DASHURINË NDAJ POPULLIT DHE ATDHEUT E KISHTE TRADITË - TopicsExpress



          

DASHURINË NDAJ POPULLIT DHE ATDHEUT E KISHTE TRADITË FAMILJARE Të nderuar pjestarë të familjes së atdhetarit e veprimtarit të madh të kombit Nazmi Hoxha! Të dashura familje të Heronjëve dhe Dëshmorëve të Kombit! Të nderuar invalid,veteranë të çështjes kombëtare e të luftërave të armatosura çlirimtare! Të nderuar deputet të parlamentit të Kosovës dhe të parlamentit të Mqedonisë,ministra e zv.ministra të Qeverisë së Kosovës e të Qeverisë së Maqedonisë! Të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale të Kosovës! I nderuar kryetar i Komunës së Gjilanit z. Qemajl Mustafa,të nderuar kryetarë të komunave të Kosovës! Të nderuar vëllezër nga Shqipëria! Të nderuar shikues të RTK-së! Të nderuar të pranishëm,zonja dhe zotrinj! Është moment i veçantë i jetës time sot! Është hera e parë që publikisht kam vendosur të flas për jetën dhe veprën e njërit prej bijëve më të shquar të Gjilanit e të mbarë popullit shqiptar,njërit prej mësuesve dhe shokëve të mij e të shumë brezave,veprimtarin e madh e të devotshëm të luftës politike ilegale të viteve 1970-1981 e këndej,për emrin e dëgjuar dhe të mirënjohur Nazmi Hoxha. Historia e jetës dhe e luftës ilegale e viteve ‘70-të dhe ‘80-të,por edhe fundi i viteve ‘90-të e fillimi i vitit ‘91,të Gjilanit në veçanti,por edhe e Kosovës dhe Viseve të saja në përgjithësi,është e vulosur pashlyeshëm nga aktiviteti atdhetar i luftëtarit kombëtar nga Cernica e Gjilanit Nazmi Hoxha. Tërë gjerdanin e artë të veprimtarëve atdhetarë të Gjilanit dhe anamoravës i kishte njohur personalisht. Nga gjenerata e vjetër kishte dëgjuar dhe marrë tërë këshillat dhe kishte vazhduar traditën atdhetare duke ecur rrugës së tyre për lirinë,çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Ndërkaq me gjeneratën e tij brezin e Kadri Zekës,Rexhep Malës,Hydajet Hysenit,Zija Shemsiut,Bejtullah Tahirit,Nuhi Berishës,Basri Musmuratit e të shumë veprimtarëve të devotshëm,kishte filluar rrugën e luftës për çlirim dhe pavarësinë e Kosovës nga zgjedha pushtuese e ish-Jugosllavisë.Në organizimin politik illegal kishte organizuar edhe vëllaun e vetëm të tij Sami Hoxhën,për të dhënë shembullin,se për çlirimin e Kosovës duhet të gjithë të angazhohemi. Në formimin atdhetar dhe patriotik të Nazmi Hoxhës,rrol me ndikim ka luajtur babai i tij Hasim Hoxha,por edhe aktiviteti patriotik i fisit të tij të lavdishëm të hoxhajve në zë e veçanërisht tribuni i kombit Ramiz Cernica. Babai i Nazmi Hoxhës,Hasim Hoxha ishte luftëtari sypatrembur i qëndresës heroike në malet e Kitkës legjendare. Babai i Nazmiut,axha Hasim ka luftuar atje ku janë mbajtur me ditë dhe netë të tëra dhe nuk kanë kaluar dot, qetat dhe hordhitë qetnike serbe,që donin të terrorizonin dhe të shfarosnin popullin shqiptar jo vetëm të asaj ane. Babai i Nazmi Hoxhës,Axha Hasim gjatë aksionit të armëve,ishte rrahur dhe torturuar mizorisht,dhe ky burrë me zemër të madhe shqiptare nuk e kishte dorëzuar armën e luftës për liri,nuk e kishte dorëzuar pushkën e luftës me të cilën kishte luftuar në frontet e Kitkës,nuk ju kishte thënë nuk kam pushkë,por e kam dhe nuk e dorëzoj. Imagjinojeni të nderuar të pranishëm,se çka ka regjistruar kujtesa e fëmijut Nazmi Hoxha kur e ka parë të nxirë trupin e babait të tij nga torturat dhe rrahjet! A thua vallë sa herë ia ka plasur vajit Nazmiu i vogël,kur e ka ndjerë gjëmën dhe rrënkimet e mëdha të babait të të tij të dashur,të dërmuar nga rrahjet dhe goditjet e pashpirta të udbashëve të Rankoviqit? Në një gjendje të tillë e kishte jetuar fëmijërinë e moshës 5-6 vjeqare dalëzotësi i ardhshëm i Kosovës Nazmi Hoxha. Dua ta bëj një krahasim,që opinioni përfundimisht ta mësojë njëherë e përgjithmonë. Gjilani në historinë e tij të qëndresës para torturuesve të tmerrëshëm e gjakpirësve antishqiptar,ka njohur gjigandin Rexhep Malaj,i cili përballë xhelatëve e kriminelëve si Selim Brosha me klikën e tij,deklaronte unë e kam teknikën që kemi shtypur trakte e materiale të luftës për liri, e di vendin ku është dhe nuk ju tregoj,nuk ua jap. Edhe Hasim Hoxha, babai i Nazmi Hoxhës që po e nderojmë sot,nuk e dorëzoi pushkën e lirisë,ngjashëm si më vonë çeliku i burgjeve Rexhep Malaj. Motra dhe vëllezër! Të gjithë e dime se Cernica është vendlindja e Tribunit të Kombit Ramiz Cernica. Ramiz Cernica pas daljes nga burgu,për shkak të presionit të UDB-së u detyrua të shperngulej prej Cernicës në fshatin Katuni i Ri të Komunës së Ferizajt. Në shtëpinë ku kishte lindur, jetuar dhe vepruar Ramiz Cernica, atë shtëpi e bleu dhe u vendos për të jetuar me familje Hasim Hoxha,babai i Nazmi Hoxhës. E shihni të nderuar të pranishëm,se asgjë rastësisht nuk ndodhë në këtë botë. Në moshën 13 vjeqare Nazmi Hoxha,e fillon jetën në kullën e lavdishme të Ramiz Cernicës. Oda e Tribunit të Kombit Ramiz Cernica,që ishte dëshmitarja reale të cilën e kishin vizituar me dhjetra e qindra atdhetarë e patriot,vazhdonte misinin e saj historik, priste dhe përcillte atdhetarë dhe veprimtarë të rinj të luftës ilegale politike. Kulla e Ramiz Cernicës,më vonë kulla e Nazmi Hoxhës,priste e përcillte njerëz të cilët direkt ishin të përfshirë dhe drejtonin luftën politike ilegale për Republikën e Kosovës,si Rexhep Malaj, Hydajet Hyseni,Bejtullah Tahiri, etj.. Nazmi Hoxha në fund të vitit 1970 organizohet në Lëvizjen Rrevolucionare për Bashkim më Shqipërinë që drejtohej nga simboli i Rrezistencës Adem Demaçi dhe më vonë është njëri prej themeluesve,aktorëve dhe faktorëve relevant për Gjilan dhe anamoravë në Grupin Marksist-Leninist të Kosovë- GMLK. Veprimtaria atdhetare e patriotike e Nazmi Hoxhës ishte shumë e begatë,ajo ishte e drejtuar drejt zgjimit dhe vetëdijësimit të të gjitha shtresave të popullit tonë. Në Cernicë edhe sot është e freskët shfaqja madhështore e dramës shtatë shaljanët nga grupi dramatik ‘Zgjimi’ të cilin e udhëhiqte Nazmi Hoxha. Atdhetari Nazmi Hoxha,ashtu si edhe e tërë kolona e pafund e veprimtarëvee të tjerë në Kosovë e Vise,në planë të parë,çështje mbi çështjet,kishte luftën për çlirimin e Kosovës,pastaj familjen,e krejt në fund veten e tij. Të nderuar të pranishëm,mbajeni mend,ju që jeni këtu dhe të tjerët që do ta dëgjojnë e do ta lexojnë këtë fjalë rasti timen,për Nazmi Hoxhën,për këtë burrë të lavdishëm që veprimtaria atdhetare në shërbim të Kosovës e të popullit shqiptar,e vendosi dhe do ta mbajë përgjithmonë në rreshtin e parë e në panteonin e nderit të kombit tonë. Ngjarjet e vitit të madh 1981,ajo epokë e lavdishme e luftës së popullit tonë për liri,ishte viti që nxorri në skenë emra të mëdhenj të luftës për liri,në mesin e të cilëve në Komunën e Gjilanit,udhëhiqte e printe ky burrë që po e përkujtojmë sot Nazmi Hoxha. Nazmi Hoxha edhe pse besoj se të gjithë e dini se cili është,dua t’ua tregoj personalisht,dhe kjo vlenë veqanërisht për gjeneratat e reja. Është ky këtu i ulur në rend të parë i pari. Dhe të nderuar të pranishëm,kjo foto është bërë këtu afër neve që jemi këtu,disa metra larg,në ndërtesën e gjykatës së qarkut,në sallën e madhe të gjykatës. Në bankën e të akuzuarve në gjykatën e qarkut të Gjilanit,pra ajo pamje që po shihni këtu,ishin 16 shqiptar që ishin të organizuar politikisht dhe vepronin aktivisht për përmbysjen e rregjimit antishqiptar titist dhe Kosovën ta bënin Republikë. Sot 29 vjet nga ajo kohë,kur është bërë ajo fotografi e famshme që ka pushtuar mediat botërore,Kosova është e lirë dhe e pavarur,e njohur dhe e pranuar ndërkombëtarisht ashtu siç e dëshironin jo vetëm këta bijë të lavdishëm që po i shohim në foto por edhe shumë të tjerë anë e kend viseve shqiptare, Kosova Republikë. Për Kosovën Republikë,këta bijë në emër të popullit u dënuan 105 vjet burg,kurëse udhëheqësi i grupit Nazmi Hoxha u dënua 15 vite. Në popull gojë më gojë barteshin fjalët:Hej e denuan grupin e Gjilanit ,kuku sa shumë i kanë denuar o zot,o kotë e kanë titisët e shërbëtorët e tyre, se ata e kanë drejtë dhe do të fitojmë patjetër herdokurë,etj.. Kurse taborri antishqiptar qirrej,po ata nuk janë mirë me mend,donë me na nda prej Jugosllavisë e me iu bashku Shqipërisë,po donë me na përqa vëllazërim-bashkimin,po kemi me i kalbë nëpër burgje e kemi me ua shktarruar familjet,do të jenë simboli i varfërisë dhe i mjerimit,nuk do t’i lejojmë të shkollohen ,dhe kështu do të arrijmë ta gerdisim popullin prej tyre. Simboli i grupit të Gjilanit ishte Nazmi Hoxha. Do të ishte në nderin e historisë së Gjykatës së Qarkut të Gjilanit,të gjyqtarëve, avokatëve dhe tërë personelit patriot e atdhedashës,por edhe strukturave komunale të Gjilanit,që kjo foto tanimë historike,të vendoset jo vetëm në sallën ku janë dënuar këta burra të mëdhenj të Gjilanit dhe tërë Kosovës,por të vendoset në vendin qendror të Gjykatës dhe të qëndrojë në mure përgjithmonë,si dëshmia se sa ka tentuar dhe arrirë të na dëmtojë e të na hapë plagë Serbia pushtuese. Prandaj kërkoj nga Kryetari i Komunës,nga organet vendimmarrëse të Kuvendit Komunal të Gjilanit,nga stafi drejtues i Gjykatës së Qarkut të Gjilanit, që ta marrin në konsideratë këtë propozim timin,sepse është realizuar e po shkon drejt realizimit tërësorë programi i tyre politiko-patriotik për Kosovën,prandaj ata janë heronjtë e vërtetë të proqeseve antishqiptare gjyqësore në Komunën e Gjilanit. Të nderuar të pranishëm të gjithë kemi dëgjuar por shumë nga ju edhe e keni jetuar në kurrizin tuaj dhunën dhe torturën që kanë përjetuar në hetuesi dhe nëpër burgje atdhetarët shqiptar. Ashtu si shumë veprimtarë e atdhetarë të tjerë që janë torturuar e rrahur barbarisht nëpër zyret e UDB-së dhe qelitë e mykura të burgjeve të Gjilanit,Kosovës,Serbisë dhe ish-Jugosllavisë,edhe Nazmi Hoxha të cilin po e nderojmë dhe përkujtojmë sot,është nga më të torturuarit,nga më të rrahurit e nga më të përgjakurit. Apo thënë shkurt,pas çelikut të qëndresës nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë Heroi i Kombit Rexhep Malaj,Nazmi Hoxha është më i torturuari i dërmuari në dru i grupit të Gjilanit. Ah sa shumë gjak është derdhur për hunde e goje,sa shumë brinjë,krah,duar e këmbë janë thyer nëpër lokalet famëkqija të UDB-së e qelitë e burgut të Gjilanit. Sa shumë dhëmbë kanë mbetur të thyer nëpër dyshemetë e zyreve të udëbashëve serbo-shqiptar,disa prej të cilëve edhe sot e kësaj dite nuk janë penduar e turpëruar,por as drejtësia e shtetit të Republikës së Kosovës, nuk i ka vënë përpara përgjegjësisë. Nazmi Hoxhës të nderuar motra dhe vëllezër të pranishëm,vetëm një herë në një nga ditët dhe netët e rënda të jetës së tij,i lidhur këmbë e duar me zingjirë, gjatë torturave tmerruese i janë dhënë 240-të,e përsërisë 240-të goditje kërbaqi,pendreku apo palicë siç i kanë thënë pushtuesit,dhe shufra e gomës pra kërbaqi është thyer në trupin e përgjakur e të shkatërruar të Nazmi Hoxhës,dhe xhelati shqiptar i ka thënë: po më mbetesh borgj edhe 60 copa gerbaqi,por nesër do t’I jap se sonte edhe jam lodhur. E shihni se si është rrahur e torturuar Nazmi Hoxha e shokët e tij,pse kanë vepruar dhe kanë luftuar për Kosovën Republikë dhe bashkimin me Shqipërinë! Dua të ju rrëfej edhe diçka që padyshim se është trishtuese,pas asaj rrahjeje shtazarake që ka përjetuar ,koka i është ajur në përmasa tmerri,dhe ka pasur aq shumë dhembje nga goditjet sa nuk ka mundur ta vendosë as në jastëk,i cili padyshim se nuk ishte i butë siç duhet të jenë,por jastëk burgu, i fortë dhe i përgjakur i tëri. Atë natë ka vëndosur dicka nën qafë dhe ka fjetur ashtu siç mund ta paramendoni. Kurse pas një kohe i ka rënë tërë lëkura e fytyrës,nuk ka mundur ta shikojë në pasqyre por e ka parë sepse i ka mbetur në duar kur i ka fërkuar sytë! Kështu është keqtrajtuar ky burrë i cili hëngri dajak, grushta e shqelma nëpër zyret e kasaphane së UDB-së së Gjilanit,ashtu si si edhe shumica e shokëve të tij dhe u denua me denimin maksimal politik 15 vite burg,për Republikën e Kosovës. Qëndrimi i Tij në burg ishte burrërorë dhe i vendosur,kështu tregojnë shokët që kanë vuajtur me të si në burgun e Gjilanit,Leskovcit,Titovo Uzhicës dhe Pozharevacit. Nazmi Hoxha gjatë vuajtjës së dënimit,përpos që kishte lënë boshllëk të madh në lëvizjen politike ilegale të organizuar e cila me shumë vështirësi e merrte veten,Ai edhe familjes i kishte shkaktuar vështirësi të mëdha ekonomike. Babai në moshë axha Hasim dhe vëllau Sami Hoxha ishin të vetmit krah pune që mbanin familjen. Samiu edhe pse arsimtar në shkollën fillore të Cernicës,e ndjej për obligim ta bëj publike për tërë opinionin e gjëre,me traktorin e tij,për ta mbajtur gjallë familjen dhe për t’i shkuar me peketë e në vizita të rregullta Nazmiut nëpër burgje ku dergjej,i kishte lavruar po thuaj tërë arat e Cernicës,por edhe të fshatrave tjera për rreth. Ishte jetë e rëndë ajo! Ishin kohë të vështira atëherë,pushtuesit dhe tradhëtarët i izolonin në maksimumin e mundshëm familjet e atdhetarëve për të dhënë shembullin në popull se kush është kundër rregjimit titist e kundër vëllazërim-bashkimit me Serbinë,pra kush kërkon Republikë për Kosovën,shiheni dhe binduni se çka i gjen ata dhe familjet e tyre. Dua të rrëfej edhe një ngjarje të cilën unë vetë e kam parë me sytë e mi. Në kohën kur ishte në burg Nazmi Hoxha,pjestarët e familjes së tij jetonin në kushte të vështira e shumë të rënda ekonomike. Në podrumin e shtëpisë ku ata jetonin, kur shkova njëherë për vizitë,u shtrua sofra e bukës. Ju lutem mbajeni mend! Të gjithë fëmijët e Nazmi Hoxhës:Arbeni,Arbenita,Kushtrimi dhe Ngadhnjimi,por edhe dy fëmijët e mëdhenj të Samiut Liria dhe Petriti u ulën në sofër. Para tyre kishin nga pak djath dhe një vezë të fërguar dhe bukë natyrisht.Të gjithë e ngjyenin kafshatën e bukës në pjatën që ishte veza e fërguar,dhe asnjëri nuk e merrte as një copë,u ngritën nga sofra fëmijët,bukën e hëngrën,ndërsa veza e fërguar mbeti në masë të madhe në pjatën që ishte në sofër. Kështu vëllezër e motra, jetonin fëmijët e të burgosurit politik Nazmi Hoxha,i shikoja me lot në sy…,vuanin padrejtësisht këta fëmijë,vetëm e vetëm pse e kishin babin dhe xhaxhin e tyre në shërbim të luftës për Republikën e Kosovës. Jam thellë i bindur,por edhe i informuar për kohën, se shumë familje atdhetarësh kanë pasur të njëjtin fat dhe kanë përjetuar e jetuar të njejtat vështirësi,që ka ditur t’ua krijonte vetëm UDB-a dhe LKJ-ja Jugosllave e më shumë ajo shqiptare e Kosovës. Nazmi Hoxha kur doli nga burgu,pa as më të voglin hezitim e vazhdoi luftën e organizuar politike ilegale. 10 vite pas,lëvizja politike ilegale ishte forcuar dhe konsoliduar,ishte masovizuar dhe kishte filluar të bëhej tmerri i pushtetit politik të LKJ-së në Kosovë e Vise. Pra atdhetari Nazmi Hoxha menjëherë pas daljes nga burgu u aktivizua në LPK. Pas daljës nga burgu Nazmi Hoxha kishte konkuruar të punonte në shkollën fillore në Cernicë,në të njëjtën shkollë ku kishte punuar edhe para se të burgosej,por nuk u pranua në procesin mësimorë sepse drejtori i shkollës bashk me pedagogun e tij,kishin shkuar në shkollën e lartë në Gjakovë për ta verifikuar në ishte apo jo i diplomuar Nazmi Hoxha. Meqë Nazmiu kishte edhe dy provime pa diplomuar,sepse e kishte penguar burgosja e gjatë,nuk e pranuan dhe në vend të tij sollën një djalosh të mjerë historie nga Pozherani. E përmenda këtë rast,sepse ditën kur i është verifikuar dosja univerzitare Nazmiut në Gjakovë,të njëjtën ditë Nazmiu së bashku me Nexhmedin Sherifin,njërin prej komandantve të UÇK-së,komandant Bardhin e ardhshëm luftës të Zonës së Llapit,mblidhte ndihma për vëllaun e paralizuar të pedagogut,të smuarin Avni Sherifi. Sa poshtërsi e madhe ka ngjarë kundër Nazmi Hoxhës nga drejtoria e shkollës së Cernicës! Duke mbetur në rrugë,i papranuar në shkollë,rrugën e punësimit në administratë e kishte të ndaluar,sepse pushteti serb e konsideronte armik të Serbisë,në shenjë rrespekti dhe ndihme e merr në punë në biznesin e tij privat, në firmën e tij Korabi,afaristi nga Cernica Musli Arifi. Më 26 shtator 1991,Nazmi Hoxha u caktua delegat i Rrethit të LPK-së së Gjilanit,për në Mbledhjen e Tretë të Përgjithshmë në Ujmir të Drenicës. Votën me unanimitet në Kryesinë e Këshillit të Rrethit të LPK-së për të shkuar delegate në Mbledhjen e Tretë të Përgjithshme ia kam dhënë unë Ismet Sylejmani në cilësinë e Anëtarit të Komitetit Drejtues të LPK-së,pastaj anëtarja e Kryesisë së Këshillit të Rrethit të LPK-së Lirie Abdurrahmani-Kajtazi,e cila pas lufte ishte nënkryetare e Komunës së Gjilanit dhe zv.Ministre e Kulturës,Rinisë dhe Spoprteve në Qeverinë e Kosovës dhe anëtari tjetër i Kryesisë së Këshillit të Rrethit Ahmet Alia,drejtor aktual i shkollës fillore “Selami Hallaqi” në Gjilan. Në atë mbledhje,pra në Mbledhjen e Tretë të Përgjithëshme në Ujmir të Drenicës që u mbajt në Tetor 1991,u zgjodhën organet drejtuese të Lëvizjes. Në Kryesinë e LPK-së krahas emrave të dëgjuar si Hydajet Hyseni,Mehmet Hajrizi,Azem Syla,Ramë Buja,Ramadan Avdiu etj., u zgjodh edhe Nazmi Hoxha. Kryesia e LPK-së ka mbajtuar mbledhjet e saj në vende të ndryshme,por njërën nga ato i ka mbajtur edhe në shtëpinë e Heroit të Kombit Afrim Zhitia,ku i ka pritur me shumë bujari dhe ruajtur me shume vigjilencë axha Osman. Pas kësaj Nazmi Hoxha sëbashku me njërin prej shokëve më të mire e veprimtarin e dalluar të LPK-së,ish Kryetarin e Këshillit të Rrethit Xhevat Qerimin,themelojnë firmën e përbashkët private “Qëndresa” dhe fillojnë me afarizëm të sukseshëm. Vështirësi kishte shumë,sepse kishte mbi supe obligime të luftës politike ilegale,ishte nën mbikqyrje të rreptë të policisë serbe,por ai nuk ndalej,ishte luan i vertetë,asgjë nuk e zmbrapste. Mbledhja e Tretë e Përgjithshme e LPK-së,kishte hedhur bazat e fillimit të përgaditjes së luftës së armatosur,dhe Nazmi Hoxha angazhohej për të vënë në jetë ato vendime. Në verën e vitit 1992,pasi ishin grumbulluar një sasi e madhe e frangave zvicrrane dhe markave gjermane, në Gjilan dhe rrethinë,bashk me shokët e tij Xhevat Qerimin,Ahmet Demirin,Nijazi Idrizin,Ahmet Aliun,Sabit Rexhepin etj.,në koordinim me veprimtarin e njohur të Kumanovës,drejtuesin e LPK-së Arif Seferin,nisen për në Bullgari për të blerë armë për përgaditjen e luftës në Kosovë. Në kufirin mes Mqedonisë dhe Bullgarisë,automjeti i tyre Golf,pronë e veprimtarit Xhevat Qerimi,pasi kontrollohet imtësisht,zbulohen devizat e fshehura,ata të tre arrestohen,kurse 45.000 frangat zvicërrane dhe 10.000 markat gjermane por edhe automjeti konfiskohen. Nazmiun dhe Xhevatin i lirojnë maqedonët pas dy ditësh,ndërsa veprimtarin Arif Seferi,maqedonët e prangosin dhe e transferojnë në burgun e idrizoves dhe nga aty i gjallë nuk del,sepse pas dy ditësh e mbysin barbarisht në tortura. Pas këtyre ngjarjeve që i ndodhën në rastin e armëve dhe pas arrestimeve në gusht të vitit 1993 të shumë anëtarëve të Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së,në mesin e të cilëve edhe të Xhavit Hazirit,Ahmet Haxhiut,Bajrush Xhemalit,Ramadan Pllanës,Hajredin Hysenit,Ilaz Kadollit etj.,Nazmiu u detyrua të largohej nga Kosova për në Shqipëri. Krahas angazhimeve për çlirimin e Kosovës,në Shqipëri,konkretisht në Rogozhinë hapi edhe një biznes privat me shokun e bashkluftëtarin e tij Xhevat Qerimin. Ngjarjet e njohura të skemave piramidale në Shqipëri i shkaktuan dëme të pariparueshme dhe favoret për një biznes stabil në Shqipërinë e asj kohe ishin të pamundura. Në atë kohë mbijetonte me mundime të mëdha,ndërsa kontributin e tij në drejtim të luftës nuk e ndalte. Në shtëpinë e Nazmi Hoxhës në Durrës,shumë përsonalitete të njohura kanë hyrë dhe dalë. Shumë nga ata burra e gra që kanë qëndruar e u ka dhënë bukë në sofrën e tij Nazmi Hoxha,ishin figura të mëdha të luftës së UÇK-së por edhe u shëndërruan në Heronj e Dëshmorë të ardhshëm të Kosovës e të popullit shqiptar. Te Nazmiu ishin Heroi i Kombit Fehmi Lladrovci me bashkëshorten e tij,Heroinën Xhevë Lladrovcin,simboli i thyrjes së kufirit Kosovë-Shqipëri, Heroi i Kombit Agim Ramadani,Heroi i Kombit Abdullah Tahiri,Dëshmori i Kombit Urim Mehmeti,por edhe personalitete të shquara si Hydajet Hyseni,Berat Luzha,Xhevat Ademi,Bajrush dhe Emrush Xhemajli,Azem Syla,Ramë Buja,Emin Krasniqi,Basri Musmurati,Sami Kurteshi,Ramadan Avdiu,Kadri Kryeziu,Bislim Elshani,Neriman Braha etj.,por edhe nga fshati i tij si Musa Bllaca,Avdyl Hasani e shumë të tjerë. Të nderuar të pranishëm,duke folur në pika të shkurtëra për jetën dhe veprën e Nazmi Hoxhës,u zgjata pak shumë,por nuk arrita të them tërë të bëmat e mëdha të Tij në luftë për lirinë,çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Cilit institucion nuk do ti bënte nderë emri i Nazmi Hoxhës? Nazmi Hoxha përsonifikon luftëtarin e madh e të devotshëm të Atdheut. Unë propozoj që shkollës së lagjës së VIII-të në Gjilan ti vëhet emri i Nazmi Hoxhës,besoj se jeni dakord ju që jeni këtu dhe institucionet që do të merren me propozimin në të ardhmen. Lavdi jetës dhe veprës së Nazmi Hoxhës! Lavdi të rënëve në luftë për liri! Faleminderit! Dhjetor 2011, Ismet Sylejmani
Posted on: Mon, 23 Sep 2013 12:56:08 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015