100 VJETORI I LINDJES TË SHKRIMTARIT PETRO MARKO “Kur linda - TopicsExpress



          

100 VJETORI I LINDJES TË SHKRIMTARIT PETRO MARKO “Kur linda unë kombi ishte në furtunë U rrita unë, kombi në furtunë! Ika unë, kombin e lashë në furtunë!”-P Marko Sot, nuk kemi ardhur ne në ditëlindjen e Petro Markos, por Petro Marko na vjen këtu, tek hiri i vatrës që e lindi, tek dielli që e dehu, tek era e detit që i përkdheli kaçurrelat rrebele. Na vjen me 100 vite mbi supe për të fikur qirinjtë mbi tortën e urimit! Vjen sot Petro Marko mes nesh të na përshëndes dhe uroj jetë të gjatë, zemër të ndezur e mendje të ftohtë për të përballuar furtunat e kohës e për t’u bërë sgalem, siç ishte ai! Vjen sot Petro Maro, këtu, në rrënjët e gurit për të rithënë edhe një herë: Linda shqiptar! U rrita shqiptar! Luftova si shqiptar! Vdiqa shqiptar! Jam shumë i nderuar dhe krenar që flas këtu në emër të shkrimtarëve të qytetit tim, të cilët po aq krenar përfaqsohen kudo në botë me emrin Petro Marko! Me këkresën tonë, dhjetë vjetë më parë, pikërisht në 90 vjetorin e lindjes, presidenti i Republikës, z. Alfred Moisiu, i dha atij titullin e lartë dhe plotësisht të merituar, NDERI I KOMBIT! Jeta e Petro Markos është jeta e një martiri! Vepra e Petro Markos është monument më vete dhe sa më shumë vite kalojnë aq më tepër ajo lartësohet! Nëse rilindasit tanë të ndritur bënë epokë më vete edhe Petro Marko bëri epokë, në një nga shekujt më të trazuar të historisë! Figura e tij është biblike, ndaj edhe Dhermiu është e duhet të kthehet në “Mekë” ku të vijnë pelëgrinët e letrave dhe gjithë shqiptarët të marrin bekim e frymëzim! Petro Marko ishte aq sa njeri i rrallë aq dhe shkrimtar virtuoz. Ai përfaqëson një kthesë të veçantë në letërsinë shqipe e cila ishte mbërthyer gjatë në grackën e ashpër të realizmit socialist! Fjala e shkruar e Petro Markos përcjell magjinë mitike të së vërtetës së thjeshtë. Ai mbeti shqiptar edhe në prozën e tij të vyer, edhe në mesazhet dhe idetë që përcjell! Vepra e tij është multidimensionale, e vçnatë dhe udhërrëfyese për prozën shqiptare! Vetë jeta e Petro Markos është romani më i dhembshëm, më tragjikja për atë dhe më tragjikomikja për sistemin që e ndëshkoi. Petro Marko e njihte jetën, dallgët e saj! Ai i njihte njerëzit, kohën, ngjarjet. Ndaj edhe shkroi pikërisht për ato që pëjetoi me një realizëm të pashoq! Guximi i Petros i hapi udhë letërsisë bashkëkohore, nga drita e së cilës u kultivua edhe letërsia e mëvonshme! Petro Marko na mësoi si të rrojmë, si të shkruajmë, si të luftojmë dhe si të vdesim me nder! Nuk mund të gjendet një figurë e tillë në fushën e letrave ku urtësia dhe mënçuria, talenti dhe vullneti, patriotizmi dhe lufta me armë në dorë në mbrojtje të lirisë, guximi dhe trimëria si dhe sakrificat, vuajtjet e dhembja të ngjishen të tëra mbi një trup duke e martirizuar atë për së gjalli! Edhe Krishtin e kryqëzuan por ai u bë diell udhërrëfyes për shpirtrat e njerëzve! Në këtë ceremoni përkujtimore, jubilare, për kolosin e letrave shqipe, Bashkia e Himarës ka hedhur themelet e një ideje, e një projekti të admirueshëm për të nxjer në dritën e diellit figurat e ndritura që përfaqësojnë Bregun dhe kulturën që deri tani kanë pritur nën muret e rëndë të heshtjes, të asaj heshtje që kthehet edhe në harrim! Duke nderuar Petro Markon ne nderojmë dhe lartësojmë të mirën, të bukurën, punën, sakrificat, nderojmë të gjithë ata martirë që tretën jetën dhe lumturinë e tyre për lirinë e ëndërruar, për Atdheun e lirë, për demokracinë e vërtetë, për paqen dhe vllazërimin! Emri i Petro Markos do lartësohet nga brezat. Vepra e tij është një stafetë që do përcillet në shkallët e shekujve, e pastër si zemra e tij, e zjarrtë si fjala e tij, e ëmbël dhe e bardhë si shpirti i tij! Ju faleminderit! Myrteza Mara-Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Petro Marko” Vlorë! Dhermi, 23.11. 2013
Posted on: Sat, 23 Nov 2013 19:58:42 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015