Shqiperi-Bjellorusi 0-0 kryesoreNjë Shqipëri “e re” me - TopicsExpress



          

Shqiperi-Bjellorusi 0-0 kryesoreNjë Shqipëri “e re” me probleme të vjetra. Kombëtarja nuk shkon më shumë se barazimi 0-0 në miqësoren ndaj Bjellorusisë, teksa për të shmangur humbjen, ndoshta edhe me një rezultat të pastër, mendon portieri Etrit Berisha. Ky i fundit ishte i vetmi që arriti të shkëlqente, duke evituar gola të sigurt dhe pritur një penallti në pjesën e parë. Me një mbrojtje që gabon pa fund, veçanërisht në qendër të saj, një mesfushë pa ide për ta nxjerrë skuadrën në sulm dhe me repartin e avancuar thuajse inekzistent, Shqipëria nuk bindi në testin e fundit për këtë vit kalendarik. Ndryshimet e trajnerit Xhani De Biazi nuk sollën ndonjë risi në lojën e skuadrës, edhe pse debutimi i mbrojtësit të majtë, Ermir Lenjani, mund të cilësohet si pozitiv. Miqësorja e zhvilluar në tokën turke i ngjasoi ndeshjes së fundit të edicionit të kaluar në Qipro, por me ndryshimin që këtë herë rastet e shumta i kishte kundërshtari dhe jo kuqezinjtë. De Biazi duhet t’i falet Berishës, që arriti ta shpëtonte skuadrën nga një humbje e turpshme. Portieri priti pa fund, sidomos në 45 minutat e para, ku thuajse në çdo aksion Bjellorusia zbriste rrezikshëm. Edhe pse me një skuadër të një niveli mesatar, për të mos thënë nënmesatar, përfaqësuesja jonë e pati shumë të vështirë të guxonte për të shkuar te goli. Çuditërisht u pa një skuadër e frikësuar dhe që më tepër mendonte për të mos pësuar. Pjesa e dytë ishte disi më ndryshe, por goli ishte sërish larg. BJELLORUSI-SHQIPERI 0-0 BJELLORUSIA: Çernik, Poljakov, Radkov, Verkhovcov, Bordaçev (Çuklev 46′), Tigorev, Drahun (Aljaknoviç 46′), Kalaçev (Aleksieviç 46′), Krivets (Veracila 80′), Balanoviç (Pucila 66′), Rodionov. Trajner: Georgi Kondratiev SHQIPËRIA: Berisha (Shehi 60′), Lila, Cana, Arapi, Lenjani (Hysaj 81′), Basha, S.Lilaj, Gashi (Çani 54′), Meha (Roshi 65′), Rama (Bala 70′), Sadiku (Memushaj 70′). Trajner: Xhani De Biazi KARTON I VERDHË: Tigorev GJYQTARET: Ajdinus Firat, Serkan Ok, Alek Tashioglu (Turqi) Pjesa e parë Me një mesfushë të ngjeshur dhe një eksperiment në mbrojtje, kuqezinjtë mundohen në startin e ndeshjes t’i imponojnë lojën kundërshtarit me disa dalje nga krahët. Shkëndijën e parë e jep Gashi, ndërsa më pas radhën e ka Rama, i cili me inkursionin e tij të zakonshëm dhuron spektakël, por pa arritur të shënojë. Në 10 minutat e para duket se skuadra funksionon, por në vazhdim të lojës vërtetohet e kundërta. Në një aksion pa pretendime, Arapi prek topin me dorë brenda zone dhe gjyqtari nuk fal, duke akorduar 11-metërsh për Bjellorusinë. Nga pika e bardhë, kapiteni Timofei Kalaçev, edhe pse gjuan fort me të djathtën, nuk shënon, për meritë të Berishës, i cili grushton mrekullisht. Shqipëria shpëton paq dhe në minutat në vijim i duhet t’i falet sërish portierit kosovar në katër raste të pastra të kundërshtarit. Ekipi bjellorus kundërsulmon mirë dhe arrin të çajë mbrojtjen kuqezi në qendër, aty ku për herë të parë në krah të Canës luajti Arapi. Ky rol për lojtarin durrsak të Skënderbeut nuk është ai natyral, por De Biazi i besoi, duke lënë në stol Osmanin, që ishte alternativa e vetme për pozicionin e qendërmbrojtësit. Në një hark të shkurtër kohor bjellorusët shpërdorojnë pa fund para portës kuqezi. Në momentin më të mirë të kundërshtarit, Shqipëria ka shansin të shënojë, por Shkëlzen Gashi humbet një rast ideal. Pjesa e dytë Bjellorusia e rinis lojën me dy zëvendësime në mesfushë, ndërsa Shqipëria nuk bën asnjë ndryshim. Loja është fotokopje e pjesës së parë, ndërkohë që De Biazi ndryshon skemën, teksa nxjerr Gashin dhe aktivizon Çanin. Me 4- 4-2, kuqezinjtë bëhen më të rrezikshëm. Meha, Basha dhe Lilaj lëvizin më shumë, por kjo nuk mjafton. De Biazi hedh në fushë edhe Roshin, për t’i dhënë freski lojës nga krahët, ndërkohë që për 30 minuta i jepet shansi edhe portierit Orges Shehi për t’u aktivizuar. “Veterani” bën më të mirën në ato raste që Bjellorusia rrezikon. Disa lëvizje të befasishme të Ramës nuk sjellin asnjë ndryshim. Rastet e rrezikshme mungojnë dhe më pas trajneri kuqezi e bën Shqipërinë edhe më sulmuese, duke futur Memushajn e rikthyer dhe Balën. Minutat ikin, dhe për të parë një aksion që vë në vështirësi bjellorusët duhet të presësh minutën e 88- të. Roshi i afrohet golit pas një goditjeje fluturimthi, por është i pafat. Gjyqtari i katërt jep tri minuta shtesë, por asgjë nuk ndryshon, përtej përpjekjeve të kuqezinjve. Gjashtë zëvendësimet e bëra në pjesën e dytë nuk mundën t’i jepnin Shqipërisë një fitore, e cila për hir të së vërtetës këtë herë i shpëtoi humbjes me atë që dha në fushë. De Biazi dhe ndihmesi i tij ne AntaliaTRAJNERET De Biazi: Bëmë gabime, ky s’është formacioni i ri Trajneri i Kombëtares shqiptare nuk ka qenë shumë i qetë, jo vetëm gjatë ndeshjes së djeshme ndaj Bjellorusisë, por edhe pas saj. Ai është parë shumë i nervozuar pas miqësores në Antalia. Gjatë intervistës së djeshme për “Supersport” pas përfundimit të takimit, tekniku italian i përfaqësueses është shprehur se ka qenë e vështirë për skuadrën, duke qenë se kishte në përbërje edhe disa futbollistë të rinj që luanin me njëri-tjetrin. Megjithatë, ai ka vlerësuar pozitivisht debutimin e Lenjanit, në një kohë që ka thënë se ky nuk do jetë formacioni që do të luajë pas dhjetë muajsh për eliminatoret e Europianit 2016. De Biazi ka kritikuar ekipin dhe ka thënë se duhet të jetë më i kujdesshëm, sidomos gjatë zbritjeve të rrezikshme të kundërshtarit. Ishte ndeshja e parë e një fillimi të ri, por ka sërish probleme të vjetra. Si e vlerësoni ndeshjen miqësore ndaj Bjellorusisë? Ishte e vështirë për ne, pasi kishim një skuadër relativisht të re dhe disa futbollistë të rinj, që luanin për herë të parë së bashku. Bëmë disa teste për të punuar për të ardhmen. Jam i kënaqur, megjithëse në pjesën e parë duhet të ishim më të kujdesshëm në zbritjet e shpejta të kundërshtarit. Duke parë këtë ndeshje, duhet thënë se pak gjëra na kënaqën gjatë saj… Në këtë ndeshje nuk ka shumë gjëra për t’u kënaqur. Ne duhet të luajmë më shumë me njëri-tjetrin, se sa në mënyrë individuale. Kujtoj që gabuam disa herë gjatë pjesës së parë. Çfarë ka për të shpëtuar nga kjo përballje? Për t’u shpëtuar është debutimi i Lenjanit me Kombëtaren shqiptare. Megjithatë, duhet të mendojmë për të ardhmen dhe të punojmë shumë në këtë aspekt. Në ndeshjen e fundit me Zvicrën në Tiranë ju thatë një fjali “mjaft më me eksperimente, tani bëjmë një skuadër dhe punojmë me të”… Ky nuk është formacioni që do të luajë pas dhjetë muajsh. Sigurisht, ne duhet të punojmë për të krijuar një skuadër për dhjetë muaj dhe më pas të luajmë me të. Nuk duhet të harrojmë gjithashtu që ekipi kishte disa mungesa të rëndësishme, siç është ndër të tjera edhe Mërgim Mavraj. Sa më shpejt duhet të zgjidhni se cila do të jetë përbërja e skuadrës për eliminatoret e ardhshme. Tashmë duhet të mendojmë për formacionin dhe grupin që të ndërtojmë një ekip sa më real… Duhet të improvizojmë dhe të llogarisim edhe faktin që kemi disa mungesa. Është një skuadër, së cilës i ndihen realisht mungesat që ka. Në ndeshjet e fundit është vënë re se ekipit i mungon motivimi nëse nuk ka një objektiv për të arritur. Si mendon De Biazi, si mund të punohet më shumë për ta rritur motivimin dhe për të arritur rezultatet? Kjo është e vërtetë, por duhet të gjejmë motivimin që kjo skuadër të jetë e tillë në çdo takim. Duhet të gjejmë sërish dëshirën dhe grintën e ndeshjeve më të mira të sezonit të kaluar. Çfarë do t’u thoni futbollistëve në dhomat e zhveshjes për këtë ndeshje? Do t’u them që të përmirësohemi në të gjitha pikat e dobëta dhe të jemi më të kujdesshëm në vazhdim. Kondratiev“I befasuar që Shqipëria ka lojtarë të Lacios” Trajneri i Bjellorusisë, Georgi Kondratiev, ka folur me superlativa për skuadrën e tij pas barazimit kundër Shqipërisë. Ai ka thënë se e njihte pak Shqipërinë, por ishte befasuar kur kishte marrë vesh se ekipi ynë përbëhej nga lojtarë që luanin te Lacio, Torino dhe ekipe të tjera të njohura të futbollit europian. “Mendoj se zhvilluam një ndeshje të mirë, kundrejt një skuadre që e njihnim shumë pak. Barazimi nuk ishte i drejtë, pasi ne krijuam shumë raste. Është për të ardhur keq që nuk shfrytëzuam as penalltinë në pjesën e parë, çka do të na i kishte lehtësuar shumë gjërat”, – ka deklaruar Kondratiev pas ndeshjes për mediat lokale. Ai më pas ka pohuar se Shqipëria kishte në përbërje lojtarë me cilësi. “U befasova kur pashë se te Shqipëria luanin lojtarë të Lacios dhe Torinos, apo futbollistë nga kampionati zviceran. Kjo më krijoi një ndjesi se do të ishte e vështirë t’i përballonim, por në fushë ne u treguam më të saktë dhe më agresivë. Unë jam i kënaqur nga një pjesë e mirë e lojtarëve pasi, megjithëse nuk kanë luajtur shpesh në përfaqësuese, ua paraqitën me shumë personalitet”, – ka deklaruar trajneri i Bjellorusisë. Hafizi1ANALIZA Nga Hafizi te Mema: Test i dështuar për Kombëtaren Astrit Hafizi, Sulejman Mema dhe Ervin Fakaj e cilësojnë si një test të dështuar atë kundër Bjellorusisë. Ish-trajneri i Kombëtares, si dhe ish-trajneri i U-21, bashkë me ish-mbrojtësin kuqezi, kanë qenë dje në një linjë në mendimet që kanë dhënë pas miqësores. “Mund ta quajmë si një test të dështuar. Ishte një Shqipëri e re, por me probleme të vjetra. Pra, ajo që lamë në ndeshjen e fundit eliminatore kundër Qipros. Asnjë ndryshim në lojë”, – kanë thënë ndër të tjera tre specialistët e futbollit shqiptar gjatë analizës së bërë në “Supersport”. Nuk munguan as kritikat ndaj trajnerit Xhani De Biazi, veçanërisht për sjelljen e tij arrogante me gazetarët dhe opinionistët pas ndeshjeve. “Unë mendoj se ishte një ndeshje pa emocione. Kombëtarja jonë duhej të kishte guxuar më tepër ndaj Bjellorusisë. Skuadra duket sikur ka frikë të sulmojë dhe kjo është për të ardhur keq. E frenojmë lojën për të bërë ndonjë gjë të mirë në sulm në mënyrë të pakuptimtë. Personalisht nuk arrij ta kuptoj arrogancën dhe nervozizmin e trajnerit pas kësaj sfide. Nuk ka arsye pse ai të mos i gjykojë gjërat qetë dhe si profesionist që është. Tani nuk e pengon asgjë, pasi edhe kontratën e rinovoi. Sot (dje) nuk ishte ai ekip që ne prisnim”, – deklaroi ish-trajneri Hafizi. Të tjerët Në vijim të analizës, Sulejman Mema, i cili ka drejtuar ekipin kombëtar Shpresa dhe ekipet legjendare Tirana e Partizani, deklaroi se paraqitja e Kombëtares ndaj bjellorusëve la për të dëshiruar. “Ne jemi në një situatë ku duhet të konsolidojmë skuadrën. Në këto kushte, miqësoret janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë, por sot (dje) duhet të pranojmë faktin që ishte një ndeshje mjaft e zbehtë. Nuk morëm ato përgjigje që prisnim nga loja e Kombëtares sonë, pasi ajo duhej të bënte më tepër. Megjithatë, më duhet të përgëzoj portierin Berisha. Mendoj se është një nga pikat më të forta të Kombëtares”, – u shpreh Mema. Ndërsa ish-mbrojtësi vlonjat i përfaqësueses, Fakaj, theksoi se testi ishte i dështuar dhe se kjo Kombëtare ishte shumë larg asaj që presin tifozët dhe opinioni sportiv. “Së pari më duhet të them se reagimi që trajneri ka ndaj pyetjeve të gazetarëve nuk më pëlqen këto kohët e fundit. Mendoj se De Biazi nuk mund të tregojë arrogancë, pasi ai është trajner i Shqipërisë dhe duhet të ketë më respekt për të gjithë. Meqë ai vazhdon të përdorë termin test, sot (dje) unë do ta quaja si të dështuar. Ishte një Shqipëri larg asaj që presim dhe shpresojmë të kemi”, – tha vlonjati, i cili prej vitesh është tërhequr nga futbolli. Albanias defender Lorik Cana poses befoPROTAGONISTET Cana: Ka shumë të rinj, nuk e mendoj rekordin Lorik Cana ka qenë një prej lojtarëve të Kombëtares që ka dhënë gjithçka në përballjen e djeshme ndaj Bjellorusisë, por ekipi nuk ka shkuar më shumë se barazimi 0-0. Ai i bën analizën kësaj ndeshje dhe flet edhe për futbollistët e rinj të afruar në përfaqësuese. Megjithatë, ai thotë se ka ende për të punuar me këtë skuadër dhe se gabimet e vjetra nuk zhduken menjëherë. I pyetur në lidhje me rekordin e Altin Lalës, pasi Cana është gjashtë ndeshje larg, kapiteni është përgjigjur: “Nuk e mendoj fare këtë çështje”, – tha ai për “Supersport”. Pse trajneri ka qenë i nervozuar pas kësaj miqësoreje ndaj Bjellorusisë? Trajneri kërkon shumë nga ekipi. Dhe në shumë raste, skuadra i është përgjigjur me një paraqitje shumë të mirë. Sot ka qenë fillimi i një edicioni të ri dhe kërkohet shumë. Një fillim i ri, por me probleme të vjetra? Kishim problemet e vjetra, pasi ato nuk mund t’i heqim për një kohë kaq shumë të shkurtër. Megjithatë, e dimë se ka mënyra për t’u përmirësuar. Ka pasur shumë lojtarë të rinj që kanë luajtur sot (dje) dhe u duhet më shumë kohë dhe më shumë minuta për t’u përmirësuar në disa aspekte dhe ndër to edhe për vendosjen në fushë. Për sa u përket përplasjeve dhe dyluftimeve, në pjesën e parë duhet thënë se kundërshtari ka qenë më lart se ne. Falë portierit Etrit Berisha qëndruam në lojë. Në pjesën e dytë ishim më të ekuilibruar dhe dhamë më shumë në fushën e lojës. Megjithatë, duhet të presim edhe pak që brumi i ekipit të ngjitet më shumë. Të presim edhe pak, por deri kur? Është e vërtetë që kemi pritur shumë. Megjithatë, edicionin e kaluar kemi dhënë shumë sinjale pozitive. Të gjithë njerëzit presin që ne të vazhdojmë në atë mënyrë dhe të rritemi edhe më shumë. Po vijnë lojtarë të rinj dhe ekipi po rinohet dhe kur çdo futbollist arrin kulmin në klubin e tij dhe gjen formën më të mirë, atëherë edhe ne si kombëtare do të jemi mirë. Trajneri, ju dhe ne të gjithë bashkë jemi të shqetësuar për lojën që zhvilloi skuadra, pasi nuk është ajo që ne presim… Jam shumë dakord. Megjithatë, qëllimi i trajnerit dhe të gjithë ekipit kombëtar është që të gjejmë një brumë prej 25-30 lojtarësh që të thirren gjithmonë. Në këtë mënyrë do të njihemi më shumë me njëri-tjetrin dhe do të kuptohemi më mirë në fushë. Është e vërtet që ndeshjet e fundit, loja ka qenë nën nivelin e ekipit tonë kombëtar. Me Zvicrën humbja mund të ndodhë ashtu siç rezultoi, pasi janë një ekip shumë i fortë. Ndërsa me Qipron nuk duhej të luanim në atë mënyrë, pasi më poshtë se ata nuk ka. Më vjen keq që nuk e fituam atë ndeshje. Megjithatë, kemi shumë punë përpara dhe duhet të lodhemi shumë. Unë u kërkoj futbollistëve që kanë më shumë kohë në Kombëtare që duhet t’i ndihmojmë lojtarët e rinj që afrohen. Kështu, edhe opinioni dhe media duhet t’u qëndrojnë afër, pasi janë lojtarë të rinj që vijnë me një dëshirë të madhe dhe kanë nevojë për mbështetjen e të gjithëve që edhe ata të japin maksimumin. Jeni 6 ndeshje larg rekordit të kapitenit legjendë të Kombëtares, Altin Lala… As nuk e mendoj fare këtë pjesë. Qëllimi i Lorikut është që të jemi gjithmonë gati dhe sa më mirë për në shtatorin e ardhshëm, kur edhe do të nisë edicioni i ri i eliminatoreve. Norvegji-SHqiperi 0-1, Etrit Berisha mbi koken e te gjitheveBerisha: Penalltia dhe refuzimi i armëve kimike më lumturoi Besart Berisha ka qenë heroi i Shqipërisë në barazimin 0-0 kundër Bjellorusisë në Turqi. Portieri i përfaqësueses shqiptare tregoi edhe njëherë se është një nga pikat më të forta të kuqezinjve. Këtë nuk e bëri vetëm kur priti penalltinë në minutën e 18-të të takimit, por evituar të paktën edhe tre gola të tjerë të sigurt. “Si në çdo ndeshje mundohem të bëj detyrën sa më mirë. Evitova disa raste, jam i kënaqur që e mbajta portën të pamposhtur. Kam mbështetje të madhe nga të gjithë, si nga trajneri, ashtu edhe nga lojtarët dhe tifozët. Kjo më bën të ndihem shumë mirë dhe më jep shumë forcë”, – ka thënë fillimisht Berisha për “Supersport”. Penalltia “Në momentin e penalltisë dëgjova zërat e lojtarëve që kishin besim se do ta prisja. Mendoj se kjo më ndihmoi shumë. U gëzova që nuk pësuam në një moment kyç, sepse kjo i dha zemër skuadrës. Është e vërtetë se nuk shkëlqyem në lojë, por kemi lojtarë të mirë në të gjitha repartet. Është pak e vështirë të luash si ekip, pasi trajneri po provon shumë të rinj. Në të ardhmen do të konsolidohemi më mirë dhe do kemi paraqitje të kënaqshme”, – deklaroi Berisha. Gëzimi Etrit Berisha është lumturuar kur ka mësuar pas ndeshjes se qeveria shqiptare nuk ka pranuar që armët kimike të shkatërrohen në Shqipëri. “Personalisht mund të them se të qenit portier është më e vështirë si lojtar. Nuk e di nëse kam pritur më shumë penallti se sa kam shënuar, pasi më pëlqen që të numëroj vetëm ato që shndërroj vetë në gol dhe jo kur i pësoj… (qesh). Jam shumë i gëzuar që dëgjova lajmin për ndalimin e armëve kimike dhe i përgëzoj të gjithë ata që ndikuan në këtë vendim”, – ka thënë portieri i përfaqësueses. Kombetarja urra para ndeshjes me NorvegjineNOTAT BERISHA 7.5 – Më i miri në fushë. Pret penallti dhe shpëton kuqezinjtë të paktën në tri raste të tjera. Nëse nuk do ishte miqësore, nota mund të ishte më e lartë. LILA 5 – Nuk është në ditën e tij më të mirë. Kurrë më parë nuk ka qenë më “i ndrojtur” se dje. Mungojnë galopimet në të djathtë, edhe pse Gashi nuk tërheq shumë, por ka pasiguri edhe në mbrojtje. CANA 5 – Në pjesën e parë qendra e mbrojtjes shfaqet shumë e pasigurt dhe këtu nuk u shpëton përgjegjësive as kapiteni. Ekipi vuan presingun e rivalëve dhe mbrojtja është gjithnjë në alarm. ARAPI 4 – Shkakton një penallti naive në minutën e 17-të që mund të komprometonte ndeshjen. Luan jashtë rolit të tij dhe mund të justifikohet. Në pjesën e dytë është pak më i sigurt. LENJANI 6 – Debutim pozitiv. Shumë personalitet, siguri dhe vrapime të shpeshta. Kuptohet mirë me Ramën dhe është agresiv në fazën ofensive. Alternativë e vlefshme për krahun e majtë. GASHI 4.5 – Një tjetër ndeshje pa lënë gjurmë. Pati shansin të shënonte në minutën e 37-të, por bëri më të vështirën duke e nxjerrë topin jashtë. Has vështirësi në kombinimet me pjesën tjetër të ekipit. BASHA 5 – Ndeshje nën tonus. Mungojnë vertikalizimet dhe eksperienca e tij. Nuk kuptohet edhe aq mirë me Ramën e Mehën, edhe për shkak se është nën presingun e pandalshëm të mesfushorëve bjellorusë. LILAJ 5 – Ndeshje e nisur mirë, por më pas i duhet më shumë të mbrojë sesa të ndërtojë. Vuan shumë në pjesën e parë faktin që skuadra jonë tërheq pak në fazën sulmuese dhe kur ka topin, nuk di ku ta pasojë. RAMA 5- Notë me hatër vetëm për disa shpërthime spontane. Pak bashkëpunues në fazën mbrojtëse me Lenjanin. Shumë talent dhe shpejtësi, por pak i qartë në iniciativat sulmuese. MEHA 5 – Rikthehet pas thuajse një viti në ekipin përfaqësues, por has vështirësi si sulmues i dytë. Rama i ka “vjedhur” krahun e majtë, por mesfushori e ka të vështirë të bëjë lidhjen e mesfushës me sulmin. SADIKU 5 – Rikthim zhgënjyes. Shumë i vetmuar në sulm, por edhe kur ka topin preferon të gjuajë vetëm, pa pasur as mundësi dhe as ide që ta dërgojë topin në rrjetë. Gjuajtje kuturu drejt portës pa bereqet. ÇANI 4.5 – Hyn si zëvendësues, por nuk bën asgjë për t’u mbajtur mend. Jashtë forme. ROSHI 4.5 – Lojtari ka harruar të driblojë dhe të japë krose. Alarm total në krahun e djathtë. MEMUSHI 4.5 – U fut në 20 minutat e fundit, por s’u kuptua nëse duhej të bënte organizatorin apo shkatërruesin. Jashtë skeme. BALA –Nuk merr asnjë pasim të saktë dhe rrjedhimisht nuk është asnjëherë i rrezikshëm për 20 minutat që luajti. SHEHI – Bën detyrën në dy raste. Garanci në kuadrat kur s’është Berisha. DE BIAZI 4.5 – Shqipëria është e paqartë në sulm dhe e pasigurt në mbrojtje. Sulmon pa forcë dhe aspak solide në pikën e saj më të fortë: mesfushën. Përgjegjësi për këtë ka më së shumti trajneri, ndaj të cilit kërkohen më pak eksperimente dhe më shumë ide. Debuton edhe Ermir Lenjani Mbrojtësi Ermir Lenjani ka luajtur dje për herë të parë me fanellën kuqezi. Lojtari nga Kosova, që është pjesë e St. Gallen në Zvicër, u aktivizua si titullar në vendin ku zakonisht luan Ansi Agolli, pikërisht në krahun e majtë të repartit difensiv. 24-vjeçari ka bërë një paraqitje të mirë, aq sa është vlerësuar pas ndeshjes edhe nga trajneri Xhani De Biazi. Ai u zëvendësua në minutën e 81-të, për t’ia lënë vendin shkodranit Elseid Hysaj. Nga lojtarët e stolit mbetën pa u aktivizuar Tefik Osmani, Emiljano Vila, Ansi Agolli dhe Amir Abrashi. Trajneri kuqezi kreu gjashtë zëvendësime, ndërsa kolegu i tij bjellorus bëri pesë. Stadium i boshatisur, vetëm një grup studentësh Stadiumi “Akdeniz” në Antalia, ku u zhvillua ndeshja e djeshme miqësore Bjellorusi-Shqipëri, ishte i boshatisur. Megjithatë, për të mbështetur sadopak Kombëtaren shqiptare, kishte menduar një grup studentësh që vazhdojnë universitetin në Turqi. Edhe pse jo më shumë se 20 veta, ata janë munduar ta mbështesin me thirrjet “O sa mirë me qenë shqiptar”. Në jo pak raste janë thirrur në kor edhe emrat e disa prej kuqezinjve. Ndërkohë, delegacioni që shoqëronte Kombëtaren në këtë miqësore në tokën turke përbëhej nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, si dhe sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku. Kjo ishte ndeshja e fundit që përfaqësuesja jonë zhvillon për këtë vit kalendarik. Tashmë miqësorja e radhës mund të zhvillohet në mars të vitit 2014. Statistikat, vetëm një fitore me bjellorusët Shqipëria ka arritur vetëm një fitore ndaj Bjellorusisë në pesë ndeshje të zhvilluara me të. Kjo ishte miqësorja e parë që skuadrat luanin me njëra-tjetrën, ndërkohë që katër ndeshjet e tjera janë luajtur në kuadër të eliminatoreve për Botërorin dhe Europianin. Dy vite më parë kuqezinjtë mposhtën minimalisht Bjellorusinë 1-0, në një ndeshje emocionuese ku shënoi Hamdi Salihi. Më parë kishin humbur 2-0 në Minsk, kur skuadra drejtohej nga i ndjeri Josip Kuzhe. Në total bjellorusët kanë dy fitore (2-0 dhe 4-2), ndërsa dy ndeshje janë mbyllur në barazim (2-2 dhe 0-0) dhe vetëm një kanë fituar kuqezinjtë. Ja 15 barazimet pa gola të Kombëtares Barazimi i djeshëm ishte i 27-ti në 93 miqësoret e zhvilluara deri më tani për Shqipërinë. Me rezultatin e bardhë 0-0, si ai ndaj Bjellorusisë, janë mbyllur 15 ndeshje. Si për koincidencë, i fundit ishte në testin e një viti më parë ndaj Kamerunit. Burimi: panorama-sport/kombetarja/ndeshja-miqesorja-shqiperi-luan-kunder-bjellorusise/#ixzz2knsZGV13
Posted on: Sat, 16 Nov 2013 10:34:15 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015