DHIMITER MBORJA (BRATKO)---NJE FOTOGRAF I DALLUAR NE - TopicsExpress



          

DHIMITER MBORJA (BRATKO)---NJE FOTOGRAF I DALLUAR NE DIASPORE Dhimiter MborjaNjë fotograf i shquar i shekullit të kaluar me origjinë shqiptare, por me veprimtari jashtë vendit, është edhe Dhimitër Mborja-Bratko (George Dimitri Boria ). Ai është lindur në fshatin Mborje të Korçës në vitin 1903. Në moshën 3-vjeçare shkoi në Amerikë (Detroit) si shumë shqiptarë të tjerë me besim të madh tek “Bota e re”, ku kishte një dajë. Pas studimeve në Institutin e Arteve të Detroit, në një kolegj të artit fotografik, Mborja shpërngulet në Los Anxhelos, në Hollivud, duke filluar punë si regjizor filmash vizatimor. Filmi i tij i parë në këtë fushë mendohet të jetë seriali “Cubby the Bear”, rreth viteve ’20. Më pas, në vitet ’30, Mborja realizon figurat plastike lëvizëse të dinosaurve për filmin “Lost World” e, paskëtaj studion e tij ia shet Uollt Dizneit (Walt Disney) të famshëm. Në këtë kohë hap këtu studion e tij fotografike dhe njëkohësisht punon për dekoret e disa filmave artistikë, këto të fundit veprimtari të porositura. Puna në kinematografi, talenti, si edhe natyra e bën të krijojë miqësira të shumta, në mes të cilëve edhe me figura të tilla mjaft njohura të kohës, të teatrit dhe filmit si Rudolfo Valentino dhe Lilian Gish, aktorë në kulmin e lavdisë së tyre (Arben Faber-gazeta “Shekulli”, 5.10.2003). Përveç pjesëmarrjes në realizimin e filmave, ai punon edhe si drejtues i shfaqjeve artistike që jepeshin në anijet e mëdha të udhëtarëve gjatë lundrimeve të gjata. Në vitin 1942, Mborja vendosi të futet në rradhët e ushtrisë amerikane si fotograf. Për këtë kryen kolegjin e Luftës në Uashington, ku studion për fotografi (Gazeta “Ushtria”—Tirane, 22.9.2006). Pas përfundimit të L2B në Europë, ai punon pranë UNRRA-s në Ballkan, duke lënë fotografi me vlera të mëdha, por të pacilësuara me datat dhe vendet që pasqyroheshin në to, një mëkat ky i pafalshëm dhe i pariparushëm. Më vonë shpërngulet si fotograf në shtabin e gjeneralit Dagllas Makartur, kryekomandanti i forcave amerikane në Paqësor, ku përmbush një punë voluminoze e njëkohësisht me nivel të lartë teknik, dokumentar madje dhe artistik. Vlen të përmendet se emri i Dhimitër Mborjes (Gaqo Borjes a Bratkos, siç shkruhet disa herë), kishte kohë që ishte bërë i njohur edhe në shtypin amerikan të viteve ’20. Kështu, gazeta “Zëri i Korcës” (20.07.1929), shkruan: “Z.George Dhimitër Mborja ka marë një famë të çkëlqyer në Hollivud të SHBA”, e më poshtë duke cituar gazetën amerikane “Los Angelos Evening Express”, e përkohëshmja korçare nënvizon : “George Mborja është artist i vërtetë, një artist i portreteve i cili përfytyron me hollësi çdo gjë që shikon me sytë e tij çponjës, jo me furçë, por me gërsherë, duke krijuar llojin e quajtur “sizoret” (scissorettes) (Gazeta “Zeri i Korçës”-Korçë, 20.07.1929). Shënojmë këtu se Mborja ishte një vit më i madh se fotografi tjetër i lindur në Korçë, Gjon Mili. Ata janë njohur me njëri-tjetrin e ndoshta kanë punuar së bashku, para se Mili të bëhej fotograf i shquar. Në një foto që na u mundësua prej Muzeut “Douglas MacArthur”(Mak Arthur) në Norfolk (Virxhinia, SHBA), ata të dy shihen bashkë me të tjerë me veshje të shekullit XIX, ka të ngjarë pas ndonjë shfaqje teatrore. Sipas punonjësve të muzeut, fotoja i përket viteve 20-30, kur Mborja ishte bërë i njohur në këtë fushë, ndërsa Mili sapo kish filluar fotografimin si amator. Në vitet 1937-38, kur Mili iu përkushtua tërësisht fotografisë, Mborja kishte mjaft emër në rrethet e “camera obscura” (fotografise ) të Uashingtonit dhe thirrej “fotograf Bratka” e, këtë sepse ai “ me vullnet të fortë eci në profesion dhe u bë shpejt nga fotografët aktivë në Uashington” (Jorgjata Gjanci—gazeta “Shekulli”, 18.06.2003) Në kohështrirjen 11-vjecare, 1945-1956, kur Borja punoi në Japoni si fotograf pranë gjeneralit amerikan Makartur, mendja dhe duart e tij përpunuan në laborator mijra foto të realizuara nga ai në kohën e L2B, si dhe gjatë asaj të Koresë (1949-1953). Ky dhjetëvjeçar shënon për të shumë udhëtime nëpër Azi, ku fotografon mjedise luftarake, politikanë, ushtarakë, peisazhe, monumente kulturore, historike dhe religjoze, ambjente dhe veprimtari artistike, njerëz të thjeshtë, por edhe Perandorin e Japonisë me të shoqen. Njëkohësisht, ai iu përkushtua edhe mbledhjes së objekteve dhe relikeve të artit dhe artizanatit të Lindjes, punë kjo mjaft pasionante dhe voluminoze, duke krijuar me to një koleksion të rrallë. Kështu, ai siguron eksponante nga Japonia ku bëhet mik edhe i perandorit Hirohito, nga Tailanda, Koreja, Birmania, Kina, Indonezia, Irani, Rusia, Nepali etj. Ato ishin krijuar brenda një ndërkohe prej rreth shtatë shekujsh, nga shekulli 13 deri në atë 20. Në këtë kohë, përmendim se Borja ishte martuar me një japoneze nga e cila u nda kur ky vendosi të kthehej përsëri në Amerikë. Objektivin e aparatit të Borjes e kanë nëpërkaluar imazhet e presidentëve amerikanë Truman, Ajzenhauer e Kenedi, të perandorit Hirohito etj. Një ndër fotot më të ndjera të Borjes, është ajo e titulluar “Bota e Kenedit”, në të cilën pasqyrohet tavolina e punës e presidentit Xh.F.Kenedi fill pas vrasjes së tij, pra bosh. Atë e ka fotografuar nëpërmjet një dritareje rrethore të Shtëpsë së Bardhë dhe e kishte vendosur në murin e studios së tij (A.Faber, gazeta e cituar). Në një libër me fotografi nga luftrat e ndryshme me titull “Luftë dhe Konflikte” (War&Conflict), të botuar më 1990, në Uashington, përfshihen edhe disa foto të Borjes, realizuar nga ai në luftrat e zhvilluara në Lindjen e Largët (Heller J—War&Conflict—Selected Images from the National Archives 1765-1970—Washington DC, 1990). Në këtë libër fotografitë e tij mbajnë autorësinë Dimitri Boria. Dhimitër Mborja është ndarë nga jeta i vetmuar në shtëpinë e tij në Bethesda të shtetit Meriland (SHBA), në vitin 1990. Ai iku nga kjo botë pa harruar atdheun e tij, për këtë në testament shkroi edhe dy dëshirat e fundit : “Më çoni hirin e trupit në Korçë dhe hapni një muze me koleksionin tim”. Kështu u bë, “edhe pse ndërroi jetë në SHBA, sipas amanetit, hiri i trupit u vendos në varrezat e Korçës, pranë nënës, me një ceremoni zyrtare lamtumire e nderimi” (Kristaq Balli-gazeta “Korieri”-27.03.2004). Fotografitë e Bratkos përdoren shpesh nga historianët si burim referimi dhe dokumentimi për pasqyrimin e veprimtarisë së gjeneralit Makartur, një nga ushtarakët më të suksesshëm gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në qendrën muzeale “Douglas MacArthur” në Norfolk , ruhet një arkiv prej rreth 45 mijë* fotosh dhe diapozitivash, shumë prej të cilave Mborja i realizoi brenda hapësirës kohore mbi 10-vjeçare si drejtor i laboratorit fotografik pranë shtabit të komandës së gjeneralit Makartur, pas Luftës së Dytë në Japoni, Filipinë e Kore. Pamjet e fotografive janë të veçanta, dhe drejtori i Qendrës tregohet shumë krenar për koleksionin e Mborjes. Në fillim të majit 2007, gazeta e madhe japoneze “Asahi Shimbun” (anglisht), njoftonte se një muaj më parë (prill), ishte botuar një album me rreth 250 foto të cilat Borja i kishte realizuar në Japoni, gjatë punës së tij si fotograf i Shtabit të Përgjithshëm amerikan. Po ashtu bëntë të ditur se pas një muaji, në korrik, do dilte pjesa e dytë me të njëjtin numur fotosh. Botimi bëhej nën kujdesin e studjueses japoneze të historisë amerikane, Yoneyuki Sugita, profesore e Universitetit të Osakës (Gazeta “Asahi Shimbun”, Japoni—05.05.2007, anglisht). Me gjithë dëshirën e madhe të Mborjes për të vizituar tokën e të parëve të tij, autoritetet komuniste nuk e lejuan, por ai si artist fisnik e me ndjenja të forta kombëtare u kujtua të shkruante në testamentin e tij për vendin ku ishte lindur dhe nga kishte origjinën, Shqipërinë. Në porosinë e fundit, siç u përmend edhe më sipër, ai përfshinte edhe ndërtimin me shpenzimet e tij të një muzeu me një koleksion të madh e të çmuar relikesh nga Lindja që do ndërtohesh në qytetin e Korcës me emrin “Muzeu i Artit Aziatik, Bratko”. Kjo dëshirë e tij, ndonëse me vështirësi e probleme, u realizua në vitin 2003 kur në këtë qytet u inagurua ky muze. Ai është i rrallë edhe në Europë përsa i përket numrit të madh të objekteve të ekspozuara, por dhe larmisë së tyre. Muzeu, përbën gjithashtu të parin institucion kulturor e artistik në Shqipëri që ndërtohet e pajiset me objekte të dhuruara nga një person, në rastin tonë fotograf dhe koleksionist, por me një atdhedashuri për t’u marrë shembull. Bota shqiptare e fotografisë ndjen një krenari fare të ligjshme që ky artist shpirtmadh është pjesë e natyrshme dhe e shquar e saj. Për gjithë sa u shkruajt më sipër, Dhimitër Mborja meriton një studim më serioz të veprimtarisë së tij në lëm të fotografisë, e kësisoj të zeri vendin që i takon në historinë e fotografisë shqiptare, ndonëse me prurje artistike dhe dokumentare jo për vendin e origjinës. _____________
Posted on: Thu, 11 Jul 2013 11:16:20 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015