Rinia Shqiptare Në njëzet vitet e fundit të rinjtë - TopicsExpress



          

Rinia Shqiptare Në njëzet vitet e fundit të rinjtë shqiptarë i kanë përjetuar, pothuajse, të gjitha momentet e mira dhe të vështira, ku herë kanë qenë protagonist dhe herë kanë qenë viktima të proceseve të “baballarëve” të tyre. Të rinjtë shqiptarë në fillim të viteve 90-të, morën guximin dhe u ngritën kundër regjimit mizor komunist, duke e përmbysur atë. Ata punuan me përkushtim dhe me zell për ndërtimin e institucioneve demokratike në vend, morën rrugën e mërgimit për një jetë më të mirë, vendosën të shkollohen jashtë për të qenë të zotë dhe të aftë për një të ardhme më të mirë personale dhe kolektive. Të rinj shqiptarë qenë viktima të pafajshme të ngjarjeve të 97-ës, të rinjtë shqiptarët ishin ata që ngritën flamurin shqiptar në Irak dhe Afganistan me mision paqeje përkrah gjigantëve të botës, të rinjtë shqiptarë me guximin dhe besimin e tyre ndihmuan fort që Shqipëria të integrohej në NATO, të rinjtë shqiptarë bënë luftën për liri në Kosovë, duke dhënë kontributin e tyre për një shtet të pavarur sovran, demokratik dhe multietnik. Të rinj shqiptarë u bënë promotorë të kulturës, të historisë, traditës dhe të virtyteve shqiptare nëpër botë. Ata u bënë ambasadorë të vetes, të familjeve të tyre dhe të vendit të tyre, Shqipërisë. Të rinjtë shqiptarë u ngritën kundër shtypjes dhe skllavërimit të shqiptarëve në Maqedoni. Pra, rinia shqiptare ishte aty, ku s’kishte të drejta për t’i përfituar ato, ishin të pranishëm aty, ku mizoria mbretëronte për ta rrëzuar atë, ishin në radhët e para për të fituar dinjitet, besim, guxim, integrim dhe forcë për modernizim. Po sot kush është rinia shqiptare? Rinia shqiptare sot është shumëngjyrëshe dhe me dimensione të gjera, që bien në kundërshtim me njëra-tjetrën. Ajo është në një moment të vështirë për të identifikuar me veten dhe me proceset që ndodhen përreth saj. Rinisë shqiptare nuk i mungon guximi, përgatitja akademike, forca dhe energjia për të qenë vetvetja. Problemi kryesorë i rinisë shqiptarë është se: ajo, në këto momente, ka mungesë bashkëpunimi, ose me terma më të saktë ajo është plotësisht e çoroditur. Bashkëpunimi ose loja e bashkëpunimit, duke u nisur që nga disiplina shkencës politike deri tek disiplina e marrëdhënies mes njerëzve dhe kombeve përbën çelësin e suksesit ose jo suksesit individual/kolektiv. Ne, rinia shqiptare sot, jemi një forcë reale që mund t’i diktojmë politikës shqiptare hapat dhe reformat, që duhet të ndërmarr për të gjithë shqiptarët. Ne nuk kemi nevojë që t’i nënshtrohemi politikës shqiptare që ajo të na përfshijë në mjedisin e saj, ne jemi një forcë reale dhe një botëkuptim i gjerë intelektual që mund të influencojmë përmes bashkëpunimit tonë dhe ideve tona jo vetëm në mjedisin e politikës shqiptare, por edhe më gjerë, duke përfaqësuar veten tonë. Rinia shqiptare, sot, ka në dorë fatet e veta dhe të vendit, sepse ka një pasuri të madhe akademike dhe intelektuale, një forcë reale, të gjallë dhe freskët, një dëshirë për bërë ndryshimin, për të gjetur veten në vendin e vlerave dhe të proceseve reale njerëzore. Ajo thjeshtë duhet të ketë një nivel më të lartë bashkëpunimi, si dhe një nivel të lartë besimi për të konkretizuar të gjitha vizionet dhe idetë e saj.
Posted on: Sun, 28 Jul 2013 21:15:43 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015