Cilët ishin ata që zbrazën pushkët e para të rezistencës - TopicsExpress



          

Cilët ishin ata që zbrazën pushkët e para të rezistencës antifashiste në Shqipëri Babë Myslimi, “Robin Hudi” i Shqipërisë Raportet e anglezëve për bëmat e Heroit të Popullit Aziz Gjergji Më 12 prill 1939, Asambleja Kushtetuese e Shqipërisë e përbërë nga 159 “deputetë” (68 prej të cilëve bejlerë, çifligarë të mëdhenj, 25 bajraktarë, 46 tregtarë të mëdhenj dhe 20 të tjerë klerikë, funksionarë e oficerë të lartë); të gjithë agjentë të vjetër e të rinj të fashistëve italianë, që më 1928 i kishte kërkuar “Asamblesë Kushtetuese” të asaj kohë, shpalljen e Ahmet Zogut mbret. Myslim Peza Po më 12 prill 1939, do të lexoheshin projektvendimet e “asamblesë shqiptare”, të hartuara nën kujdesin e vetë Musolinit në Romë që shpallte, siç shkruhet në të, “bashkimin personal të Shqipërisë me Italinë” dhe vendimin e saj për ta kaluar kurorën e Shqipërisë nga Zogu te mbreti italian, Viktor Emanueli III, “për Madhërinë e Tij dhe trashëgimtarët e Tij”!? Po kjo “Asamble Kushtetuese” miratoi formimin e qeverisë së re “shqiptare”, të kryesuar nga Shefqet bej Vërlaci. Më 16 prill delegacioni i kësaj “asambleje”, do t’i ofronte “kurorën e Skënderbeut” Viktor Emanuelit III, i cili qysh atë ditë e tutje do të thirrej “Mbret i Shqipërisë e Perandor i Etiopisë”. Shefqet bej Vërlaci do të kryesonte delegacionin qeveritar shqiptar në Romë (3 qershor 1939) për të marrë “Statutin Themeltar të Mbretërisë Shqiptare”, sipas të cilit, Ministria e Jashtme e Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë ishin suprimuar dhe mbi flamurin kombëtar shqiptar ishin vendosur shenjat e Liktorit, emblemës së Fashizmit Italian. Pas përfundimit “me sukses” të këtij operacioni fashist për zhdukjen nga harta e Evropës të shtetit të përgjysmuar e të dobët të shqiptarëve, Historia e Shqipërisë thotë se Musolini u akordoi, si shpërblim për shërbimet e kryera krerëve qeveritarë shqiptarë, Shefqet Vërlacit, Marka Gjonit, Mustafa Krujës e Vangjel Turtullit, titullin e “Senatorit të Mbretërisë”. Ndërsa Konti Ciano, dhëndrri i Musolinit e ministër i Punëve të Jashtme të Italisë fashiste, organizatori i pushtimit të Shqipërisë në ditarin e tij të2 famshëm, do të shkruante: “Mjaftuan disa dekorime e ndonjë post për kryerjen e operacionit të tredhjes së Shqipërisë pa e bërë pacientin të bërtasë. Tashmë aneksimi praktikisht është realizuar”. Dhe, mbi reagimin e anëtarëve të delegacionit për përfitimet personale nga shitja e vendit të tyre, Çiano na ka lënë këtë shënim: “Më duhet të them, ndoshta për të parën herë pas aneksimit, se ishin të kënaqur në mënyrë të dukshme. Duket se përfitimet personale i bëjnë ata t’u heshtin ndjenjat më fisnike”. Kthimi nga mërgimi i Babë Myslimit Vetëm një muaj pas kësaj tradhtie të qeveritarëve shqiptarë do të kthehej nga mërgimi i gjatë Babë Sheh Myslim Peza, stërnip i themeluesit të parë të Teqes së Pezës, Sheh Hasanit; nip i anëtarit të degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të krahinës së Pezës, Sheh Abdylit dhe i biri i Shehut gojëmbël të krejt Shqipërisë së Mesme, Babë Aziz Pezës. Luixhi Venerandi, komandant i Grupit K.K. MM, Korçë, në një raport të tij, dërguar Komandës së Përgjithshme të Karabinierisë, thotë se “Myslim Peza është rikthyer në Shqipëri më 23 korrik 1939”. Ndërkohë, kolonel Arturo Skatini, shefi i zyrës Ushtarake të Regjencës, pas një kërkimi këmbëngulës rreth aktivitetit të Myslim Pezës, më 6 gusht 1940, arrin në përfundimin se, “Myslim Peza tani së fundi ka krijuar një çetë të armatosur me 8 persona”. Se kush ishte krijuesi i “çetës së armatosur me 8 persona qysh në verë të vitit 1940”, Myslim Peza, mjafton të përsërisim përcaktimin e lordit të Britanisë së Madhe, majorit Xhulian Emerit (Julian Amery), njërit pej organizatorëve të rezistencës antifashiste në Ballkan. Ky lord, duke folur “për dy grupe të forta” guerile në Pezë e Martanesh, shprehimisht thotë: “I pari dhe më i forti i këtyre grupeve udhëhiqej nga Myslim Peza, “Robin Hudi” veteran i Shqipërisë, i cili kishte qenë për dhjetë vjet me radhë i arratisur, në fillim si kundërshtar i Zogut dhe më pas i italianëve”. Studiuesi amerikan Bernard J. Fisher: “Luftëtarët guerilas Myslim Peza dhe Muharrem Bajraktari, të cilët shumë shpejt do të luanin rol të rëndësishëm në organizimin e qëndresës së armatosur, përmenden për herë të parë në lajmet e verës të vitit 1940, si elementë potencialisht të rrezikshëm”. Çeta e parë antifashiste në Shqipëri dhe Evropë Në Arkivin Qendror të Shtetit (AQSH), në Fondin e Gjykatës Ushtarake (Nr. 158) ndodhet Dosja Nr. 173 me afro 300 faqe material dokumentar mbi veprimtarinë e çetës guerile të Pezës, çetës së parë antifashiste në Shqipëri dhe krejt vendet e pushtuara nga trupat nazifashiste të Evropës. Shkurtimisht po përmendim vetëm disa dëshmi të ish-anëtarëve të saj:3 J.H. (i arrestuar nga karabinieria, deponim në hetuesi): “Në shtëpinë e Myslim Pezës rrinte nji mokrar i quejtun Kajo. Ishin edhe toskë e kosovarë, të cilëve nuk ua di emrat, mbasi ata ishin 30-40 vetë. Unë nuk i njifshe, mbasi në shtëpinë e Myslimit hyjshin e dilshin shumë njerëz”. J.S. (i arrestuar nga karabinieria, deponim në hetuesi): “Në shtëpinë e Shyqyri Pezës ndodheshin rreth 60 persona të arratisur e dezertorë dhe, meqë vëllezërit e lartpërmendur, nuk kishin vend për të tërë, 20 vetë qëndronin me ta, ndërsa të tjerët shkonin në fshatrat për rreth, si në Çelmetaj, Çullhaj, Zguraj, Gror, Grecë etj… Për të hangër dhe furnizimin me municione mendonte gjithnjë Shyqyri Peza...” K.P. (i arrestuar, deponim në hetuesi): “Një ditë ndodhi që disa nga shokët kishin vjedhur një dele dhe një qingj, duke i sjellë në shtëpinë e vëllezërve Peza. Shyqyriu, vëllai i madh, sapo e vuri re këtë gjë, i shau ashpër duke ju thënë t’i shpinin menjëherë atje ku i kishin vjedhur”. Ora e pushkëve të para të rezistencës antifashiste në Shqipëri Dokumentet e Arkivit Qendror të Shtetit, kujtesa historike e popullit të Pezës dhe krejt Shqipërisë dëshmojnë se pushkët e para të rezistencës antifashiste shqiptare u hodhën në Pezë, një muaj para se Jugosllavia të kapitullonte dhe Abaz Kupi të kthehej në vendlindje (mars 1941). Pushkët e para, të cilat ia zbardhën faqen Shqipërisë së pushtuar, u hodhën në një kohë kur populli trim e liridashës grek, i udhëhequr me besnikëri nga Mbreti Gjergji II, kryeministri Jan Metaksa dhe gjenerali i talentuar Papagos, po luftonte heroikisht për të mbrojtur lirinë, pavarësinë dhe dinjitetin e tij kombëtar. Historiani i shquar, Zhorzh Kastelan, në “Historia e Ballkanit” shkruan: “Në kundërshtim me iluzionet e Duçes, rezistenca greke qe kurajoze, ajo u drejtua me zgjuarsi nga gjenerali Papagos dhe ushtria greke kaloi shpejt në kundërsulm”. Qeveritarët profashistë të Tiranës, tradhtarë të popullit të vet, bashkëpunuan me Duçen për robërimin e popullit grek, kurse “shtetet e tjera të Ballkanit”, siç thotë Kastelani, “qëndruan pasivë përballë sulmit kundër Greqisë”. Aksioni i çetës së Pezës, pritet ndërlidhja Romë - Aerodromi i Rinasit Myslim Peza jep urdhër për veprim “Pas tërheqjes në brendësi të Shqipërisë”, shkruan Historia e Shqipërisë, “ushtria italiane u mbërthye në një vijë fronti nga Himara në bregdetin perëndimor deri në4 liqenin e Ohrit në lindje. Pika kyçe e kësaj vije ishte pozicioni Këlcyrë – Tepelenë, humbja e të cilës do t’ju krijonte mundësi grekëve të dilnin në Berat e Durrës, si dhe Vlorë, faktikisht në bregun lindor të Adriatikut. Ushtarët shqiptarë të batalioneve “Tomorri” e “Taraboshi”, që u çuan me forcë në frontin grek, nuk pranuan të luftonin dhe dezertuan në masë nga fronti; një pjesë u hodh nga ana greke, të tjerët u arrestuan dhe u mbyllën në kampin e përqendrimit në Shijak, prej ku, shumica e tyre dezertoi. Ndërkaq, çeta vullnetare e Myslim Pezës kreu në prapavijat e ushtrisë italiane një varg goditjesh kundër vijave të komunikacionit”. I ndodhur përpara katastrofës, Duçja u nis urgjent nga Roma për në Shqipëri, për t’u dhënë zemër ushtarëve të tij të dëshpëruar. Në rubrikën “Ditët e Duçes në frontin grek”, gazeta “Tomorri” jep këtë përshkrim: “Ngjarjet e datës 2 mars 1941. Duçja, i nisur nga Bari, në ora 8.45 të ditës 2 mars, arriti në Tiranë në ora 10.05, i pritur prej gjeneral Kavalero, prej Regjencës dhe gjeneral Ranza. Duçja shkoi menjëherë në Rehovë me automobil. Gjatë rrugës qëndroi në Ndroq, midis bersalierëve të Regjimentit I, që i bëri manifestime entuziaste… Ngjarjet e datës 13-14 mars 1941. Duçja shkoi përsëri në observator dhe asistoi në vazhdimin e veprimeve që e ndjek deri në orën 22.00. Në frontin grek: Natën, midis 13-14 mars dhe ditën e djeshme, repartet tona ajrore kanë qëlluar vazhdimisht rrugë automobilash, pozita, bateri dhe trupa të armikut”. Por, po atë natë, Komandanti i Përgjithshëm i Karabinierisë në Shqipëri, gjeneral Kristino Agostinuçi do të njoftonte eprorët e tij për një ngjarje tjetër, të ndodhur vetëm 10 km. larg Tiranës: “14 mars 1941. Nga ora 01.00 deri më 14.00 vazhdues të panjohur në pritë gjatë autorrugës Durrës - Tiranë, në afërsitë e urës mbi përruan Pezë (Komuna Ndroq), zbraznin gjithsej nga 30 herë pushkë kundër dy veturave që kalonin me largësi prej pak minutash njëra prej tjetrës, duke pasur brenda kapitenin Bencini Guidon, i zyrës së punimeve të Xhenjos, në njërën dhe Kontin Kampelo në tjetrën, i cili mbeteshe i plagosur shumë lehtë…” Konti Xhianfranko Kampelo: “Unë isha përpara, ndërsa pas meje, në të majtë, presidenti i Institutit Nacional “Luçe”, Augusto Fanteçi… Makina është vënë në shenjë nga një numër i madh të shtënash me armë zjarri. Këto vinin nga krahu i majtë i rrugës, nga një distancë 15 m. nga lartë e nga poshtë. Një nga të shtënat e para hyri në karroceri nga pjesa e sipërme e saj, majtas dhe çau dërrasën, duke gërvishtur lehtë Fanteçin dhe mua. Edhe pas largimit, zjarri i pushkëve na ndoqi nga pas…”5 Në këtë rast çdo patriot shqiptar, i vjetër apo i ri, do të ketë kënaqësinë ta dëgjojnë variantin e kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme nga vetë goja e protagonistit, komandantit hero, Myslim Pezës. Aksioni Myslim Peza: “U mendova, u mendova, por ma në fund e ndava mendjen ta filloj luftën. Vendosa vetëm. Kujtdo që t’i thojshe, aq ma tepër tim vllai, do të më merrte për të luejt mendsh. Se s’ishte gja e vogël, o babë, ishte punë e madhe. Thirra veç e veç shokët ma të besueshëm: Kajo Karafilin, Sulë Jonuzin, Sadi Sinanin, Hamdi Grorin, Muharrem Hakën e Vath Korrikun. Mbasdite shtova edhe tre veta të tjerë që dojshe me i përgjakë me fashistat. Të tre mbas aksionit u ndanë prej nesh; i pari qysh të nesërmen, tjetri mbas dy muejsh dhe i treti mbas dy vjetësh. Shokët e njoftuem u armatosën mirë, morën municion, sopata, litarë, sharra e thika dhe mbas darke u nisën drejt Pezës së Vogël. Komandant të njësitit caktova Sadi Sinanin, burrë i pjekun dhe vendali. Rrugës, njësiti kishte takue Zyber Pezën dhe e kishte marrë me vete. Kështu, aksioni jonë i parë u ba me dhjetë veta. Aksioni filloi rreth mesit të natës. Njësiti filloi punë te kthesa e Pezës, aty ku sot ngrihet lapidari, me premjen e kabllit nëntokësor të Aviacionit që lidhte Tiranën me Romën. Njisiti vazhdoi tuj e dëmtue kabllin në drejtim të Ndroqit dhe tuj pre shtyllat e telefonit të ndërlidhjes brenda vendit. Në Qafën e Çeljeve, njësiti gjuejti dy vetura me oficerë të naltë fashistë brenda”. Huazuar nga gazeta: Panorama, 27.11.2004
Posted on: Sat, 21 Sep 2013 05:32:29 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015