Dushku: Lojtarit s’i blihet emri, por çka jep në fushë. Jemi - TopicsExpress



          

Dushku: Lojtarit s’i blihet emri, por çka jep në fushë. Jemi “top”, do jetë viti i Flamurtarit Dushku me qifteNjë nga blerjet e bujshme të kësaj merkatoje të Flamurtarit, Erjon Dushku, në një prononcim për “Panorama Sport” jep një mesazh shumë të qartë se: një futbollisti nuk i blihet vetëm emri, por shërbimi që ai jep për fanellën që vesh. Si lojtar profesionist, këtë gjë Dushku e di mjaft mirë, ndërsa shprehet modest duke thënë se puna matet në fushë dhe jo me fjalë. Duke u ndalur te një analizë e merkatos të kësaj vere të kuqezinjve, mbrojtësi pohon se Flamurtari këtë sezon ka një grup edhe më të fortë se sezonin e shkuar, por të gjithë duhet të japin maksimumin. “Flamurtari ka bërë pesë blerje në këtë merkato, të cilat janë profesioniste, por mos të harrojmë edhe faktin tjetër se kuqezinjtë kanë pasur një grup të mirë lojtarësh. Kështu, duke pasur një grup të fortë, patjetër që do të marrim edhe frytet që duam. Por gjithkush nga ne duhet të tregojë vetveten, duke dhënë më të mirën. Një klub nuk blen vetëm emrin, por futbollisti duhet të jetë i ndërgjegjshëm për bluzën që vesh”, – thotë fillimisht Dushku. Duke folur për merkaton, Dushku shprehet se është trajneri ai që vendos, nëse do të ketë apo jo afrime të tjera. Grupi - Mbrojtësi mendon se grupi është i kompletuar tashmë: “Nuk jam unë ai që them nëse duhen apo jo më lojtarë te Flamurtari, por është trajneri që vendos. Mendoj se jemi të kompletuar. Për më shumë, nëse duhet ndonjë afrim tjetër, siç thashë edhe më lart, këto janë kompetenca të trajnerit”. Në vijim të prononcimit Dushku flet për konkurrencën në ekip që, sipas mbrojtësit, ekziston edhe te Flamurtari. Kjo, pasi kur grupi është i kompletuar, normalisht që konkurrenca rritet. “Normalisht që në një grup të kompletuar ka konkurrencë. Besoj se është rritur konkurrenca te Flamurtari dhe se të gjithë ne jemi pjesë e saj dhe si rrjedhojë duhet të punojmë më shumë”. Për sa u përket objektivave, Flamurtari sipas tij kërkon maksimumin dhe se ky vit duhet të jetë ndryshe. “Objektivat dihen. Flamurtari ka lojtarët më me emër, kështu që pretendohet maksimumi. Gjithsesi, gjithçka do të shikohet së shpejti dhe se ky vit do të jetë ndryshe”. Dushku flet edhe për përshtatjen e tij te Flamurtari, ndërsa vlerëson së tepërmi frymën në grup. “Ne kemi një grup lojtarësh të fortë, madje kemi dhe marrëdhënie shumë të mira me njëri-tjetrin, çka është mjaft e rëndësishme për një punë në grup. Normalisht jam ndier i përshtatur që ditën e parë. Këtu kemi mjaft afrimitet me njëritjetrin dhe harmoni absolute”, – ka përfunduar mbrojtësi. Këstet, lojtarët presin 2 gushtin Futbollistët e Flamurtarit pritet që më 2 gusht të marrin këstin e parë të parave për sezonin e ri. Ky ishte premtimi që futbollistëve iu bë nga presidenti Shpëtim Gjika pak ditë më parë. “Ju siguroj se te Flamurtari nuk ka probleme me fondet. Ne kemi qenë korrekt dhe do të vazhdojmë të jemi të tillë. Financat i keni të garantuara. Më datë 2 gusht zhbllokohet fondi dhe do të nisim menjëherë likuidimin për këstin e parë që ju detyrohemi”, – u ka thënë presidenti Gjika futbollistëve. Ata që janë pa kontrata, me çeljen e fondit pritet ta bëjnë një gjë të tillë. Këta të fundit nuk janë të shumë. Flamurtari sezonin e ardhshëm do të garojë fort për të fituar titullin kampion, që i mungon prej vitesh. Vlonjatët, sot miqësore me Himarën Ashtu sikundër ishte parashikuar, Flamurtari do të zhvillojë sot një miqësore me ekipin e Himarës. Takimi do të luhet rreth orës 18:00, në stadiumin “Flamurtari”. Mendohet që në këtë ndeshje trajneri Gjoka të aktivizojë në pjesën e parë lojtarët më të mirë që ka në dispozicion, çka do të thotë se me shumë mundësi pritet të aktivizohen edhe Memelli dhe Zeqiri, të cilët munguan në miqësoren me të rinjtë të shtunën. Në testin me Himarën, Gjoka do u japë hapësirë edhe të rinjve, të cilët pritet t’i aktivizojë në pjesën e dytë. Kjo është miqësorja e tretë që Flamurtari zhvillon nga nisja e përgatitjeve në Vlorë.
Posted on: Wed, 31 Jul 2013 19:49:52 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015