Artikull ne Gazeta Panorama, date 16 Nentor 2013 Klinika - TopicsExpress



          

Artikull ne Gazeta Panorama, date 16 Nentor 2013 Klinika Italiane ofron konsulta falas nga mjekë të njohur Problemet e fertilitetit, shkak dhe ndotja mjedisore Mjeku obstetër-gjinekolog, Prof.Dr.Astrit Bimbashi shpjegon procedurat e fertilizimit in vitro Cili është synimi i fushatës sensibilizuese të organizuar nga Klinika Italiane në lidhje me infertilitetin? Çfarë synoni të arrini përmes kësaj fushate? Për herë të parë në Shqipëri, Klinika Italiane merr nismën e ofrimit të konsultave falas të çifteve me probleme të fertilitetit, duke u nisur nga një fakt mjaft domethënës “kohë e humbur”. Kjo kohë është si në dëm të pacientëve, në të gjitha aspektet: ulje e përqindjes së rasteve të suksesit, kosto ekonomike dhe psikologjike, por nga ana tjetër, na privon edhe ne si mjekë nga mundësia për të qenë sa më rezultativë në trajtimin e çifteve infertilë. Kjo fushatë sensibilizuese është realizuar nën kujdesin dhe asistencën e Qendrës së Riprodhimit të Asistuar në Salerno, Itali, një nga qendrat më të mira, me një eksperiencë 30-vjeçare jo vetëm në Itali, por dhe në Europë. Nëpërmjet kësaj fushate ne synojmë ndërgjegjësimin dhe mbështetjen në kohë të komunitetit social me këto problematika për një përfundim sa më rezultativ. Është vënë re që gjatë viteve të fundit ka patur një rritje të çifteve me probleme të fertilitetit. Si mund të shpjegohet kjo dukuri, ose më mirë cilët janë arsyet kryesore që ndikojnë në këtë rritje? Nëse do t’i referoheshim shifrave të statistikave për Shqipërinë (pavarësisht mangësive), rreth 20% e çifteve kanë probleme të infertilitetit, një shifër krahasimisht mjaft e madhe në raport me përqindjen e para dy dekadave për vendin tonë. Sigurisht që faktorët që ndikojnë në këtë rritje janë të shumtë, por disa prej tyre janë më evidentë dhe më domethënës. Së pari, europianizimi dhe adoptimi i trendeve sociale europiane, përveç të mirave dhe koherencës ka dhe disa të meta, një ndër të cilat është pikërisht rritja e moshës mesatare të grave të cilat kërkojnë shtatzëni. Kjo është një dukuri gjithnjë e më e shpeshtë, e ndikuar nga rrethana të tilla si karriera profesionale, stresi si dhe situata të tjera sociale. Dihet tashmë se faktori kryesor që ka një impakt të drejtpërdrejtë dhe të pavarur në fertilitet është pikërisht mosha e gruas. Për të patur një ide më të qartë në lidhje me impaktin e moshës së gruas në fertilitet, do të doja të theksoja se shanset për një shtatzëni spontane në një çift normal, pa probleme të fertilitetit apo probleme të tjera shëndetësore janë 20-25% në muaj. Ndërkohë, në moshën 35 vjeç kjo përqindje bie në 10% dhe pas moshës 40 vjeç vetëm 5%. Në këtë linjë nuk dua të lë pa përmendur një dukuri që ndikon në mënyrë indirekte, por që ka një impakt të konsiderueshëm në pritshmëritë dhe përqindjet e çifteve me probleme të infertilitetit. Për fat të keq, pavarësisht se për problemet e lidhura me infertilitetin çifti drejtohet te mjeku gjinekolog, jo të gjithë gjinekologët janë të specializuar dhe të pajisur me modalitetet për diagnostikimin dhe trajtimin e çifteve infertilë. Kjo dukuri përkthehet në humbje kohe, shpenzim ekonomik dhe ka një impakt psikologjik negativ. Për asnjë moment nuk duhet të harrojmë se faktori kohë që ndikon në tik-takun e orës biologjike të pacientes është mjaft i rëndësishëm. Së dyti, faktorët mjedisorë dhe agjentët toksikë janë faktorë mjaft të rëndësishëm në uljen e fertilitetit. Kryesisht këta faktorë ndikojnë në rritjen e problemeve mashkullore të fertilitetit, përmes dëmtimit të procesit të spermatogjenezës, pra procesit të formimit të spermatozoidëve. Ky konstatim gjen mbështetje nga fakti se gjatë viteve të fundit përqindja më e madhe e çifteve me probleme të fertilitetit i dedikohet faktorit mashkullor. Impakti i agjentëve toksikë mjedisorë është shumë më i shprehur në vende si Shqipëria, sepse konkretisht ndotja mjedisore është rreth katër herë më e lartë sesa në vendet e Europës Perëndimore. Cilat janë hapat e procedurës së fertilizimit in vitro që duhet t’i nënshtrohet një çift infertil? Fertilizimi in vitro është procesi përmes të cilit mundësohet fertilizimi i një veze jashtë trupit të nënës. Kjo procedurë konsiderohet si një prej trajtimeve kryesore të infertilitetit, kur kanë dështuar të gjithë mënyrat e tjera të trajtimit. Procesi përfshin monitorimin e ovulacionit të pacientes, marrjen e vezëve nga vezoret dhe krijimin e mundësisë së fertilizimit të tyre në kushte laboratorike. Më tej veza e fertilizuar transferohet në uterusin e pacientes, me synim realizimin e një shtatzënie. Së pari, për të pasur në dispozicion një numër sa më të madh vezësh, në mënyrë që të përzgjidhen më të mirat duke rritur në këtë mënyrë shanset e suksesit të procedurës, gruaja i nënshtrohet një trajtimi për stimulimin e vezoreve. Kur vezët kanë arritur në një shkallë të caktuar të zhvillimit të tyre, realizohet maturimi përfundimtar i tyre, nëpërmjet aplikimit të një preparati që quhet hCG. Më tej realizohet marrja e vezëve nëpërmjet një ageje, nën drejtim ekografik. Numri i vezëve të përftuara zakonisht varion midis 10-30. Procedura kryhet duke vendosur pacienten nën anestezi të lehtë dhe zgjat rreth 30 minuta. Para fertilizimit, mund të kryhet një përzgjedhje e vezëve të përftuara, duke zgjedhur vezët të cilat kanë shanse më të larta për një shtatzëni të suksesshme. Në të njëjtën kohë materiali spermatik është i përgatitur për fertilizim, përmes një procesi që quhet pastrimi i spermës. Për të rritur maksimalisht shanset e suksesit, realizohet përzgjedhja e embrioneve më të mirë, duke u bazuar në disa kritere klinikë dhe laboratorikë, përmes metodave të avancuara të profilizimit të embrioneve. rocedura përfundimtare është transferimi i embrioneve.Numri i embrioneve që do të transferohet është në varësi të moshës së gruas dhe të faktorëve shëndetësorë të saj. Embrionet që konsiderohen “më të mirët” transferohen në uterusin e pacientes përmes një kateteri plastik i cili kalon përmes vaginës dhe qafës së mitrës. Për të rritur shanset e implantimit dhe të shtatzënisë, mund të transferohen disa embrione. Cilat janë faktorët që ndikojnë në përqindjet e suksesit të kësaj procedure? Po në klinikën tuaj si janë këto përqindje? Faktorët që përcaktojnë përqindjen e suksesit janë të shumtë, më kryesorët prej të cilëve janë mosha e nënës, situata shëndetësore e saj (diabeti i sheqerit, histori të mëparshme për humbje të shtatzënisë dhe tromboemboli, tensioni i lartë i gjakut, sëmundjet autoimune etj). Faktorë të tjerë që ndikojnë negativisht janë pirja e duhanit, obeziteti, përdorimi i alkoolit, marrja e kafeinës në sasi të mëdha, etj. Nga statistikat botërore, përqindjet e suksesit të procedurës së FIV variojnë midis 20-40%. Për fat të keq, duke qënë se në Shqipëri këto procdura realizohen vetëm në sektorin shëndetësor privat, mungojnë statistikat zyrtare, si në lidhje me përqindjen apo modalitetet diagnostikuese, ashtu dhe me përqindjet e suksesit të kësaj procedure. Në Klinikën Italiane tashme prej rreth 2 vitesh ne ofrojmë realizimin e këtyre procedurave përmes një stafi të specializuar italo-shqiptar, sigurisht me asistencën e teknologjisë dhe pajisjeve më bashkëkohore, me rezultate të shkëlqyera. Nga eksperienca jonë gjatë kësaj periudhe ne kemi arritur të finalizojmë me sukses një numër të madh procedurash, respektivisht 46% në vitin e parë dhe 54% gjatë këtij viti. Në këtë mënyrë ne kemi ngritur një qendër të specializuar për trajtimin e problemeve të fertilitetit, duke ju ofruar pacientëvë këshillim dhe trajtim profesional, pa anashkaluar një element të rëndësishëm si suporti psikologjik për problemin e tyre. Cilat janë risitë që aplikohen nga stafi italo-shqiptar në Klinikën Italiane në procedurat e riprodhimit të asistuar? Gjithmonë në kontaktin e parë që ne kemi me një çift me probleme të fertilitetit na drejtohet pyetja: Pse nuk kemi mundësi të kemi një shtatzëni? Pikërisht mbi këtë pyetje ngrihet strategjia e menaxhimit të një çifti me probleme të fertilitetit. Në bazë të suksesit të trajtimit të infertilitetit qëndron evidentimi dhe Diagnostikimi i saktë i shkakut të infertilitetit. Kjo mund të realizohet vetëm përmes një stafi specialistësh të përgatitur dhe një teknologjie bashkëkohore. Dr. Maurizio Somma, biologu i Klinikës Italiane i cili konsiderohet një nga pionierët e Fertilizimit In Vitro në rang europian, ndan me ne eksperiencën më të mirë në fushën e infertilitetit, përmes një profesionalizmi të lartë dhe një eksperience rreth 25 vjeçare. Duke marrë në konsideratë infrastrukturën, teknologjinë dhe instrumentet supermodernë në dispozicion të një stafi të përzgjedhur me specialistë italianë dhe shqiptarë, tashmë pacientit shqiptar nuk i duhet të udhëtojë drejt Italisë, pasi mund të marrë të njëjtin shërbim mjekësor, në të gjitha aspektet pranë Klinikës Italiane.
Posted on: Mon, 18 Nov 2013 15:08:49 +0000

Trending Topics



ht:30px;"> Die Linke hat heute Morgen vor der US-Botschaft in Berlin mit
Here are 10 Foods That Burn Fat 1. Oats: It’s not only tastes
Claque, fessée : une loi pour les interdire ? Vous êtes parent
8 điểm cần nhớ trước khi ta bàn đến việc làm sao
Twenty Dark Seven News!!! Were proud to announce that

Recently Viewed Topics




© 2015