Rruga Fier-Tepelenë dhe Mallakastra midis… Ndarja duhet kuptuar - TopicsExpress



          

Rruga Fier-Tepelenë dhe Mallakastra midis… Ndarja duhet kuptuar vetëm si vendndodhje fizike ndërmjet dy krahinave. Ballshi ka qenë nyja kyçe e lidhjes së krahinave jugore me Myzeqenë dhe pjesën tjetër të vendit. Përmbi 70 vite, nga Fieri për në Tepelenë, Përmet, Gjirokastër, Sarandë dhe pikat e kalimit kufitar të fqinjit jugor, rruga kryesore ishte përmes Mallakastrës. Gjatë, kthesa, terreni malor e shndërronin udhëtimin në një kalvar mundimesh. Tashmë,aksi i ri i Jugut. Fier-Tepelenë e përshkon Mallakastrën në një reliev tjetër. Lugina e Vjosës shpalos bukurinë dhe pasurinë e kësaj krahine. Udhëtimi bëhet më i shpejtë, më shkurt, ekonomik dhe bukur gjithsesi. Para pak ditësh udhëtova për në Mallakastrën e Sipërme, apo të egër, sikurse jemi mësuar ta themi në dallim nga pjesa e ulët e së njëjtës krahinë. Meqë segmenti Levan-Fratar është i kalueshëm, zgjodha atë drejtim lëvizjeje.Sapo arrin ne Cakran,ne te djatht syri të sheh fusha të pafundme dhe lumin Vjosa me kaltërsinë e rrëmbyeshme të tij. Është kaq i bukur ky lum sa nuk gjej krahasim më të bukur sesa vargu i një kënge që mallakastriotët këndojnë për zonën e tyre dhe shprehen "Vjosa si gjerdan në gushë".Sapo kaloj territorin e kësaj komune,asaj te Cakranit rruga çan fshatrat e Komunës Hekal. Jam futur në Mallakastrën e Sipërme. Hekali si monument Kjo komunë ka 5400 banorë, rreth 1150 shtëpi. Rromsi është fshati i parë i kësaj komune. Kurora e gjelbër e ullinjve i rri fshatit mbi krye si një çadër e madhe. Këtu kodrat bëhen më të thepisura dhe nuk di pse si quajmë male. Brezi mbi ullinj është i mbushur me makia (mare, përrallë dhe shkurre) duke e bërë gjithçka të gjelbër pavarësisht stinës. Fshati Mollaj është vetëm 2 km larg. Vërej se këtu ndërtohen dhjetëra shtëpi të reja dhe ullishtat po zbresin edhe në fushë. Fshati Hekal shfaqet befasisht me hije të rëndë dhe me emër të madh. Një fshat, një histori mijëra vjeçare. Vendosur në faqen e kodrës zotëron luginën e Vjosës. Këtu, toka është e mbjellë me ullinj, nëntoka me bazilika e legjenda. Përmbi ullishta, spikatin konturet e Bylisit, qytetit ilir më të rëndësishëm të shekullit V, sidomos mbas rënies ekonomike të Apolonisë. Ndërtuar në një territor prej 30 ha, qyteti kishte institucionet kryesore, por edhe agoran, shëtitore, amfiteatër, punishte qeramike, vaji etj. Nga rruga e re nacionale, qyteti ilir është krejt afër, rreth 6 km. Një mundësi më shumë për turizmin historik dhe kulturor. Mbrapa kodrës së Hekalit është një tjetër qytet antik i Ilirisë, Nikaja. Mbretëria e ujit Asnjë hiperbolë. Kjo është e vërteta. Kam hyrë në Poçem, fshat i vogël i Komunës Kute. Këtu, nëpërmjet një ure mbi lumin Vjosë, bashkohet Labëria me Mallakastrën. Shtëpi guri, restorante, hotel, të ndërtuara mbi apo përkrah burimeve të ujit. Uji shpërthen nga një masiv i madh shkëmbor dhe ka përmbajtje të lartë mineralesh. 8 km në Verilindje të këtij fshati, rrëzë kodrave të fshatit Kapaj ka burime termale. Të pashfrytëzuara ato derdhen në lumin Povel. Këtu pra, ky lum lokal e humbet autonominë e tij dhe i bashkëngjitet Vjosës. Poçemi është basen i rëndësishëm i ujërave të mrekullueshëm. Nga këto burime furnizohet qyteti i Ballshit dhe shumica e fshatrave të Mallakastrës. 200 m larg transhesë kryesore tërheq vëmendjen fabrika e ujit të amballazhuar "Fontana" dhe një pyllnajë në ngjyrë zjarri me rrepë shekullor. Rruga vazhdon përmes një masivi malor-shkëmbor. Janë kodrat e Kremenarit. Poshtë shkëmb i bardhë, lart shkurre e dafina. Disa tufa me dhi kullotin të qeta edhe pse gryka e përroit ushton nga makineritë e rënda. Është zona që mbarështon shumë dhi dhe ka famë për mishin e shijshëm. Nuk e ndjek më rrugën, fillin e mendimeve po.Është e bukur vera në Mallakastër. Është e mahnitëshme çdo stinë në këtë krahinë.
Posted on: Wed, 07 Aug 2013 14:15:19 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015