2013 Azgan HAKLAJ Antar i Këshillit Kombëtar të PD, Ish - TopicsExpress



          

2013 Azgan HAKLAJ Antar i Këshillit Kombëtar të PD, Ish deputet në Kuvendin e Shqipërisë ËNDRRA BLU RIKTHEHET ME BASHËN! Kujtesë dhe Apel për demokratët qëndrestarë shqiptarë Të dashur miq demokratë! Edhe unë si ju, po e përjetoj me dhimbje shokuese rezultatin e pamerituar të 23 qershorit 2013. Ky fakt, jo për arsyen se ne demokratët nuk arrijmë të perceptojmë rotacionin politik. Aspak! Ne u krijuam, aspiruam e milituam politikisht për lirinë e votës, liritë e tjera të mohuara dhe pluripartizmin politik. Ajo që ne na shqetëson e nervozon deri në fyerje, është ky rezultat aspak real, i cili çuditi jo vetëm ne, por edhe vetë analistët e majtë, madje edhe vetë fituesit e këtij kompeticioni elektoral. Akoma të drobitur nga agonia që na përfshiu, PD-ja u gjet përballë dorëheqjes së z. Sali Berisha, liderit që i kemi tejbesuar të gjithë ne, jo aq prej misticitetit, por prej vet rezultateve të tij dhe realitetit. Ai, edhe në këtë fushatë, priu vetë, ballazi, trimërisht e shqiptarisht, në mënyrë civile dhe me një bashkësi të materializuar arritjesh madhore. Për habi, u ndëshkuam fatalisht. Roli i madh individual i Sali Berishës, në nivelin e makropolitikës ka qenë ekselent, por për hir të së vërtetës, ka gabuar fatalisht në përzgjedhjen e bashkëpunëtorëve. Mesazhet e tij, jo se nuk u mirëkuptuan, por thjesht u sabotuan. Dy muaj para zgjedhjeve të 23 qershorit, meskiniteti, egoizmi, karrierizmi brenda PD-së, filloi të përvijohej dhe filluan thashethemnajën e pasardhësit duke insinuar për Lulzim Bashën. Fitorja e Bashës, triumfuesi i 9 majit 2011 për Bashkinë e Tiranës, përballë “të pathyeshmit” Edi Rama, në vend që të gëzonte e motivonte zëvendësit e Berishës, i çoi ata në udhë të keqe, në udhën e intrigës, si ato që kemi dëgjuar të ndodhin në oborret e monarkive. Të dy grupet anti-Basha në PD, dolën humbësit më të mëdhenj në dëm të kauzës tonë. Natyrshëm lind dyshimi shumë i bazuar se këta zotërinj, duke qenë të çimentuar për vete, si rezultat i listave, jo vetëm që nuk iu qasën frymës e punës për fitore, por përkundrazi, u bënë palë e fuqishme në krah të kundërshtarit. Tre qarqet më të mëdha në vend pas Tiranës, (Korça, Fieri dhe Shkodra), të udhëhequr nga të lartpërmendurit anti-Basha, e dëshmojnë konstatimin tim. Akoma pa e marrë veten nga shoku e nga nostalgjia e ligjshme, që na shkaktoi rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme dhe dorëheqja e Berishës nga kryetar i PD-së, na turret një kryehumbës, që nuk e pa derën e PD-së për 8 vjet, Sokol Olldashi, i cili para një tabele të pikturuar me sloganin e kopjuar, na paraqiti kandidaturën e tij për të zëvendësuar Berishën. Mendimi i parë, jo vetëm i imi, ishte se si ka mundësi, pikërisht në këtë kontekst, të ravijëzohej një pafytyrësi e tillë politike. Tani që na lipsej ringritja, ndoshta rigjallërimi me elektroshok, na serviret një medikament që kishte rezultuar shumë herë dhe shumëfish fals, në mos me efekte anësore helmuese me emrin Olldashi. Nuk ka nevojë dhe e quaj të tepërt t’i bëj biografi politike, atij që për 8 vite, jo militantëve e demokratëve, por as kolegëve deputetë të PD-së nuk denjoi as t’ju hapë telefonin. Në çdo pozicion e garë elektorale, Sokol Olldashi rezulton jo vetëm i parezultat, por në qënien e tij nuk rreh asnjë damar demokrat, përveç një egoizmi e smire karieriste, e cila u ushqye natyrshëm nga ngjitja e tij aspak e merituar, në parti dhe qeveri. Ai ka filluar të ligjërojë përpara njerëzve, të cilët po i organizojnë kolegët e tij të klanit humbës, i cili për hir të realitetit, rezulton të jetë dhe klani pacipësisht përfitues nga pushteti, që votuesit ja dhuruan me besim demokratëve 8 vite më parë. Nuk është e udhës që me këtë shkrim, të bëj përshkrimin e bëmave abuzive të Olldashit dhe kolegëve të tij humbës, sepse kjo është një analizë për t’u bërë, jo vetëm nën një këndvështrim empirik, por që kërkon një intervent të thellë pas zgjedhjes së kryetarit të ri. Në kontekstin e analizës, dua të evidentoj disa sjellje të tyre në drejtimin e partisë dhe qeverisë. Pavarësisht se statuti i PD-së përputhet me normat demokratike të funksionimit të partive simotra popullore, konservatore, europiane e më gjerë, realiteti i 8 viteve të fundit, ka treguar për injorimin total të zbatimit të tij. Disa zyrtarë partiakë të PD-së, nga qendra në bazë, të veshur me pushtete ekzekutive, por edhe legjislative, jo vetëm harruan se drejtimi i partisë bazohet në norma organizative statutore, por edhe u shndërruan në mënyrë të paligjshme, përfituese e nepotike, në tenderues vendesh pune. Kjo e dëmtoi imazhin e PD-së dhe minoi, si në asnjë rast tjetër në demokraci, përpjekjet dhe realizimet historike të demokratëve idealistë shqiptarë, të udhëhequr nga Sali Berisha. Anëtarësimi dhe freskimi i strukturave të PD-së, më shumë se një realitet sistematik përzgjedhjeje, ka rezultuar një propagandë e gënjeshtërt në prag të fushatës elektorale. Rezultati i 23 qershorit demontoi dhe nxorri sheshit nulitetin në sektorin e organizimit të partisë, nga qendra në bazë. Edhe më i painformuari e di, se sektori i organizimit të partisë, degradoi në zyra kuadri, të ngjashme me ato të stilit social-komunist, aspak demokrate, qendrestare e meritore, aspak bazuar në kritere statutore, parimore e profesionale, por mbi nepotizma e deri në përlyerje e përfolje për përvetësime e korrupsion. Mosrespektimi i principeve ligjore e statutore, ka bërë që tek struktura dhe individë drejtues të PD-së, të intervenojnë me donacione individuale e shoqëri të dyshimta, të cilat nuk kanë reflektuar ndjesi e parime që i lidhin me PD-në, përkundrazi kanë treguar interesa meskine, ekonomike dhe politike. Identifikimi i tyre s’ka qenë i vështirë në elektorat, ndaj dhe reagimi inteligjent i 23 qershorit, duhet të bëhet mësim për të ardhmen. Vota ndëshkuese, deri shokuese e 23 qershorit, vetëshpjegon deri në detaje këtë fakt. Ajo që dua të ndaj me vëllezërit e mi demokratë anembanë Shqipërisë, me ata qëndrestarë që PD-në nuk e konsideruan bulmet si Olldashi, por si një fëmijë të cilin e ushqyen dhe e rritën me mundim, deri dhe me gjakun e tyre, është ideja dhe guximi ynë për tu ringritur. Nuk po diskutohet për një ringritje normale elektorale pas një gare të humbur, por për një guxim që vetëm shpirti ta jep. Ky shpirt i qëndrestarëve, nuk na mungon, por kujdes, sepse bashkë me vullnetin, guximin, krenarinë, nuk na mungon as kujtesa. E pra, kujtesa, e cila na thotë se kurrë më nuk do të gjejmë vullnet e ndërgjegje të ringrihemi, për të rifreskuar ringritjen klanore të humbësve, për rifreskimin e pasurimin e enturazhit të tyre. Fatmirësisht, çdo e keqe e ka një të mirë që e ndjek - thotë populli. E mira më e madhe, garancia unike për një lider të ringritjes, ridimensionimit e rifreskimi tonë, është Lulzim Basha. I zhveshur nga çdo lloj tentative për t’ju qasur simpatisë time personale dhe komplimentimit, unë siguroj çdo demokrat se në këtë garë që na është servirur për lidership, vetëm Lulzim Basha është dritë e qartë dhe e sigurt në fund të tunelit, ku na futën Olldashët që i ngritëm dhe padrejtësisht ju besuam. Intelektual perëndimor, i pajisur me dije poliedrike, diplomat i provuar me lidhje të fuqishme në mbarë botën demokratike, energjik dhe i pakompromis për kauzën, gjenetikisht me prejardhje atdhetare dhe partizan eurodemokrat i zgjidhjes së çështjes kombëtare, Lulzim Basha është vërtetë fat për PD-në dhe shqiptarët. Por ky fat, po tentohet, nëntokë e në prapaskenë, të na privohet nga klanet përfituese, tërësisht e botërisht të përfolura si të korruptuara. Dëshiroj t’i mbyll këta rreshta të thjeshtë apeli, me një kujtesë: Zgjidhni Lulzim Bashën, kryeqytetarin e Tiranës, qytetarin e lirë të Londrës, dhe kalojeni Sokol Olldashin në reflektim e kryeultësi, këtë qytetar të refuzuar nga Tirana, Fieri e Shijaku.Askush nuk dyshon tashmë votën e demokratëve të vërtetë, në 22 korrik. Ajo votë do të jetë për Lulzim Bashën, për ne, për Shqipërinë, për kombin dhe demokracinë. Po ashtu, askush nuk beson se intrigat që po thuren, orë e cast nëpër kafene, do të arrijnë ta tjetërsojnë vullnetin tonë. Basha është shpresa për rikthimin dhe vazhdimin e ëndrrës tonë, ëndrrës blu. Ai është emëruesi i përbashkët i demokratëve, i riformatimit të të djathtës moderne dhe i lidhjes integruese me Perëndimin. Tiranë, korrik, 2013
Posted on: Fri, 29 Nov 2013 17:39:25 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015