12 DËSHMI NGA VET AZEM HAJDARI - Spektrime që çojnë e - TopicsExpress



          

12 DËSHMI NGA VET AZEM HAJDARI - Spektrime që çojnë e dëshmojnë në prova të pakontestueshme se kjo vrasje ishte politike - 1. JAM I VETMI POLITIKAN QË MBAJ PESË PLUMBA NË TRUP… “ …Jam një njeri, që ndjej se duhet të punoj për idealët për të cilat kanë punuar shqiptarët në tërësi, për ato vlera që mendoj se i ka vendi të cilit i përkas, për ato ideale që vendosa gjithçka. Dhe e kam paguar me një çmim shumë të madh. Besoj se jam i vetmi politikan që mbaj pesë plumba në trup, si rezultat i agresivitetit, i dhunës e skenarëve të turpshëm që ndërmori pozita ndaj meje, si dhe i operacioneve policeske të tipit të ndyrë antishqiptare që u ushtruan në atë periudhë. Më duhet të shoh shumë larg, të jem shumë i vëmendshëm dhe të jem një njeri që ta dua këtë vend „. 2. UNË SULMOHEM NGA KLANI HOXHA, KAPO ... “ Kam thënë që unë sulmohem nga klani Hoxha, Kapo. Mund t’ju sqaroj shumë gjëra. Ata janë dy rrjete nga më të çuditshmet që janë ndërtuar në këtë vend. Baza e tyre nuk është shqiptare, ndërsa idetë e tyre janë tërësisht antishqiptare. Këta janë dy klane që për 50 vjet me kujdes përgatitën politikanët e vjetër dhe politikanët e rinj. 3. NË SHIK JANË VENDOSUR DHE KONTIGJENTË NË SHËRBIM TË ZBULIMEVE TË HUAJA ME QËLLIME SUBVERSIVE NDAJ RSH …Në SHIK gjendja paraqitet mjaft e errët për të mos thënë e dyshimtë. Aktualisht, në kundërshtim me ligjet tona, por edhe me ligjet ndërkombëtare, SHIK-u është transformuar në një polici sekrete politike, e cila është shmangur totalisht nga detyra që i ngarkon ligji dhe merret me survejimin e opozitës e deri duke ngritur kurthe për eleminimin e saj. Gjej rastin për të pyetur zotin Klosi: -Pse erdhe në Urën e Mifolit bashkë me Ilir Canon në krye të 600 policëve, natën në errësirë? Cila ishte detyra që të kishte vënë shefi yt? -Përse bini pré e qëllimeve të ulta ogurzeza ku keni probleme madhore që kanë të bëjnë me fatin e kombit tonë? -Përse lirove nga detyra thuajse të gjithë oficerët e SHIK-ut dhe i zëvendësve me ata që u rritën në inkubatorin e sigurimit famëkeq të Enver Hoxhës? Ajo që ka ndodhur në SHIK është tërësisht rikthimi, sistemimi i Sigurimit të Shtetit përfshirë këtu dhe agjenturën ideologjike, objektin e punës në përputhje të plotë me idenë e një shteti klasor, siç ka qënë i ndërtuar Sigurimi i Shtetit dikur. Veç rikthimit të të gjithë ish-sigurimsave në krye të sistemit të komandimit të Shërbimit Informativ janë vendosur dhe kontigjentë në shërbim të zbulimeve të huaja, me qëllime subversive ndaj Republikës së Shqipërisë. Nisur nga përbërja, organizimi dhe detyrat që ka kryer deri tani, mund të arrijmë në përfundimin se SHIK-u është kthyer plotësisht në Sigurim të Shtetit, një mjet klasor në dorën e Partisë në pushtet, për të realizuar qëllimet e mbrapshta të qeverisjes në planin e brendshëm dhe të jashtëm, duke iu larguar tërësisht detyrave të ligjshme si një organ i specializuar për mbrojtjen e interesave të larta kombëtare. 4. CIKLON I GATUAR DIKU AFËR FQINJËVE TANË “…Viti 1997, i cili u zgjidh si ciklon mbi popullin patriotik të Vlorës ishte gatuar jo këtu, po diku afër fqinjëve tanë, ku qarqet shoviniste dhe njerëzit e blerë që kishin shitur interesat kombëtare përgatitën planin ogurz e kriminal të plagosjes me qëllim vrasjeje të Vlorës, Partisë Demokratike dhe tërë Shqipërisë. Erdhën gjarpërinjtë… Vëllezër demokratë, mos u shqetësoni se është një pjesë që e ka besën me grekun, e cila nuk do që zëri im të kumbojë në Vlorë. Unë e kam besën me Flamurin, me Shqipërinë, me Kombin, me rrënjët e të parëve tanë dhe prandaj nuk dua t’ia di për provokacionet e të shiturve…” 5. NË TROPOJË, KËMBËKRYQ AGJENTURAT E HUAJA Përveç atyre që kanë shkuar në Tropojë vërtetë për të ndihmuar dhe për të pasqyruar atë që ndodh atje si dhe luftën që duhet fare qartë nga vija e kufirit ka edhe nga ata që kanë shkuar atje me misione të posaçme. Përveç atyre që pyesin për dhimbjen e të ardhurve, për mikëpritjen, ka edhe nga ata që interesohen për UÇK-në, bazat, armët, organizimin dhe probleme të tjera. Këta flasin gjuhë të ndryshme: greqisht, italisht, anglisht apo ndonjë gjuhë tjetër. Shteti shqiptar nuk e ka vënë fare ujin në zjarr për të parë një situatë të tillë dhe për të pasur nën kontroll situatën. 6. “SOCIALISTËT MUND TË VRASIN DISA NGA NE, POR TË TJERËT DO TË VAZHDOJNË” - Fragmente nga një intervistë që Helsinki Human Rights Group (BHHRG) i ka marrë Azem Hajdarit, në selinë e Partisë Demokratike, pak muaj para vrasjes së tij – BHHRG. - Ju jeni i gatshëm të ktheheni në Parlament edhe pas atentatit? Azem HAJDARI: - Atentati nuk ka rëndësi. Unë e kam zgjedhur rrugën time në jetë dhe jam këtu për të mbrojtur demokracinë e vendit tim. Për këtë qëllim do të shfrytëzoj të gjitha mundësitë; kryesisht duke takuar njerëz e duke folur në Parlament. Unë do të shkoj aty për të treguar se ky parlament nuk është legjitim dhe se qeveria duhet të japë dorëheqjen. Do ndeshem me ata që kanë ardhur në parlament përmes armëve me qëllim që të mbroj idealet e mija dhe idealet demokratike të partisë sime. Ajo që ndodhi, ndodhi. Unë jam gjallë. BHHRG - A do të lejoni një qeverisje katërvjeçare të socialistëve? Azem HAJDARI: - Për mendimin, këta pushtetarë nuk duhet të qeverisin vendin as për një muaj. Ne do të lufojmë në mënyrë që qeveria të japë sa më shpejt dorëheqjen. Tani elektorati, njerëzit kërkojnë një zgjidhje nga ne. BHHRG - Si mund t’ia arrini një gjëje të tillë pa një luftë tjetër? Azem HAJDARI: - Do ja arrijmë përmes zgjedhjeve sepse njerëzit çdo ditë e më tepër kërkojnë zgjedhje të reja. Ne do mbushim të gjitha sheshet e Shqipërisë me përkrahësit tanë. Protestat tona dhe mitingjet vazhdojnë që prej gjashtë muajsh e në to nuk është thyer as edhe një xham. Nëse grevat e urisë përfundojnë me tragjedi (gjykatësit dhe ish të burgosurit politikë zhvilluan në janar të ’98-ës një grevë urie, përmes së cilës ishin kundër spastrimeve në administratë dhe dobësimit të ligjit të genocidit), unë do të dorëzoj mandatin tim parlamentar e do t’i them njerëzve që më kanë besuar votën se nuk mund ta duroj dot më këtë qeveri. Një deklaratë e ngjashme me këtë është bërë edhe nga zoti Arbnori ish-kryetari i parlamentit, personi që konsiderohet si babai i demokracisë në Shqipëri. BHHRG - Ju thoni se jeni i vendosur, por si keni menduar të veproni? Jashtë parlamentit, vetëm nëse rrëmbehen armët, mund të bëhet më shumë sesa brenda… Azem HAJDARI: - Nëse një grevist urie vdes, gjithçka do të ndryshojë në këtë vend. Kjo qeveri do të tregojë se nuk ka as vlerat më elementare humane, dhe gjërat do të ndryshojnë në disfavor të tyre. BHHR .- Mendoni se do të kryhet një revolucion? Azem HAJDARI: - Çështja nuk ka të bëjë me revolucionin por me një lëvizje të gjërë popullore. Unë jam kundër çdo lëvizjeje që bie ndesh me principet e demokracisë. Po të mos kisha këtë parim do isha sjellë ndryshe në vitin 1997 dhe komunistët nuk do të ishin sot në pushtet. Pra mbështes metodat demokratike, por duhet që lëvizja popullore të bëhet më aktive e më e fuqishme. Dje isha në një qytet në veri të Shqipërisë dhe aty pata një miting me 4 mijë vetë. Unë kam patur dhjetëra takime dhe të gjithë sot janë dëshmitarë të përkrahësve gjithnjë e më në rritje që po fiton Partia Demokratike. Kjo, për ne është një garanci e madhe dhe vërteton se njerëzit po ecin drejt Demokracisë. BHHRG - Ju thoni se nuk do të pritni vitin 2001. Si mendoni ti arrini zgjedhjet e reja kur qeveria është shprehur se do ti shkojë deri në fund mandatit të saj? Azem HAJDARI: - Sheshet e të gjitha qyteteve të Shqipërisë do të mbushen me njerëz e kështu qeveria nuk do të ketë rrugëzgjidhje tjetër. Do ketë greva, mitingje, demonstrata – në demokraci ka shumë rrugë për të arritur qëllimet tona përmes rrugës demokratike. Socialistët mund të vrasin disa nga ne, por të tjerët do të vazhdojnë luftën. Për mua është më mirë të jem i vdekur sesa të jetoj në diktaturë. Ne nuk e kemi fjalën për pushtet, por për qeverisje demokratike. 7- KY SHTET DUHET TË KETË PËRGJEGJËSI NDAJ NJERËZVE TË VET Çfarë duan këta njerëz, nuk e kuptoj çfarë qëllimesh kanë, prandaj ju duhet të më kuptoni që unë jam në një problem shumë të madh. E denoncoj krimin dhe, nga ana tjetër, më thonë mos mbaj eskortë. Më bllokojnë edhe makinën. Për çfarë bllokohen ato… I hoqën imunitetin Azem Hajdarit, pse e le atë në rrugë kur e di që Azem Hajdari në kohën e rebelimit, ka qenë kundra amnistisë për 600 kriminelë. Kur e di që ka një konflikt të hapur me disa kriminelë që i përmend emrat në parlament. Sepse ky shtet duhet të ketë përgjegjësi ndaj njerëzve të vet, prandaj unë do t’i shtroj PD-së platformën e moskompromisit jashtë ideve. Nga filozofia di një rast, se aftësia më e madhe e njeriut është të dalë nga dilema në alternativë. 8.- POLICIA: AZEM HAJDARI TË MOS BËJË UDHËTIME NË VERI Thërritet djali i xhaxhait tim nga shefi i komisariatit të Krujës dhe i thuhet që është dhënë urdhër që Azem Hajdari të mos bëjë udhëtime në Veri. Në Tropojë vendoset një bandit kryetar rendi, i paguar për këto probleme, që unë të mos mund të ushtroj aktivitetin tim politik ndaj elektoratit. Sepse dihet që javën e parë që u zgjodha shkuan paratë në Tropojë dhe pas dy javësh arrita të shpërndajë dhjetë mijë familjeve në Tropojë dhe një thes me miell 50 kg falas dhe shkuan 800 mijë dollarë investime për të ndërtuar në zonën time 5 shkolla. Kjo i tronditi shumë ata. 9.- QEVERIA: AZEM HAJDARI TË MOS KALOJË PIKAT KUFITARE TË SHQIPËRISË Unë mbrojtjen time (për çështjen e Milotit) do ta ndërtoj në mënyrën, e cila do të vërtetojë nga pikëpamja juridike dhe pikëpamja shkencore tërësisht pafajësinë. Por e gjej rastin të dal para gazetarëve për të mbajtur një qëndrim personal. Nusja dhe fëmijët e mi janë këtu, nuk kanë ikur nga Shqipëria. Janë këtu në këtë sallë, besoj se do të ketë guximin edhe ministri i Brendshëm edhe Kryeministri për të deklaruar se ku i kanë ata. Fëmijët e mi ndodhen këtu. Parlamenti gërmadhë, më le për të kuptuar se personi i dytë i votuar ligjërisht në katër legjislatura pas 31 marsit, i pari është Pjetër Arbnori që ka katër mandate, që i ka marrë në një rreth, tre në një zonë elektorale dhe një në një tjetër dhe unë që kam katër mandate në katër zona të ndryshme elektorale. I rikujtoj Fatos Nanos dhe Neritan Cekës se urdhrin e dhënë sot që Azem Hajdari të mos kalojë pikat kufitare të Shqipërisë, e konsideroj qesharak. Azem Hajdari ka një vizë dhe ftesën për të shkuar në SHBA, e ka pasur që ditë më përpara dhe mund të shkoj së bashku me fëmijët e mi. Kam qenë shpesh herë atje, kam biseduar me shumë njerëz. 10. - PARTIA SOCIALISTE KËRKON JETËN TIME… Hyra atë ditë në parlament për të vërtetuar një akt, nëse kishte dyshime se atentati ndaj meje në Parlament ishte kryer ashtu siç pretendonin ata. Me heqjen e imunitetit nëpërmjet një gjyqi politik, Partia Socialiste e kërkon patjetër jetën time. Unë nuk jam Gramoz Ruçi që të largohem nga Shqipëria. Kundërshtarët e Fatos Nanos në Shqipëri, në PD, nuk kanë vila, as pishina për gratë e tyre tek qarqet nacionaliste greke, që pasi t’i godasë Fatosi të shkojnë në Greqi. Ata e kanë vendin vetëm këtu. Kemi hyrë në politikën shqiptare për të mbajtur një qëndrim. Dhe qëndrimi im lidhet me mandatin tim. Për mua Parlamenti nuk ka asnjë lloj vlere deri ditën e dhënies së verdiktit nga drejtësia. Deri ditën që drejtësia shqiptare të japë një verdikt për fajësinë apo pafajësinë e procesit të montuar, Azem Hajdari nuk do të shkojë në këtë Parlament dhe do ta ngrijë mandatin si deputet. Dua të sqaroj se kam marrë miratimin e Këshillit Kombëtar të PD-së dhe mbështetjen e këtij këshilli dhe të kryetarit të PD-së që të mos ta bëjë këtë veprim. Por ka edhe qëndrime të tjera. ...Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së ju informoj se do të kërkoj që PD të mos hyjë në Parlament deri ditën që do të sqarohet problemi i Milotit, në të kundërt mandati i Azem Hajdarit dorëzohet. 11. - VRASJA E 12 SHTATORIT 1998 SKENAR I PARALAJMËRUAR NGA VET AZEMI MË SE GJASHTË MUAJ MË PARË Me heqjen e imunitetit (për ngjarjen e Milotit) hapin fjalë se do më arrestojnë. Hajde zotëri më arrestoni. Pse keni frikë? Unë nga Shqipëria nuk iki. Hajde më veni prangat para gazetarëve, apo në zyrën time në PD. Apo kanë hall që ndonjë natë kur lëviz vonë, që shkoj në shtëpi, të improvizojnë se nuk ju ndalua postobllokut dhe të realizojnë strategjinë e tyre. 12. NATO NUK I BESON QEVERISË Si kryetar i Komisionit Parlamentar të Mbrojtjes, dal përpara jush për të denoncuar klikën në pushtet të Fatos Nanos për politikën e izolimit në të cilën ajo po e zhyt Shqipërinë. Duke shprehur keqardhjen time më të thellë, njëkohësisht shpreh edhe mirëkuptimin tim për vendimin që ndërmorri NATO për të larguar përfaqësuesit e zyrës së NATO-s të instaluar në Ministrinë e Mbrojtjes. Si kryetar i Komisionit, duke denoncuar ashpër, dhe duke bërë direkt përgjegjës për këtë vazhdim kryeministrin dhe klikën e tij, theksoj se NATO nuk largohet për çështje sigurie, sepse NATO është e kudondodhur në mbrojtje të vlerave të saj, në kohë paqeje dhe lufte. NATO me këtë vendim, tregon se nuk i beson kësaj qeverie e cila ka organizuar krimin e organizuar, trafikun e organizuar dhe korrupsionin e organizuar dhe është shpallur si qeveria më e korruptuar në Europë. Në rast se largimi i diplomatëve të tjerë mund të merret i mirëqenë se janë larguar për çështje sigurie, për grupin e këshilltarëve amerikanë në ministrinë e Mbrojtjes dhe për zyrën e NATO-s, shpreh bindjen time se largimi nuk e përmban këtë motiv, sepse vetë NATO është e kudogjendur, edhe në vende ku paraqesin rrezikshmëri të madhe për të mbrojtur vlerat e përbashkëta që kanë vendet anëtare, vlera të cilat ato i ndajnë njëra me tjetrën si vlera perëndimore në mbrojtje të paqes dhe të sigurisë. Largimi i luftanijeve Amerikane nga Adriatiku, një ditë para mbarimit të stërvitjes Cooperative Assembly si dhe vendimi i fundit i NATO-s për të larguar përfaqësuesit e zyrës së saj në Shqipëri, në kohën kur Shqipëria dhe në mënyrë të veçantë zhvillimet në Kosovë e kanë më të domosdoshme se kurrë prezencën e saj, parathonë një mesazh të madh i cili në vetvete është një lajm i zi, për Shqipërinë dhe për shqiptarët që qeveria e tyre izolacioniste po mundohet ta izolojë këtë vend duke e larguar nga vlerat që Shqipëria i kishte përfaqësuar pas ‘90-tës. Si Kryetar i Komisionit Parlamentar të Mbrojtjes, bashkë me keqardhjen për largimin e përfaqësuesve të zyrës së NATO-s, shpreh shpresën se kjo organizatë do të vazhdojë të angazhohet seriozisht, në mënyrë të veçantë në Kosovë, për zgjidhjen e krizës atje, si dhe për të mbrojtur vlerat e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri. __________________ 1. Intervistë ekskluzive e Azem Hajdarit dhënë për gazetën “55” në prill të vitit 1998, e cila ribotohet në këtë gazetë edhe më datë 13 shtator 1998. Intervistoi gazetari Irhan Jubica. 2. “Albania”, 28 shkurt 1998, f.7 3. Deklaratë e Azem Hajdarit në Tiranë, më 3 maj 1998. Azem Hajdari: Sigurimi Kombëtar dhe kriza e stisur qeveritare. /Nano 4, qeveri e dështuar si edhe Nano 3/. RD, 3 maj 1998, fq. 6. (Botojmë vetëm një fragment tematik) 4. Deklaratë e Azem Hajdarit në Vlorë, 09 .05. 1998 Azem Hajdari. Vlora, simboli i patriotizmit. /Përshëndetja e Liderit të Dhjetorit, Azem Hajdari/. RD, 10 maj 1998, fq. 2. (Botojmë vetëm këtë fragment tematik). fotokopje-faksimile. 5. Deklaratë e Azem Hajdarit në Tiranë, 4 shtator 1998. Azem Hajdari. Faleminderit, vendlindja ime. /Nëntitujt: Ardhjet kanë filluar që në fillim të vitit 1998. Fillimi i qershorit, rritet fluksi i të ardhurve. Rrëfimet e të ardhurve. Rritja për të ardhurit – madhështore. Ndihmat e para. Gjendja socialekonomike e Tropojës. Qeveria mbyll sytë për ato që ndodhin. Kontradiktat e pushtetit qëndror me pushtetin lokal. Vidhen makinat e të huajve, grabiten gazetarët. Opozita nuk ftohet në asnjë takim. Në Tropojë, këmbëkryq agjenturat e huaja/. Gazeta “55”, 4 shtator 1998, fq. 8-9 6.U publikua për herë të parë me 5 tetor 1998. RD, 11 tetor 1998, f. 7. Pjesët e mëposhtme shkëputur nga një intervistë që Helsinki Human Rights Group (BHHRG) i ka marrë Azem Hajdarit, lider i lëvizjes studentore të vitit 1990, lëvizje e cila rrëzoi qeverinë e fundit komuniste në Shqipëri (të udhëhequr nga ish-kryeministri socialist Fatos Nano) dhe i hapi rrugën për zgjedhje të lira pas 50 vjet diktature komuniste. Intervista është marrë në selinë e Partisë Demokratike, pak muaj para vrasjes së Hajdarit. 7-11. “Albania”, 28 shkurt 1998, f.7 12. RD, 5 shtator 1998, fq. 3.
Posted on: Thu, 12 Sep 2013 06:16:46 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015