URDHERI PER MOBILIZIMIN LUFTARAK. - TopicsExpress



          

URDHERI PER MOBILIZIMIN LUFTARAK. SHIK DHE MECENARET KRYEJNE VRASJE NE VLORE E RRETHE TE TJERA Shume nga 1093 te burgosurve qe lane qelite,u bene ushtare te bandave kriminale-Trafiku masiv i armeve jashte vendit Në qytetin e Gramshit armët janë shitur si bananet në kryqëzimet e rrugëve dhe mbi trotuaret brenda qytetit… Gati në të gjitha qytetet e Shqipërisë lista e çmimeve të pistoletave arriti deri në 15 mijë lekë. Çmimi i automatikëve Kallashnikov arriti deri 20 mijë lekë. Në Greqi Kallashnikovët shqiptarë arritën shifrën e çmimit në 200 mijë dhrami pë cope... REFLEKTIM NGA DITARI Rënia e ushtrisë e çoi vendin në një kaos të jashtëzakonshëm. Situatën e bëri më kërcënuese shpërndarja e armatimit në popull. Armatimi në duart e popullsisë, sidomos në duart e njerëzve të papërgjegjshëm krijoi premisa për një klimë ku dominoi krimi. Shpërthimi i burgjeve nxori 1.093 persona, një pjesë e mirë e tyre qenë të lidhur pazgjidhshmërisht me krimin. Humbja më e madhe që nuk besohet të fiksohet ndonjëherë në statistikat e vlerave monetare është ajo e mbi 500 të vrarëve dhe mbi 5.000 të plagosur të shkaktuar nga përdorimi i armatimit, vetëm për tre mujorin e parë të vitit 1997. Publikimet e shumta nga Ministria e Rendit dhe burimet spitalore tregojnë për mbi 1.200 persona të vrarë nga plumbat e armëve dhe lëndët djegëse. Statistika të tjera zyrtare për periudhën janar-qershor 1997 flasin se kanë ndodhur 3.962 krime dhe 1.259 vrasje. Andre Gudha, zëvendësdrejtor i Drejtorisë Spitalore në Ministrinë e Shëndetësisë: “I madh ka qenë brenda këtyre 3 muajve numri i të plagosurve rëndë, i cili ka kapur shifrën mbi 6.000 persona që pa përjashtim i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale. Nuk futen këtu të plagosurit lehtë. Ky është minimumi i plagosjeve pasi sigurimi i statistikave nga spitalet e shumë rretheve të vendit ka qenë krejtësisht i pamundur. Nga të vrarët vetëm 490 persona janë regjistruar në regjistrat spitalorë të rreth 30 rretheve të Republikës, pasi personat e tjerë kanë vdekur ende pa mbërritur në sallat e operacionit’. DËMET NË LOGJISTIKË Në shërbimin e transportit u dëmtuan rreth 3.186 njësi teknike e barabartë kjo me 50% të inventarit të përgjithshëm të mjeteve. Nga këto 2.409 njësi teknike u dëmtuan rëndë dhe 777 më lehtë. U evidentuan rreth 1.020 automjete dhe mbi 500 agregate të ndryshme të vjedhura, të shkatërruara për t’u shitur si mbeturina. Në të gjitha njësitë e repartet u vodhën, u shkatërruan dhe u bënë të papërdorshme pothuajse të gjitha makineritë dhe pajisjet e ofiçinave. U grabitën pjesët e ndërrimit dhe lënda e parë, gomat dhe bateritë që ndodheshin si rezervë dhe gjendje nëpër magazina. Në shërbimin e Intendencës u grabitën dhe u dëmtuan pothuajse të gjitha rezervat në produkte ushqimore, materialet e veshmbathjes, orenditë, makineritë dhe pajisje. Në shërbimin e karburantit u grabitën dhe u dëmtuan rezervat e karburant-lubrifikanteve dhe pajisjet e pikave të furnizimit. U rrëmbyen rreth 448.300 litra benzinë, 1.575.400 litra naftë e zakonshme, 2.870.000 naftë DS, 1.750.000 litra vajguri TS-1 si dhe 223 ton lubrifikantë. Vala e shkatërrimit përfshiu edhe depot e vlerave materiale. Nga 1.581 depo gjithsej që kishte ushtria rezultuan të dëmtuara plotësisht 284 depo, pjesërisht 1.011 dhe mbetën të padëmtuara rreth 286 depo. Vetëm në Divizionin e Tiranës, dëmi i shkaktuar llogaritet mbi 8 milion dollarë. Inventarët e përgjithshëm në këtë njësi të madhe të ushtrisë së kryeqytetit i mungonin 32.370 armë këmbësorie dhe 213 gryka zjarri me një vlerë të përafërt prej 387.690.000 lekë, 7.463 instrumente nga më të ndryshmet me një vlerë 12.900.000 lekë, 25.360.000 fishekë të ndryshëm, me një vlerë prej 388.980.000 lekë. Të mara së bashku vlera totale në këtë sektor rezultoi 798.480.000 lekë të reja ose 5.4 milion dollarë. NË GRAMSH DHE NË SHKODËR Sot është një ditë e zymtë, me lajme të rënda e në të shumtën, të dhënat janë kontradiktore… Nuk ka shumë kohë për llogari, për reflektim… Qyteti i Gramshit është llogaritur që ka pasur numrin më të madh të armëve për frymë. Nga shpërthimi i depove mendohet se nga popullsia e këtij qyteti të jenë grabitur afro 100 mijë armë të llojeve të ndryshme dhe sigurisht edhe një sasi municioni. Edhe Divizioni i Korçës ra në greminën e dëmeve ekonomike. Mbi 35 milion dollarë, vetëm në materiale logjistike, duke përjashtuar nga kjo vlerë 70 mijë armë të lehta, municione të rrëmbyera dhe të nxjerra jashtë përdorimit, si dhe dëmtime të artilerisë, tankeve, topave, etj. Edhe shifrat e shkatërrimeve dhe rrëmbimeve në Brigadën e Komunikimit në Tiranë jep bilance ngjethës. 33.833.100 lekë grabitje e dëmtime në aparatura e materiale rezervë të shërbimit logjistik dhe të ndërlidhjes, kurse në armatim e municione dëmi arriti mbi 228.580.450 lekë. Divizioni i Shkodrës ngeli njësia më e fundit e goditjes tragjike. Jo vetëm kaq. Epilogu tragjik i shkatërrimit në njësinë më veriore të vendit u shfaq me tonet më të acaruara. Bilanci tregon një faturë me dëme shumë të mëdha, 412 milion e 419 mijë lekë shkatërrime. 15 MARS, USHTRIA INEGZISTENTE Përfundimi i datës 15 mars 1997 nga shpejtësia e veprimit e shndërroi ushtrinë shqiptare në një gërmadhë. Një fenomen i paimagjinueshëm për nga ngjashmëria e organizimit dhe e përsëritjes së shkatërrimeve dhe dëmtimeve. Përjashto njësitë dhe repartet e Jugut të Shqipërisë gjithçka ndodhi si rrufe, vetëm brenda 2-3 ditëve, menjëherë pas kthimit të reparteve të shpartalluara nga Përmeti dhe Fieri. Aleks Andoni, Gjeneral Brigade, Ish-Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA pohon: “Në këtë mënyrë pushteti, udhëheqja e lartë e vendit dhe e ushtrisë duke përdorur skalionet e SHIK-ut dhe të militantëve fanatik të partisë në pushtet, u hakmorën në mënyrën më të poshtër ndaj ushtrisë duke e shkatërruar me themel atë”. Nuk mund të lihet pa përmendur fakti se vala e shkatërrimeve, ndonëse tepër e veçantë, nuk mundi të prekë disa reparte ku kuadrot qëndruan përkrah efektivave duke përballuar presionin e turmave. Të tilla reparte si Batalioni i Transportit të Ushtrisë, Regjimenti i MCR, Batalioni Komando në Zall Herr, Baza e Riparim Evakuimit të Ushtrisë, Baza e Furnizimit në Durrës, Laboratori i municioneve, rajoni i depove të Stërmasit, rajoni i depove të Bazës së Furnizimit të ushtrisë Dhëmblan dhe Sinanaj (Tepelenë) etj, mundën të sfidojnë shkatërrimin. BERISHA ARMATOS MERCENARËT E VERIUT Janë ditët e para të marsit. Një urdhër ‘Sekret’(Urdhri nr. 92 datë 9 mars 1997) i qeverisë, bën armatosjen selektive të mercenarëve nga rrethet e veriut. Një nga këta të armatosur tregon: “Na thanë që do të shkojmë në jug për të neutralizuar rebelimin. Njoftimi ishte e detyrim, me ‘Fletë – thirrje’ në formën e ‘Kushtrimit luftarak. Në të lexohej i shkruar një nen: “Ligji i gjendjes së luftës për dënim me vdekje në rast mosparaqitje”. Organizimi ishte: Me furgon civil dhe me automjetet e ushtrisë silleshin në Tiranë, tek godinat e SHIK-ut, tek Akademia e Mbrojtjes, për të marrë armatime. Armatimi ishte një kallashnikov, 200 fishekë dhe rroba ushtarake. Pasi armatoseshin caktoheshin drejt e në zonat e përcaktuara nga shtabi i operacionit sipas nevojave. Më shumë kërkoheshin tankistë dhe zbulues. Për personat që mobilizoheshin jepte miratimin shefi i policisë kriminale të rrethit. Kështu deri më 2 mars 1997 fliteshin se, “ishin dislokuar në Fier rreth 2000 forca të tilla”, ­­­­­­­­SHIK-as të ndryshëm dhe civilë të mobilizuar. Kishte nga të gjitha moshat 17, 18 vjeçarë, madje dhe 60 vjeçarë që mezi lëviznin. Një grup tropojanësh, rreth 5-6 veta, kishin ikur nga “fronti” në Gjirokastër. I sollën më datë 2 mars për të dorëzuar armët. Ata po i luteshin një SHIK-asi që të mos i çarmatoste. Ai u tha: “Mirë se do të flasim bashkë sapo të dorëzoni armët tek dhoma jonë!” Ishte fjala për keqtrajtime që u bëheshin dezertorëve… REKORD VRASJES NË VLORË Rekordin e vdekjeve nga plumbat dhe eksplozivet sipas regjistrave spitalorë gjatë 3 muajve të trazirave e mbajtën qyteti i Vlorës me 650 të plagosur rëndë dhe 74 të vdekur, pastaj qyteti i Beratit me 553 të plagosur dhe 32 të vdekur. Shkatërrimeve dhe përgjakjes nuk u shpëtoi dot as qyteti verior i Shqipërisë Bajram Curri. Gjatë muajve të trazirave në këtë qytet u vranë 28 persona, të plagosur me armë zjarri 120 persona dhe të mbetur përjetësisht invalidë rreth 125 të tjerë. Gjatë muajit mars 1997 në spitalin e Tiranës silleshin në urgjencë 140 të plagosur në ditë. Në spitalet e qyteteve të tjera silleshin rreth 60-70 të kësaj shifre në ditë. Në javën e parë të muajit prill 1997 shifrat flasin për 206 jetë të humbura dhe 700 të plagosur. Vetëm në qytetin e Vlorës pati në këtë periudhë 160 të vdekur, kurse nga 10 shkurti deri më 10 gusht 1997 u shuan edhe 362 jetë. Krismat e armëve në çdo orë të ditës ishin qindra jetë më pak e mijëra të plagosur për Shqipërinë. Apokalipsi shqiptar i 1997-s tmerroi edhe qytetin e urtë të Korçës, ku u regjistruan 85 persona të vdekur, 250 të plagosur dhe 67 invalidë të përjetshëm.(Vetëm gjatë muajve të fundit të kësaj pranvere (maj 1997) humbën jetën 131 persona dhe u plagosën 562 të tjerë. Nga tmerri i luftës, në tre muajt e parë të vitit 1997 u larguan nga Shqipëria 32 mijë emigrantë, kryesisht për në vendet fqinjë. Vetëm nga qyteti i Beratit, i cili mendohet të jetë në vendet e para, u shpërngulën mbi 2.000 qytetarë. I madh ka qenë edhe numri i fëmijëve të plagosur dhe të vdekur nga armët e zjarrit dhe lëndëve djegëse. Statistikat e 3 muajve të përgjakshëm treguan për më se 1.200 fëmijë të plagosur rëndë, nga të cilët rreth 250 prej tyre kanë pësuar gjymtime të përjetshme trupore dhe rreth 80 fëmijë të vdekur. PËRMASAT E TRAGJEDISË Shifrat e publikuara që me të vërtetë janë katastrofike, janë vetëm një pjesë e realitetit shqiptar pasi shumë prej të plagosurve kanë humbur gjymtyrë ose do të mbeten përjetë në shtretër për shkak të goditjeve të rënda në pjesët më delikate të trupit, sidomos në kokë dhe shtyllë kurrizore. Marsi i vitit 1997 shkaktoi mjaft pasoja psikike. Mjaft të rinj tregojnë për streset e kaluara nga stuhia e plumbave dhe pasiguria për jetën. Rreth 50 mijë nxënës dhe gjimnastë të kryeqytetit u testuan nga mjekë psikologë nëpërmjet pyetjeve masive. Testimi zbuloi se periudha e tmerrit 1997 ishte përjetuar nga moshat e reja. Rreth 50 mijë fëmijë në Shqipëri janë klasifikuar nga psikologët se mund të vuajnë pasojat e pjesshme ose të plota psikike për jetën e ardhme të tyre. VIKTIMA DHE NGA USHTARAKËT Nga kjo stuhi barbare do të mbeteshin viktima edhe ushtarakët. Një shifër tragjike: 12 ushtarakë të vrarë dhe 29 të plagosur në ruajtje të reparteve apo objekteve ushtarake. Divizioni verior i Shkodrës përjetoi humbjen e 3 ushtarakëve të rënë në krye të detyrës: Kapiten i parë Muhamet Hasmuja, toger Arben Hoxha dhe Kapter Ismet Ishulli dhe plagosjen e 3 ushtarakëve të tjerë. Me kalimin e kohës, ndërsa numri i vdekjeve dhe plagosjeve nga përdorimi i armëve të zjarrit ose i lëndëve plasëse erdhi gradualisht në rënie, shpërthimi i tuneleve dhe i granatave u bë një fenomen tepër i rrezikshëm. Ky fenomen u shoqërua me të vdekur e të plagosur të shumtë. Burim tjetër rrezikshmërie për jetën e qytetarëve, përveç armëve të rrëmbyera mbetën edhe lëndët plasëse, kryesisht tritoli dhe lëndët helmuese luftarake. Tragjedia e shpërthimit të dy tuneleve me eksploziv në Qafë Shtamë në rrethin e Matit solli vdekjen e 27 personave. Shpërthimi i tuneleve me tritol njëri pas tjetrit ka ngelur ende një mister. Fshati Luç në këtë rreth, pothuajse hidhet në erë, duke mos u marrë vesh fati i dhjetëra njerëzve që ishin futur brenda. Në një nga grup depot bazës ushtarake të Burrelit shpërthimi i dy tuneleve atje solli 22 veta të vrarë dhe dhjetëra shtëpi të zonës të shkatërruara dhe të dëmtuara. Në qytetet Laç dhe Lezhë nga shpërthimi i tuneleve humbasin jetën 2 fëmijë dhe u plagosën 20 të tjerë. Jo vetëm kaq. Rrotull vendit të shpërthimit, në fshatrat e Lezhës filluan të shfaqen shenjat e para të dëmeve ekologjike, biologjike dhe fiziologjike. Specialistët shpjegojnë “mundësinë e shfaqjes së këtyre pasojave në të ardhmen në formë epidemish”. Pasiguri nga tërmetet e eksplozivit pati edhe në qytetin e Beratit. Atje shpërtheu depo ushtarake në ish repartin e Palikështit. Sasia e madhe e municioneve (200-400 ton) krijoi pasiguri të madhe në Gjeroven dhe Mbreshtan. Tragjedia Qafë Shtamës u përsërit në depot e Picarit të Gjirokastrës. Atje fatkeqësisht u dogjën të gjallë nga flakët 5 oficerë dhe plagosen 11 vetë të tjerë. Tuneli që shpërtheu pranë repartit në fshatin Plovisht në Korçë mori jetën e një njeriu dhe plagosi mjaft të tjerë. Shpërthimi gjakatar tronditi edhe Selitën e Madhe. Tuneli me municione të ndryshme gjatë shpërthimit mori jetën e 21 personave duke mos u gjetur dhe 6 të tjerë. Plagosja e mjaft njerëzve nga plumbat dhe shpërthimi i lëndëve plasëse shtoi numrin e kërkesave për gjak, sidomos në Tiranë. Kështu gjatë periudhës së fundit të trazirave, transfuzioni i gjakut në Tiranë u rrit trefish. Spitalet merrnin “rreth 450 litra gjak dhe nën produkt të tij, për të cilat kishte nevojë urgjente”. TRAFIKU I ARMËVE E MUNICIONEVE Një pjesë e mirë e armëve të grabitura rrodhi në formën e tregtisë ilegale me vendet fqinjë Maqedoni dhe Mali Zi. Por nuk mund të jetë i papërfillshëm edhe tregu u brendshëm me armët e zjarrit. Në qytetin e Gramshit armët janë shitur si bananet në kryqëzimet e rrugëve dhe mbi trotuaret brenda qytetit… Gati në të gjitha qytetet e Shqipërisë lista e çmimeve të pistoletave arriti deri në 15 mijë lekë. Çmimi i automatikëve Kallashnikov arriti deri 20 mijë lekë. Në Greqi Kallashnikovët shqiptarë arritën shifrën e çmimit në 200 mijë dhrami për copë. Tregu i zi i armatimit e evidentoi Shqipërinë si një faktor pasigurie në rajon. Ishte ky imazh që mori ato ditë vendi ynë i cili do ta mundojë edhe për shumë kohë Shqipërinë nëpër kancelaritë perëndimore.
Posted on: Thu, 06 Jun 2013 15:07:59 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015