“Bizantinët” e Apenineve" Arbëreshët e ngulimeve të - TopicsExpress



          

“Bizantinët” e Apenineve" Arbëreshët e ngulimeve të Mbretërisë së Napolit flisnin arbërisht, por shërbesat fetare i bënin në gjuhën greke, sipas ritit bizantin-ortodoks. Mendoj që është e dobishme të kujtohet që ata kanë vazhduar të përdorin gjuhën greke në shërbesat fetare, deri në Koncilin II të Vatikanit, kur liturgjia e Shën Joan Gojartit është përkthyer arbërisht (1967). Është gjithashtu me interes të nënvizohet sesa greqizma hasim në veprën e parë arbërisht të vitit 1592, d.m.th në “E mbësuame e krështerë”, katekizmi i përkthyer arbërisht nga Lukë Matranga, famullitar në katundin arbëresh të Siçilisë, Hora e Arbëreshëvet. Përdorimi i zakonshëm i gjuhës greke në fushën liturgjike ishte aq i shpeshtë sa Lukë Matranga pranon fjalë me origjinë greke me nevojë dhe pa nevojë, d.m.th edhe kur mund të kishte përdorur fjalën arbëreshe. Liturgjia, si shërbesë kryesore dhe e përditshme, kishte një ndikim të fortë edhe në fushën gjuhësore. Ajo, si edhe të gjitha shërbesat e ciklit të vitit, bënin pjesë jo vetëm në kulturën e priftërinjve, por edhe në kulturën e shumicës së popullit. Mund ta konsiderojmë si një pjesë përbërëse të rëndësishme të kulturës arbëreshe në përgjithësi. Prandaj riti bizantin, shërbesat fetare që dallonin arbëreshët nga popullsia italiane jugore të ritit katolik latin, përforconte identitetin e një pakice që kështu paraqitej kompakte dhe e fortë, me të gjitha dobësitë që natyrisht shkaktonte gjendja në emigracion. Nga pikëpamja e bashkëjetesës ekonomike, kulturore dhe fetare, mbasi ata i përkisnin një komuniteti që ndërhynte në një mjedis kulturor tjetër, u krijuan gjendje që mund t’i konsiderojmë problematike. Një nga problemet më të rëndësishme ishte vazhdimësia e ritit bizantin. Dihet që arbëreshët, kur emigruan në Italinë jugore, ose më mirë në Mbretërinë e Napolit, bashkë me grupet familjare kishin edhe priftërinj të ritit bizantin, të cilët, që prej fillimit, vazhduan të celebronin shërbesat sipas traditës së tyre.Vështirësitë që arbëreshët hasën në vitet e para rrjedhin nga sistemimi problematik në katundet ku vasalët u caktuan… Nëse kalojmë në fushën fetare, edhe këtu hasim dy sjellje të ndryshme: nga njera anë hasim vendimet e Papëve, – Leoni X, në vitin 1521, dhe Pali III, më 1536, – të cilët i mbronin ndjekësit e ritit bizantin, arbëreshë apo grekë që banonin në Itali, sa në Italinë e Jugut aq edhe në atë Veriore, siç ishte rasti i grekëve në Venedik. Nga ana tjetër hasim sjelljen e disa peshkopëve latinë të cilët, duke mos kuptuar as gjuhën greke as atë arbëreshe dhe aspak shërbesat e ritit bizantin, kritikonin grekët dhe arbëreshët për gabime rituale dhe për sjelljen e tyre lidhur me të drejtën e tyre kanonike, siç ishte, p.sh., martesa e priftërinjve, që nuk u lejohej priftërinjve katolikë latinë, ose kungimi me bukë e verë. Ishte një prirje instrumentale kjo e peshkopëve lokalë, ndoshta për të tërhequr dalëngadalë në ritin latin arbëreshët dhe grekët e ritit bizantin. Përfundimet e kërkimeve të Profesor Viktor Peri, kërkues në Arkivat e Romës, sidomos në Arkivin sekret të Vatikanit, të Propaganda Fides dhe në arkivat shtetërorë në vende të ndryshme të Italisë, në botimin e tij me titull: “Metropolitët Lindorë të Agrixhentos. Juridiksioni i tyre në Itali në shekullin XVI” tregon se si arbëreshët, në shekullin XVI vareshin nga pikëpamja juridiko-kishtare nga Kryepeshkopi i Ohrit, dhe kjo varësi juridike pranohej aq nga Patriku i Kostantinopojës, sa edhe nga Papa i Romës. Viktor Peri na bën të dimë që katër dokumentet e vitit 1548, që flasin për juridiksionin kishtar të ushtruar nga Kryepeshkopët e Ohrit mbi të krishterët dhe Kishën greko-bizantine që në shekullin XVI jetonin në Itali, i ka botuar, tashmë në vitin 1937, studiuesi bulgar Ivan Dujcev, një nga studiuesit më të përgatitur në fushën e studimeve bizantino-sllave. Këtyre katër dokumenteve prof. Peri u shton botimin e tri dokumenteve të tjera që ruhen në Arkivin Sekret të Vatikanit. Para se gjithave, duhet një sqarim, për sa i përket emërtimit “Grekë” siç përsëritet herë pas here në dokumentet. Sqarimi na vjen nga një relacion që shkruan Imzot Nikola Madafari (it. Nicola Madaffari), peshkop i Bovës. Bova ishte një dioqezë për Grekët e lashtë të Kalabrisë, në provincën e Rexho Kalabrias, që përfshinte banorë me origjinë greke, që i përkisnin kohës së Manja Greçias (it. Magna Grecia) dhe kohës së bizantinëve në Itali. Imzot Nikola Madafari shpjegon kështu: Në këtë Mbretëri [Mbretëria e Napolit] gjinden tri lloje Grekësh: 1) të parët kanë kombësi mbretërore, siç janë Grekët e Dioqezës sime, dhe të Dioqezës së Rrexhos (it. Reggio) dhe të Otrantos, sepse, duke qenë këtu Manja Greçia, banorët vazhdojnë të flasin edhe sot gjuhën greke… 2) Të dytët nuk janë Grekë, as flasin greqisht, por janë me kombësi arbëreshe, të ardhur në Mbretërinë në kohën e Skënderbeut. Dhe këta kanë ritet e njëjta që kanë Grekët lindorë. 3) Të tretët janë jeromonakë dhe priftërinj jo murgj me origjinë latine, të cilët në qytete latine celebrojnë shërbesat greqisht, … siç janë murgjit e Manastirit të Grottaferratës . “Arbëreshët, natyrisht”, siç thotë Imzot Madafari, “nuk janë Grekë, as flasin greqisht, por kanë ritet e njëjta që kanë Grekët”. Prandaj në dokumentet, emërtimi “grekë” përfshin popullsi të ndryshme që ndiqnin rite dhe shërbesa të njëjta të ritit bizantin, qofshin këta grekë apo arbëreshë. Dokumentacioni që na paraqet Prof. Peri vë në pah që, me të vërtetë, Kryepeshkopi i Ohrit, Prohori, me origjinë sllave, ka qenë i pari kryepeshkop i Ohrit i cili shuguroi peshkopin e parë, Jakovin, me titullin e Metropolitit të Agrixhentos, një qytet i Sicilisë, që në të kaluarën, kishte pasur lidhje me Kishën lindore. Jemi në vitet 1523-1550 dhe për nevoja historike dhe baritore, krijohej një institucion kanonik i ri, deri në atë kohë i panjohur në traditën bizantine, dmth. krijohej një juridiksion ipeshkvnor brenda kufijve të një patrikane tjetër. Metropoliti i dytë i Agrixhentos qe murgu Pafnuci, me origjinë nga Qipro, i cili u shugurua peshkop nga Kryepeshkopi i Ohrit, Prohori dhe kaloi në Itali me pëlqimin e Patrikut të Kostantinopojës Dionisi II më 1551 dhe të Papës Juli III (it. Giulio III) me dekretin që zyrtarisht quhet italisht “Breve”, të vitit 1553, kur Pafnuci arriti në Romë dhe kaloi disa kohë pranë Vatikanit. Bile Kryepeshkopi i Ohrit zyrtarisht pohon që Patriku i Kostantinopojës e kishte pranuar emërimin e Metropolitit të Agrixhentos për emigrantët e ritit bizantin që banonin në Itali . Është dokumentuar në mënyrë të mjaftueshme, në raste të ndryshme, që priftërinj arbëreshë shuguroheshin rregullisht nga Metropoliti i Agrixhentos. Citojmë, si shembull, vetëm rastin e vizitorit apostolik të Dioqezës së Kasanos (it. Cassano) në provincën e Kosencës, që gjindet afër katundeve arbëreshe, domenikani Andrea Bobio, i cili më 1580 pohon që priftërinj arbëreshë ishin shuguruar nga një metropolit i cili firmoste si “Paphnutius Archiepiscopus Agregandinus”. Siç duket, kemi të bëjmë me një jurisdiksion të përbashkët të pranuar qoftë nga Kisha Lindore dhe qoftë nga Kisha Perëndimore në një hapësirë tokësore të njëjtë: një jurisdiksion i pranuar ex silentio falë vendimeve të Koncilit të Firences. Ka qenë një përvojë e rëndësishme nga pikëpamja e bashkëjetesës së dy pamjeve fetare, një bashkëpunim i frymëzuar qoftë nga nevoja e praktikës, meqë latinët nuk arrinin të kuptonin shërbesat fetare të ritit bizantin, qoftë nga dëshira e ruajtjes së pasurisë së traditës liturgjike lindore, të çmuar edhe nga latinët, por sidomos nga Papët dhe më pak nga Peshkopët. Kjo përvojë juridike e Kryepeshkopatës së Ohrit, që përmban diçka të jashtëzakonshme, për një kohë të vështirë si ajo e shekullit XVI, kishte patjetër rëndësi nga pikëpamja fetare, por kishte rëndësi edhe nga pikëpamja politike për mbrojtjen e Krishtërimit nga sulmet e Perandorisë Osmane. Me të vërtetë, lufta e Lepantit (1571) ishte afër dhe bashkimi i fuqive ishte një ndihmë e madhe. Megjithatë, nuk mund të shpjegohet vetëm me nevojat instrumentale, një përvojë e veçantë si ajo e Kryepeshkopatës së Ohrit. Sjellja e Kryepeshkopit të Ohrit rridhte nga njëfarë autonomie e arritur nga kjo Kryepeshkopatë, që e lejonte të mbante lidhje juridike me kishat e ritit bizantin aq të grekëve sa edhe të arbëreshëve që jetonin në Itali, prandaj jashtë territorit të vet, në kuadrin e një vizioni inovativ të bashkimit të kishave. Mund ta konsiderojmë si njëfarë ekumenizmi “ante litteram” të pranuar edhe nga Roma. Pjesë nga kumtesa mbajtur në kuadër të Konferencës Shkencore “Harmonia Ndërfetare: Vlerë e Trashëgimisë Kombëtare Shqiptare” *Titulli është redaksional impakt.al/kultura/bizantinet-e-apenineve
Posted on: Mon, 07 Oct 2013 18:26:47 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015