~AMA shpall garën për transmetuesit numerik~ KONFERENCË PËR - TopicsExpress



          

~AMA shpall garën për transmetuesit numerik~ KONFERENCË PËR SHTYP Jam përpara jush, për t’ju informuar mbi Vendimet e marra nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), në mbledhjen e tij të fundit të dt. 02.07.2013, Vendime që për nga rëndësia shënojnë një moment kulmor për zhvillimin e mediave elektronike në vend. Siç jeni në dijeni, ligji i ri “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, ka hyrë në fuqi më 5 prill 2013. Në zbatim të nenit 139, pika 1, germa “b” të këtij ligji, AMA ka detyrimin ligjor që brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e ligjit (pra brenda datës 5 korrik 2013), të bëjë njoftimin publik dhe ftojë operatorët privatë historikë kombëtarë, si dhe operatorët ekzistues me eksperiencë në transmetimet numerike, për të marrë pjesë në procedurën e përzgjedhjes, sipas beauty contest-it për rrjetet numerike kombëtare. Në përputhje me këtë detyrim ligjor, AMA miratoi Rregulloren për “Për licencimin e rrjeteve numerike dhe programeve të tyre, sipas procedurës së beauty contest”-it, përmes një procesi në përputhje të plotë me detyrimet e parashikuara nga ligji i ri. Më konkretisht në respekt të nenit 48 të ligjit, që parashikon një procedurë të këshillimit publik, jo më pak se 30 ditë, AMA ndërmori një proces të gjerë konsultimi. Fillimisht kjo projektrregullore iu dërgua me shkresën nr. 1001 prot, dt. 23.05.2013 subjekteve të interesuar, për të dhënë mendimet dhe sugjerimet e tyre, si dhe u publikua në faqen zyrtare të institucionit. Në përgjigje të kësaj shkrese nga disa operatorë u dhanë sugjerimet dhe vërejtjet përkatëse, si dhe u propozua mbajtja e një tryeze të përbashkët. Për të përmbushur sa më mirë nevojat e operatorëve të interesuar dhe për një transparencë sa më të plotë në këtë proces, AMA me datë 17.06.2013 organizoi tryezën e parë të përbashkët, ku ishin ftuar përfaqësues të televizioneve private kombëtare, si dhe platformave private numerike. Qëllimi i kësaj tryeze të përbashkët ishte diskutimi i vërejtjeve dhe sugjerimeve që subjektet e ftuara kishin bërë për projekt-rregulloren, si dhe marrja e opinioneve dhe mendimeve të ndryshme për përmirësimin e mëtejshëm të saj. Në këtë takim të parë morën pjesë platforma “Tring”, si dhe televizioni “Vizion +”, ndërkohë që pavarësisht ftesës së dërguar, nuk morën pjesë televizioni “TV Klan”, televizioni “TV Top-Channel”, si dhe platforma “Digitalb”. Sugjerimet e dala nga kjo tryezë u pasqyruan në projektrregullore, e cila iu ridërgua si subjekteve pjesëmarrëse, ashtu edhe atyre që munguan. Më pas më datë 27.05.2013 AMA organizoi një tryezë të dytë të rrumbullaket, me qëllim vazhdimin e mëtejshëm të diskutimeve. Në këtë takim të dytë merrnin pjesë edhe përfaqësues të delegacionit të Bashkimit Evropian, si dhe përfaqësues të OSBE-s. Edhe në këtë tryezë pavarësisht ftesës së dërguar, morën pjesë vetëm Platforma Tring dhe televizioni Vizion + dhe përsëri nuk morën pjesë televizioni “Klan”, televizioni “Top-Channel”, si dhe platforma “Digitalb”. Pas gjithë këtij procesi, që zgjati më shumë se 30 ditë, në përputhje me afatet ligjore, AMA më datë 02.07.2013, miratoi me unanimitet të plotë Rregulloren “Për licencimin e rrjeteve numerike dhe programeve të tyre, nëpërmjet procedurës së beauty contest”-it. Gjithashtu në zbatim të dispozitave ligjore, Autoriteti i Mediave Audiovizive njofton sot publikisht çeljen e procedurës për dhënien e 3 (tre) licencave private kombëtare të transmetimit audioviziv numerik, duke ftuar subjektet: - Televizionin privat kombëtar “Top-Channel” - Televizionin privat kombëtar “ Klan” - Televizionin privat satelitor “Vizion +” - Platformën private “Digitalb” - Platformën private “Tring” që të paraqesin aplikimet e tyre. Në lidhje me një kronikë të djeshme të televizionit “Top – Channel”, sqarojmë opinionin publik se: 1. Rregulloret në bazë të nenit 13 të ligjit “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, miratohen me shumicë të thjeshtë prej 4 anëtarësh. Vendimi i licencimit (i cili sipas afateve ligjore duhet të merret rreth muajit tetor 2013), miratohet me shumicë të cilësuar prej 5 anëtarësh. Pra, sqarojmë se kjo rregullore si dhe ftesa për paraqitjen e aplikimeve në bazë të kësaj rregulloreje, janë akte që miratohen me shumicë të thjeshtë. 2. Me shkresën nr.781, datë 03.4.2013, KKRT ka njoftuar Kuvendin dhe Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, mbi situatën e vendeve vakante në KKRT. Por, më duhet t’ju informoj qe ky komision nuk nisi procedurat e parashikuara nga ligji per plotësimin e vendeve vakante. 3. Sqarojmë ish deputetet Alfred Dalipi dhe Mark Marku, se në miratimin e Rregullores së sipërcituar, nuk ka asnjë “ngut”, por thjesht respektim të afateve ligjore, që ata vetë i kanë parashikuar në ligj. U kujtoj atyre që vendi ynë është ndër të fundit e rajonit në procesin e kalimit në transmetimet numerike, dhe për këtë arsye nuk ka kohë për të humbur. Përfitoj nga rasti t’ju kujtoj këtyre dy ish-deputeteve, të rilexojnë ligjin, që pretendojnë se e kanë bashkëhartuar. Gjithë sa më sipër, provon qartë se sa e pavërtetë, ka qenë kronika e djeshme në lidhje me procesin e miratimit te Rregullores së sipërpërmendur. Së fundi ju bëj edhe një herë thirrje për pjesëmarrje, të gjithë subjekteve të ftuara në këtë proces, si dhe i garantoj për zbatimin me korrektesën dhe transparencën maksimale, të të gjithë procedurave të parashikuara nga legjislacioni në fuqi. Ju faleminderit! -MNA-
Posted on: Thu, 04 Jul 2013 16:10:26 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015