinë Shqiptare duke i përdorur si “tabela qitjeje”: Rrugën Durrës-Prishtinë, Gërdecin, Fazlliçin, etj. dhe duke u stër e keq munduar në vetëvete për të krijuar në mes tyre lidhje artificiale e parciale, merimangore e hutnore, që të ndezin situatën politike në vend (!). Në këtë “stërvitje” politiko-juridike imagjinare prokuroria pandehë se me gjuajtjet ndaj Rrugës Durrës- Prishtinë do të vlerësohet me notën “10”, pasi na i vetëkalkuloka me “Plan-Aksion” , jo vetëm faktet, por edhe datat: Më 10 dhjetor 2007 ministri Lulzim Basha u paraqitë në Prokurorinë e Përgjithshme dhe, prapë, pikërisht më 10 dhjetor 2008, Prokuroria e Përgjithshme bën publike në masmedia Kërkesën për Gjykim të adresuar për në Gjykatën e Lartë. Prokuroria e Përgjithshme nuk e ndalë marshimin e saj ushtarako-politik në formacion luftimi juridiko-politik, duke ankimuar çështjen në të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar, ndonëse 4 herë iu kanë sprapsur hapat e ka humbur pikët në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Tiranës dhe në Gjykatën e Apelit të Tiranës, duke marrë me të drejtë notën e vetmerituar “4” dhe, sipas të Drejtës e të Vërtetës, nuk mund të kalojnë “klasën” as në Gjykatën e Lartë të Republikës së Shqipërisë. 2. Oreksi sallak i paragrafit 5 kundër firmëtarëve legjendarë të rrugës, në këto dy vitet e fundit, është keqorkestruar juridikisht mbi pentagrame politike të së majtës. Këtë çështje hetimore të skeluar me “Nr.1”, të gjithë bashkorganizatorët e hapur e të fshehur, duan ta tregtojnë si “Hymn politik elektoral” majtist në vitin 2009, prandaj përgadisin çorbën e torbën për të bërë kurban elektoralo-prangor “kokën” e Ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, i cilësuar “Djali i Artë ( Golden Boy) i Qeverisë Berisha”. Kësaj kacavjerrjeje, tjerrjeje e bjerrjeje politiko-juridike i kanë dalë përjashta rrënjët e dhëmbët edhe me Kërkesën për Gjykim të Prokurorisë së Përgjithshme me akuza remacioniste e deshtake kundër Lulzim Bashës, të paraqitur më 5 dhjetor 2008 në Gjykatën e Lartë. Kjo Kërkesë programore për Gjykim ka 27 faqe, ndërsa vet Programi i Qeverisë Berisha për vitet 2005-2009, i paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë, më 8 shtator 2005, përmban vetëm 30 faqe. Loja “Kaladibrançe” e politikës sallake e sallakërisë së prokurorisë mbi dosjen për Rrugën Durrës-Prishtinë, me ndersim për të dëmtuar imazhin e arritjet e Qeverisë Berisha e penguar punën e gjigandit amerikan Bektel, ngjajnë si kodër me ranë në brigjet e detit me malin e lartë alpin të Shkëlzenit. Prokuroria në dy vjet ka hartuar një Kërkesë për Gjykim me 27 faqe e 4 fashikuj, ndërsa Qeveria Berisha gjatë këtyre dy viteve ka shënuar vargmale alpine me arritje historike për Kombin Shqiptar, ku veçojmë 4 prej tyre: Marrjen e Ftesës për Antarësim në NATO më 3 prill 2008 dhe 26 shtete do të Ratifikojnë Protokollin e Antarësimit në prillin e ardhshëm. Nga 26 tetori 2006 deri më 4 dhjetor 2008, nga 27 shtete të BE 26 prej tyre kanë Ratifikuar MSA me BE e vitin e ardhshëm fiton statusin e vendit kandidat për në BE. Kosova më 17 shkurt 2008 e fitoi Pavarësinë dhe është njohur nga 53 shtete. Në dy vitet e fundit siguroi me punë e miratoi në Kuvend buxhete shtesë dhe në vitin 2009 garanton buxhetin më të madh në historinë e Shqipërisë me mbi 5 miliardë USD. Politika sallake e sallakëria e prokurorisë nuk matet dot as me ritmet e as me lartësitë e gjigandit amerikan Bektel, që ka 27 muaj që punon në këtë rrugë, në segmentin më të vështirë Rrëshen-Kalimash (tetor 2006–dhjetor 2008) dhe prokuroria në dy vjet intervenime e investigime kundër saj ka hartuar vetëm 27 faqe të një Kërkese për Gjykim. Bektel do të përfundojnë edhe 27 ura të mëdha në mbi 4 km të kësaj rruge e Prokuroria e Përgjithshme ka në duar një Kërkesë për Gjykim me 27 faqe e 4 fashikuj për dy vjet! Kjo rrugë e zhvillimeve e integrimeve shqiptare do të përfundojnë në qershor të vitit 2009 e ndoshta Prokuroria e Përgjithshme ende do të vazhdojnë të merret me frymëmarrje azmatike juridike e pompime politike me këtë dosje hetimore epilepsike, duke kërkuar shtyrje pas shtyrjes, siç kërkoi më 8 nëntor 2008, në ditëlindjen e PKSH, e ndoshta edhe me 16 tetor 2009, në ditëlindjen e Enverit. Dosja hetimore për Rrugën Durrës-Prishtinë, për nga sulmi juridik stalinist e bombardimi politik bolshevik e eterizimi mediatik “ZëP-ist” duket sikur është një mal që ngrihet apo një lumë që rritet, por, në të vërtetë, nga viti 2007 në vitin 2008 ka mbetur si një kodrinë bokrinë, si një përrua në thatinë. Para një viti kjo dosje trumbetohej se kishte 7 fashikuj, ndërsa në këtë fundviti 2008 përmban vetëm 4 fashikuj (3 të prokurorisë dhe 1 raport të dy ekspertëve kontabël). Kërkesa zyrtare e kryeprokurorit Sollaku drejtuar Parlamentit më 17 tetor 2007 për heqjen e imunitetit të deputetit Lulzim Bashës, ish-ministër i MPPTT, sot Ministër i Jashtëm, kishte 25 faqe, ndërsa Kërkesa për Gjykim e Kryeprokurores Ina Rama drejtuar Gjykatës së Lartë më 5 dhjetor 2008 përmban 27 faqe. Në vitin 2007, në dy shinat e hetimit, klasifikoheshin si “traversa” deri në mbi 50 akuza sallakiane ndaj Ministrit Lulzim Basha, (më shumë se ç’kishte ngritur Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për Millosheviçin), ndërsa në fund të vitit 2008 renditen mbi 20 të tilla… Lentosja, Lanetosja dhe Lanosja e kësaj Dosjeje, të cilësuar si “Çështja Nr.1” në Prokuorinë e Përgjithshme, si “Çështja A” në politikën majtiste, si “Çështja Nurenberg” nga armiqtë e kundërshtarët e rrugës, pas zjarrit politik të ndezur me shkarpa dëllinje juridike, ka mbetur si prushi mbi hirin… Çështja e Rrugës Durrës-Prishtinë i ndanë në opinionin publik atdhetar e demokratik: veç prokurorët e Djallit nga prokurorët e Shënjtit. 3. Më 27 dhjetor 2007, në atmosferën festive të Krishtlindjeve e Vitit të Ri, si askund në botën e qytetëruar, Parlamenti Shqiptar, semaforoj, në bazë të kërkesës dritëkuqe të Prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku duke ia hequr imunitetin e deputetit Lulzim Bashës dhe ndezur “dritën jeshile” sallakërisë së prokurorisë e politikës sallake për të vazhduar hetimet-kryqëzatë mbi Rrugën Durrës-Prishtinë me synimin e vetëm për të “kryqëzuar” Bashën 33 vjeçar në moshën e Krishtit. Civilizimi qytetar e politik i Lulzim Bashës, virtytet e tij shqiptare dhe kultura e tij perëndimore e bënë të ngrihet mbi politikën, duke qëndruar më lart, më drejtë e më fort se ajo edhe në këtë rast, pasi ishte shtysë primare vullneti i tij për heqjen e imunitetit të deputetit, jo vetëm se ishte e mbetet i sigurtë në pafajësinë e vet përballë akuzave të politikës së majtë e të sallakërisë së prokurorisë, por edhe politikës së djathtë donte t’i jepte siguri se nuk do të ishte “problem” i saj… Me formatin e vet si politikan i ri i kohës, me profilin e vet si minister i sukseshëm, i dha sfidë Parlamentit, i dha modelin e vet: “Modelin Basha”, për ta pas shembull Parlamenti e jo për ta marrë si shembull Parlamenti. Kjo edhe për faktet se, më 24 shtator 2005 ngërçoi në Parlament nisma e prenotuar për kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe, në çdo hapnisjeje të deritanishme, ka mbetur premtim elektoral e ligjor i vonuar… 4. Ministri Lulzim Basha në heqjen e imunitetit të deputetit nuk ka lidhje me Prokurorin e Përgjithshëm Theodhori Sollaku, përkundrazi: Sollaku ka lidhje me heqjen e imunitetit të Bashës. Kjo nuk është lojë fjalësh, po është vetë loja gurgace, ngucaçe e gungaçe e vet Sollakut. Së parit, për hir të Vërtetës e në emër të Drejtës duhet thënë se nuk ishte shkakësor deputeti e ministri Lulzim Basha në problematikat e koklavitura të Kryeprokurorit, por vet figura, firma e firaunizmi i Sollakut në krye të Prokurorisë së Përgjithshme (nga 29 marsi 2002 e deri më 22 nëntor 2007). Së dytit, duhet shtuar se beteja politike demokratike e të djathtës, dje në opozitë e sot në pozitë, për ta ngritur Prokurorinë në lartësinë e misionit të saj fisnik e historik, që të shohin nga Drejtësia e jo nga Sallakëria , kishin start, shtrat e shtat, që kur Lulzim Basha ishte me UNMIK-un në Kosovë. Së tretit, vet dinjiteti i lartë i Lulzim Bashës, si qytetar e si shtetar, nuk ia lejonin e nuk mund t’ia atributonin, të hynte në xhunglën e Sollakut e në ujërat e Sallakërisë, sepse Sollaku po (ç)merrej me vetveten e Sallakëria me të shkuaren e vet komuniste. Sepse sa ka takuar Lulzim Basha burra shtetesh nëpër botë, Sollaku nuk ka arritë të presë as prokurorë apo hallexhinj në zyrën e tij. Sepse Lulzim Basha, si ish-Ministër i MPPTT ka hedhur firmën për Rrugën Durrës-Prishtinë, që është kryevepra ndërtimore e shekullit shqiptar, ndërsa Sollaku ka hedhur firmën e vet mbi dosjen sulm-akuzuese ndaj kësaj rruge, që përben turpin e tij më të madh në jurispudencën shqiptare e në shekullin shqiptar. Biles, personaliteti i Lulzim Bashës nuk ia mundësonte personalizimin, prandaj, jo pakuptimërisht, në 77 votat që votuan pro shkarkimit të Sollakut më 5 nëntor 2007 mungonte edhe emri e vota elektronike e Lulzim Bashës, pasi ndodhej jashtë shtetit dhe, tjetra, Sollaku kishte dalë jashtë vetes si shqiptar, jashtë misionit zyrtar, jashtë profesionit fisnik. Së katërti, ende pa filluar Rruga Durrës-Prishtinë, në aksin Rrëshen-Kalimash, ku do të punonte Bekteli amerikan, kur ende kjo çështje nuk ishte bërë objekt mediatik dhe as hetimor, maxhoranca në pushtet e ngriti Komisionin Parlamentar Hetimor (më 2 maj 2006) të cilësuar si “Sollaku 1” dhe më 4 korrik 2006 ngriti akuza të rënda ndaj kryeprokurorit Sollaku, të cilat çuan llogjikshëm në shkarkimin e tij në Parlament, më 24 korrik 2006, (ku opozita e majtë e bojkotoi votimin), por më 13 tetor 2006 ish-Presidenti zyrtar-pensionist, Alfred Moisiu, nuk e dekretoi shkarkimin e tij. Së pesti: Pas 4 muajëve, në mars 2007 e në vazhdim, Sollaku me sallakërinë e tij, e kushtëzoi politikisht e juridikisht “Çështjen Basha” në dy alternativa: Ose “pengmarrje” politike të Lulzim Bashës si Ministër i Jashtëm për të qëndruar vet në postin e lartë të Prokurorit të Përgjithshëm ose “prangosje” si të pandehur të deputetit e ish-Ministrit të MPPTT për Rrugën Durrës-Prishtinë në rast se pozita e sulmonte e shkarkonte nga detyra(!). Mirëpo, Theodhoriu, që nuk e donte Rrugën nga Veriu…,në makiavelizmin e tij, në ëndrrën për t’i pasë këto dy alternative si “Levë Arkimedi”, nuk i eci dhe i ngeci si njëra dhe tjetra, si para gjykimit të Zotit e të Drejtësisë, si para gjykimit të Kombit e të Demokracisë. 5. Prokurori i Përgjithshëm Sollaku, më 9 mars 2007, e shënjoi me përzgjedhje politike sallake e për interesa të karrikes e kollares së tij çështjen hetimore për Rrugën Durrës-Prishtinë, ndërsa më 13 shtator 2007 e galanxhon vorbullisht “Çështjen Basha”, duke e firmuar e nishanuar si “Çështja Nr.1”. Këtë mëkat nuk ka “Peshore Drejtësie” në botë që ia mban, këtë turp nuk ka lumë të pastër që ia lan, këtë faj toka shqiptare nuk ia mban. Kjo për arsyet se e përdori Rrugën Durrës-Prishtinë për të fshehur tunelet e zeza të krimit, sepse e përdori këtë çështje si “rimorkio-ngarkuar” për t’ia keqlidhur Qeverisë Berisha në autostraden e zhvillimeve e integrimeve shqiptare, sepse e përdori si minë kamikaze për të sulmuar të pafajshmit e akuzuar dhe për të mjergulluar mbrojtjen e të akuzuarëve të fajshëm. Fakti i parë: Në vitin 2006 vetëm 31.8 për qind të çështjeve i dërgoi për gjykim në gjykatë, ndërsa 68.2 për qind e dosjeve hetimore flinin në sirtarët e prokurorisë (!). Fakti i dytë: Nuk i ekzekutoi 225 urdhra arresti të lëshuara nga autoritete të huaja për shtetas shqiptar të akuzuar për vepra të rënda penale. Fakti i tretë: Ka pranuar lirimin e jo më pak se 22 të dënuarëve për vepra penale, për shkaqe terësisht manipulative e abuzive. Fakti i katërt: Ka arkivuar jo më pak se 19 dosje të pushuara nga gjykatat. Fakte ka sa të duash, por fakti i fakteve është se Sollakut e Sallakërisë iu duhej dosja hetimore për Rrugën Durrës-Prishtinë se do të bënte jehonë më të madhe kombëtare e ndërkombëtare. E para: rruga shkonte drejt Kosovës, që ishte në finish të shpalljes së Pavarësisë e në starte të njohjes ndërkombëtare të saj. E dyta: kërkonin të godisnin kryevepren ndërtimore të Qeverisë Berisha e të shekullit shqiptar. E treta, atje punonte gjigandi amerikan Bektel e disa firma të huaja të vendeve antare të Këshillit të Sigurimit, të Bashkimit Europian e të NATO-s. E katërta: të fusnin këtë rrugë mbarëshqiptare në “Luftën e Korridoreve” të Europës. E pesta: donin të sulmonin Ministrin e Jashtëm për të ndikuar në proçesin e Ratifikimit të MSA të Shqipërisë me BE, të Ratifikimit të Protokollit të Antarësimit të Shqipërisë në NATO, etj. E gjashta: për të amortizuar sadopak arritjet e larta e të pandalura të së djathtës në pushtet në Elektoriadën e vitit 2009. 6. Në mesnatën e 22 marsit 1998, në mënyrë komuniste mafioze, Prokurori i Përgjithshëm, Arben Rakipi, i arrestoi 6 zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike: ish-Ministrin e Mbrojtjes, Safet Zhulali, ish-Ministrin e Brendshëm, Halit Shamata, ish-Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Blerim Çela, ish-Nënkryetarin e SHIK-ut, Bujar Rama dhe dy funksionarë të lartë të policisë e ushtrisë shqiptare, Sokol Mulosmani e Kreshnik Lushaj. Të nesërmen, paraardhësi i Sollakut e Ina Ramës, doli në konferencë shtypi e deklaronte i ngazëllyer për arrestimin e tyre me akuzën e ushqyer politikisht e shqyer juridikisht “Krime kundër Njërzimit”, siç i akuzon Gjykata e Hagës kriminelët millosheviçianë të Serbisë shoviniste për genocid gjakatar e spastrim barbar kundër Shqiptarëve të Kosovës. Deri më 16 prill 2002, i quajturi “Grup i të Gjashtëve”, duke e ndjekur çështjen e akuzës së padrejtë të Prokurorisë së Përgjithshme nëpër shkallët e gjyqësorit shqiptar, arritën të marrin pafajësinë dhe dëmshpërblimin, ndërsa sallakëria e prokurorisë turpin e dështimin. E njëjta skemë po ndodh edhe me të akuzuarit nga Prokuroria e Përgjithshme për Rrugën Durrës-Prishtinë. Pas 6 muajëve nga nisja e hetimeve, Sollaku me sallakërinë e tij, brenda dy ditëve, më 6 e 7 shtator 2007, i cilësoi të pandehur tre zyrtarë të lartë të MPPTT-ve: Armand Telitin, në detyrë, ish-Zv/Ministër, Andi Tomën, ish-drejtor i Drejtorisë Juridike e Shërbimeve dhe Lejla Saraçin, ish-drejtore e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Më 27 shtator 2007 e vendos emrin e Ministrit Lulzim Basha në Rregjistrin e Rregjistrimeve Penale, dhe, me shpejtësi proçeduriale, i kërkon Kuvendit autorizim për proçedim penal ndaj tij. Siç iu desh “Grupi i të Gjashtëve” për të amortizuar sadopak rebelimin majtist të 97-tës, vrasjen e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari, fillimin e luftës në Kosovë e eksodin e saj, etj., iu duhet edhe në këto dy vite një tjetër “grup armiqësor”(!) i Rrugës Durrës-Prishtinë, “Grupi i të Katërtëve”(!) për të frenuar, anashkaluar e manipuluar Reformën në Drejtësi, zbatimin e Ligjit për Dosjet, miratimin e Ligjit për Prokurorinë, vrullin e investimeve të huaja në Shqipëri, etj. Mirëpo, shumë shpejt, “Grupi i të Katërtëve”(!) do të marrin pafajësinë përballë Ligjit dhe të paudhët e Ligjit do të mbesin tek ish-këneta e Maliqit. Lulzim Basha do të mbetet Lulzim Basha, i paprekur nga myku e ndryshku i akuzave politiko-juridike e antikombëtare të sallakërisë së sotme, “Djalë i Artë” (Golden Bay) i Qeverisë Berisha, i Shqipërisë së Shqiptarëve dhe i kësaj rruge-kryevepër të shekullit shqiptar. Rruga do të përfundojnë në vitin 2009, ndërsa të paudhët kundër kësaj rruge gjeostrategjike të zhvillimeve e integrimeve shqiptare do të mbetën të turpëruar përgjithmonë. Tiranë, më 24.12.2008
Posted on: Sat, 24 Aug 2013 17:48:07 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015