Biznesi i vdekjes në boshtin Tiranë-Teheran · - TopicsExpress



          

Biznesi i vdekjes në boshtin Tiranë-Teheran · Ministria shqiptare e Mbrojtjes, “e fejuar” e NATO-s dhe “dashnore” e Teheranit Investigim i ekspertit për çështje të sigurisë dhe kundër-terrorit, posaçërisht për gazetën “Dita” dhe agjencinë e lajmeve “Dyrrah” Nga Gjergj Thanasi Një nga aspektet më të çuditshme të tregtisë, trafikut,madje kontrabandës së armëve të kryer nga institucionet shtetërore shqiptare nga viti 2005 e në vazhdim është edhe biznesi i armëve me Iranin. Në pamje të parë duket si përçudnim “çifti” Shqipëria evropiane vend kandidat e më pas anëtar i NATO-s dhe Irani, teokraci ajatollahësh, vend anëtar i “boshtit të së keqes”. Realisht janë disa dhjetëra dokumente që provojnë aspekte të ndryshme të këtyre raporteve midis Teheranit dhe Tiranës. Dokumentet janë me burim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë dhe ente në varësi të saj, kabllograme (të ashtuquajturat uikilikse), si edhe dokumente të tjera zyrtare. Në këtë artikull nuk është zbatuar parimi gazetaresk i dëgjimit të dy kambanave, sepse ka qenë e pamundur marrja e konfirmimit apo mohimit nga Ministria e Mbrojtjes për vërtetësinë e dokumenteve ilustruese të këtij artikulli. Kujtojmë këtu se dështuan plotësisht edhe përpjekjet krejtësisht kushtetuese, disamujore të deputetëve të opozitës për të ushtruar kontroll parlamentar në Ministrinë e Mbrojtjes ndër të tjera edhe për tregtinë e armëve. Kuptohet nuk mund të pritet, që një gazetar investigues të jetë më i suksesshëm sesa një duzinë deputetësh opozitarë për të marrë një prononcim zyrtar nga Ministria e Mbrojtjes. Ndonëse ka indicie, që takimet e para iraniane-shqiptare për tregti armësh u bënë në një panair pajisjesh ushtarake në Athinë vitin e fundit të mandatit të ish-kryeministrit Nano (takimi i z. Ylli Pinari ish-drejtor i MEICO-s me civilë dhe oficerë madhorë iranianë), realisht këto marrëdhënie morën hov pas shtatorit të vitit 2005. Kjo tregti armësh ishte e shumanshme duke përfshirë operacione importi-eksporti dhe transite nga të dy vendet përkatëse. Importi i armëve iraniane Në një dokument të datës 25 tetor 2005 drejtori i MEICO-s z. Ylli Pinari kërkon nga z. Rrahmani, drejtor i ndërmarrjes shtetërore ushtarake iraniane MODELEX të importojë një listë armatimesh prej shtatë artikujsh. Siç shihet nga faksimilja e dokumentit, ndër të tjera, pretendohej të importoheshin nga Irani një qind mijë copë automatikë model AKM, që është një kopje e përmirësuar e kallashnikovit sovjetik AK 47 si edhe e kopjeve kineze model 56 apo prodhimeve shqiptare të uzinës ushtarake të Gramshit tip ASH 84. Në vitin 2007 Ministria shqiptare e Mbrojtjes po shiste, falte (qeverisë së Afganistanit) apo po demontonte dhjetëra mijë kallashnikovë të tillë, trashëgimi e epokës komuniste. Pse duheshin kërkuar për t’u importuar nga Irani automatikë, kopje të një patente sovjetike të vitit 1959 me justifikimin për modernizimin e ushtrisë shqiptare, kur kopje të tyre po i pastronin nga depot e ushtrisë shqiptare me shumicë? Përgjigja është për trafik dhe për asgjë tjetër. Një tjetër artikull i kësaj liste është edhe importimi i një mijë kalashnikovëve tip AKM me granatahedhës tip GP 25 të inkorporuar në automatik. Një artikull i tillë i padisponuar më parë nga ushtria shqiptare, realisht shtonte fuqinë e zjarrit dhe kapacitetin kundër-blind të skuadrës së këmbësorisë, por nuk mund të shërbente për qëllimin e pretenduar, sepse ky granatahedhës është patentë sovjetike e viteve 1975-1978. Me anë të kësaj blerjeje dikasteri i Mediut pretendonte të përafronte armatimin e ushtrisë shqiptare me NATO-n, duke blerë kopje të armatimeve sovjetike 40-vjeçare. Që kjo listë me shtatë artikuj, të paktën, pjesërisht, u plotësua nga Irani, provohet me faktin se më 10 tetor 2011, sipas shkresës nr. 1510/661 një mijë automatikë të tillë u kërkuan të eksportoheshin nga Shqipëria në Republikën Demokratike të Kongos. MEICO-ja shqiptare ia shiti këto automatikë së bashku me armatime të tjera firmës tip “off-shore” Newtwest Finance SA në Republikën e Belizes, e cila ua kaloi forcave të armatosura kongoleze. Këta automatikë u shitën për 450 000 USD. Pagesa u krye nga llogaria bankare nr. 506437516 e Bankës Kombëtare Tregtare. MEICO-ja mashtroi Autoritetin e Kontrollit Shtetëror të Eksporteve për origjinën ruse të automatikëve me granatahedhës të inkorporuar, sepse që nga viti 1960 Shqipëria, të paktën, zyrtarisht, nuk ka importuar armatime nga ish-Bashkimi Sovjetik (Rusia). Atëherë, si ka mundësi që të jenë importuar nga ish-Bashkimi Sovjetik (Rusia) armatime të mesit të viteve shtatëdhjetë? Avionë pa pilot, helikopterë sulmi dhe raketa tip MANPAD nga Irani Nga faksimilja shihet qartë se të paktën është kërkuar zyrtarisht të importohen nga Irani avionë pa pilot të tipave të ndryshëm si për përnjohje dhe për bombardim ajror. Avionët pa pilot ABABIL I, II, dhe III janë kryesisht në përdorim të gardës revolucionare iraniane dhe marinës së saj. Me to është pajisur edhe organizata terroriste Hezbullah, madje janë përdorur me sukses të moderuar në luftën e vitit 2006 kundër Izraelit, sidomos varianti i pajisur me bombë me peshë 40 kilogramë. Avionët pa pilot Mojaher 2&4, që kërkonte të importonte Shqipëria nga Irani, janë eksportuar vetëm në Venezuelë si edhe i janë dërguar si ndihmë vëllazërore regjimit gjakatar të Asadit, duke marrë pjesë në luftime si p.sh. më 12 shkurt 2012 në qiellin e qytetit Kafr Batina, që zotërohej nga rebelët anti-Asad. Ndërsa artikujt e tjerë, që kërkoheshin të bliheshin në Iran janë: helikopterët Toufan, kopje iraniane të helikopterëve amerikanë Cobra importuar nga shahu në vitin 1971, si edhe raketat Misagh 1, kopje iraniane të raketave sovjetike Igla 16. Sistemet e komunikacionit GOOYA 600 dhe GOOYA 603, që kërkoheshin të importoheshin nga Irani, nuk janë kompaktibël me sistemet e komunikimit të ushtrive të vendeve të NATO-s, pra janë praktikisht të panevojshme për ushtrinë shqiptare. Është paradoksal fakti, që Shqipëria, vend në prag të hyrjes në NATO, kërkon të importojë avionë pa pilotë njëlloj si diktatori Asad i Sirisë, i ndjeri Çavez i Venezuelës apo terroristët e Hezbollahut. Shqipëria, nën nxitjen e vazhdueshme dhe këmbëngulëse të ambasadës amerikane (shiko uikiliksat përkatës), nga njëra anë eksportonte raketat kineze MANPAD të tipit QW 1 (Vangard), ndërsa nga ana tjetër përpiqej të importonte raketa iraniane Misagh 1 të ngjashme me ato kineze. Po ashtu nuk mund të mendohej modernizimi i forcave tona ajrore dhe përafrimi i tyre me standardet e NATO-s me helikopterë kopje iraniane të patentave 40-vjeçare amerikane. Përgjigja e vetme logjike është kërkoheshin të bliheshin për t’u trafikuar më vonë. Import –eksport me shumicë i eksplozivëve ushtarakë nga Irani Në shkurt-qershor 2006 kemi një korrespondencë të gjerë midis drejtorit të MEICO-s, z. Pinari, dhe drejtorit të firmës iraniane MODELEX, z. Rrahmani. Në këtë korrespondencë diskutohet në hollësi importimi i eksplozivit ushtarak C4 dhe i fitilit zjarr-përcjellës nga Irani. Pas diskutimeve të ndryshme bihet dakord për blerjen e 3500 kg. eksploziv C4 dhe i 30 000 metra linear fitil. Çmimi i blerjes ishte 8 250 USD për fitilin dhe 46 550 USD për eksplozivin C4. Transporti me avion u krye nga firma serbe SPEDAL doo me pronar Predrag Ratkoviç, me numër NIPT-i 104780622, adresë: Beograd, Licka 1-A, numër llogarie bankare 160-0000000269302-83 në bankën Banca Intesa a.d., dega Beograd. Nga fakset e shkëmbyera dokumentohen edhe përpjekjet e MEICO-s për të blerë kapsolla detonatore iraniane (500 copë) apo për të eksportuar në Iran, së paku, 100 tonë eksploziv ushtarak RDX (heksogjen) me çmim 5000 USD toni. Eksplozivi ishte prodhim i uzinës ushtarake shqiptare të Mjekësit, por patentë suedeze Bofors dhe eksportohej i ambalazhuar në qese bezeje me peshë 10 kg secila. Në kabllogramin e ambasadës amerikane në Tiranë, datë 15 korrik 2009, të titulluar: “MEICO dhe pazaret e armëve në Shqipëri”, shprehet shqetësimi për eksportim eksplozivi RDX (heksogjen) në Teheran. Theksohet fakti se në uzinën e Mjekësit ende gjenden 150 tonë RDX në kontejnerë me mbishkrimin: “Për Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Iranit”. Ministria shqiptare e Mbrojtjes, pasi kreu një hetim jo formal, e siguroi ambasadën amerikane se kurrë nuk i ishte shitur RDX Iranit. Kjo ishte një gënjeshtër e Ministrisë së Mbrojtjes. Më 21 shtator 2011, autoritetet ligj-zbatuese italiane kapën në portin e Xhoja (Gioia) Tauro-s një kontejner iranian, ku, pas një ngarkese me qumësht pluhur, gjendeshin shtatë tonë heksogjen (RDX ose T4), ambalazhuar në qese bezeje me peshë 10 kg. Kontejneri vinte nga porti iranian i Bander Abasit dhe do ngarkohej në anijen kontejner-mbajtëse MSC MALAGA. Kontejneri me eksploziv, sipas autoriteteve italiane, kishte destinacion një vend të Lindjes së Mesme. Pas analizave laboratorike, në bazë të lëndës flegmatizuese (parafinës), ekspertët italianë konkluduan që eksplozivi RDX ishte patentë Bofors, prodhim i uzinës së Mjekësit. Pra, më së paku, 7 tonë eksploziv RDX kishin “udhëtuar”nga Shqipëria drejt Iranit, duke provuar kështu dyshimet e ambasadës amerikane për eksport eksplozivi nga Shqipëria në Iran. Në dokumentet e periudhës shkurt-qershor 2006 pasqyrohet edhe një kërkesë këmbëngulëse (dokumentet e datës 19 prill 2006 dhe 14 qershor 2006) i MEICO-s për të importuar nga Irani raketa kundërajrore MANPAD SA 16 dhe SA 18 (Igla). Interesant, vend kandidat për në NATO, që kërkon në mënyrë të përsëritur të modernizojë mbrojtjen kundërajrore me raketa, helikopterë dhe avionë pa pilotë të importuar nga Irani. Në mënyrë figurative mund të shprehemi se Ministria shqiptare e Mbrojtjes ishte “e fejuar” e NATO-s dhe “dashnore” e Iranit. Ka edhe episode të tjera të tregtisë së armëve Iran-Shqipëri, si p.sh importimi nga firma jug-afrikane Nascem, filial i firmës Denel (nëpërmjet firmës ndërmjetëse GTC e regjistruar në zonën e lirë Ajman në Emiratet e Bashkuara Arabe) i 50 copë bombave të aviacionit tip MK82. Ky import u bë në korrik 2007, gjoja për armatimin e avionëve MIG të forcave ajrore shqiptare. Në këtë kohë avionët nuk fluturonin më dhe ky tip bombe ishte jo kompaktibël me avionët MIG, por shumë i përshtatshëm për avionët e vjetruar F4 që Irani i importoi nga SHBA-ja në kohën e shahut Reza Pahlevi, të cilët, për shkak të embargos së armëve amerikane ndaj Iranit, kishin mungesë pjesësh këmbimi, municionesh etj. Ky episod është trajtuar hollësisht në një shkrim timin të botuar në prill të vitit 2010 në një të përditshme shqiptare. Një tjetër episod është edhe eksportimi nga Shqipëria për në Iran i rreth 1000 copë predhave mortaje, më 6 mars 2006. Transporti u krye nga avioni me numër identifikimi IL 76 /HN 76007. Për të realizuar këto shkëmbime ushtarake me Iranin, në disa raste, nuk u përdorën llogaritë zyrtare bankare të MEICO-s, por në emër të oficerit të SHIU-t z. Arben Toska me pasaportë nr. Z 0773395, që iu hap, në vitin 2006, llogari pranë bankës Credins. Marrëdhëniet ushtarake Shqipëri-Iran njohën një zhvillim të ri pas vizitës në Teheran të drejtorit Pinari nga data 27 nëntor 2006 deri në 1 dhjetor 2006. Sipas vendimit nr. 173 datë 23 nëntor 2006 të këshillit drejtues të ndërmarrjes MEICO dhe urdhrit nr. 1367 datë 26 tetor 2006 të Ministrisë së Mbrojtjes, vizita e z. Pinari ishte zyrtare dhe të gjitha shpenzimet për realizimin e kësaj vizite mbuloheshin nga fondet e ndërmarrjes MEICO Në prill 2008, pasi z. Gazmend Oketa u bë Ministër i Mbrojtjes, duket se u ndërprenë marrëdhëniet ushtarake Tiranë-Teheran. Gjithsesi, deputetë opozitarë si zz. Erion Braçe apo Ilir Gjoni kanë këmbëngulur për të ushtruar kontroll parlamentar në Ministrinë e Mbrojtjes, ndër të tjera, për të verifikuar nëse janë riaktivizuar marrëdhëniet ushtarake me Iranin gjatë kohës së qenies ministër i Mbrojtjes të z. Arben Imami. Info/ MEICO MEICO(inicialet anglisht për Military Export Import Company) është ent publik në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë. U krijua në vitin 1991 me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 366 datë 5.10.1991. Plotëson nevojat e forcave të armatosura dhe institucioneve të tjera me mallra importi specifike të karakterit ushtarak, si dhe realizon eksportet e mallrave ushtarake të reja dhe stoqeve të ushtrisë. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE) është institucion qendror, me statusin e personit juridik, publik, në varësi të Ministrit të Mbrojtjes. U krijua dhe vepron sipas Ligjit nr. 9707, datë 5.4.2007 dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 43, datë 16.1.2008. Kryen të gjitha verifikimet e nevojshme, si në lidhje me dokumentacionin e paraqitur nga subjektet tregtare, ashtu dhe në analizën dhe ekspertizën përkatëse në lidhje me mallrat dhe veprimtaritë objekte të eksportit. Ky kontroll përfshin të gjitha fazat e procesit, duke filluar që nga faza e para-licencimit, deri në kontrollin e mëtejshëm, pasi subjekti është pajisur me licencë dhe në verifikimin e përdoruesit dhe destinacionit përfundimtar të mallit. Lëshon licenca dhe autorizime ndaj personave fizike e juridike, të cilët kryejnë veprimtaritë tregtare të lidhura me eksportin, importin, transferimin e mallrave ushtarake apo me përdorim të dyfishtë, si dhe të teknologjive të tyre, në bazë të vlerësimit të kritereve të kërkuara ligjërisht. Uzina e Mjekësit Uzina e Lëndëve Plasëse, (ULP) Mjekës-Elbasan është fabrika më e madhe në Ballkan për lëndët eksplozive, e ndërtuar nga suedezët (faza e parë në vitin 1963 nga kinezët) në vitin 1981. Në vitin 1982 filloi prodhimin e eksplozivëve të fuqishëm me licencën e kompanisë më të famshme në botë, suedezes BOFORS. Janë gjithsej 6 uzina të vendosura në afërsi të qytetit të Elbasanit, që ndodhet rreth 50 km nga Tirana. Mjekësi është ndërmarrje shtetërore që ka prodhuar eksplozivë dhe propelante që nga viti 1963. Prodhimet e saj janë dinamiti, municionet, barut i zi, fitila sigurie, TNT, DNT, RDX, propelante (NG/NC) me bazë teke dhe çifte dhe nitroceluloze, duke konkurruar në tregjet e jashtme. Mbas vitit 1990 uzina uli në minimum prodhimin dhe në vitin 2000, shkoi drejt mbylljes. Që nga viti 2001 u angazhua në demontimin e municioneve të tepërta që ka ushtria. Ka realizuar një projekt për demilitarizimin e rreth 1.3 milion minave kundër këmbësorisë. Uzina mekanike e Gramshit Uzina mekanike e Gramshit ka filluar nga puna në vitin 1962, ndërsa prodhimi me licencë kineze filloi në vitin 1962 me pushkë të tipit “Simonov” me kalibër 7.62 mm. Në vitin 1974 filloi prodhimi i automatikut AK-47. Siguron shërbime prodhuese për industrinë e mbrojtjes me makineritë e saj të precizionit të lartë, riparime, trajtime në të nxehtë si edhe emalimin e sipërfaqeve. Sistemi i cilësisë së ndërmarrjes është i certifikuar me GOST.Me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes Nr. 997/1, datë 10.2.2009, në zbatim të marrëveshjes teknike të datës 22.2.2008 ndërmjet Departamentit amerikan të Shtetit dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, filloi përshtatja e reparteve, prodhimi i pajisjeve dhe shtrirja e linjës teknologjike për demontimin në rrugë industriale të municioneve të topave 37mm kundërajrorë të montuar në anije dhe avion. RDX apo T4 RDX (inicialet anglisht për: Research Department Explosive), me formulë CH2)3N3(NO2)3. Njihet edhe si ciklonit, heksogjen, ciklotrimetilen-trinitraminë dhe T4. Konsiderohet si një nga eksplozivët më të fuqishëm dhe brizantë ushtarakë. Përdoret për përgatitjen e detonatorëve (mes tyre dhe kapsollave dhe fitilave detonatorë) të pajisjeve të municioneve luftarake dhe për punime me plasje në industri, si rregull, duke u përzier me substanca të tjera (trotil), si dhe duke i shtuar flegmatizatorë (parafinë, dyllë, cerezinë), që pakësojnë rrezikun e shpërthimit të heksogjenit nga shkaqe rastësore. Në përbërjen e eksplozivit të famshëm C-4, ka 91 për qind heksogjen, 2,25 për qind vistaneks, 5,31 për qind dioktilsebacinat dhe 1,44 për qind graso. Është përdorur në Luftën e Dytë Botërore, po ashtu dhe nga organizata kriminale, Mafia, organizata terroriste kudo në botë për përgatitjen e bombave artizanale. Gioia Tauro Gioia Tauro është komunë në provincën e Rexhio Kalabria-s (Reggio Calabria), në bregdetin e Tirrenit. Porti ka shtatë kalata ngarkim-shkarkimi me gjatësi 4.646 metra. Është më i madhi në Itali dhe porti i shtatë më i madh i kontejnerëve në Evropë. Në vitin 2007 pati një vëllim pune prej 3.7 milionë njësish kontejnerësh TEU nga më shumë se 3000 anije. Porti përfaqëson më shumë se një të tretën (në vitin 2002) të të gjithë trafikut kombëtar dhe nyjë për trafikun nga / në SHBA dhe nga / në Lindjen e Largët. /
Posted on: Fri, 22 Nov 2013 20:54:41 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015