Avdyl SULA Studiues i filologjisë e i historisë Kulturolog. - TopicsExpress



          

Avdyl SULA Studiues i filologjisë e i historisë Kulturolog. Publicist. Poet ASPEKTE TË ORIGJINALITETIT TË EPOSIT LEGJENDAR SHQIPTAR Eposi ynë legjendar është fryt i muzës së malësorëve të bjeshkëve tona. Ai shfaqet si një bjeshkë epike fantastike me male heroizmi legjendar, me përmendore artistike madhështore kushtuar kreshnikëve tanë, të cilët mishërojnë cilësitë e larta morale e shpirtërore të shqiptarëve. Ai sjell jehonën e betejave epike dhe shpalos lëndina të bukura lirike, ë organizuara në vargje me përmasat e së madhërishmes e të së bukurës së ashpër, me ritmet e ortiqeve e të bubullimave. Këso dore, ai përfaqëson një monument kulturor-trashëgimor me vlera të paçmuara folklorike, mitologjike, historike, etike, filozofike, zakonore e gjuhësore. Ky karakter i shumëvlershëm i tij ka zgjuar kureshtjen dhe ka tërhequr folkloristë e dijetarë të fushave të ndryshme. Hulumtimet e analizat e bëra prej tyre karakterizohen nga dy qëndrime kryesore: nga realizmi e objektiviteti shkencor, duke nxjerrë në pah vlerat e merituara që paraqet, si dhe nga njëanshmëria e subjektivizmi, deri në tendenciozitet denigrues të tij. Qëndrimet mohuese e zhvlerësuese janë kushtëzuar më shumë prej motivesh jashtëfolklorike, por dhe për shkaqe gnoseologjike dhe epistemologjike. Për parantezë, po sjellim ndonjë argument me gjuhën e shifrave. Mbështetësit e tezës së "varësisë gjenetike" të ciklit epik shqiptar nga ai boshnjak, marrin, ndër të tjera, si argument, ngjashmëritë e motiveve dhe të subjekteve ndërmjet këngëve të tyre. Po në sa këngë të tilla vihen re ngjashmëri? Stavri Skendi ka vërejtur vetëm dy(!), folkoristi gjerman Shmaus shtatë, ndërsa D. Miçoviqi numrin e tyre e çon në rreth 17 subjekte. Mbështetur në këto fakte, do të ishte absurde të pranohet kjo pikëpamje, ndërkohë që në vitin l983 në Institutin e Kulturës Popullore Tiranë ishin grumbulluar mbi 2000 variante këngësh të eposit legjendar shqiptar, nga l60 që njiheshin para Çlirimit. BURIMËSIA, KRITER VLERËSIMI DYTËSOR E FORMAL Tema kryesore, që ka polarizuar pikëpamjet e ithtarëve apo të mohuesve të vlerave të epikës sonë legjendare ka qenë origjinaliteti i saj. "Cikli shqiptar verior i këngëve mbi trimëritë e kreshnikëve, përkatësisht këngët mbi vëllezërit trima, me prejardhje boshnjake Mujin dhe Halilin nga Klladusha, shkruan A. Shmaus, mbi shokët e tyre të luftës e, gjithashtu dhe këngët mbi Gjergj Elez Alinë që zënë një vend të veçuar…si vendlindje kanë krahinat e islamizuara të Bosnjes, kryesisht pjesët e saj veriperëndimore dhe prej andej janë bartur nga malësorët e Shqipërisë Veriore me anën e këngëtarëve dygjuhësh". Një pikëpamje të ngjashme shtron dhe S. Skendi, i cili shkruan "cikli i këngëve mbi Mujin dhe Halilin së pari ka qenë krijuar nga sllavët e islamizuar të Bosnjes , pastaj është përhapur në jug në krahinën e Sanxhakut dhe të Rrafshit të Dukagjinit dhe atje është huazuar nga shqiptarët". Edhe M. Murko e shikon epikën shqiptare si një degëzim ose si një kopjim të asaj boshnjake. Theksojmë që në fillim se këta autorë, në hulumtimet e tyre krahasuese, janë mbështetur në premisa dhe argumente dytësore e formale, ndaj dhe këto përfundime janë më shumë konstatime aprioristike, skematike e të sipërfaqshme, sesa konkluzione shkencore. Argumente të tilla nuk mund të konsiderohen kriter themelor për përcaktimin e origjinalitetit të asnjërit cikël, siç janë: 1) Emrat e njëjtë e islamikë të disa personazheve të ciklit epik shqiptar me ata të ciklit boshnjak. Kjo pikëpamje, sidomos për heronjtë kryesorë të epit shqiptar, nuk qëndron. Emri i kryekreshnikut të tij, Mujës, është më i motivueshëm me burim nga shqipja, sesa si "dimunitiv i emrit Mustafa, që është shumë i përhapur mdër myslimanët", siç është shprehur studiuesja ruse A.V.Desnickaja. Ky emër, sipas legjendës "Fuqija e Mujës", e cila haset edhe në prozë, ka të bëjë me mundësin, atë që i mund të tjerët. Zanat, mbasi i japin qumësht prej gjirit të tyre dhe Muja e ngre gurin njëmijëokësh deri në cep të krahut, i thonë : "Ti, o djalë, o djalë i ri, / të tanë anmiqt po ke me i shtrue, / paj gjithkund ke me u përmendë / e mbas tashit Muj tesh të thrrasin". Ndërkaq, ky antroponim, me këtë kuptim, gramatikisht shpjegohet si emër prejfoljor, si emërzim i foljes muj, e cila në të folmet e gegërishtes ku është mbledhur cikli, është trajtë e foljes mund, pra mujës,mundës. Ky antroponim përdoret edhe sot si emër vetjak njerëzish në Tropojë dhe në Kosovë. Ai morfologjikisht del i gjinisë femërore: Mujë,-a , si Dedë,-a , Malë,-a etj., ndaj do ta përdorim në këtë trajtë. Emërzime të këtilla janë të njohura, si vesh, veton- folje dhe veshë, Veton emra etj. Sakaq Mujë, si dimunitiv i emrit Mustafa, nuk del në asnjë rast te shqiptarët, por haset shkurtimi Stafë. Emri i kryeheroit epik shqiptar është tripjesësh. Ai, në trajtën më të hershme përfaqësuese, del: Gjeto, një emër i vjetër burimor, që përdoret edhe sot te shqiptarët katolikë në këtë trajtë, ose Gjetë,-a; Basho, një emër që haset, gjithashtu, disa shekuj më parë te vendasit, i cili mendojmë se është emërzim i ndajfoljes bash, në kuptimin vet, ai vetë dhe jo me prejardhje nga turqishtja: kreu, kryetari. Me këtë emër thirret edhe një personazh tjetër i ciklit shqiptar, Basho Jona, çka tregon se ai ka pasur përdorim të hershëm si antroponim. Ndërsa variantet e tjera të tyre, që përdoren në disa këngë, si Çeto dhe Bylykbash, duhet të jenë përshtatje të mëvonshme. Ndërkohë emri i Halilit del dypjesësh dhe pa ndonjë lidhje me emrin e vëllait të tij, Mujës. Me sa duket është formim antroponimik më i vonë, që shpreh prirjen e ndërtimit me dy pjesë të emrave vetjakë. Duhet vënë në dukje se pjesa e parë e tij, Sokol, është sinonim i emrit petrit që emërton një lloj shpendi, i ngjashëm me kaçubetin. Me këtë kuptim ai përdoret edhe në epos: "djalë, sokol me fletë" dhe nuk ka përmbajtje islamike. Pagëzimi i fëmijëve me emra kafshësh e zogjsh është një traditë e kahershme te shqiptarët e popuj të tjerë, që lidhet me shfaqje të botëkuptimit bestytnor, fakt ky që flet dhe për hershmërinë e tij. Ndërsa në ciklin boshnjak, si personazhe vëllezër njihen, përveç Mujit dhe Halilit, edhe Omeri, ndërsa Ajka (Ajkuna) del motër e tyre. Këta emra i bashkon mbiemri i njëjtë Hrnjica, nga serbokroatishtja honj, krnj, hrnj + ica, në kuptimin buzëlepuri, i metë fizikisht dhe asnjë prej tyre nuk del tripjesësh. Ky mbiemër sllav nuk ndeshet në asnjë rast te protagonistët e eposit shqiptar. Në ciklin boshnjak, përveç Mujo Hrnjicës, përmenden dhe disa Mujo të tjerë, si Mujo Orlanoviq, Stambolija Mujo etj. Dallimet janë domethënëse dhe tek emri i kreshnikut tonë të famshëm Gjergj Elez Alisë me atë boshnjak. Pjesa e parë e këtij emri është me zanafillë të lashtë ballkanase e europiane. Ai është përdorur prej grekëve, bullgarëve, romakëve etj. disa shekuj para erës sonë në trajtën Georges dhe, më vonë, ka evoluar fonetikisht: në Arbërinë mesjetare si i krishter e në formën Gjergj, në frëngjishte e në anglishte, ndonse shkrimi i përmbahet etimologjisë, ai shqiptohet, përkatësishtZhorzh dhe Xhorxh, ndërsa në serbokroatishte ka ndryshuar në Gjorgje e Gjorgjeviç. Shtrohet pyetja: meqë eposi boshnjak është krijuar mbi bazën e serbokroatishtes, pse nuk e ka quajtur këtë personazh Gjorgje a Gjorgjeviç, sipas zhvillimeve fonetike të kësaj gjuhe, po Djerzelez, sipas trajtës shqipe, me ndonjë ndryshim fonetik e bashkëngjitje me pjesën e dytë të këtij emri? Ky fakt dhe argumentet që sollëm më sipër, anojnë më shumë rreth pikëpamjes se ata janë huazuar nga rapsodët boshnjakë prej ciklit epik shqiptar. Ndërkaq, pjesët e tjera me burim islamik të këtyre dy emrave që shqyrtuam, përkatësisht Halil dhe Elez Alia, si dhe emra të tjerë me prejardhje të tillë të disa personazheve të epopesë sonë legjendare, ka gjasa të jenë shtesa a ndërrime të mëvonshme, që poeti anonim popullor ua ka vënë si qeleshe turke në kokë krijesave të tij legjendare, për efekt përshtatjeje me atmosferën e kohës së pushtimit osman. Kjo vihet re edhe për heronjtë baladorë: Kostadini e Garentina dalin Aliu e Fata dhe Halil Garria; Kostadini i Vogëlith quhet Ymer Aga etj. Këtë e përforcon dhe fakti që kreshnikët shqiptarë asnjë herë nuk luftojnë kundër antagonistëve të tyre sllavë për motive fetare myslimane . Një dukuri të këtillë për emrat vetjakë e gjejmë edhe në realitetin historik te shqiptarët. Në krahinën e Nikaj – Mërturit, ku banorët kanë ruajtur besimin katolik, gjenden emra të përzier katolikë-myslimanë, ose dhe myslimanë të mirëfilltë rreth tre shekuj më parë, si Isuf Leka, Brahim Preka, Ali Zymeri etj. 2) Toponimet epike të njëjta, që përkojnë me emra gjeografikë nga vendet e sllavëve të jugut, përkatësisht të Bosnjes, Kroacisë e të Malit të Zi, sikundër janë: Klladusha, katund në veri të Bosnjes, Jutbina, afër Zarës në Kroaci, Kotorret e Reja në Mal të Zi etj . Së pari, siç është theksuar nga dijetarë të njohur, është pa bazë shkencore të ngulmohet për identifikimin historik, etnik a fetar të emrave të njerëzve e të vendeve të epeve legjendare, madje dhe të letërsisë artistike, ose për t’i marrë ata si kriter bazë vlerësimi të origjinalitetit të tyre, ku trillimi artistik është përparësor. Aedi epik dhe shkrimtari shpesh përdorin lojën e fantazizë edhe për emrat. Në ciklin tonë të kreshnikëve, çikën e krajlit sllav ai e quan Tanushë, i cili është femërorizim i emrit shqiptar Tanush, që njihet qysh në vitin 1281 si i tillë (ducem Ginium Tanuschum albanensem). Ndërsa në këngën "Zuku Bajraktar", për "dy shkje fort t’mdhaj", ai thotë:" njani ish Smilaliq Alija", pra me mbiemër muhamedan, dhe "tjetri ish Baloz Sedelija", ndërkohë që, sikurse dihet, bajloz vjen prej latinishtes baiulus, pra emër josllav. Një personazh e quan Burc Elez Krajli, ku përbërësi i dytë është mysliman dhe i treti sllav. Kështu ndodh shpesh edhe me emrat e vendeve. Muja paraqitet, bashkë me gjogun e tij, midis dy Drinave, Halili në Miskov (Moskë). Në ndonjë këngë ngjarjet zhvillohen nga Shkodra deri në Vlorë, diku tjetër në Janinë, Bagdat e gjetkë. Ose në epin francez "Shtegtimi i Karlit të Madh", Karli përshkruhet duke shtegtuar edhe në Jeruzalem e Kostandinopojë, vende që historikisht s’ka qenë kurrë. Shekspiri ngjarjet e komedisë " Nata e dymbëdhjëtë" i ka vendosur në "një qytet të Ilirisë dhe në bregdetin që është aty pranë", kurse Rasini ngjarjet e tragjedisë "Andromaka", i shtjellon në qytetin e Butrintit. Por a mund të merren ato si vepra të letërsisë shqipe, thjeshtë për këto fakte? Thelbësore është të gjurmohet nëse emrat e këtyre personazheve janë thjeshtë kapele në kokat e tyre, apo përkojnë dhe me rolet që luajnë e me bëmat që kyejnë në të dyja eposet. Hulumtimet krahasuese kanë nxjerrë në pah se ata kanë të përbashkëta vetëm pjesët e emrave që vumë në dukje. Personazhet e ciklit boshnjak, Muji dhe Halili, janë personazhe dytësorë, në shërbim të heroit kryesor të atij epi, Mustafa bej Likës. Ata kryejnë bëma aventurore dhe u kushtohen vetëm rreth shtatë këngë. Gjergjelez Alia i epit boshnjak nuk ka asgjë të përbashkët me heroin legjendar shqiptar. Në këngët që i kushtohen atij, portretizohet si mejdanxhi në shërbim të sulltanit, si vegël qorre në duar të pushtuesit turk. Ai shkon krushk i parë i boshnjakëve te mbreti në Stamboll. Aty i vret vezirët që e tradhtojnë sulltanin. Ai ua pret kokat Huniadit, princit serb dhe komitit Kovak e i çon në Stamboll si shenjë besnikërie. Për këto shërbime mercenare admirohet nga sulltani dhe shpërblehet në mënyrë të majme prej tij. Së dyti, toponimet epike duhen ndriçuar më gjerësisht në kontekstin historik. Shqiptarët, provon shkenca historike, kanë pasur shtrirje të gjerë në Ballkan. Këtë e kanë nxjerrë në pah edhe shkencëtarë realistë sllavë. Profesor A.Stipçeviç ka vënë në dukje që: "Nuk mund të studiohet e kaluara e Ballkanit, madje as e tanishmja, pa njohjen e elementit ilir. Gjithçka ka ndodhur në Ballkan prej kohës së mesme e këndej, është ndërtuar mbi atë shtresë që ne e quajmë ilire. Pra, çdo tregim për Ballkanin fillon me ilirët". Ndërsa prof. R. Kataçiç, duke folur për antroponiminë ilire, ka vërejtur: "në veriperëndim ajo shtrihet shumë më larg dhe hyn thellë në territoret e republikave jugosllave të Malit të Zi, të Kroacisë dhe të Bosnje-Hercegovinës, d.m.th. në truallin gjuhësor serbokroat". Ndërkaq prof. M. Shuflai ka folur për "Masa kompakte të shqiptarëve në afërsi të Raguzës dhe të Kotorrit në shek. XIII". Pra, është afër mendsh që shqiptarët, në kohën kur kanë krijuar epikën legjendare, të kenë pasur përhapje dhe të kenë qenë autoktonë, së paku në një masë të konsiderueshme, edhe në këto vende. Por dyndjet sllave u shoqëruan me dy pasoja dramatike për shqiptarët: rrudhjen e territoreve të tyre etnike dhe sllavizimin e popullsisë arbërore në trojet ku nuk u arrit shpërngulja e saj. E. Durham ka shkruar se në disa katunde të Malit të Zi jetonin, deri në vitin 1788, shqiptarë katolikë të pasllavizuar, por më vonë i sllavizuan, duke ua ndërruar edhe emrat e fshatrave, Palbardhajt u quajtën Bjelopavliqët etj. Kështu ka ndodhur edhe në Sanxhak, Toplicë e treva të tjera, dikur shqiptare. Konflikti mes shqiptarëve e sllavëve është thuajse i vetmi fakt i identifikueshëm historikisht. Në epos ai shpaloset gjatë luftërave që bëjnë kreshnikët me Mujën në krye, për të mbrojtur bjeshkët, tokat e kullotat prej sulmeve të sllavëve të cilët synonin pushtimin a shfrytëzimin "pa trominë" të tyre. Dokumentet e historisë së Serbisë hedhin dritë dhe konfirmojnë zanafillën dhe shkakun e këtij konflikti qysh në shek. XI të e. s., pra dhe hershmërinë e epikës shqiptare, së paku disa shekuj para asaj boshnjake, e cila, sikurse dihet, është krijuar në kuadrin e epokës osmane. Në një dokument të tillë thuhet: "Në këtë kohë (viti 1068) perandori Manuil gjendej në Serbi. Serbia është një vend malor dhe i mbushur me pyje, një vend që mezi mund të shkelet dhe që shtrihet në mes të Dalmacisë, Ugrisë dhe Ilirikut. Serbët janë të pasur në tufa bagëtie shtëpiake dhe në kafshë ngarkese, në qumësht, djathë, gjalp bagëtish, mjaltë e dyllë. Ata kanë sundimtarë të quajtur zhupanë , të cilët nganjëherë i shërbejnë perandorit, por nganjëherë, duke dalë nga malet e pyjet, shkatërrojnë vendin përqark. Pikërisht sepse ata ua kishin bërë jetën të pamundur fqinjëve të tyre, perandori u nis kundër tyre". Shmausi, Miçoviqi etj. siç vumë në dukje, kanë hedhur tezën hamendësuese se eposi shqiptar duhet të jetë huazuar prej atij boshnjak rreth shek. XVIII, kur malësorët shqiptarë u dyndën nga malësitë e veriut dhe populluan Kosovën, Rrafshin e Dukagjinit, Sanxhakun e treva të tjera. Ata, në marrëdhënie me boshnjakët, e përvetësuan eposin e tyre dhe e bartën në viset veriore shqiptare nëpërmjet rapsodëve dygjuhësh?! Shqyrtimi realist i kësaj pikëpamjeje sjell argumente për të kundërtën e saj. Folkloristë, mbledhës dhe studiues të epikës sonë, kanë nxjerrë në pah se motërzimet më të hershme e më të kristalizuara të saj janë gjetur në trevat katolike, të Dukagjinit dhe të Malësisë së Gjakovës (Nikaj e Mërtur). Ndërsa në trevat e myslimanizuara, në Krasniqe, Gash e në Kosovë, gjenden mbishtesa të epokës osmane, si në fjalor etj. Pra, malësorët që mund të jenë shpërngulur në atë shekull apo më parë, nga malësitë veriore në Kosovë e gjetkë, logjikisht duhet të kenë marrë me vete edhe këngët legjendare, të cilat janë përhapur deri në Bosnjen fqinje. Këtë e përforcon edhe fakti që këngët e epit boshnjak të kënduara nga rapsodët në trevat kufitare me Kosovën ngjasojnë në motive e subjekte me ato të eposit shqiptar, ndërsa në thellësi të Bosnjes, ku ato, me sa duket janë përpunuar e u janë përshtatur mjediseve vendëse, largimet e ndryshimet janë të mëdha. Hulumtuesit e mbledhësit e eposit shqiptar nga fillimi i shek. XX , kanë vërejtur se ai kishte kristalizuar një traditë të mahnitshme rrëfimi e interpretimi jo vetëm nga rapsodë të njohur, por gati në të gjitha familjet malësore dhe kishte popullaritet të jashtëzakonshëm. Andaj është jologjike të pranohet se ai , brenda një shekulli, qenka " përkthyer" nga rapsodët dygjuhësh prej epit boshnjak e paska arritur tregues të tillë njohjeje, interpretimi e popullariteti . Së treti, toponimet epike të ciklit tonë të kreshnikëve nuk gjenden vetëm në viset e sotme të sllavëve të jugut. Vetëm buzë Valbonës në Tropojë përmenden edhe sot disa të tilla. Lugjet e Verdha janë të lokalizuara në pjesën veriperëndimore të grykës së Dragobisë. Ato, vetëm në poemën Ajkuna kjan Omerin, përmenden 6 herë. Këtu, te Qeta e Dozhlanit, tregohet një vend, ku, sipas legjendës, është varrosur Omerit i tetë i Mujës. Dijetarja greke Jensen thotë: "Ajo çka është bjeshka për kreshnikët shqiptarë është deti për heronjtë homerikë: pjesë aq e rëndësishme e natyrës, elementi thelbësor në të cilin ata lëvizin". Ndërkaq Bjeshkët e Nemuna, të cilat ndonjëherë quhen dhe Bjeshkët e thata etj., kanë një shtrirje të gjerë, nga këto anë në Tropojë, në viset shqiptare në Mal të Zi dhe në Kosovë. Ato përshkruhen me përmasa legjendare si teatër i luftimeve dhe i çetimeve, si vend ku zhvillohen ngjarje të rëndësishme, ku verojnë, po edhe banojnë kreshnikët. Muja, përveç "sarajit dymbëdhetë ketësh" në Jutbinë, ka edhe një kullë në bjeshkë. Klysyra sot është një katund i vogël në grykë të Dragobisë. Ky fshat shfaqet disa herë si toponim epik, "Qafa e Klisyrës" në poemën " Filiske Filiskama", apo "Klysyra të zeza" në "Orët e bjeshkëve" etj. Interes paraqet këtu dhe shqyrtimi i një mikrotoponimi që ndodhet në Begaj të Gashit, i cili quhet Shpella e Klladës. Për të ka edhe një gojëdhënë që thotë se "Kllada â kân ni çik e bukur. Ajo ka kalue ni dit aty dhe e ka shti doren n’kersh t’shpell’s per me e lân gjurmen e saj si shej kujtimi". Pa hyrë te vërtetësia e kësaj gojëdhëne, rëndësi për çështjen në fjalë ka krahasimi me toponimin Klladushë të Bosnjës. Sikurse shihet, tema antroponimike është e njëjtë, nga emri vetjak Klladë, por te toponimi boshnjak ka dhe prapashtesën –ushë. Kjo prapashtesë, sipas Xhuvanit e Çabejt, del edhe në ilirishte, si te emri i lumit Genusus, në emra personash, si Ebusius, Tatusius etj., pra një prapashtesë e vjetër shqipe, e cila ka gjasa të ketë hyrë në serbokroatishte përmes shqipes. Andaj ka të ngjarë që dhe toponimi Klladushë të ketë lidhje me onomastikën e hershme mesjetare shqiptare. Por thelbësore është të dallohet fakti se Klladusha në epin boshnjak del si seli e kreshnikëve vëllezër Mujo, Halil e Omer Hrnjica, kurse në eposin shqiptar ajo shfaqet si vend periferik, që përmendet fare pak dhe në mënyrë episodike. Sakaq, në rapsodinë "Martesa e Halilit të ri me Ruzhën e Galan Kapetanit", ku zihet në gojë Klladusha, shqiptarët përmenden me këtë emër etnik dhe dalin si protagonistë kryesorë. Ndërsa te "Smililiq Alia", ngjarjet zhvillohen në Klysyra të zeza, që i lokalizuam më lart, kurse Klladusha veçse sa përmendet nga fundi i këngës.
Posted on: Fri, 20 Sep 2013 14:45:49 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015