ELIDA BUÇPAPAJ – VETVETJA NË POEZI DHE NË PËRJETËSI - TopicsExpress



          

ELIDA BUÇPAPAJ – VETVETJA NË POEZI DHE NË PËRJETËSI Shënime nga Ramiz LUSHAJ për veprën poetike “Unë jam e përjetshme” e poetes Elida BUCPAPAJ 1. Si astenji shembullim tjetër bashkëkohor shqiptar, zonja mediatike Elida Buçpapaj, ka një shtatrritje të trefishtë në vite dhe në personalitet poetik: Vajzë e poetit historik, lirik, atdhetar – Vehbi Skënderi, i dekoruem nga Presidenca e Shqipërisë së tij me titullin e lartë të nderit “Mjeshtër i Madh” dhe i cilësuem me të drejtë nga kryeministri aktual prof. dr. Sali Berisha si “personalitet i letrave shqipe dhe i mendimit intelektual shqiptar”. Nuse e poetit emblematik – Skënder Buçpapaj, një “Uollt Uitman shqiptar”, një kreshnik i fjalës poetike në Alpet shqiptare e zviceriane. Vet Elida poete, në udhaecjen e saj në këtë truall poetik familjar, në hapakrahë të këtyne dy majemaleve poetike, në pengesat e lartësitë e kohës, ujëvaron me rrjedhën e vet krijuese dhe në fjalahapa të pandalun shtatmatet me gen e penë me këta dy emra të mëdhenj që asnjani të mos i bajnë eklips opinional tek të tjerët dhe të mos mbetet në hijen e tyne. Në përditje e stade kohore, veçmas në dy vëllimet poetike të njipasnjishme në muajt e fundit, ia ka mbrri të ketë universin e vet poetik, diellin e vet poetik, individualitetin e vet poetik. Përndryshe, Elida Buçpapaj në jetë e përtej jete, në gene gjaku e pragu – si bijë e nanë, në adhurim e me mirënjohje iu përket të dyve (të atit dhe bashkëshortit të saj), veçse në vekin e vet poetik, në pajën e saj poetike për lexuesit, është Vetvetja. Kësisoj, në një farë mënyre të drejtpërdrejt, Elida - kjo poete e njohur, qyshse me librin e parë “Vij” trokonte e heponte me ngulmim, ravijëzime e nivelime për të qënë e mbet Vetëvetja. Në hulmet e gurrat poetike të vëllimit tjetër, i dyti i rradhës, rivjen me unin e vet poetik, me frymëmarrjen e vet poetike, si për t’i prapëthënë muzës së saj, vargut të saj, lexuesit të saj: “Unë nuk jam e përjetshme”, por Vetëvetja. Treshes poetike: Skënder Buçpapaj, Vehbi Skënderi, Elida Buçpapaj, dikund e dikah në hapaecje të demokracisë iu diellet rruga e vendlindjes dhe e mërgimit, ashtu sikurse dikushi e askushi nuk mungon e nuk priton me iu mbrapshtue me gurna e ngrica. 18 vite jetë në tranzionionin shqiptar dhe në azilin zviceran ia shtynë librin e tretë: “Rapsodi e Golgotës së Tranzicionit” (2012). Realisht tek ky vëllim poetik është krejtësisht Vetvetja. Ndoshta dhe kjo pritje kaq e gjatë do të përforconte vetëm një fjalë: Vetvetja. Kjo vërtetësi e identitetit poetik të saj e merr natyrshëm vulën e kohës bio-poetike tek vargvepra ma e fundit: “Unë jam e përjetshme”. Tashti Elida Buçpapaj është më shumë se Vetvetja në krijimtarinë poetike. Kjo poete po vjen e motivueme dhe e pozicionueme, e vlerësueme dhe e kërkueme, si një avangardë në krijimtarinë poetike të kohës sonë, jo veç në vrellalumin e poeteve femna. Poetja Elida Buçpapaj është një princeshë e poezisë moderne shqipe. 2. Tek vëllimi “Unë jam e përjetshme” poetja Elida Buçpapaj me letërnjoftimin e vet poetik ndjehet e tillë - e përjetshme: për vet udhëtimin e saj të veçantë në jetë e në letërsi, për vet progresin e shenjuem të shekullit të ri. Tashma e ka dëshmuar me artin e vet se bota planetare është e saj, sepse nuk ka forcë politiko-ideologjike si në diktaturën e kuqe komuniste që të ndalte të drejtën e botimit, të kufizonte liritë e fjalës poetike, t’i çonte librat e ndaluem për karton. Tek poezia “Ky perëndim dielli” na flet për Adriatikun e Jonin, malin e Dajtit e liqenin e Pogradecit, por edhe për “diellin brazilian, haitjan…”, “liqenin Miçigan në Amerikë”, etj. (fq.113-114), ndërsa tek poezia “Jam duke pritur shiun” flet për konfliktet në Kosovë, Irak, Afganistan, Bosnje, për Pranverën Arabe (fq. 127-128), etj. Poetja e përveçme Elida Buçpapaj me atributet e kontributet e saj të derisotme i jep të drejtë vetes dhe koha i jep të drejtë asaj të jetë e përjetshme, sepse në fillimet e demokracisë së re shqiptare ishte korrespondente e radios “Zëri i Amerikës” duke shpërndarë në eterin e globit fjala-zërin e saj për ecuritë e vështira dhe arritjet e mira demokratike në Shqipërinë postkomuniste, një nga vendet më të izolueme, më të varfëra, më diktatoriale të botës. Kjo poete emigrante, prej vitit 1998, jo pak, po një dekadë kohë, ishte redaktore-koluministe tek gazeta kombëtare – ma e madhja media shqiptare: “Bota Sot” në Zvicër, që shpërndahej shpejt e pandalun në Kosovën e Lirë, në Europën Perëndimore (Zvicër, Gjermani, Belgjikë, Austri, Itali, Hollandë, etj.), në Tempullin e Demokracisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prapë fjala e saj e shkrueme dritëron në kombëtaren “Bota Sot” tue pasqyrue kohën e sotme e kombin e përjetshëm shqiptar. Elida Buçpapaj është e përjetshme. Ndoshat ndokush don argumente. Nuk mungojnë. Aq ma mirë – nuk janë të pakët. Kjo është një përkthyese aktive, produktive,cilësore. Në shtypin shqiptar të letrës dhe elektronikës si në ato të Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Podgoricës, në ato të Diasporës shqiptare në Zvicër, Amerikë, Athinë, Itali, Australi, Kanada, Belgjikë, Suedi… vijnë majemalet e poezisë botërore, si: Thomas Stearns Eliot, Carlsandburg, Rabindranath, Tagore, Wislawa Szymborska, Uilliam Blake, Edgar A. Poe, Guillaume Apollinaire, Arthur Schnitzler, Jorge Luiz Borges, Cesare Pavese, Jacques Marqucz, etj., etj. Gjithsesi nuk po due me e heshtnue edhe një tjetër argument, që gjithsesi nuk është i fundit: Gazeta elektronike “Voal Online – Zëri i Shqiptarëve”, elitare në llojin e vet, që ta jep botën në pëllëmbë të dorës, që ta sjell para syve Shqipërinë Londineze, Kosovën sovrane, Luginën e Preshevës (Kosova Lindore) me krahinën e Sanxhakut të okupuem nga Serbia, Malësinë nga Ulqin në Plavë-Guci të okupuem nga Mali i Zi, Çamërinë me rrethina shqiptare të okupueme nga Greqia. Aty shqiptarët e botës pikapjekën me njani-tjetrin. E kjo gazetë e përminutshme, përcjellëse e lajmit më të shpejtë shqiptar e (ndër)kontinental, drejtohet me profesionalizëm nga dyshja që janë një e përbashkët: Elida e Skënder Buçpapaj. 3. Diçka duhet të kemi të kthjelltë: Elida Buçpapaj nuk është e përjetshme se iu ka mbushur mendja asaj ta deklamoj botnisht në titullin e varglibrit të rradhës. Ajo është e mbetet e tillë nga vet-mbushjet e mëdha shpirtërore, intelektuale, poetike…të saj, nga vet-përmbushjet misionare të saj si qytetare, si nanë, si krijuese, si veprimtare e letrave shqipe, si përcjellëse e vlerave (ndër)kombëtare letrare. Në magjen e saj krijuese brumapjeket mirësisht poezia engjëllore “Magjia” (fq. 77-79) teksa artnon vargjet e bardha: ”Me “Labeatin”/ notojmë/ përgjatë rrjedhës/ së Drinit/ nëpër Dardani/ dhe në frymëzimin e saj mirëkrahason “anija luhatet si djep”. Mrekullisht i portretizon shumëdimensionet e saj: “jam Zana/ Tanusha/ apo një dhi e egër/ e pakapshme/ shkrepëtimë/” dhe “jam Orë/ në gji kam qumësht/ të trashë/ të bardhë/ real”. Kjo poete tue udhaec krenarisht me anije përmes liqenit të Komanit, bash në trevën gjimbajtëse të Eposit të Kreshnikëve, na e paraqet vetëveten sa tokësore edhe qiellore, sa mitologjike edhe reale. Kjo, poetja Elidë, jo se don të paraqitet si frymëzim çasti në këtë poezi të saj, po ndjehet prej hejcekuri përjetim real i Tanushës të Eposit legjendar të Kreshnikëve. Ajo është Tanusha e mirë e kohëve moderne. Njejtësisht e denjësisht është vajza e një “krajli poet lirik”- Vehbi Skënderit, nga një familje korçare me tradita atdhetare e fetare. Babain e saj, poet i rrallë, partizanin me dy plagë në trup, me disa vepra poetike të mbrrime, nuk e deshti të tillë koha e komunizmit enverian, ndaj çuen për dënim politik në veprën ndërtimtare energjitike të Fierzës – aty ku Drini bigohet me Valbonën. Për koinçidencë: pak kilometra ma andej shtrihet në një rrafshinë të plantë Tplani – vendlindja e “Dinastisë poetike Buçpapaj”. Poetja Elida Buçpapaj, kjo Tanushë shqiptare kërkon Kreshnikun e saj në një histori tjetër moderne. Dhe ai vjen: erdhi nga Toka, zbriti nga Qielli, e solli Dielli. Nuk e di. Diçka e kam të sigurtë: Ai ishte kreshniku poetik, jo veç nga shtati tipik malësor dhe nga artfjala e veçantë poetike, po edhe i lindun dhe i rritun në trevën e Eposit të Kreshnikëve, në Malësinë e Gjakovës, përndryshe: Malësinë e Mirë. Ai ishte Skënder Buçpapaj, një kreshnik i kohës moderne, një nga lisat poetikë rrënjadegë në kohëna; që e deshën larg të gjitha rregjimet kuq e blu, një mal që e ban vendin e vet në rritje, që i lumturohet idealisht vetësakrifikimit shpirtëror, poetik…biblik për të Tjerët, që ata të mos vuajnë nga dhimbja dhe krenaria. Kjo Tanushë shqiptare, në një epokë moderne, në një kohë me frymëtime demokratike, në një jetë më vuajtje e shpresa, vjen si Nanë në një trevë me histori e kulturë të përjetshme. Edhe vetë është e përjetshme edhe për këtë fakt hyjnor: Nana Elidë i jep jetës jetë me të dy djemtë e saj: Prizrenin dhe Endritin, si dy yje me kulturë bashkëkohore, të dhanun pas ditunisë, përkthimeve, vendlindjes së prindërve. Nana Elidë, poetja Elidë, në poezinë “Magjia” ndjehet jetësore e hyjnore teksa “nxjerr gjirin dhe mënd” ushqen Prizrenin e paksa rritun dhe “Endritin / ende të palindur”/ dhe për ma tepër legjendarizon realen: “pik-pik / pikon qumështi / në bashin e anijes / dardane / me emrin “Labeat’’’/. Si në Eposin e Kreshnikëve kur Zanat i jepnin fuqi Mujit me qumështin e dhive të egra, kur iu prinin Orët në beteja… edhe Elida, nana “me gjirin plot qumësht / të bardhë / të bukur / dhe poetja me fantazi të ndezun reale të rrugës së qumështit deri tek Kashta e Kumtrit dhe tek “Theqafja e Drinit” na dijenon se “jam Nëna / Ora / Zana / dhija e egër / probatesha e tyre / dhe kreshnikët e eposit të lashtë, siç artnon nëna-poete “kanë dalë / e më presin /në “Theqafje të Drinit”/ kërshe më kërshe /(duhet ma shqip – shkëmb më shkëmb, shënim nga R.L.)/dhe më presin / me nderim”/. Dhe patjetër kreshnikët e rinj të bjeshkëve të Eposit të Kreshnikëve, të Etnosit Shqiptar, do të jenë edhe dy djemtë e saj, nipat e mbesat e saj. Elida Skëndëri si talent u shfaq shumë herët në amzën poetike familjare. Rruga poetike e Elida Buçpapajt (Skënderi) mbetet tepër e gjatë, e përjetshme. Kjo poete nuk ka veç një poezi “Magjia”, po vet krijimtaria e saj është magjike kur buron si krijim hyjnor, si hymn jetësor, si yllsim i realiteteve. Në krijimtarinë e saj poetike e publicistike ka fuqi ajzberige magjike për të shpreh dhimbje e krenari, ka një fuqi ullake magjike për t’iu kundërvënë deri në rebelim rrjedhave të padrejta të jetës, ka një fuqi flakadane magjike ndaj mbrapshtinave që i vetarsyeton në segmente apo klane të politikës së ditës e të kohës. Kjo që po e ceki në përmbyllje nuk është aspak e tepërt: Nëse poetja Elida Buçpapaj është shumëdimensionale në legjendarizim të vargjeve në poezinë - hymn i jetës “Magjia”, ku ndjehet si Nanë, si Zanë, si Orë.., ajo duket se ndjehet e tillë, realisht shumëdimensionale, edhe në jetën e prejardhun, të sotme dhe të përtejme të saj. Edhe në vargveprën e saj poetike: “Unë jam e përjetshme”. Ajo është shumëdimensionale, se është poete, është përkthyese, është publiciste, është botuese, është kulturologe, është veprimtare e shoqërisë civile, është… Padyshim është një nga simbolet e kohës që rrezaton vlera e visare për brezat. Padyshim është një nga femnat model që dëshmojnë fuqi e lartësi për kohën e sotme. Sigurisht është dhe mbetet Vetëvetja në poezi e në jetë, në Atdhe e në Mërgim, në lodhjet e në lumturinë e saj, në dhimbjet e në krenarinë e saj. Poetja Elida Buçpapaj – kjo vajzë korçare, nuse tropojane, qytetare e Shqipërisë e Zvicrës, emigrante politike e Tiranës zyrtare dhe e Europës së Bashkuar – është poete e botës, me zërin e saj tokësor e qiellor, me individualitetin e saj jetësor e poetik, me fondin e saj fletëhapun e vrellarrjedhë kristaltë, me vargveprat e saj poetike, tek ma e para e deri tek kjo e sotmja “Unë jam e përjetshme”. E thonë latinët: “Heronjtë vdesin një ditë, po shkrimtarët, poetët e historianët nuk vdesin kurrë”. Ata janë të përjetshëm në breza. Ata janë përjetësia e kohnave. Ramiz LUSHAJ
Posted on: Wed, 21 Aug 2013 05:38:45 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015