VLORË: TETË KËSHTJELLA TË VIZITUESHME, VLERA PËR TURIZMIN - TopicsExpress



          

VLORË: TETË KËSHTJELLA TË VIZITUESHME, VLERA PËR TURIZMIN VLORE, 10 korrik/ATSH-H.Koçi/.- Tetë kështjella që janë ndërtuar dhe përfaqësojnë periudha të ndryshme historike, vlerësohen si objekte të rëndësishme në funksion të zhvillimit të turizmit në rajonin e Vlorës. Specialisti i monumenteve të kulturës, Novruz Bajrami, thotë për ATSH-në se “mirëmenaxhimi i tyre krijon të ardhura të konsiderueshme, por njëkohësisht ndikon në ndërtimin e një imazhi të qëndrueshëm tek turistët e huaj”. Sipas tij, ndër kështjellat më të spikatura është kalaja e Vlorës, e ndërtuar në vitin 1531 nga Sulltan Sulejmani, gjurmë të të cilës janë zbuluar në afërsi të Skelës. Qëllimi i ngritjes së saj, sipas historianëve, ishte mbrojtja e gjirit të Vlorës nga sulmet e venedikasve. Krahas saj, në listën e kështjellave përfshihet edhe ajo e Gjon Boçarit në fshatin Tragjas dhe është ndërtuar në periudhën mes shekujve XVI-XVII. Ajo ka formë drejtkëndore dhe gjerësia e mureve arrin deri në 1.25 metra dhe lartësi deri në 5.5 metra. Ndërsa kalaja e Himarës i përket një periudhe shumë më të hershme. E ndërtuar si një fortifikim i fisit të kaonëve, ajo përmendet shpesh në dokumentet bizantine. “Në shekullin VI kalaja u riparua me urdhër të Perandorit Justinian, për t’u bërë ballë sulmeve të barbarëve, gotëve e huseve”, sqaron Bajrami. Pak kilometra nga qyteti i Himarës, ndodhet dhe kështjella e Porto Palermos, ose e njohur ndryshe kalaja e Ali Pashë Tepelenës. Ajo u ndërtua në fillim të shekullit XIX, nga pashai i famshëm, si një dhuratë për zonjën e vet, Vasiliqinë. Kalaja u projektua nga një inxhinier francez në formën e një pesëkëndëshi, me muret që arrijnë një trashësi prej 1.6 metra dhe u ndërtua nga specialistë italianë dhe shqiptarë. Ky objekt i trashëgimisë kulturore ruhet në një gjendje mjaft të mirë dhe është shndërruar prej disa vjetësh në një qendër mjaft të rëndësishme që ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve shqiptarë dhe të huaj. Në listën e tetë kalave me vlera në rrethin e Vlorës përfshihet dhe ajo e Kaninës. E ndërtuar mbi një qendër të vjetër banimi, në shekullin III p.e.s, kjo fortesë ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 3625 hektarë. Kalaja u rindërtua nga Perandori Justinian, në shekullin V, ndërsa rëndësia e saj spikati veçanërisht gjatë rezistencës së shqiptarëve të udhëhequr nga Skëndërbeu ndaj pushtuesve turq. Kalaja e Mavrovës ndodhet në Luginën e Shushicës dhe është ndërtuar në shekullin IV p.e.s. E veçanta e kësaj kështjelle lidhet me faktin se muret janë punuar me blloqe gurësh gëlqerorë. Specialisti Novruz Bajrami sqaron se, një kështjellë e hershme është dhe ajo e Kukumit, në fshatin Qeparo në afërsi të gjirit të Porto Palermos, ndërtimi i të cilës daton në shekullin II p.e.s. Historianët evidentojnë dhe gjurmët e kalasë së Kropishtit, të cilat janë zbuluar në vendin e quajtur Llutroi. Mendohet se ky objekt është ndërtuar në periudhën romake. Muret e saj me gjerësi deri në 1.2 metra janë të ngritura me gurë me përmasa 24x2x5 cm dhe kalaja ka formën e drejtkëndëshit me përmasa 250 me 180 metra
Posted on: Wed, 10 Jul 2013 08:08:18 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015