SOT LINDI NJË KULTURË E RE DEMOKRATIKE Shënim përmes një - TopicsExpress



          

SOT LINDI NJË KULTURË E RE DEMOKRATIKE Shënim përmes një dhimbje njerëzore Sot mund të themi se mori rrugë një kulturë e re demokratike në marrëdhëniet midis shqiptarëve, marrëdhënie që në këto vite kanë qenë të kushtëzuara nga bindje qorre politike dhe mbrojtje të “bunkerëve” partiakë. I kemi jetuar rritjet me hapa të ngadalta pas 23 qershorit. E jetuam më një dhimbje mbarëkombëtare; në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e në mbarë botën sot. Sokol Olldashi, gazetar, politikan, bir dhe baba, u nda tragjikisht nga jeta. U nda për tu përcjellë me një nderim që nuk ishte parë kurrë gjatë gjithë këtyre viteve kalimtarë. Qeveria Shqiptare të enjten më 21 nëntor 2013 e shpalli “ DITË ZIE KOMBËTARE”, në nder dhe respekt të Sokol Olldashit. Qeveria Shqiptare urdhëroi që flamuri kuq e zi të ngrihet në gjysmë shtize. Kryeministri i Shqipërisë i iku vizitës jashtë vendit për të qenë i pranishëm në vendimet e Qeverisë dhe në homazhet organizuar nga protokolli i shtetit. Për herë të parë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë ishin bashkë me lot në sy... Kanë ndodhur vdekje tragjike gjatë këtyre viteve, vdekje aksidentale dhe vdekje vrastare. Më 2 maj të vitit 2009, tek porta e shtëpisë së tij, u qëllua dhe vdiq deputeti socialist Fatmir Xhindi. Në kronikën e përcjellë asokohe shkruhej... Roskovec 3 maj 2009 - Përcillet për në banesën e fundit deputeti i PS Fatmir Xhindi i cili u vra mbrëmë nga persona të panjohur para banesës së tij me gjashtë plumba. Mijëra qytetarë kanë marrë pjesë sot pasdite në ceremoninë mortore të deputetit Fatmir Xhindit që u zhvillua në Roskovec. Pasi u mbajt një minutë heshtje, ceremonia vazhdoi me përcjelljen e arkëmortit me trupin e pajetë të Xhindit drejt varrezave të fshatit Kurjan, 7 km larg Roskovecit... Për Fatmir Xhindin deputet nuk u organizua ndonjë ceremoni zyrtare mortore. Për deputetin Fatmir Xhindi nuk u shpall zi kombëtare dhe as flamuri kuq e zi nuk u u ul në gjysmë shtizë. Vrasja e Fatmir Xhindit nuk është zbardhur edhe pse kanë kaluar më se katër vjet. Sot Qeveria Rama dha një shembull që duhet përgëzuar. Jemi një popull i vogël, popull që po të hysh thellë në gjenealogjinë e njerëzve dalim kushërinj. Dita e sotme na dha një shembull se si duhet ti jemi pranë njeri tjetrit pa dallime partiake, fetare e krahinore. Ngushëllime familjes Olldashi nga një gazetar i vjetër. Abdurahim Ashiku Gazetar mërgimtar Athinë, 21 nëntor 2013
Posted on: Thu, 21 Nov 2013 19:08:53 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015