A është Shqipëria gati? Shoqëria shqiptare mua më duket se - TopicsExpress



          

A është Shqipëria gati? Shoqëria shqiptare mua më duket se është krejt gati. “Gati” nuk janë kasta qeverisëse, hajdute dhe e paaftë, që mezi pret të prodhohet një gjasme-argument në djerrinën “atje lart” për të qetësuar veten dhe për të na gënjyer ne Nga Koloreto Cukali* Një frazë që e dëgjoj gjithnjë e më shpesh kohët e fundit, është fraza “si shoqëri nuk jemi akoma gati”. Ti pyet, pse të mos sekuestrohen pasuritë e paligjshme? Të thonë që “s’jemi gati”. Ti sugjeron burgosjen e shkelësve të ligjit, por për ta “shoqëria jonë nuk është gati”. Ti pyet për shkatërrimin (jo-selektiv) të ndërtimeve pa leje, dhe prapë të thonë se “shoqëria nuk është akoma gati”. Ti do të jetosh si njeri, dhe përgjigja është… e merrni vetë me mend. Jam thellësisht kurioz të di kush e ka artikuluar i pari. Sepse, ka ngjitur kaq mirë, deri dhe nga njerëz që fjalën ua dëgjoj me shumë vëmendje, sa tregon se nuk është thjesht një filozofi fluturake. Jemi një popull – me popull i them atyre që kanë në dorë të ndryshojnë një gjë sado të vogël në këtë vend – i trajnuar me përgjigjen në kor: “Gjithmonë Gati”. Dhe ja, tamam kur gati po thyhemi në mes, të dërrmuar nga 23 drunjtë e shtrembër të tranzicionit, marrim vesh se paskemi bartur kot për gjithë këto vite këtë barrë të padurueshme. Ç’do të kish ndodhur po të na e kishin thënë më herët që s’kishim për të qenë kurrë gati? 23 vjeç, dhe jo gati për nuse Jemi në vitin 2013. E di që e dini. Por, jemi nisur së bashku në 1990 dhe jemi nisur atëherë (pothuajse) nga një start i njëjtë. Jemi nisur nga një premisë e përbashkët – që ishim gati për një shoqëri, shtet e ekonomi më të mirë nga ç’e kishim, për një vend që do ishte si gjithë Europa, dhe ku të gjitha plagët do zbuteshin me melhem. Dhe ja ku jemi: më të pabarabartë se kurrë (të paktën aq sa mban mend kujtesa e gjallë). Tani, dëgjoj që nuk qenkemi gati! Tani, kur gara ka mbaruar. Po t’jua kishin thënë që atëherë, ndoshta do kishit preferuar të rrinit ashtu siç ishit, ose të ishte një start i njëjtë vjedhjeje e abuzimi për të gjithë. Tani që nuk ka mbetur më gjë për të grabitur, tani, gara mbaroi, por ne nuk jemi gati. Të mos jesh gati, është të të thonë: “Fillo vidh për vete vëlla, se shtet nuk bëjmë dot”. Nuk është thjesht një frazë. Është sintezë e shtetit dhe e shoqërisë. Një shtet ngritur mbi një fatalizëm nuk di se nga ndryshon nga një shtet i dështuar. Gati, si një grua shtatzënë Një grua shtatzënë e di se çfarë do të thotë të jesh gati. Dhe në mos, do mësojë vetë. Të mëson puna, thonë. Nëse do e shihni Shqipërinë si një puzzle, ku në çdo copëz të puzzle-it gjallon jeta, do të shohim se të tëra copëzat janë gati. Femrat janë gati për modën e re të flokëve. Burrat janë gati për Champions League-n, madje Shqipëria është gati dhe për të shkuar në Botëror. Të gjithë janë gati për të bërë ski në Mavrovë në dimër. Biznesmenët janë gati për të bërë evazion fiskal. Bukëpjekësit janë gati në mëngjes për të nxjerrë byreqet. Kalamajtë bëhen gati për shkollë. Rama është gati për të marrë pushtetin. Atëherë, pse shumatorja e tërë këtyre vullneteve që janë gati, nuk na qenkësh gati? Pse shteti është gati të mbajë sistemin e burgjeve, kur nuk jemi gati për të burgosur njerëz? Pse e majta ishte gati për të ardhur në pushtet, por shoqëria nuk është gati për t’u bërë një vend perëndimor? Këtë mund të na e shpjegojnë ata që e “zbuluan”këtë filozofi. Dështimi që vjen nga “lart” Kjo frazë është artikuluar “atje lart”. Më duhet të bëj një parantezë. Fjala “lart” tek ne nuk ka shumë kuptim. Pozicioni “lart” tek ne është shumë iluzor. Sot je lart prej ca rrethanave fatlume. Nesër, je poshtë, tek moçali i përgjithshëm. Statusi politik apo shoqëror është si rrobat e reja të mbretit – një shtirje masive. Njerëz të pashkolluar mbajnë pozicione të larta, sharlatanët bëjnë para, dhe injorantët zotërojnë pushtet që s’dinë ta menaxhojnë. Ndërkohë që një nga eruditët më të mëdhenj që njoh, Moikom Zeqo, endet i papunë prej 8 vitesh, për shembull. Doni të testoni pushtetin e ri? Fiksoni dikë që ka vlera, dhe shikoni si do ndryshojë jeta e tij. Po le të kthehemi “lart”. Kush është atje lart që filozofon dështimin e shoqërisë? Ka atje sipër njerëz të zgjuar. Ka edhe njerëz të shkolluar. Ka njerëz që duke parë varfërinë e madhe intelektuale që i rrethon “atje lart”, kanë hequr dorë nga shkollimi i mëtejshëm, se nuk u duhet. Ka dhe njerëz që kuptojnë ç’ndodh. Por, atje për fat të keq nuk ka filozofë të shoqërisë sonë politike. Aq më pak vizionarë. Po të kishim, do i kishim ndjerë. Atje, ka më shumë njerëz kulisash dhe “filozofë” kafenesh. Sepse, liderët e politikës preferojnë të jenë të rrethuar me “Yes man”-ë. Sepse, lideri i di të gjitha. Sepse liderët rrinë tërë ditën duke kundruar moçalin (që e duan dhe pa bretkosa, madje). Dhe siç thonë, kur ti sheh për një kohë të gjatë humnerën, humnera rri e të sheh ty. Shqipëria e parë nga “lart”, projektohet vazhdimisht për dështim, përmes stampave. Stampuar me filozofinë e dështimit Fraza “nuk jemi akoma gati” ndoshta nuk do e meritonte një artikull më vete. Por, ajo është e fundit në një seri “filozofish” që na kanë stampuar si shoqëri. Ju kujtohet teza që anti-rotacion që qarkullon prej mbi 10 vitesh që thotë se “këta që janë në pushtet vodhën, hëngrën e u ngopën, por ata që do vijnë do duan të hanë nga e para, se janë më të uritur. Më mirë të mbajmë këta!”? Ose, shtampa tjetër, që “ne jemi vend i vogël, kaq mund të nxjerrim”? E pra, faktet kanë treguar që pangopësia në pushtet nuk ka masë e kufi. “Berisha 2” ka qenë ku e ku më shkatërruese dhe e pangopur se “Berisha 1”. Nëse vendet e vogla, aq e kanë takatin, do të thotë se Kina duhej të ishte superfuqi në futboll. Ose, Norvegjia nuk do nxirrte kinema të mirë. Ose, Singapori, nuk do ishte i zhvilluar, po do ishte këtu ku jemi ne, në mos më keq, për nga përmasat gjeografike. Këto filozofi dështimi, pasqyrojnë vetëm dështimin e disave. Për fat të keq, na shtamposin të gjithëve. Jo se s’di, por s’do! Rreth pallatit tim, ka disa kërpudha informale. Kushdo që vendosi të mos presë “të bëhemi” por vendosi të bëjë të vetën, e ngriti një ndërtim pa leje. Askush nuk do mundej para ’90-ës. Dhe jo se kishin frikë nga xhaxhi, por ishte një shtet funksional. Nuk po flas as për politikë e as për kampe përqendrimi. E kam te shteti dhe zbatimi i ligjit. Mos do thotë që atëherë si “shoqëri ishim gati” dhe pas ’90-s humbëm gatishmërinë? Nuk e besoj. Fatalizmi i “shoqërisë që nuk është gati” është justifikim i paaftësisë për të qeverisur. I paaftësisë për të ndërtuar shtet. Është justifikim i garës së pandershme që bënë, e në emër të së cilës shkatërruan çdo strukturë shteti. Është justifikim i mediokritetit, në emër të të cilit shkatërruan çdo ëndërr me të cilën u nisëm 23 drunj të shtrembër më parë. Por, dështimi është i tyre. I atyre që e artikulojnë, dhe atyre që e besojnë. Shoqëria shqiptare mua më duket se është krejt gati. “Gati” nuk janë kasta qeverisëse, hajdute dhe e paaftë, që mezi pret të prodhohet një gjasme-argument në djerrinën “atje lart” për të qetësuar veten dhe për të na gënjyer ne. Për atë që ka ndodhur në këtë vend për 23 vjet, fajin nuk mund ta ketë moçali. Fajin e kanë ata që preferojnë të mbretërojnë mbi moçal, dhe tashmë, përtojnë dhe të mbyllin hundët.
Posted on: Thu, 31 Oct 2013 10:05:09 +0000

Trending Topics



class="stbody" style="min-height:30px;">
I got India. You are driven in life by the search for meaning and
Judit Vágási Szerintem meg igen kevés, ha csak ismét az
I am always surprised at the turn of events. there is never a day

Recently Viewed Topics




© 2015