Shqipëria “në prag” katastrofe! Nga Prof. Dr. Nasi - TopicsExpress



          

Shqipëria “në prag” katastrofe! Nga Prof. Dr. Nasi BOZHEKU* Gjatë ditëve të fundit në opinionin publik dhe atë mediatik është duke u diskutuar me një intensitet marramendës “Problemi Sirian”. Shqetësimi që karakterizon të gjithë qytetarët shqiptarë, përjashtuar këtu pushtetasit, është mëse i justifikueshëm dhe i drejtë. Qarkullimi i informacionit që është duke u dhënë nga mediat botërore mbi mundësinë që Shqipëria të transformohet në “depozitën e armëve kimike siriane”, më pas hapjen e procedurave për shkatërrimin e tyre në tokë shqiptare, po bëhet çdo ditë e më i fortë. Gjatë javës që sapo lamë pas, ndjenja e “luftës për ekzistencë” po ngrihet në një jehonë revolte të paprecedentë në historinë shqiptare e lidhur kjo me një temë aq delikate sa “ruajtja e shëndetit”. Protestat që janë organizuar dhe janë në program të vazhdojnë kundër importimit në Shqipëri të armëve kimike siriane, me qëllim shkatërrimin e tyre në vendin tonë, duket se për njëherë po krijon një ndjenjë solidarizimi qytetar, që Shqipërisë, i kish munguar në kaq e kaq vite. Propaganda qytetare që po zhvillohet kundër prurjes së armëve të shkatërrimit në masë në Shqipëri është për t’u përgëzuar. Por, para ndërmarrjes së kësaj nisme kaq të rëndësishme për jetët tona dhe trashëgimisë së brezave pasardhës, çdo kush nga ne duhet të dijë pse, si, qysh, tek, këto armë po vine në Shqipëri! Pyetje këto që aktualisht gjejnë një barrierë të fortë heshtje nga autoritetet shtetërore. Në rastin kur Shteti, i cili hesht kur ka për detyrë kushtetueshmërisht të paracaktuar që të informojë, mbrojë, vërë në kushte aprovimi popullatën e vet, i ngelet kështu qytetarëve, mjekëve, specialistëve, juristëve dhe kujtdo që ka përzemër Shqipërinë të flasë, pse këto armë të shfarosjes në masë nuk duhet dhe nuk mund të hynë në vendin tonë. Pikat e kundërshtimit thelbësisht janë katër: 1. Paaftësia logjistike e specializuar e Shqipërisë për të përballuar një sasi të përbërë nga mijë ton armësh kimike: Konkretisht për të shkatërruar këtë sasi jashtëzakonisht marramendëse armësh kimike duhen marrë parasysh disa detaje si: eliminimi i këtyre sasive armësh kimike mund të kryhet nëpërmjet asgjësimit në furra me temperatura mijëra gradësh, por kryerja e kësaj procedure do të kërkonte një nivel teknologjie të këtyre furrave shumë të lartë me një sistem sigurie absolutisht perfekt. Kjo për shkak se, qoftë edhe vetëm një gabim i vogël teknik mund të shkaktonte prodhimin e “mbetjeve toksike” që jo vetëm do të shkatërronin armën primare, por do të krijonte njëkohësisht zhvillimin e efekteve anësore ambientale, deri vdekjeprurëse në kohë afatgjatë dhe krijimin e agjentëve kancerogjenë në kohë afatshkurtër. Si pasojë, si çdokush nga ne e di mirë, impiantet tona nuk kanë atë kapacitet logjistik aq të lartë sa mund të përballojnë këtë situatë, dhe mbi të gjitha këtë sasi armësh kimike. Faktor ndikues në këtë situatë do të ishte dhe venddepozitimi i armëve kimike, i cili duhet bërë pikërisht në struktura super të teknologjizuara, ku vetëm për ndërtimin e tyre do të duheshin vite pune. 2. Incidentet e mundshme gjatë transportimit të armëve kimike. Siç dihet, cilësia e rrugëve tona është e konsideruar jo vetëm skarco por edhe e rrezikshme në situata të veçanta, si reshje shiu apo më keq dëbore. Nga kjo mund të themi që në një kuadër të mundshëm transportimi tokësor, armët kimike, mendohet të stokohen në 30 kamionë ushtarakë të tonazhit të lartë të vënë në dispozicion nga ShBA dhe Rusia, dhe të mbajtura nga cilindra apo kontenitorë të tjerë të krijuar apostafat, të cilët do të kenë për destinacion final Shqipërinë. Problematika lind në këndvështrimin se ç’mund të ndodhë në rast se një nga kamionët rrëshqet si pasojë e një aksidenti, apo në rastin kur thyhet qoftë edhe vetëm një nga mbajtësit?! Pasojat mund të ishin inekzistente ose shumë të mëdha. Atëherë pse vendi ynë duhet të rrezikojë? Pse fëmijët tanë duhet të jenë preh e një makthi të tillë?! Zhvendosja e tonelata armësh kimike është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe kjo rrezikshmëri është pranuar nga të gjithë vendet antare të OKB-së, si dhe është konfirmuar në raportin e bërë pikërisht mbi logjistikën e shkatërrimit të këtyre armëve kimike të Sirisë. 3. Procesi i shkatërrimit nëpërmjet hidrolizës: Kjo e fundit është konsideruar si teknika më e mirë e mundshme, por a është efektivisht pa pasoja? Ku qëndron specifika e saj?! Hidroliza krijon “thyerjen” e molekulave nëpërmjet ujit dhe hidroksidit të sodës për të bërë substancën më pak toksike, por edhe në këtë rast impiantet shkatërruese duhet të jenë të një kategorie teknicizmi super të teknolgjizuar dhe jo më në struktura të vogla, siç ndodhi për shkatërrimin e armëve tona kimike, ku sasia në lojë ishte mijëra herë më e vogël, në raport proporcional mesa kërkohet nga vendet aleate. Dhe gjithashtu, duhet marrë parasysh se jo të gjithë llojet e armëve mund të shkatërrohen me këtë procedurë. Ndër të tjera koha që do të duhet për të bërë shkatërrimin e kaq shumë tonelatave nuk do të ishte kurrë ajo e paracaktuar si hipotetike nga superfuqitë SHBA-Rusi, por do të kërkonte vite pune. Gjë kjo që do të krijonte një efekt –pasojë shkatërrues për ambjentin rreth e përqark fabrikave të shkatërrimit të këtyre armëve kimike. 4. Krijimi i landfilleve për depozitimin dhe stokimin e mbetjeve më pak toksike përftuar si pasojë e hidrolizës. Vlen të theksohet se mbetjet kimike që do të rezultonin nga shkatërrimi i armëve kimike në fjalë, gjithsesi, do të duheshin të stokoheshin dhe të depozitoheshin në vende apostafat, të cilat do të kërkonin një kujdes të madh menaxhimi dhe ruajtje. Kjo për faktin se këto mbetje edhe pse më pak toksike, gjithsesi, në kohë prodhojnë efekte mbi ambienti, ajrin që thithim, si pasojë e degradimit “kohë”. Pra, shkatërrimi i armëve kimike është një proces shumë i komplikuar, përgjithësisht i gjatë, i cili kërkon përfshirjen e strukturave supermoderne logjistike, dhe stafi teknik jashtëzakonisht të përgatitur, pasi dhe gabimi më i vogël, mund të kushtonte jetë njerëzish. Së fundmi! Cilët janë armët kimike që do të vinin në Shqipëri dhe cilët janë efektet e tyre?! Armatimi kimik i Sirisë është kryesisht i përbërë nga gazi nervin i quajtur “SARIN” dhe “Irpite” ose gazi mostard. Këto dy lloj armesh kimike, të cilat janë nga më të rrezikshmit në absolut, janë vetëm dy kategori nga shumëllojshmëria e armëve të tjera që Assad ka në dispozicion për shfarosjen në masë. Konkretisht gazi nervin “SARIN” klasifikohet si një armë kimike e cila u realizua në vitin 1939, nga dy shkencëtarë gjermanë, gjatë tentativës së tyre për të krijuar pesticide bujqësore. Intoksikimi nëpërmjet tij bëhet me anë të frymëmarrjes, në rast nuhatje, ose nëpërmjet kontaktit me lëkurën. Në temperaturën e ambjentit ai është në gjendje të lëngshme, pa ngjyrë ose në të verdhë-kafe dhe pa erë. Sarin godet sistemin nervor dhe organet jetësore. Simptomat e para që ai provokon janë vështirësi në frymëmarrje, përqendrim të bebeve të syrit, të vjella dhe mos përmbajtje e fekaleve apo urinës. Mjafton një dozë e vogël e tij të përhapet në ajër dhe pasojat janë vdekjeprurëse. Në rastin më të mirë pasojat mund të kontrollohen, por efektet anësore si plagë, dëmtime neurologjike, apo verbim janë të paevitueshme. Përsa i përket “gazit mostard” Irpin, për shkak të ngadalësisë së tij në kryerjen e procesit të hidrolizës, (shpërbërjes në ujë), ky agjent kimik mbijeton në ambjent, dhe tendenca e tij është ajo e depozitimit në tokë, pasi rëndesa e tij është më e madhe se ajo e ajrit. Kohëzgjatja e mbijetesës së tij mund të shkojë nga pak ditë, në javë. Irpiti është substancë veshtullore, i cili sulmon aparatin e frymëmarrjes, lëkurën, duke provokuar dermatite të vështira për t’u kuruar. Pavarësisht shërimit në rastet e përthithjes së një sasie teje të vogël, plagët që shkakton janë të gjata në kurim dhe shumë të dhimbshme. Pra, rrezikshmëria e këtyre lëndëve kimike nuk është për tu nënvlerësuar, ato janë lehtësisht të përhapshme, në rastin më të vogël të një gabimi njerëzor, pasi faktor ndikues absolut, janë erërat e ndryshme dhe drejtimi i tyre, përbërja e tokës, ujërat që mund të ndodhen pranë dhe reshjet e shiut apo dëborës. Mjafton një pakujdesi e vogël dhe dëmi është katastrofal, qoftë ambiental ashtu dhe mbi të gjitha njerëzor. Nga kjo analizë duhet të kuptojmë që më mirë 2 miliardë dollarë apo dhe katër më pak, dhe një jetesë e qetë, pa strese dhe pa ankthe për jetën dhe fëmijët tanë, sesa kotheret e botës për të mirë të pushtetasve dhe në dëm të popullit. Ato lekë do të ishin “paratë e vdekjes”, kjo për faktin që aq sa do të duheshin për investim në teknologji për shkatërrimin e armëve, po aq do të duheshin për kurimin e jetëve të shqiptarëve. Ndaj, t’i themi Jo vdekjes në pragun tonë!
Posted on: Sun, 10 Nov 2013 12:34:24 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015