Të lejohet hashashi Sa herë që dëgjoj lajme për sekuestrim - TopicsExpress



          

Të lejohet hashashi Sa herë që dëgjoj lajme për sekuestrim të hashashit në Shqipëri dhe arrestimet përkatëse më shkon mendja te mundësia e liberalizimit të përdorimit të kësaj droge atje. Tradicionalisht shqiptarët e kanë përdorur hashashin si mjet qetësues, ose për të reshtur fëmijët. Nuk di të ketë pasur ndonjëherë problem në lidhje me këtë, as paragjykime ose alarmizma. Nga ana tjetër, drogat gjithnjë e kanë shoqëruar njeriun dhe do ta shoqërojnë; nuk besoj se përdorimi i tyre do të mund të rregullohet ndonjëherë me ligj. I vetmi rezultat i qëndrueshëm i ligjit është kontrolli i rreptë mbi paranë që lidhet me qarkullimin e drogave. Në Shqipëri, për arsye të ndryshme, njerëzit priren të përdorin kryesisht duhan dhe alkool si droga. Duhani dëmton shëndetin dhe në përgjithësi i kushton shoqërisë shtrenjtë; por për nga dëmi nuk mund të krahasohet me alkoolin. Nuk di nëse ka statistika për korrelacionin midis alkoolit dhe kriminalitetit në Shqipëri, duke përfshirë edhe aksidentet automobilistike. Megjithatë, di që përdorimi i alkoolit konsiderohet normal. Përkundrazi, nën ndikimin edhe të prohibicionizmit hipokrit të vendeve perëndimore, përdorimi i hashashit (ose i marijuanës, ose i kërpit) konsiderohet si tabu. Mirëpo, për nga efektet, hashashi është jashtëzakonisht më beninj sesa alkooli. Nuk indukton agresivitet, as shfrenim, as dihet t’u hapë rrugën drogave të tjera serioze, si kokaina, heroina, pavarësisht nga ç’thonë filistinët. Ka shumë arsye që Perëndimi – Evropa dhe Amerika – mundohen ta kontrollojnë përdorimin e hashashit në mënyrë policore. Këtu nuk është vendi të analizoj ato arsye. Por një gjë duhet të jetë e qartë: arsyet janë politike dhe kulturore, jo shkencore. Dëmi social i politikave prohibicioniste të hashashit është më i rëndë sesa dëmet eventuale të hashashit vetë. Njerëzit përzihen në tregtinë me shumicë të kësaj droge dhe përfundojnë burgjeve. Njëkohësisht, adoleshentët që e provojnë hashashin, kanë një ndjenjë faji krejt të shpërpjestuar, dhe kujtojnë se kanë shkarë përfundimisht drejt zvetënimit moral. Propozimi im nuk është aspak origjinal, sado i çuditshëm të tingëllojë: le të liberalizohet përdorimi i hashashit në Shqipëri. Për këtë, mjafton të ndjekim legjislacionin e një vendi mik si Hollanda. Hashashi për bukuri mund të tregtohet dhe të konsumohet në “coffee shops” të pajisura me licensë nga shteti. Atyre që ende mund të skandalizohen sinqerisht me këtë propozim, u kujtoj se parlamenti shqiptar vetëm pak javë më parë diskutoi seriozisht licensat e kumarit – një ves social i neveritshëm, që shkatërron familjet dhe u hap rrugën gjithfarë lloj krimeve të tjera. Nuk ka asnjë arsye morale që të pengojë liberalizimin dhe praktikisht depenalizimin e hashashit në Shqipëri. Kultura shqiptare tradicionalisht e pranon këtë drogë. Shkenca serioze e klasifikon si praktikisht të padëmshme, në rrafshin social. Ndoshta hashashi mund t’i mbajë njerëzit larg nga alkooli, pa përmendur kumarin. Nga ana tjetër, liberalizimi do të gjallërojë së tepërmi turizmin e huaj. Kush ka qenë në Amsterdam, do ta kuptojë për se e kam fjalën. Të ardhurat që mund të vjelë shteti nga taksimi i lokaleve ku tregtohet dhe konsumohet hashashi, pa llogaritur boom-in e të ardhurave nga hotelet, restorantet dhe në përgjithësi tregtia me pakicë, mund të zgjidhin shumë kokëçarje të buxhetit, dhe jo vetëm bashkiak, të qyteteve të mëdha. Evropa doemos nuk do ta pranojë këtë… Po Evropa tanimë nuk na ka pranuar gjithsesi, me hashash dhe pa hashash. Le t’i bëjmë pak presion, tha. * * * Lufta që i bëjnë përdorimit dhe tregtisë së drogave qeveritë e shteteve të veçanta dhe organizmat ndërkombëtare është gjithnjë e motivuar politikisht. Histeria kundër duhanit ka të bëjë edhe me kostot shumë të larta të kurimit të efekteve anësore të duhanit ndaj shëndetit të pleqve. Kanceri në mushkëri kushton miliona për t’u kuruar. Përkundrazi, në atë moshë kur shfaqet kryesisht kanceri, infarkti i miokardit zakonisht të lë në vend. Kush ka nge dhe kuriozitet, mund të shkojë në bibliotekë dhe të lexojë se ç’thuhej për alkoolin në SHBA, gjatë kohës së prohibicionizmit. Ne të gjithë këtu jemi mësuar t’i marrim fjalët e ekspertëve si gjithnjë të mirëqena dhe objektive, por historia ka treguar se nuk ka qenër më besnikë e tellallë të autoriteteve sesa ekspertët qeveritarë të të gjitha ngjyrave. Për dëmet e hashashit janë bërë studime e me zell të madh, por nuk kanë gjetur dot gjë akoma. Hashashi dëmton mushkëritë ndoshta njëlloj si duhani, mirëpo nuk mund të pish hashash me atë intensitet që pi duhan! Thuhet edhe se hashashi shkakton njëfarë ulje të ambicjes dhe të agresivitetit, ndër ata që e përdorin për kohë të gjatë. Unë vetë nuk i besoj asnjë fjale nga ato që thonë agjencitë qeveritare dhe ndërkombëtare për hashashin. Në SHBA plagë e vërtetë sociale nuk është hashashi, por mbushja e burgjeve me tregtarë të vegjël të hashashit. Për fat të keq, ka një industri burgjesh, që majmet mbi të ardhmet e shkatërruara të këtyre qyqarëve. Pa folur për paratë e taksapaguesve. Pikërisht në një atmosferë ku mund të përfundosh në birucë për zotërim sasirash qesharake të marijuanës, SHBA lejon për shtatë palë qejfe kumarin e organizuar në Las Vegas, Atlantic City e në gjithë kazinotë e tjera ngritur në trojet e rezervateve indiane. Nëse krahasohet një “dude” që trulloset pak me hashash në një stol parku, dhe një tjetër “dude” që vete lë në tryezat e blackjack-ut, në Atlantic City, krejt rrogën e pesëmbëdhjetëditëshit, cila sjellje do të ishte për t’u censuruar nga shteti? Apo vallë shtetit iu bëka më shumë vonë për “shëndetin” e përdoruesve të hashashit, sesa për familjet e kumarxhinjve? Edhe interesat e kompanive farmaceutike duan marrë parasysh. Këto kompani janë nga më të fuqishmet në botën mbarë, dhe tregu potencial i medikamenteve është më premtuesi. Lëndët psikotrope, ose barnat e përdorur për mjekimin e çrregullimeve psikike – neuroza, depresion, mani, psikoza – sigurojnë që tani fitime përrallore. Po aq fitimprurës janë edhe analgjezikët narkotikë, të tillë si Vicodin, e të tjera të ngjashme. Kam frikë se hashashi do t’ua rrëmbente këtyre një pjesë të tregut. Pa llogaritur të gjithë ata që nxjerrin fitimet e tyre njëlloj përrallore nga vetë tregtia e paligjshme e hashashit, me shumicë e me pakicë. Për këta, legjislacioni aktual është formula e parajsës.
Posted on: Thu, 17 Oct 2013 17:29:30 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015