ÇKA DUAM NË TË VËRTETË? Blerim Shala Kur të gjithë - TopicsExpress



          

ÇKA DUAM NË TË VËRTETË? Blerim Shala Kur të gjithë përplasen me të gjithë, kur të gjithë bërtasin dhe shajnë, është e pamundur të mirret vesh se çka po bëjmë, në të vërtetë, me këtë shtet. Pa fre. Pa busull. Pa ide. Pa koncept themelor. Pa qëllim të qartë. Pa burrëri elementare. Pa dinjitet. Plot mllef. Plot urrejtje. Plot fyerje. Plot shpifje të të gjitha llojeve. Me injorancën gjithnjë e më masive, me atë mësymjen vertikale të arrogantëve dhe të paaftëve, të cilët nuk zgjedhin mjete për të mbërritur sa më lartë në hierarkinë politike të këtij vendi, ndërsa në ndërkohë po kuptohet, gjithnjë e më tepër, që po rrënohet çdo hierarki e vlerave të mirëfillta në politikën kosovare që janë krijuar për decenie me radhë, në të gjitha format e mundshme. Shtet pa politikë nuk ka. E me kësi politike, me kësi skenë mediatike, shteti I Kosovës është i rrezikuar me themel. Kështu disi, me pak fjalë pra, mund të përshkruhet sot ambienti politik, shoqëror dhe medial në Kosovë. Dhe ky vlerësim është valid(fatkeqësisht), në të gjitha temat të cilat synojnë të shoshiten në këtë shoqërinë tonë, në skenën politike dhe mediale, gjithnjë e më të mjerë, gjithnjë e më të trazuar, me istikamet e hapura në të katër anët, vetëm e vetëm që të krijohen rreshtat e konfrontimeve totale, ku fitues objektivisht nuk mund të ketë fare, ku përplasja me çdo kusht, deri në ‘njeriun’ e fundit është fillimi dhe fundi i çdo gjëje. Është e paimagjinueshme se si është e mundur që flitet aq shumë për dukuritë a ngjarjet shumë të rëndësishme për Kosovën, ciladoqfshin ato, e aq pak ka dije për ato fenomene, e aq pak janë lexuar dokumentet themelore që ndërlidhen me këto ngjarje që nuk zbresin dot prej kryelajmeve të gazetave, radiove dhe televizioneve tona. Flitet me të madhe për Dokumentin e Presidentit Ahtisaari, pa e lexuar fare ate. Komentohet Marrëveshja e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë e 19 prillit, ose pa e lexuar, ose pa e kuptuar fare. E njëjta gjë vlen për Ligjin për Amnisti, për MSA-në(Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit), për shumë ngjarje të tjera, adresimi dhe zgjidhja e të të cilave është kusht pa të cilin nuk bën nëse duam ta bëjmë (njëmend) shtetin e Kosovës shtet të mbarë, të qëndrueshëm si Brenda territorit të vet, ashtu edhe në rendin ekzistues ndërkombëtarë. Nuk dimë çka duam, ashtu del në instancë të fundit, pos që ta bëjmë vetveten kryelajm, faktor pa të cilin nuk bën të bëhet gjë e mirë në këtë vend. Inatçorë të papërmirësueshëm jemi, kacafytës të klasit të parë, mohues të vetvetes, kur kjo vetvetja nënkupton kolektivitetin politik, shoqëror, kulturor, demagogë të moçëm me petkun e neo-patriotizmit që s’është gjë tjetër pos një lojë e nivelit më të ulët me ndjenjat kolektive, atëherë kur na duhet më së shumti mendje dhe maturi. Kur i dëgjon dhe i lexon të tillët, të krijohet bindja që Amerika dhe Perëndimi nuk kanë pasur nevojë kurrë të intervenojnë dhe të na ndihmojnë për t’u çliruar dhe për t’u bërë shtet, që fillikat vetë, me këtë mësymjen tonë patriotike, kishim mbërri deri në Beograd, e dihet mirë që tash e katërmbëdhjetë vjet as urën mbi Lumin Ibër nuk kemi arritur ta kalojmë në Mitrovicë. Të kuptohemi: Ai që sadopak merr vesh në politikë, e di fare mirë pse diçka e tillë nuk ka qenë e mundur deri më tash, dhe pse, edhe tash e tutje, kjo do të mund të bëhet vetëm me mjete politike. Nuk është politika folklor, këngë e gjatë për trimëritë e pareshtura të shqiptarëve ndër shekuj, të cilat paradoksalisht, përkundër faktit që shumica prej tyre janë të vërteta, nuk sollën shpëtimin e kombit dhe krijimin e shtetit kombëtarë para 1912-tës, dhe çlirimin e Kosovës para 1999-tës. Të kuptohemi: I gjithë kontinenti evropian, përfshirë këtu edhe kombet e mëdha evropiane, kurrë nuk do të çliroheshin, në vitet e Luftës së Dytë Botërore, pa rolin që ka pasur Amerika. Këtu ne jemi në shoqëri të mirë. Nuk ka çka të na vijë keq. Nuk është politika një grumbull fyerjesh dhe shpifjesh të të gjitha llojeve kundër njeri-tjetrit, ku shpërfaqet një inat i madh fare personal, një urrejtje patologjike prej atyre që më parë janë munduar të marrin dhe ta mopolizojnë (madje) bajrakun e intelektualizmit krejtësisht pro-perëndimorë. Prej këtij lloji, tash na del që Amerika, pa të cilën as në ëndërr nuk do ta shihnim shtetin e Kosovës, tani po e dëmton pariparueshëm po të njëjtin shtet nëpërmjet të dialogut që po bëhet në mes të Prishtinës dhe Beogradit, dhe nëpërmjet të rezultateve që deri tash ka prodhuar ky dialog. Në çastin kur dikush përpiqet që me gjakftohtësi, me argumente, qetë, të diskutojë për këtë temë, apo edhe shumë tema të tjera të politikës kosovare, ai shumë shpejt mund ta gjejë veten të sulmuar me të gjithë armët e mundshme prej kampit të mohuesve të çdoditshëm, të cilët as që duan të ketë në këtë vend debat serioz për çfarëdo teme të mundshme, po qe se ai (debat), nuk nisë dhe nuk soset me rolin e tyre në historinë e re të Kosovës, me perspektivën e karrierës së tyre personale. Të tillët nuk kuptojnë dot (të tillët, as që mërziten të kuptojnë), që në ambientin politik dhe shoqëror që është krijuar tani në Kosovë, gati është e pamundur të evitohet një skemë finale kur të gjithë do të jemi humbës, sepse shteti i Kosovës (e jo një Qeveri, e jo një opozitë, e jo një skenë politike, tek e mbrama), po dëmtohet, përditë e më shumë. Kur të gjithë përplasen me të gjithë, kur të gjithë bërtasin dhe shajnë, është e pamundur të merret vesh se çka po bëjmë, në të vërtetë, me këtë shtet. Autori është: Nënkryetar i Parë i AAK’së. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën Express.
Posted on: Sun, 21 Jul 2013 10:59:53 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015