Dialogu me mikun Gënjeshtar Iljasa SALIHU, 2009 Dialog me - TopicsExpress



          

Dialogu me mikun Gënjeshtar Iljasa SALIHU, 2009 Dialog me gjithkënd, për gjithçka, por fillimisht pa vendosur për asgjë, - Koço Danaj. Kur ishim të vegjël, me thënien “rrena i ka këmbët e shkurtra” aludonim në njerëzit që realisht i kishin këmbët e shkurtra dhe si të tillë i quanim rrenacak. Gradualisht ky kuptim i kësaj fjalie tejet madhështore filloi të evoluoj dhe arritëm ta kuptojmë se thënia në fjalë, nuk kishte fare lidhje me njerëzit këmbëshkurtër. Në kristalizimin e kësaj paqartësie, dukshëm na ndihmuan politikanët e asaj kohë, që ishin këmbëgjatë, por që ishin rrenacak deri në skajshmëri! Pasi që i pamë disa politikan dhe pasues të tyre që shumica e tyre ishin me këmbë lejlek, ne pa ngurrim, një ditë për ta vërtetuar se vallë e kishim kuptuar, apo nuk e kishim kuptuar analogjinë e kësaj fjalie, e pyetëm mësuesin tonë të dashur se ç’kuptim ka thënia “rrena i ka këmbët e shkurtra”? Mësuesi jonë i dashur na sqarojë këtë thënie gjerë e gjatë dhe pasi e shpjegoi, disi mbeti i shokuar se si na kishte shkuar ndërmend që këtë thënie të thesarit tonë ta ndërlidhim me politikanët. Kuptohet, në atë kohë për gjestin sublim, mësuesi na kishte vlerësuar si nxënës të zhdërvjelltë dhe të talentuar. Porse, ajo zhdërvjelltësi si duket nuk na hyri fare në rrugë, ngase ne prej atëherë, e gjer më sot, nëpër kokat dhe bisedat tona e trajtojmë të njëjtën temë. Edhe tani që në mënyrë të përkryer e kuptuam dhe e dimë shpjegimin dhe komentimin e kësaj thënie madhështore, ne prapë mbetëm të lajthitur, të përgënjeshtruar, të dezinformuar, të demoralizuar, të diskualifikuar, të margjinalizuar, të injoruar, të nënçmuar dhe të keqtrajtuar. Ky vagon diskriminimesh nuk na erdhi rastësisht! Normalisht, lokomotiva e këtyre vagonëve kishte qenë dhe është shteti që nuk na dëshironte, ndërkaq ne ende mundohemi dhe tentojmë që me çdo kusht të dashurohemi në të. Me këtë rast, mu kujtua një shok imi i cili tmerrësisht e dashuronte personazhin e Aminës në romanin, “Trëndafili i zemrës”. Ai fillojë të dashurohet në një krijesë të paqenë, ashtu sikurse ne, që trumbetojmë të dashurohemi në shtetin e Maqedonisë në një krijesë po ashtu e pa qenë dhe artificiale, kuptohet përpos emrin gjeografik, ashtu sikurse Amina e cila kishte një emër të dikujt dhe një ngjarje po ashtu të tjetërkujt, por nuk ishte ajo që shoku im e imagjinonte, sepse ajo fare nuk ekzistonte në këtë rruzull tokësor. Ne pra, përkundër vlerësimit të mësuesit si nxënës të zhdërvjelltë dhe të talentuar, lejuam që e kaluara e hidhur në vazhdimësi të na përsëritet. Pas shumë vëzhgimeve spontane dhe praktikave të mirëkuptuara, prapë i dhamë mundësi dhe hapësirë absolute gënjeshtarëve të manipulojnë me fatin tonë. Tanimë shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni, si duket më në fund, Durimi filloi t’i ofrohet kufirit dhe haptas shprehi dëshirën që, edhe ai të bëhet pjesë lëvizëse e zonës shengen, ngase edhe Durimi e kishte kuptuar se tashme mund të udhëtohet lirshëm nëpër tërë kontinentin Evropian dhe çdo pengesë të shprehjes së vullnetit të lirë, kishte vendosur përfundimisht ta artikulonte duke u zhveshur prej natyrshmërisë së domethënies së tij. Durim do të thotë: aftësi e dikujt për të përballuar e për të duruar në vështirësi, fatkeqësi, shqetësime, vuajtje, etj., pa u ankuar e pa u ligështuar. Kuptim i shkëlqyer! Durimi shqiptar, në mos më shumë të gjitha këto peripeci të dhembshme i ka kaluar që moti, fatkeqësisht ende përballja vazhdonë, si dhe në shenj të mos dorëzimit dhe ligështimit, përfundimisht më, ka vendosur që të del haptas të ballafaqohet me të gjitha mjetet e mundshme, të cilat mund t’i vijnë prej Gënjeshtarit, një idiot i kamotshëm që ia shndërrojë në ferrë jetën e kësaj bote. Pas shumë vuajtjeve, zhgënjimeve dhe mllefit plot vrer, ka vendosur që mendërisht dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë të përballet me Gënjeshtarin, duke shpresuar se kjo do të jetë hera e fundit e të diskutuarit dhe e të përballuarit me Gënjeshtarin. Mjaft më i pastruam faturat e gënjeshtarëve, kështu shprehet Durimi, që të shtyn të mendosh se, vallë përputhet emri i tij me veprimtarinë që ka vendosur ta marrë, apo në këtë rast si në asnjë rast tjetër ka vendosur që emri t’i shërbej vetëm si metaforë kundrejt veprave të mëtutjeshme. Duke e parë se dita ditës me të madhe po t’i humb durimi Durimit, si dhe për mos të humbur në kohë, Gënjeshtari vendosi që t’ia japë grushtin përfundimtar, duke shpresuar dhe aluduar bindshëm në shkatërrimin e Durimit si tërësi vlerash shqiptare. Por, i gjori Gënjeshtarë harroi se, edhe koha tashmë është duke punuar në favor të Durimit. Kështu që, pas një paragjykimi të gjatë e shekullorë, erdhi dita që edhe këta dy frymorë me koncepte mendore dhe vepruese rrënjësisht të kundërta, të takohen dhe të polemizojnë gjerë e gjatë për tangimin e një sërë problemesh të trashëguara dhe të porsakrijuara. Gënjeshtari: Me të vërtet shteti jonë, pra Republika e Maqedonisë pas konfliktit të 2001-shit i përdhosi pak si tepër shqiptarët. Unë nuk kam dëgjuar për ndonjë shtet në botë që, edhe nëse sulmohet, prapë i falet dhe i garantohet liria sulmuesve. Kjo pra, e bënë këtë shtet që të dallohet prej shumë shteteve tjera në botë. Maqedonia ka me çka krenohet! Durimi: Fillimisht i nderuar Gënjeshtar, një duhet ta kenë të qartë! Konflikti i armatosur i 2001-shit ishte produkt i mendësisë dhe politikës sllavo-ortodokse. Ju habiteni se ky shtet pas këtij konflikti i përdhosi shqiptarët, ndërkaq unë habitem se si shqiptarët lejuan që pas këtij konflikti edhe më tej të nënçmohen, në vend që njëherë e përgjithmonë t’i sqarojnë çështjen e veta personale (lexo: të drejtat individuale) dhe ato ndëretnike. Sqarim i çështjeve ndëretnike do të thotë: ju andej e ne këndej, e assesi në këtu e ju këtu. I harxhuat të gjitha shanset dhe mundësit për një shtet shumetnik! Neve shqiptarëve një ditë do të na dënojë çasti i humbur, sepse me juve i humbëm kot së koti dy dekada. Edhe në konfliktin e armatosur si duket nuk ishim të prerë, ngase po të ishim të tillë, nuk do e lejonim fare që prej juve të presim amnisti dhe falje, nuk do e lejonim që edhe pas dy dekadave të flasim për përdorim të lirë të gjuhës amtare dhe, shumëçka tjetër elementare që realisht i përket klasikes. Është e vërtet se Maqedonia dallohet prej disa shteteve tjera, sepse unë ende nuk kam dëgjuar apo lexuar që një shtet me histori tjetër, pra në këtë rast sllave, të pretendon se i përket antikës së lasht dhe kinse se etniteti i sotshëm maqedonas qenka farë e Aleksandërit të Madh. Unë ende nuk kam dëgjuar dhe lexuar që një shtet i vogël dhe i dobët në të gjitha aspektet për hir të historisë së vjedhur ta flijon NATO-n dhe BE-n dhe, njëkohësisht t’i mban peng shqiptarët, që asgjë nuk i lidh me kësi lloj historijash të vjedhura. Ne pra, ishim shumë të but dhe të mirë-kuptueshëm që lejuam të kërkojmë falje dhe amnisti prej një shteti i cili në këtë konflikt vrau civil të pafajshëm, i shkatërroi vendbanimet civile shqiptare, në vend të atyre ushtarake dhe, për habi askush nuk u dënua konkretisht për këto maskara, përpos disa shqiptarëve që me lloj- lloj preteksti, pushteti u mundua që t’i gravitoj prapa grilave, që më pastaj t’i sqarojnë mospagimet e faturave të prapambetura të 2001-shit. Është e vërtet se Maqedonia ka me çka të krenohen përpara botës, ajo pra krenohen me durimin dhe butësinë e shqiptarëve, ajo mund të krenohet edhe me nobelistët shqiptar, pra me Ferid Muratin e Gonxhe Bojaxhiun, ajo mund të krenohet me shumëçka tjetër, përpos me vlera të saja autoktone! Gënjeshtari: Ju shqiptarët me të vërtet jeni keq të përdhosur. A nuk ju duket si e arritur tejet e madhe Marrëveshja e Ohrit, që në vete ngërthen përfaqësimin e drejtë të të gjithë komuniteteve që jetojnë në këtë shtet, e posaçërisht një privilegj i përfaqësimin në këtë shtet u jepet shqiptarëve. Durimi: Po më vjen mirë që të paktën sipërfaqësisht po dinë se çka ngërthen Marrëveshja e Ohrit. Më trego pra, ku valon flamuri shqiptarë në këtë shtet, ku mund të flasësh shqip në cilin istitucion të shtetit, sa është përfaqësimi i shqiptarëve nëpër institucionet shtetërore, sa investohet në pjesën perëndimore ku jetojnë shqiptarët, në Ministrin e Kulturës sa janë të integruar shqiptarët, po ministritë e tjera, sa libra të autorëve shqiptarë financohen prej buxhetit të përbashkët shtetëror, sa para prej buxhetit të përbashkët ndahet për kishat ortodokse, sa para kushtoj kryqi në Vodno, po ashtu sa janë shpenzimet ditore për mirëmbajtjen e këtij kryqi? A e dini ju se kush udhëheq me buxhetin e shtetit. Nëse nuk e keni ditur unë pra u tregoj. Sipas disa të dhënave jozyrtare 93 për qind të buxhetit e kontrollojnë dhe udhëheqin ministrat maqedonas, ndërkaq vetëm 7 për qind të mjeteve buxhetore sillet rreth duarve të ministrave shqiptarë. Ka edhe shumë anomali të tjera që realisht të vjen marre të mendosh dhe të flasësh për Marrëveshjen e Ohrit. Gënjeshtari: Mua nuk më habit kronologjia e përmendur, ngase jemi mësuar të dëgjojmë dhe lexojmë kësi lloj ankesash prej publicistëve, të cilët në pamundësi të inkuadrimit në organet shtetërore, jeni të prirë të flisni më shumë gjepura dhe me një retorik që ndërlidhet më shumë me poezinë se sa me realitetin. Ndërkaq, të njëjtën gjë prej kohësh nuk e thotë asnjëra parti politike shqiptare që ishin dhe janë pjesë përbërëse të Qeverisë. Durimi: Unë realisht do të isha habitur, sikur ju të ishit habitur me këtë pjesë të vogël të kronologjisë sime. Që njeriu të brengoset për një gjë të tillë, paraprakisht lypset që edhe ai fizikisht dhe shpirtërisht të jetë pjesë përbërëse e këtyre vuajtjeve. Ç’farë ju mund të në flisni për padrejtësitë kombëtare dhe fetare, ku një gjë të tillë asnjëherë nuk e përjetuat. Ç’farë ju mund të na flisni për vuajtjet e kurbetit, kur asnjëherë asnjë anëtar të familjes suaj nuk iu iku në kurbet, i madh e i vogël tek ju ishin dhe akoma janë të vendosur nëpër sisteme të rregullta shtetërore. Ç’farë ju dini të na flisni për vuajtjet e atdheut, që shpeshherë ne shqiptarët këto vuajtje i shprehnim nëpër poezi dhe nëpër protesta paqësore me parulla mjaft domethënëse!? Të them të drejtën, edhe pse emrin e ke Gënjeshtar, ndonjëherë po e flet edhe të vërtetën, edhe atë, të vërtetën e politikanëve, që heshtin dhe pohojnë se janë të kënaqur në bashkëqeverisje. Ata nuk e thonë këtë realitet, ngase shumë shpejtë mund ta shohin vetën në rrugë, duke recituar poezia për rëndësinë e atdheut dhe, duke brohoritur për liri dhe barazi. Pse të dalin në rrugë e të pëlcasin prej të ftohtit, duke qenë mjaft mirë brenda nëpër ulëse të ngrohta. Ata jo tash, por që moti e kanë ditur se kusht që një parti politike të jetë pjesë e Qeverisë, duhet të heshtë dhe ta pranojnë fatin tragjik të shqiptarëve, të paktën edhe gjatë këtij mandati. Pastaj, pasi të ketë kaluar një mandat, ka pasuar mandati tjetër me të njëjtat kushte dhe marrëveshje. Pra, mandat pas mandati janë amortizuar dhe dëmtuar shqiptarët, që institucionet shtetërore i shikonte si të huajat dhe gllabëruese. Gënjeshtari: Në bazë të pohimeve tuaja analogjike, sukseset e luftës antikrim nuk i vlerësoni fare, hapjen e muzeve shqiptare, lejimin e vendosjes së Skënderbeut mu në vendin ku të gjithë e shohin, lejimin e vendosjes së shumë statujave shqiptare, që u vranë duke e luftuar shtetin tonë të përbashkët. Durimi: Krimi i përgjithshëm po “luftohen”, por kine parasysh se krim dhe kriminel nuk ka vetëm në zonat shqiptare, por kjo metodë e luftës së kriminalitetit të përgjithshëm nuk është gjë tjetër pos që t’i frikësojnë dhe t’u hakmerren shqiptarëve për betejat e humbura të vitit 2001. Poqë se i shikon nga këndvështrimi studiues metodat e luftës kundër kriminalitetin, atëherë përfundimi del se, edhe organizatat terroriste dhe përgatitjet për një film hollivudian, janë të përafërta dhe shumë të ngjashme me aksionet e forcave speciale të këtij shteti. Është e vërtet se Skënderbeu është i vendosur në një shesh të Shkupit, por ju nuk e kuptoni dot gjuhën e Skënderbeut, i cili çdo ditë të lume, e kërkon flamurin kombëtare shqiptarë, këtë gjuhë lere që ju nuk e kuptoni, por gjuhën të cilën e flet Skënderbeu nuk e kuptojnë edhe ca bashkëfolës të tij. Si është e mundur që Skënderbeu të vendoset aty pa flamur! Si dhe ju, vallë e dini se nga kush u financua derdhje e kësaj figure në bronz? Unë pra, ju tregoj. Këtë e financuan shqiptarët, edhe atë në masë të madhe kontribuoj mërgata shqiptare, po ashtu edhe figurat kombëtare që ranë në vitin 2001, i financuam ne, kurse ju për statujat e juaj na bëtë kontribuues fare pa dëshirën tonë, që asgjë nuk kemi të përbashkët me këta heronj antik, serb e bullgar që të gjithë këta të vjedhur! Mos harroni se ju nuk jeni faktori që do na lejoni, apo nuk do na lejoni të ndërtojmë statuja të heronjve tanë. Ju me këtë dëshironi të na nënçmoni. Mendoni dhe trumbetoni të ndërhyni në një të drejt natyrore dhe, si të tillë e merrni si meritë të tuajën, ju bile edhe pak do të krenoheni se ne po u lejojmë shqiptarëve të thithin ajër fare pa problem, ndonëse edhe këtë meritë do t’ia atribuoni vetës suaj. Për mua asgjë nuk është lejimi i ndërtimit të statujave, ngase nën vellon e kësaj, statusi i ish-ushtarëve, dëshmorëve dhe invalidëve të luftës mbeti për vajtim. Ç’na vyejnë neve statujat, kur djemtë e këtyre dëshmorëve kanë mbetur në mëshirë të rrugës dhe të humanizmit, që tashme ky i fundit ka filluar të venitet. Ndërkaq, lerë që “mbrojtësit” e juaj fituan status special për financim, por edhe dëshmorët e antikës jeni duke i financuar, më fal jemi duke i financuar! Gënjeshtari: Unë ika se kam shumë punë për të bërë, nuk do e lejoj vetën që të humbi më tepër kohë me ju, të cilët kur flitni bini nën ndikimin e emocioneve dhe, njëkohësisht kënaqeni e jetoni duke u ankuar, në vend që të punoni për të mirën e juaj dhe të mirën e këtij shteti. Durimi: Është më se e vërtet se ju keni punë, sepse kështu vepruan edhe stërgjyshërit e juaj, edhe atë, në kohën kur stërgjyshi im nëpër male përmes tytës së pushkës e kërkonte lirinë dhe barazinë. Kështu vepronte, ngase ishin shterrur të gjitha mjetet e gjuhës paqësore, për një zgjidhje të mundshme. Në atë kohë stërgjyshi im vuante për erën e bukës, ndërsa stërgjyshi yt lozte me bollëkun e bukës. Ne jemi të detyruar të flasim dhe shkruajmë për padrejtësitë që po na bëhen, kurse ju si dhelpër tërhiqeni prej debatit, me arsyetim reale se keni shumë punë. Ju pandehni se e keni zgjidhur çështjen kombëtare dhe, tani ka ardhur koha për shumë punë, kurse ne shqiptarët primitiv, ende flasim për të drejta, edhe atë në shekullin e XXI, në kohën kur njerëzimi po pinë kafe në hënë. Po ashtu më akuzoni për debatues që flas me emocione, gjë që është e vërtet! Ne flasim me emocione, ngase shtat anëtarë të familjes presin prej një anëtari të punësuar, ju nuk flisni me emocione, sepse brenda ku punoni dhe jetoni e keni ngrohtë, ndërkaq ne, edhe në njërën edhe në tjetër, e kemi mjaft ftohtë. Ju flisni pa emocione sepse e shihni shtetin si të juajin dhe të mirë për juve, ndërkaq unë e shoh dhe ndjelli kob për këtë shtet, ngase për mua dhe etnitetin tim, nuk qe asgjë në gjendje të bëjë. Ju flisni i rehabilituar, për arsye se, në ditën kur u hoqën zyrtarisht vizat ju bëtë turne në Francë dhe gjetiu, kurse ne, në shenj të kësaj, udhëtuam deri në shtetin më të ri të botën, në Kosovë, sepse nuk patëm mundësi më tej të udhëtonim, aq na premtonte kaçiku! Tashmë jeni në përpilim e sipër, të ndërtimit të një teleferiku, kuptohet edhe me parat tona, teleferik që të shpije te kryqi i madh, që ne shqiptarët në asnjë pik nuk puqemi me këtë kryq politik e provokues. Ju e “harroni” faktin se, ende në shkollat shqiptare po pikon uji prej kulmit dhe, minjtë janë bërë koleg tanë në mësimdhënie. Ju na paralajmëruat se pas këtij viti, mësuesit dhe profesorët që nuk shkruajnë në ditarët e tyre, edhe në maqedonisht do të gjobiten me nga 2 mijë euro, nën kushtet kur, rroga e mësimdhënësve nuk mjaftojnë as për një javë. Ju flisni i qetë dhe, me vrap shkoni të kontribuoni për vetën dhe për shtetin, bëheni gati për festimin e vitit të ri, edhe atë jeni shumë të kënaqur që, Komuna e Shkupit ua ndau nga qesja e përbashkët 300 mijë euro për festimin e kësaj feste, edhe atë me këngëtarë serb dhe maqedonas, e assesi shqiptarë. Ju pra, pas të gjithë këtyre privilegjëve keni të drejt të flisni dhe të shkruani pa emocione! Ndërkaq, ne kur të shkruajmë dhe të flasim, jo që jemi vetëm të emocionuar, por realisht ndjenjat dhe shpirti jonë duhet të kumbojë aq fort, sa që, edhe malet do duhej dridhur prej dhimbjeve tona. Ne duke punuar dhe kontribuar për këtë shtet, fituam kryqe, infrastrukturë të mirë në pjesën e juaj, i blemë disa helikopter të Ukrainës dhe ca armatim prej shteteve tjera, që sa më mirë dhe sa më fortë të shkatërrohemi dhe të vdesim të tërë, financuam “mbrojtësit” e 2001-shit dhe, bën e ç’bëmë tjetër, por në asnjë rast nuk vendosëm që t’i themi mjaft përfundimisht këtyre idiotësirave, që na penguan dhe censuruan nga liritë e mendimit për veten tonë dhe, për shtetin tonë që natyrshëm na takon. Pra, edhe pse quhem Durim dhe, në vazhdimësi kam punuar në suaza të domethënies së këtij emri, më duket se çdo çast i ardhshëm do më mallkoj, nëse ende vazhdoj të qëndroj kështu në letargji nën emrin e kësaj tolerance dhe, i durueshëm përball torturës së vazhdueshme. Besoj dhe shpresoj se këtë vit, do të largohem pak nga vetja ime e natyrshme, sepse tani përfundimisht e kuptova se të jesh i drejtë përball të padrejtëve të papërmirësueshëm qenka padrejtësi, po ashtu të jesh durimtar përball keqpërdoruesve të këtij koncepti mjaft sublim qenka naivitet. Unë frikohem se pasardhësit tanë do të na mallkojnë për këtë neglizhencë dhe heshtje vrastare. Kush nuk beson në këto teori, atëherë le ta provojë të bëj gjumë një natë në pyll me luanin!
Posted on: Thu, 29 Aug 2013 07:20:50 +0000

Recently Viewed Topics




© 2015