Bercow: Kosova ka integritetin e saj Presidentja e Republikës - TopicsExpress



          

Bercow: Kosova ka integritetin e saj Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u takua sot me kryetaren e Dhomës së Lartë të Parlamentit të Britanisë së Madhe, baroneshën D’Souza si dhe me kryetarin e Dhomës së Ulët të Parlamentit të Britanisë së Madhe, John Bercow. Në takime, Presidentja ishte e shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Britaninë e Madhe, Në dy takimet e ndara me kryetarët e dy Dhomave të Parlamentit të Britanisë së Madhe, Presidentja Jahjaga e vlerësoi ndihmën që ky shtet i ka dhënë Kosovës në të gjitha periudhat, që prej para dhe gjatë luftës dhe posaçërisht në procesin e shtetndërtimit. Ajo tha se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë shumë të mira dhe ato duhet të thellohen në të gjitha fushat e tjera, veçanërisht në bashkëpunimin ndërmjet dy Parlamenteve. Presidentja Jahjaga theksoi se Republika e Kosovës është një shembull i suksesit të popullit dhe institucioneve të saj si dhe i ndihmës së bashkësisë ndërkombëtare dhe ajo sot është një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon si dhe promoter i fqinjësisë së mirë. Duke folur për marrëveshjen e arritur në Bruksel ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Presidentja Jahjaga tha se marrëveshja çon drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve të pavarura dhe sovrane dhe ajo hap perspektivën evropiane për të dyja vendet. Ajo tha se është me rëndësi zbatimi i plotë i marrëveshjes dhe integrimi i komunitetit serb të katër komunave në pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës në shoqërinë dhe institucionet e vendit. Presidentja Jahjaga tha se Kosova është e përkushtuar në rrugën e saj evropiane dhe theksoi se është me rëndësi që BE-ja të mundësojë fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, meqë kjo do të mundësonte thellimin e reformave në vend dhe do ta qartësonte perspektivën e integrimit evropian. Kryetarët e dy Dhomave të Parlamentit të Britanisë së Madhe, baronesha D’Souza dhe Bercow, u interesuan për zhvillimet në Kosovë, procesin e konsolidimit të shtetësisë së saj dhe për kapacitetet e zhvillimit ekonomik. Ata theksuan se Britania e Madhe është e përkushtuar që ta ndihmojë Kosovën përmes bashkëpunimit ndërparlamentar por edhe në procesin e integrimeve evropiane. Kryetari i Dhomës së Ulët të Parlamentit të Britanisë së Madhe, John Bercow tha se Kosova ka integritetin e saj dhe një mbështetje ndërkombëtare. Gjatë qëndrimit në Londër, Presidentja Jahjaga ka patur edhe një takim me deputetin Sir Tony Baldry, që është edhe kryesues i grupit parlamentar gjithëpërfshirës për Kosovën, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe perspektivën e saj evropiane. Presidentja Jahjaga ka patur edhe një drekë pune me deputetë të Parlamentit të Britanisë së Madhe që angazhohen për Kosovën dhe për rajonin e Ballkanit. Presidentja Jahjaga, sot pasdite pat një takim me Baroneshën Warsi në Zyrën për Komonvellth dhe Politikë të Jashtme, e cila u interesua për agjendën evropiane të Kosovës, për marrjen sa më të shpejtë të MSA dhe liberalizimit të vizave. Baronesha Warsi, gjithashtu shprehu interesim për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë, për pjesëmarrjen sa më të madhe të komuniteteve, veçanërisht të komunitetit serb në katër komunat në Veri të Kosovës. Presidentja Jahjaga theksoi se marrëveshja e arritur në Bruksel ndërmjet Kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë, ka përcaktuar datën për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri dhe llogaritet në përkrahjen e Serbisë për pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve si dhe për shpërbërjen e të gjitha strukturave paralele sipas planit të paraparë. Në Kosovë, ka një traditë të mirë të mbajtjes së zgjedhjeve dhe të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë etnike me votimin e tyre i zgjedhin përfaqësuesit legal dhe legjitim, që përfaqësojnë interesat e qytetarëve.
Posted on: Mon, 24 Jun 2013 19:52:20 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015