Testamenti i atdhedashurisë Nga Halil RAMA Shprehja e - TopicsExpress



          

Testamenti i atdhedashurisë Nga Halil RAMA Shprehja e përbotshme “atdheu fillon te familja” është referencë e qindra kuvendeve, takimeve tryezave, sesioneve e konferencave shkencore. 100 vjet më parë qyteti i Dibrës dhe ai i Gjakovës ishin koncesionet e fundit që iu bënë monarkive të shteteve fqinje, që kishin pushtuar me forcën e armëve viset shqiptare gjatë luftërave ballkanike. Kjo padrejtësi historike u vendos në Konferencën e Londrës (1913), ku u caktuan kufijtë e shtetit shqiptar. Pikërisht kur po caktoheshin dhe kufijtë, u ndanë dhe dy Dibrat, ndërsa dibranët përjetuan gjenocidin e pashembullt serb e për rrjedhojë edhe eksodin e parë masiv, ku 80 mijë dibranë u detyruan të shpërnguleshin nga trojet e tyre në Dibër për t’u vendosur në Tiranë. Lanë një pjesë të vatanit, por sërish me familjet e tyre gjetën strehë në një pjesë tjetër të atdheut. Pikërisht 100-vjetori i rezistencës së dibranëve kundër serbëve dhe i eksodit të tyre drejt Tiranës u përkujtuan këto ditë gjatë një konference shkencore që u mbajt në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. E nisëm me atdheun për të evidentuar pikërisht ata që e kanë më të zjarrtë se askush tjetër ndjenjën e atdhedashurisë, si organizatorët kryesorë të këtij tubimi përkujtimor. Dhjetëra personalitete të shquara të diasporës shqiptare në SHBA, me origjinë nga Dibra, qenë jo vetëm nismëtarë, por dhe organizatorë, sponsorë e referues në këtë event të rëndësishëm. Një përshëndetje mjaft emocionuese në emër të komunitetit dibran nga Musa Pacuku, kryetar i shoqatës “Dibra” me seli në të ashtuquajturin “Ishulli i Dibranëve” Staten Island (Nju-Jork), ishte mjaft mbresëlënëse për qindra pjesëmarrësit në këtë konferencë shkencore. Ylber Piku, një tjetër personalitet i njohur i diasporës shqiptare në SHBA, do të evidentohej jo vetëm si pjesëmarrës aktiv, por dhe si organizator e sponsor kryesor i këtij aktiviteti. Billy, siç e njohin të gjithë Ylber Pikun, ndihet më krenarë se kurrë që mbështet financiarisht aktivitetin e Shoqatave “Dibra” (SHBA) dhe “Bashkësia Dibrane” (Tiranë) si vazhdimësi historike të klubit atdhetar “Bashkimi Dibran”, themeluar në Dibër më 26 dhjetor të vitit 1908, me qëllim zgjimin e ndjenjave kombëtare dhe mbrojtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare si rezistencë ndaj pushtimit. Kjo shoqatë i ka rrënjët e saj në lëvizjet patriotike dhe kombëtare, të cilat filluan të organizoheshin para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ku klubi atdhetar “Bashkimi Dibran” nga ku shoqatat “Dibra” (SHBA) dhe “Bashkësia Dibrane” (Tiranë) kanë marrë këtë emërtesë, patën rol kryesor në rizgjimin e krenarisë kombëtare, patriotike, për të mbrojtur vendin e tyre kundër pushtuesit, duke i shërbyer heshtjes kombëtare dhe përhapjes së gjuhës shqipe. Organizator i takimit ishte dhe Unioni i Krijuesve dhe Gazetarëve Dibranë, me president Fatos Dacin. Pikërisht këtij qëllimi madhor i shërben edhe sot kontributi i Musa Pacukut e Ylber Pikut, që u evidentuan dukshëm në këtë 100-vjetor të kryengritjeve dibrane kundër shovinistëve serbë, së bashku me veprimtarin e dalluar të këtij komuniteti, zotin Rrape Ruci, i cili njëherësh është dhe president i institutit amerikano-shqiptar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me seli në State Island. Mbresëlënës ishte edhe interpretimi i një poezie të poetit tonë të madh Lasgush Poradeci nga aktori shqiptar nga Çikagoja, Pajazit Murtishi. Dibra dhe dibranët janë të hershëm në histori si emër dhe si princa. Ja edhe dibranët e Amerikës vijnë si princa në atdheun e tyre me ndjenja të bukura, të frymëzuara dhe interesante. Vijnë më të mbushur së kurrë më ndjenja atdhetare dhe meditative që burojnë nga zjarri i zemrës së një shpirti të trazuar. Kulti i mërgimtarit është respekti ndaj kombit. Përjetimet, përkushtimet dhe krijimet janë të mbrujtura me ndjenjat fisnike të atdhedashurisë. Ëndrra e tyre është Shqipëria historike, me Çamërinë në Jug, me trungun e atdheut në zemër dhe me Kosovën në Veri. Së bashku ata përcollën denjësisht testamentin e atdhedashurisë. Këtë testament tejet të vlefshëm, që e ruajnë me fanatizëm në SHBA, ku ata punojnë e jetojnë prej dekadash. Jo vetëm me fjalë, por me vepra konkrete ata dëshmojnë se atdheu i tyre fillon tek vetja, familja, shoqëria e kombi. Atdhe abstrakt e hyjnor nuk ka e nuk ekziston. Këtë sentencë e shtjelluan më së miri në kumtesat e tyre prof. dr. Valentina Duka, historianët e mirënjohur Gazmend Shpuza e Bajram Xhafa. Ata nxorën në pah para të pranishmëve heroizmin, vendosmërinë dhe rezistencën e dibranëve për të mbrojtur vendin e tyre nga çdokush që synon të cenojë të drejtat dhe kufijtë e tyre gjeografikë. Për të qenë sa më bindës, ata sollën në kujtesë edhe një raport të hollësishëm të një diplomat të huaj, ambasador i një shteti perëndimor, për mizoritë e ushtrisë serbe në Dibër, Strugë, Kërçovë, gjatë operacionit për shtypjen e kryengritjes antiserbe të vitit 1913, kur kryengritësit shqiptarë të Dibrës, Strugës, Ohrit, Kërçovës, Gostivarit arritën t’i dëbonin trupat serbe deri në malet e Manastirit. Rrallë ndonjëherë mund të gjendet një material me të dhëna aq të sakta e të hollësishme jo vetëm për vrasjet dhe masakrimin e njerëzve, por dhe për grabitjen e pronës dhe të pasurisë. Dibra ka nxjerrë burra të rrallë, që u shndërruan në personalitete të shquara të vendit tonë, si Vehbi Dibra, Haki Sharofi, Isuf Elezi, Iljaz Dibra, Dine Hoxha etj. Ata u përkujtuan me respekt dhe nderim të veçantë në këtë konferencë shkencore. Një të njëjtën linjë ishte edhe përshëndetja e zjarrtë e kryetarit të Shoqatës “Bashkësia Dibrane”, dr. Faruk Borova, i cili ndër të tjera nxori në pah vlerat më të larta të dibranëve si dhe bujarinë dhe mikpritjen e tiranasve, të cilët i hapën portat e shtëpive dhe zemrave të tyre dibranëve, pikërisht në atë kohë kur ata kishin më së tepërmi nevojë. Ai gjithashtu përmendi faktin se si dibranët emigruan drejt Tiranës dhe jo drejt një qyteti tjetër, mos ndoshta me parandjenjën se Tirana do të kishte këtë zhvillim që ka tani dhe do të bëhej kryeqendra e Shqipërisë. Ai falënderoi në mënyrë të veçantë të gjitha ato familje tiranase të asaj kohe që mikpritën me shumë dashuri dhe bujari dibranët, të cilët të detyruar nga shovinizmi dhe reprezaljet serbe morën rrugën e mërgimit, pa e ditur se ku do të përfundojnë. Dr. Borova përmendi dëmet e shumta të agresionit serb si: me mijëra njerëz të vrarë, burra, gra, pleq e fëmijë, me mijëra shtëpi, xhami e teqe të djegura e të shkatërruara. Pikërisht këto ishin ndër shkaqet më kryesore që detyruan më shumë se 20 mijë dibranë të emigrojnë drejt qyteteve të tjera të Shqipërisë, por edhe jashtë saj, por kryesisht në Tiranë, e cila në atë kohë përbehej nga 8000 banorë. Ndoshta edhe për këto fakte pjesëmarrësit vlerësuan praninë në këtë konferencë të rëndësishme të kryetarit të shoqatës “Tirana”, Arben Tafaj. Në këtë aktivitet morën pjesë anëtarë të familjeve të vjetra dibrane, personalitetet të shquara dibrane veprimtar dhe aktivist dibranë që prej vitesh jetojnë në Shqipëri, kryeqytetin e shqiptarëve, Tiranën. Ndërkohë një grup (30 veta) intelektualësh dibranë , veteranë të arsimit, profesorë dhe arsimtarë me ndihmën financiare të veprimtarit dhe biznesmenit të suksesshëm dibran në SHBA, Ylber Pilku, nga kompania “Pilku Constraction” në Nju-Jork, udhëtoi drejt Tiranës, për të marrë pjesë në këtë konferencë, kushtuar 100-vjetorit të kryengritjes së përgjithshme të Dibrës dhe eksodit të parë masiv dibran në Tiranë dhe Elbasan. Së bashku ata përcollën me dinjitet testamentin e atdhedashurisë. (Botuar ne gazetat "METROPOL" - gazetametropol dhe "REPUBLIKA - gazetarepublika.al
Posted on: Fri, 27 Sep 2013 20:16:15 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015