E shkëputa nga një shkrim i gjatë, por dhe ky i gjatë do tiu - TopicsExpress



          

E shkëputa nga një shkrim i gjatë, por dhe ky i gjatë do tiu duket :) (i adhuroj leximet e çfarëdo lloji në ditët me shi) ...Në fakt, ne, qeniet njerëzore operojmë në bazë steriotipesh të krijuara pikërisht nga përgjigjet e pyetjeve të mësipërme. Për këtë arsye mund të ndodhë që largimi nga habitati i zakonshëm të mos jetë eksitues. Ka vende ku të gjithë mezi presin të shkojnë. Janë ato që ne i quajmë ekzotike, dhe kryesisht vende që të ofrojnë det të pastër e të thellë, palma, diell të fortë, njerëz miqësorë, restorante, kafene, qytetari, spontanitet, qetësi dhe intimitet. Ndoshta habitati i zakonshëm nuk ia ofron dhe ia ndrydh secilit prej nesh të gjitha këto ndjenja, prandaj kërkojmë të arratisemi. Për të gjitha këto vende guidat turistike nuk hezitojnë aspak që të përdorim frazën “perlë e turizmit dhe e kënaqësisë”, pavarësisht se për profesionistët e të shkruarit përdorimi i mbiemrave dhe superlativave të tilla nuk këshillohet. Zoti na ka dashur shumë, besoj, sepse ne shqiptarëve na ka falur një pasuri të këtij lloji. Dhe nuk ndodhet larg. Perla e kënaqësisë dhe e turizmit nis nga më pak se 200 kilometra larg nga Tirana, në qytetin e Vlorës. Udhëtimi Parimisht për të përshkruar një distancë prej 200 km nuk duhet ndonjë mjet i veçantë transporti. Dua të them se parimisht, për një distancë të tillë, nuk duhet ndonjë mjet me volum dhe fuqi të madhe motorike që të ofrojë komoditet për distanca të mëdha, sepse kjo nuk është një distancë e madhe. Do të thotë se nuk është i domosdoshëm Benz-i apo BMW-ja. Mjafton një skuter 150cc-400cc. Megjithatë, ne ende nuk e kemi luksin për të paguar pak për transportin. Këtë luks nuk e ka pasur as Sulltan Mehmeti. Sipas historianit austriak Franc Barbinger, ai u nis të nënshtronte kryetarin e shqiptarëve, Skënderbeun. Mori me vete shumë taborë. Ushtri e madhe me njerëz, kuaj, topa, gjeneralë e komando. Me pak fjalë, NATO-ja e vitit 1400 pas Krishtit, u nis të nënshtronte aleatin e kaurëve, Gjergj Kastriotin. U nis nga Stambolli, kaloi nëpër Bullgarinë e sotme, shkoi në Shkup dhe u ndal diku nga Dibra. Nuk u ndal se u lodh, por sepse vendi në të cilin do të hynte nuk kishte rrugë dhe logjistika e NATO-s së atyre viteve nuk mbërrinte dot deri ne fushën e Albanopolisit. Sulltani mori vendim: “Të rehabilitohet politikisht gjenerali shqiptar i dënuar pak kohë më parë. Të dërgohet një skuadër jeniçere për të ekzekutuar vendimin”. Ata nxorën patriotin tonë nga burgu dhe ky i fundit e ndihmoi sulltanin të mbërrinte në Fushë-Krujë. Mehmeti u mërzit shumë. Braktisi ushtrinë dhe mori me vete për në Stamboll vetëm haremin dhe SealTeam-in. U mërzit jo vetëm ngaqë nuk mundi Gjergjin, por për më tepër sepse besonte se këtë të fundit nuk e mundi dot, ngaqë nuk kishte rrugë dhe ai ishte lodhur tej mase nga udhëtimi, saqë kjo lodhje kishte ndikuar në përpilimin e strategjisë që do t’i garantonte nënshtrimin e çetës së “diversantëve të Gjergjit”, - siç thoshte vetë sulltani. Marin Selimollari u mërzit më shumë se Sulltan Mehmeti. Natyrisht kushdo tjetër do të ishte në një mendje me pronarin e karrotrecit dhe nuk do ta justifikonte mërzinë e Marinit, sepse tek e fundit, ai prishi vetëm një amortizator, dy goma, dy koka zbarash dhe një kokë paraleli, ndërsa sulltani humbi ushtrinë. Por Marini ka versionin e vet: “Nuk kam as lekët dhe as haremet e sulltanit”. Vlora Stresi është armiku kryesor i njeriut. Bota e mjekësisë harxhon për të gjetur pilulën antistres. Unë besoj se mjekët përpiqen më kot, sepse pilula antistres është prodhuar nga dora e Zotit. Ajo nis që nga Narta për të vazhduar, besoj, deri në jug, në Butrint. Rruga gjarpëron nëpër fushë dhe kodra dhe rrezet e diellit të përplasen në fytyrë me faza një herë po, një herë jo, për shkak të hijes që bëjnë pemët. Në një krah blertësi e pafund. Vreshta rrushi, portokalle, limona, mandarina, ullinj të mëdhenj dhe të vegjël, të rinj dhe të lashtë, shumë të lashtë. Njerëzit punojnë, madje punojnë shumë. Ata janë edhe të urtë. Doktori qëndroi këtu në verën e 2005-ës dhe u foli për përfitimet e tyre nga zbatimi i programit të tij. Ata nuk ia varën, thua se nuk po fliste për lekët e tyre, por shpërthyen gati me ekstazë në britmat “Sali Berisha! Sali Berisha!”, sapo ky u tha: “Unë do të vij prapë t’ju vizitoj ju këtu”. Duket qartë se ndihen më mirë kur presin e përcjellin miq. Në krahun tjetër ka prapë vreshta, ullinj, agrume dhe për më tepër det. Është një det shumë i pastër, i kaltër, si sytë e asaj bjondes. Ullinjtë vazhdojnë përgjatë kodrave, tek të cilat, pavarësisht pozicionit në të cilin ndodhesh, të ofrojnë gjithmonë një pamje të detit. Kulmi i kodrave është krejt tjetër gjë. Marini shprehu dëshirën për të ndërtuar një shtëpi aty. Normale! Gjithkush do të dëshironte. Në majë, syri skanon vreshtat e rrushit dhe të ullinjve, qytetin me ndërtesat e larta, detin që duket sikur fillon tek parmakët e oborrit, Sazanin dhe vështrimin e ndal vetëm pakëz mjegull, pasi përndryshe do të përshëndesje me sy Papën në Vatikan. Është një pozicion që të bën të ndihesh i pushtetshëm dhe realisht mund të gabosh dhe të thuash: “E ku ka pushtet Xhorxh Bushi para meje!”. Vërtet, besoj se këtu mund të gjejmë edhe shpjegimin pse vlonjatët shquhen për respekt të vetvetes. Dhe të mendosh se këto kodra janë të paprekura, pra, nuk ka bërë ende askush shtëpi në to. Po sikur të bëjnë?! Do të jenë të shumtë ata që do të mendojnë se janë presidentë të planetit. Sidoqoftë, në minimum shtëpia në këtë ambient të garanton qetësinë, intimitetin, pavarësinë, shijimin e natyrës ashtu siç e ka krijuar Zoti pa ndërhyrjen e dorës së njeriut. Bulevardi nga Sheshi i Flamurit në skelë nuk ka semafor. Është i gjerë dhe përballon trafikun e fundprillit, ndërkohë që në të dy krahët e tij që prej fillimit të prillit qarkullojnë plazhistët. Pallate të reja, qendra biznesi, kafe ku ndalohet dhe ku nuk ndalohet duhani, restorante, disko,pub-e, dyqane të të gjitha llojeve, gjithçka që mund të ofrojë një metropol. Hotelet janë të panumërta, kanë funksionuar përgjatë të gjithë dimrit me turistë shqiptarë dhe të huaj, ndërkohë që janë të pritje të fillimit të sezonit të plotë. Vendi është qartësisht i pastër. Duket se komuniteti dhe autoritetet kanë investuar në mbajtjen pastër të vendit. Ka pak zhurmë, kryesisht makinash dhe pothuajse askush me përjashtim të turistëve që dallohen që larg, nuk shëtit i paqëllimtë. Kamarierët janë të veshur mirë, komunikojnë qetë dhe duket se kanë përvojë në punën e tyre. Ushqimi ka për bazë peshkun e egër të detit, që është traditë për këtë qytet. Ndërsa restorantet të cilët janë rritur në numër, janë duke investuar fuqishëm si në punësimin e kuzhinierëve profesionistë dhe fantazistë, ashtu edhe në investimin për krijimin e një imazhi sa më të mirë publik. Konkurrenca ka bërë të vetën.
Posted on: Mon, 02 Dec 2013 11:47:56 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015